Lasgush Poradeci

Ese nga Luan Çipi

Llazar Gusho, i njohur nën pseudonimin Lasgush Poradeci, ishte poet, shkrimtar e përkthyes shqiptar i shquar. Ai u lind në qytetin e Pogradecit më 27 Dhjetor 1899 dhe vdiq në moshën 88 vjeçare, në Tiranë, më 12 Nëntor 1987.

Lindi në qytetin buzë liqenit të Pogradecit, në familjen e Sotir Gushos. I ati si arsimdashës që ishte, e dërgoi, pas mësimeve fillore që i kreu në vendlindje, në një shkollë të gjuhësh rumune, në Manastir nga viti 1909 deri më 1916. Më pas, e nis në Athinë pranë liceut “Léonin”, liceu më i hershëm privat në kryeqytetin grek, ku qëndron deri më 1920. Pasi sëmuret, e shtrojnë në sanatorium në Greqi, për dy vite.

Më 1921 regjistrohet në Shkollën Kombëtare të Arteve të Bukura në Bukuresht pas një viti përpjekjesh për të tejkaluar valën e kundërshtive.

Në Bukuresht ai u lidh me lëvizjen atdhetare të kolonisë shqiptare, u miqësua me Asdrenin e atdhetarë të tjerë shqiptarë dhe u zgjodh edhe Sekretar i Përgjithshëm i Kolonisë. Në Rumani, duke dhënë provimet mori bacalaureatën në Silistra.

Po atje, u miqësua me Asdrenin, të cilin e zëvendësoi në pozicionin e tij drejtues por edhe me rioshin e shquar, Mitrush Kuteli.

Mjedisi rumun ndikoi shumë në formimin letrar të Llazarit. Nisi të botojë vargje në të përkohshmen shqipe te “Shqipëri’ e re”, një e përjavshme kombëtare me ilustrime, që botohej në Konstancë, dhe tek “Dielli” i Bostonit. Vargjet e tij të kësaj periudhe po shfaqnin tashmë një afri me poetin lirik rumun Mihai Eminescu, admiruesin rinor të poetit në formim.

Në verën e vitit 1924 Qeveria e Fan Nolit i dha bursë dhe ai regjistrohet në Universitetin e Gracit (Austri), në Universitetin Karol Francik dhe në 1934 përfundon studimet e larta në Fakultetin e Filologjisë Romano-Gjermane dhe fiton titullin Doktor-Profesor.

Vitin tjetër u kthye në Tiranë duke u caktuar si mësues për arte në një shkollë të mesme.

Vitet 1944-’47, vitet e turbulluara të fillimit të regjimit komunist, ishte i papunë dhe jetonte në kryeqytet me të shoqen. Pas punësimit jetëshkurtër, pranë Institutit të Shkencave, pararendësit të Universitetit të Tiranës, nisi punë si përkthyes me normë, pranë shtëpisë botuese shtetërore “Naim Frashëri”, ku punoi deri kur doli në pension, më 1974. Vdes në kryeqytet më 12 nëntor 1987.

Pseudonimi letrar me të cilin njihet, e ka zanafillën nga gërmëzimi i rrudhur i emrit të tij përfshi atësinë, (Llazar Sotir Gusho = La-S-Gush) dhe si mbiemër ka përdorur emrin e vendlindjes, Poradec, duke hequr germën g.

Në dallim nga poetët e Rilindjes, që me gjithë origjinalitetin e tyre, kishin tipare të përbashkëta, poetët e shquar të periudhës së Pavarësisë Noli, Fishta, Poradeci, Migjeni, janë krejtësisht të ndryshëm nga njëri-tjetri si nga formimi, temperamenti, dhe prirja e tyre, ashtu edhe nga interesat e synimet.

Lasgush Poradeci është autor i dy vëllimeve me poezi “Vallja e yjeve” më 1933 dhe “Ylli i zemrës” më 1937, botuar në kryeqytetin rumun. Vëllimi i parë u botua me ndihmën e mërgatës shqiptare në Konstancë dhe vëllimi i dytë u botuar me ndihmën e Kutelit. Vëllimi i dytë, përmban edhe vargje të përpunuara nga vëllimi i parë, po me poezitë, me vargëzimin e melodinë, më të hollë të gjuhës shqipe.

