AT’ GJERGJ FISHTA

Ese nga Luan Çipi

Gjergj Fishta, lindi më 23 tetor 1871 në Fishtë të Zadrimës dhe u quajt Zef, dhe vdiq në qytetin e Shkodrës, më 30 dhjetor 1940. Ishte i biri i Ndokë Simon Ndocit dhe Prendes së Lazër Kaçit nga Kotrri dhe kishte edhe tre vëllezërve dhe një motër. Gjergj Fishta. ishte frat françeskan, njeri i letrave, piktor, arkitekt, deputet, anëtar i Akademisë Italiane të Shkencave dhe mbrojtës i Shqipërisë në arenën ndërkombëtare.

Për gjysmë shekulli ishte figura mbizotëruese e letërsisë shqipe, madje që kur ishte gjallë u kurorëzua “poet kombëtar” e “Homer” i shqiptarëve. Pas vitit 1945, kur u vendos regjimi komunist, vepra e Fishtës u ndalua padrejtësisht dhe qëndroi e tillë derisa u përmbys diktatura komuniste.

I formuar në periudhën e Rilindjes sonë kombëtare, poeti ynë Gjergj Fishta është një nga vazhduesit më autentikë dhe të drejtpërdrejtë të saj, shprehës i idealeve atdhetare dhe demokratike në kushtet e reja që u krijuan në shekullin e njëzetë. Mënyrat e pasqyrimit të jetës, në krijimtarinë e tij, janë vazhdim i natyrshëm i teknikës letrare të Rilindjes, ku mbizotëron romantizmi, realizmi dhe klasicizmi.

Duke ndjekur jetëshkrimin e tij do mësojmë:

Fëmijërinë e parë Zefi i vogël (apo famullitari i ardhshëm At Gjergj Fishta) e kaloi në  katundin e vetë Fishtë, në mes  tufave të bagëtive dhe luleshqerrave, në mes tregimeve, përrallave, por edhe në mes ninullave dhe këngëve të trimërisë, që në përgjithësi mësoheshin pranë votës, shkollës dhe të trashëgimisë historike nga njeri brez në tjetrin… Inteligjenca e këtij fëmije ende pa mbushur gjashtë vjeç ishte e dallueshme me moshatarët, por edhe me më të rriturit.

Át Marian Pizzochini, famullitari i Troshanit, ia lypi prindërve për ta bërë frat dhe ata ia dhanë. Ai e nisi në Shkollën Françeskane në Shkodër me shpenzimet e veta, për t’u kthyer më pas në Troshan, kur u hap kolegji, më 1880. Kur ishte rreth 10 vjeç, të Parët e Urdhrit, e kishin nisur për në Dubrovnik për një trazim shëndetësor.

Më 1886 Fishta vetë i gjashti xhakua, u nis për në Bosnje nga Urdhri Françeskan.

Vitin e parë të provës e kaloi në Guçjagorë afër Travnikut, ku sipas sharteve të urdhrit, ndërroi emrin në Gjergj.

Mësimet filozofike i mori në kuvendin e Sutidkës, ndërsa ato teologjike në kuvendin e Livnos.

Të kësaj kohe janë edhe “Ushtrimet e para poetike”. I la mbresë rilindja letrare kroate, ku kishte lexuar poetët Martiç, Kaçiç (i cili  u kishte kenduar edhe bëmave të Gjergj Kastriotit), Njegosh dhe Mazuraniç, ndërkohë studionte dhe veprat e Aligerit,  Goldonit, Aliferit, Monzoni, Pascolit, etj. Është koha kur ai zë miqësi të ngushtë me poetin lirik kroat Kranjçeviç Silvije Strahimir (1865-1908).

Luan Çipi

Në vitin 1893 Fishta kreu me sukses studimet në Bosnje, ku Fishta  arriti të  zotëroi  gjuhet: latinisht, italisht, kroatisht, frëngjisht e gjermanisht. Më pas vetë i gjashti, ktheu në vendlindje, ku u bë meshtar, më 25 shkurt 1894, duke mbajtur meshën e parë në kishën e Troshanit.

Pasi u kthye nga Bosnja, punoi për disa vite mësues në Kolegjin e Troshanit. Të dielave mbulonte me shërbim meshtarak, kishën famullitare të Dom Lleshit (Zojës Nunciatë) në Lezhë, në të cilën shërbeu si kapelan (1896-1897).

Në vitin 1899 caktohet famullitar i përkohshëm në famullinë e Gomsiqes, ku dallohet si një ndër anëtarët themelues të shoqërisë “Bashkimi”, të prirë nga Abati Doçi.

Më 1902 u emërua sekretar i Komisariatit Gjeneral të Misionit Françeskan në Shkodër dhe po atë vit u bë i pari drejtor shqiptar i Shkollës Françeskane. Porsa mori në dorë drejtimin e shkollës, ndërroi gjuhën e dhënies së mësimit nga italishtja në gjuhën shqipe. Me nismën e tij, atje iu shtuan edhe klasat, që atëkohë quheshin qytetnore. Duke qenë në periudhën osmane ndoshta e vetmja shkollë kombëtare shqiptare në Shkodër, duke u mos u prekur më pas edhe nga Xhonturqit, ngaqë ishte pa ndikime të huaja si shkollë.

Më 15 shkurt 1907 me Gjeçovin, themeloi të parën bibliotekë shkollore në viset shqiptare.

Në nëntor 1908 u tubua Kongresi i Manastirit, ku Fishta përfaqësoi shoqërinë Bashkimi dhe mbajti ligjëratën “Për alfabetin latin”, që i dha udhëzgjidhje marrëveshjes për alfabetin.

Me kryengritjen e Mbishkodrës më 1911, i dërguar nga autoritetet osmane, Arqipeshkvi i Shkodrës Serreqi, për ta zgjidhur favorshëm konfliktin, mori me vete në Podgoricë Fishtën dhe Bumçin, për të ndërmjetësuar për paqe mes autoriteteve dhe prijësve të maleve.

Me administrimin ndërkombëtar të Shkodrës, Fishta, drejtoi të përkohshmen “Hylli i Dritës”, por u mbyll pas një viti prej autoriteteve të qytetit prej artikujve thumbues të vetë Fishtës. Për shkak të qëndrimeve të tij, autoritetet lëshuan urdhrin që të Fishta të syrgjynosej në Maltë, por ai u strehua ndër famullitë e krahinës dhe krerët e klerit ndërhynë që t’i pezullohej urdhri i internimit.

Me pushtim-administrimin austro-hungarez pas 1916, Gjergj Fishta, botoi fletoren “Posta e Shqypniës“. Po atë vit çoi shtypshkronjën në Shkodër, që morri emrin Shtypshkroja Françeskane. Kështu, françeskanët që deri atëherë botonin tek shtypshkronjën “Nikaj”, dolën më