Përpos dy vëllimeve, Poradeci botoi tregime në prozë ndër të përkohshmet e viteve ’30-’40. Veçanërisht tek “Përpjekja shqiptare” e Branko Merxhanit. Shkrime prej tij janë shfaqur edhe në të përkohshmet “Drita” dhe “Nëntori”, të cilat të vëzhguara siç qenë nga censorët e kohës, ishin objekte më të volitshme të kritikës bashkëkohore..

Autor botoi më se 100 poezi, një pjesë prej të cilave poezi dashurie.

Lasgush Poradeci dallohej për përdorimin e fjalëve arkaike dhe shprehive popullore, po aq sa i fjalëve të reja dhe eksperimenteve leksikore interesante e të guximshme.

Ai ndër të parët shkrimtar shqiptar, kujdeset për fjalorin. Zgjedhja e fjalëve, mënjanimi i barbarizmave, zbulimi i fjalëve te reja dhe përsosja e përshtatja e tyre, pasqyrojnë shkallën e ndjesisë artistike të një shkrimtari si ai. Lasgushi mbështetet në gjurmët anonime të këngëtarëve popullorë, pararendësve të shquar dhe te thesarit popullor.

Kuteli, që i redaktoi së fundi poezitë e mikut të tij, për “Yllin e zemrës”, e quajti autorin “Poeti i vetëm shqiptar që mendoi, foli dhe shkroi vetëm në gjuhën shqipe”.

Veç të tjerash, ai vlerësoi veças poemat “Ekskursioni teologjik i Sokratit”, “Mbi ta”, “Kamadeva” si dhe baladat për Muharrem e Reshit Çollakun.

Lasgush Poradeci gjithashtu, përktheu me cilësi gjurmëlënëse, disa nga kryeveprat e letërsisë botërore si “Eugjen Onjegin” të Pushkinit, lirikat e Lermontovit, të Bllokut, Poemat e Hajnes, të Majakovskit e Miçkieviçit, lirikat e Gëtes dhe Hajnes, poezi të Lanaut, Brehtit, Hygoit, Mysesë, Bajronit, Shellit, Bërnsit, të Emineskut, etj.

Lasgush Poradeci e jetoi Rilindjen, në periudhën e shpërthimit të kryengritjeve të mëdha për liri. Në veprën e këtij romantiku të fundit të letërsisë sonë, dominoi shqetësimi atdhetar i mbrojtjes së kombit në vazhdim të traditës së Rilindjes, ashtu sikurse edhe dëshira për triumfin e pikëpamjeve demokratike, me shqetësimin për një emancipim të përgjithshëm kulturor e shpirtëror të shoqërisë shqiptare. Ai është nga lirikët tanë më të mëdhenj, që u shqua për ndjeshmërinë dhe ëmbëlsinë poetike, me të cilën i këndoi Atdheut, po dhe dashurisë.

Në elementë që përbëjnë vlerën e një vepre poetike, forma ose trajta, zë vend kryesor. Kuptimi ose përmbajtja, për shumë studiues, vijnë në radhën e dytë. Kjo gjë, sipas tyre, shpjegohet e kuptohet me arsyetimin, që nuk mund të ketë mendime aq të larta, të thella e mbase hyjnore, që të jenë më të vlerësuara nga forma e bukur e paraqitjes së tyre, ose ndryshe: nuk mund të ndjejnë e të shijojnë shpirtërisht bukuritë e jetës dhe të natyrës, (gazin e ditës, magjinë e mbrëmjes ose fshehtësinë e natës), sa e sa mund të paraqiten bukur ato. Pra ndjesitë e brendshme nuk mund t’i shprehim qartë, pa formën e bukur të veshjes poetike (të rimës, ritmit, muzikalitetit, metaforave dhe mjeteve gjuhësore artistike).

Kjo është arsye, për të cilën në vëzhgimin e veprës poetike të Lasgushit, ne fillojmë me formën, duke përmbledhur në këtë fjalë: fjalorin, përfytyrimet, rimën, ritmin, fonologjinë e stilin përgjithësisht.

Sbret një yll prej lartësije,  Një të ndritur shkrepëtime  Posi flakë e posi hije  Ajo ryn në zemër t’i me. 

E kuptoj me shpirt të sosur  Si kullon dale nga dale  E si fjalës së palosur  M’i hap kindën e një pale…

Lasgushi shquhet haptazi nga gjithë poetët e tjerë të shqipes, sepse ka fjalorin e tij specifik e të pasur, një fjalor të cilit mund t’i themi pa frikë “lasgushian”. Elementet kryesore, tipike të këtij janë fjalët e lashta e të rralla të papërdorura përpara tij në literaturën e kultivuar, fjalët e thurura dy e tri bashkë, sipas shpirtit të gjuhës shqipe dhe fjalët e reja, të nxjerra nga fjalët e vjetra që ruajnë harmoninë e shqipes. Përmjet kësaj trinie e përmjet mënyrës ose stilit të përdorimit të fjalëve në vargje, Lasgushi ka përtëritur shqipen, duke i dhënë ngjyra të reja, ndriçim të ri e gjallëri të re. Ja, si shkruan Poradeci:

M’a cik qipallëzën e fjetur  Me gjishtërinj si prej zëmbaku.  Tungjatjeta! Tungjatjeta!

Vënd o vënd ku cel junapi 

Sa i përket burimit, disa nga fjalët e lashta të përdorura në thesarin e tij poetik, janë marrë prej këngëve popullore dhe të tjerat, prej shkrimeve të vjetra të shqipes. (Kupitori, Kristoforidhi, etj). Kështu, fjala pikëlore është marrë nga kënga “Moj nepërka pikëlore”, fjala pah nga kënga poradecare “Plaku dhe djali”; fjala gjeratore është marrë nga Kupitori; fjala qëndresë, është marrë nga Papa Kristo Negovani.  Përveç fjalëve të lashta të veçuara, të përdorura në kuptimin e parë ose në një kuptim metaforik, thesari i Lasgushit përmban edhe disa vargje fjalësh të bashkuara ose të marra nga goja e popullit ose të thurura sipas frymës organike të shqipes. Këto fjalë pasqyrojnë njëmendësinë edhe mundësitë e shumta të shqipes si edhe artin e thellë të poetit.

Poradecit, për t’i dhënë veprës së vet harmoninë e tingëllimeve që e ndjente brenda në vetveten e për të shprehur mendimet e ndjenjat e tij, i duheshin ngjyra të reja, mjete, shprehje të reja, të cilat shqipja si gjuhë e njomë dhe e begatshme dhe e palëruar nuk i kishte. Dy rrugë i mbeteshin Lasgushit për të mbushur këtë boshllëk organik të shqipes: ruajtja nga gjuhët e tjera më të zhvilluara, ose punimi i shqipes për të nxjerrë mjete e fjalë të reja. Secila prej këtyre dy rrugëve ka rreziqet e saj, sepse përzierjen e shqipes me gjuhë të tjera për të bërë një gjuhë balashe , veçanërisht në artin e vjershërimit, ku nuk e pranon as shpirti, as veshi, sepse fjalët e reja të krijuara prej dikujt, mund të rëndojnë kuptimin e shijimin e veprës. Kjo gjë nuk e ndaloi Lasgushin të zgjedhë edhe ai rrugën e krijimit të fjalëve të reja si mjet të pasurimit të fjalorit shqiptar. Ndryshimi nga të tjerët, që patën ndjekur po atë qëllim, qëndron në faktin se Lasgushi nuk u largua fare nga shpirti i gjuhës shqipe. Fundi i fundit, fjalët e “krijuara” prej Lasgushit rrjedhin prej një shqipe të njohur ose prej bashkimit të dy fjalëve të tjera edhe këto të njohura edhe të gjalla. Shumica e këtyre fjalëve kanë hyrë sot e përgjithmonë në gjuhën shqipe. Të radhitura në vargje vjershash, disa nga fjalët “lasgushiane” tingëllojnë kështu:

E kur pat humbur jet’ e dherit,  Kur syr’i lodhur m’u përgjum,  Në shkëndijim të kandilerit  Mi çfaq ylberin e një rruaze…  Fatlur, o shpirt, ti je nër gaze,  Dhe nër mjerime je fatlum! 

ose: Tashi dh’agimi llambaritës  Po svagullon në fund liqeri.

0se; Mi zall të pyllit vjeshtarak  Dremit liqeri pa kufi,  Ay ndaj fundesh u përflak  Posi me zjarr e me flori.  Dremit liqeri

Interesant Lasgushi është dhe me metaforat:

Ai, i nxjerr të gjitha metaforat e simbolet, vetëm e vetëm prej gjuhës shqipe, prej realiteteve e mundësive shqiptare, prej etikës shqiptare. As mitologjia greke dhe as mitologjia romake, të cilat zotërojnë kaq breza artistësh të të gjitha cepeve të botës, nuk e shtyjnë Lasgushin të përdorë ndonjë motiv ose simbol të huaj në vjershëri. Lasgushi është i vetmi poet shqiptar, që mendon, flet e shkruan vetëm shqip. Ay përpiqet të vlerësojë e të zhvillojë potencialin shqiptar në art e në gjithë fletët e jetës.

“Sot, shkruan Ismail Kadare, Lasgush Poradeci, është më i nevojshëm se rrallë herë për Shqipërinë, sepse pikërisht sot, kjo Shqipëri e përbaltur dhe e zhytur në mllef e grykësi vulgare, më shumë se kurrë ka nevojë për lartësim shpirtëror, për pastërti dhe qiellësi sublime”.

Ajo që e diferencon këtë gjeni, është shkolla poetike që krijoi me poezitë e tij të papërsëritshme, në të cilat gjallon jeta dhe vdekja, gëzimi dhe trishtimi, skllavëria dhe liria, urrejtja dhe dashuria.

Në poezitë e tij ndjen edhe afshin e ngrohtë të zemrave të dashuruara, edhe drithërimat e shpirtrave të sfilitur nga vuajtja e mjerimi, edhe puhizën që përcjellin fushat tona të begata, edhe oshtimat që vinë nga grykat e ashpra të maleve, edhe tingujt frymëzues të himnit të flamurit.

Ai përherë përshkohet nga ndjesia e të pamundurës. Sa i vëmendshëm për gjithçka, aq dhe i përhumbur në harresën e tij, sa i pranishëm, aq edhe që mungon.

Lasgush Poradeci, që prej mbarimit të Luftës së Dytë Botërore, kishte qenë edhe i gjallë edhe i vdekur njëkohësisht. Ndaj shpesh ai është quajtur Pasternaku i Shqipërisë. Në shpirtin e tij mbijetonin edhe gëzimi edhe hidhërimi, edhe përbuzja edhe vlerësimi, edhe besimi, edhe mosbesimi, edhe buzëqeshja edhe zemërimi.

Në letërsinë ballkanike të viteve 30-40, Poradeci bashkë me Nolin, shkëlqenin, mes yjeve të rrallë të kësaj letërsie.

Por “Lidhja e Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë”, krijimtarinë e tij e mbuloi me heshtje dhe harresë..

Zemra e tij, në të vërtet, pushoi në nëntorin e vitit 1987, por për egoistët dhe mohuesit e kulturës, ai ”pati vdekur” shumë më shpejt. Po Poradeci edhe “i vdekur”, rrezatonte më shumë, meditonte më shumë, për rrjedhim ndriçonte më shumë se të gjallët. Edhe pse mediokrit e varrosën për së gjalli, ai kurrë s’u mat me hijen e tyre dhe kurrë s’pranoi të mbrohej nën ”çadrat“ e yshtarëve të oborrit të kohërave që jetoi. Në kokën e tij gjithçka rridhte ndryshe, edhe koha edhe jeta. Ishte tepër i hapur, ose siç e karakterizon Kadareja, i çarë, që ndryshe do të thotë, i krisur.

Lasgush Poradeci kishte një kulturë të gjerë perëndimore. Fliste bukur në shumë gjuhë të botës, si anglisht, gjermanisht, frëngjisht, italisht etj. Truri i tij ishte i jashtëzakonshëm. Mendimet e tij ishin të thella e të çuditshme, aq sa ishte e vështirë të depërtoje në thelbin e tyre. Në gjykimin e tij misterioz lexoje vështrimin e të gjitha kohërave. Është kjo arsyeja që mesazhet e krijimtarisë së tij dhe problematika që rrok, kanë dimensionet e universales. Atdheu e vendlindja, kultura e traditat dhe gjuha e flamuri, janë bërë objekt i shumë poezive të Poradecit.

Një nga perlat e poezive, kushtuar qytetit të tij të lindjes, është ajo me titull ”Poradeci”. Bukuritë e vendlindjes dhe të Liqenit të Pogradecit janë aq mahnitëse sa që e bëjnë të shkruajë vargjet:

”Kur sjell ndërmend, ah atë vend,

As rroj , as vdes , po jam pa mend”

Për të ka vlerë çdo gjë që ”mban erë Shqipërie”. Këtë erë të ngrohtë ja sjell gjuha dhe kultura, mali dhe fusha, flamuri dhe kënga, puna dhe zemra, që rreh për Kombin. Për Lasgushin, Atdheu është edhe djepi edhe varri, edhe fusha edhe mali, edhe uji edhe zjarri, edhe hëna edhe dielli, edhe buka edhe mielli, edhe mjalti e sheqeri, edhe helmi e zeheri, edhe jeta e fantazia, edhe liria e skllavëria.

Vendlindja e tij është “shkrumbi i natës”dhe “zhegu i diellit”.

Ndërsa gjuha shqipe është “gjuhë e zjarrtë”, ”këngë e shenjtëruar”, ”verb i larë me ar”. . .

Të ruash traditat, do të thotë të sigurosh vazhdimësinë e kombit. Këtë mesazh me vlera të përhershme ka dashur të përçojë autori nëpërmjet poezisë ”Kënga pleqërishte”. Kënga pleqërishte, që vjen nga thellësitë e kohërave, poetit ja bën “shpirtin ujem”, sepse ajo mban brenda edhe vrull e gëzim, edhe ” vaj” e dëshpërim, edhe “furtunë e shpërthim”, edhe skllavëri e lirim, edhe shpresë e hutim.

Me atë ngrohtësi që ky poet i madh i këndon “Këngës pleqërishte”, i këndon edhe ”Marshit të djalërisë”, në brendësinë e të cilit gjallon frymëmarrja e Kombit, Hymni i Flamurit dhe lavdia e Skënderbeut. Ndaj djalërinë, forcën dhe motorin e zhvillimit të një kombi, e uron ”qofsh sa val’ e detit”.

Frymëzim për shumë poezi të L. Poradecit janë bërë ngjarje e figura të shquara të historisë, kulturës, artit dhe letërsisë shqipe, siç janë, Shpallja e Pavarësisë dhe Ismail Qemali, që e vulosi atë me ngritjen e Flamurit në Vlorë.

Në poezinë me kolorit të thellë popullor ”Ç’u mbush mali”, trimat e Ismail Qemalit vinë në Vlorë” Me flamur të kuq në dorë/ si dhëndurrë me kurorë. Pyetja retorike “ç’ka që çan rrufeja retë, merr përgjigjen: ”Vjen Ismaili trim me fletë, që “fluturon si shigjetë”,

Dita e shpalljes së Pavarësisë është “ditë e shenjtëruar”, sepse Pavarësia është frymëmarrje dhe liri, progres dhe zhvillim. Kurse Flamuri është ”shenjë perëndie”, ”mburojë lirie “, që skuq si yll”. Është fat për Shqipërinë.

Për Lasgush Poradecin poetët e mëdhenj si Naimi dhe Asdreni kanë shërbyer si model krijues, nga të cilët ka marrë ëmbëlsinë dhe melodicitetin e papërsëritshëm të vargut dhe vërtetësinë, sinqeritetin e kthjelltësinë e mendimit, veçori që i lëmoi dhe i përsosi më tej.

Në poezitë e Poradecit, Naimi shfaqet si “mrekulli e fjalës shqipe”, që “fërfëllon si yll” në “sheshin e kuq të Qorbelasë mes trimërish stërgjyshore”. Naimi është nga ato figura të rralla të kombit dhe kulturës që “kurrë s’u lodh duke ndritur në kraharorin e kombit të zhuritur”. Ai ishte fjalëtor i rrallë/ shpirt i ndritur i lirisë/ yll i vjershërisë/ verb i Perëndisë.”

Poezitë që e bëjnë L. Poradecin të pavdekshëm janë ato të pejsazhit dhe të dashurisë, të cilat shpesh ndërthuren aq bukur, sa është vështirë t’i perceptosh të ndara nga njëra-tjetra. Dashuria në poezitë e këtij romantiku modern është sa platonike aq dhe reale, sa iluzore aq dhe konkrete. Lazgushi është quajtur dhe poet i qiellësisë. Për të , dashuria është shëmbëlltyrë e lirisë njerëzore”, një “shpërthim i brendshëm”, që nxeh gjakun dhe ftoh arsyen. Ajo është e lirë ”si zogu i qiejve”, që fluturon në hapësirë, por që rikthehet përsëri në folenë e tij për t’u fshehur në fund të zemrës. Dashuria buron nga thellësitë e shpirtit dhe pastaj “ngjitet deri te Zoti”, për të rrojtur përjetësisht. Të dashurës, poeti i drejtohet me vargjet me ngjyrim popullor:” ”…do të thyej si mënjollë/do të shtrydh porsi një mollë. Për të, dashuria është një magji e brendshme, që shpesh nuk i bindet vullnetit të mendjes, gjë që shprehet bukur në vargjet: ”Se s’dashuroja as un’, as ti/ Po dashuronte dashuria”. Vajza që ka përvëluar shpirtin e djalit të dashuruar është “gji-mbuluara-si krua/ shtat lëkundura-pallua, është “diell dhe hënë”, që djali e ruan thellë në zemër.

Një nga poezitë më të bukura me motivet e pejsazhit, është ajo me titull ”Kroi i fshatit tonë”. Tek ky krua poeti gjen jo vetëm vendlindjen, por dhe vajzën që dashuron. Në këtë poezi ndërthuren në mënyrë të përkryer dukuritë natyrore me ato njerëzore. Dukuritë natyrore, si kroi, uji, yjet, hëna dhe dielli, vihen në funksion të përshkrimit të ndjesive njerëzore. Në brendinë e tyre, shohim djemtë dhe vajzat e dashuruara me sytë dhe buzët e tyre të qeshura, por dhe brengat dhe ofshamat që u shkakton dashuria.

Në krijimtarinë e këtij poeti të madh gjejmë edhe poezi me motive filozofike siç është oda me titull ”Shpirtit”. Për Lasgushin shpirti është sa konkret aq dhe abstrakt, sa i dukshëm aq dhe i padukshëm, sa i përkohshëm aq dhe i përjetshëm, sa i vdekshëm aq dhe i pavdekshëm. Është “zemër dhe gjak, frymë dhe vlag”. Ndërsa në poezinë me të njëjtin motiv ”Lënda dhe jeta” ai u jep përgjigje pyetjeve: Ç’është njeriu dhe jeta?! Në ç’raport qëndron njeriu me Zotin?! Ç’është lindja, vdekja dhe pavdekësia?! Nëpërmjet magjisë së fjalës, ai shpjegon se njeriu është “lëng , pluhur, era e lules…” Ndërsa ”përjetësia është pavdekësia e detit”.

Lasgush Pogradeci lëvron me mjeshtëri, jo vetëm poezinë e shkurtër, por dhe poezinë e gjatë, poemën. Një nga poemat e tij më të bukura, me vlera universale është ajo me titull ”Ekskursion teologjik i Sokratit”, e cila nga mesazhet që përçon, tingëllon tepër aktuale. Sapo fillon të lexosh këtë poemë, të shfaqet para sysh figura madhështore e Sokratit, filozofit të parë të Greqisë së lashtë. Për poetin ai është “Tempull, me tru në kokë” që “filozofinë e uli nga qielli në tokë”. Për filozofin ateist “Nuk ka Zeus, nuk ka Zot…por ka popull të paditur” Në këtë poemë Poradeci nëpërmjet gojës së Sokratit fshikullon jo besimtarët e vërtetë, por ”Perënditë shtetërore”, mbretërit dhe kryeshtetarët, të cilët nuk besojë “as Tempull fhr as në Zot“, por hiqen si besimtarë të mëdhenj , vetëm për të garantuar pushtetin dhe paranë. Fatkeqësisht, ka dhe priftërinj e gjyqtarë që me popullin “tallen e qeshin duke e quajtur sylesh”. Sokrati me filozofinë e tij ateiste “tundi tempujt e njerëzisë/ nga ujqit e teologjisë. Prandaj poeti shkruan: ”Ti më i drejti i Greqisë/ Vdiqe përmes errësirës/ Linde përmes historisë”

Së fundi mund të themi se krijimtaria poetike e Lasgush Poradecit ka “lartësinë e maleve dhe “thellësinë e detit”, ‘’ëmbëlsinë e mjaltit” dhe ”fuqinë e hekurit”, ”bukurinë e luleve “dhe ”bardhësinë e zemrës”, ”kthjelltësinë e qiellit” dhe” ngrohtësinë e këngës”. Ndaj, ky kolos i letrave shqipe s’ka për t’u fshirë kurrë nga memoria e lexuesve të krijimtarisë së tij të papërsëritshme.

“Të lexosh sot Lasgush Poradecin, (pohon Mirela Kumbaro në Pogradec, në një përvjetor të tij) do të thotë të ringjesh brenda vetes potencialin e pashtershëm të artit dhe të dashurisë, të cilat ai i sillte si forca e përjetshme e universit”

Lasgush Poradeci, vdiq, duke lënë pas një krijimtari të bukur, e cila kishte fituar zemrën e lexuesit dhe kishte tërhequr vëmendjen e disa studiuesve të shquar të kulturë sonë si Eqerem Çabej, Skënder Luarasi, Mitrush Kuteli, Sabri Hamiti, Ismail Kadare, Rexhep Ismajli etj. Si një personalitet i shquar dhe poet i vërtetë ai nuk ua nënshtroi kurrë artin e tij, kërkesave dhe synimeve të diktaturës. Për këtë arsye ai u la në një gjendje ekonomike të rëndë dhe pothuaj në harresë nga shtypi zyrtar. Vetëm në vitin 1989 mundi të botohet vepra e tij e plotë.

Me rastin e 100-vjetorit të lindjes në 27 dhjetor 1999, presidenti i Republikës Rexhep Mejdani, i jep titullin “Nderi i Kombit” dhe Pogradeci, qyteti i tij i lindjes titullin “Qytetar Nderi”.

Pallati i Kulturës në Pogradec mban emrin Lasgush Poradeci. Në lagjen Kombinat në Tiranë ndodhet shkolla “9-vjeçare Lasgush Poradeci”. Rruga te Diga te Liqeni artificial i Tiranës, mban emrin Lasgush Poradeci.

Për këtë jetëshkrim të shkurtër u përdor kryesisht interneti, Wikipedia, Marie Gusho, Flori Bruqi, Sejdo Harka, Mojkom Zeqo, Merita Bajraktari, Mirela Kumbaro, etj.

Vlorë, më 05 Qershor 2018

 

 

 

 

 

Comments

comments

-----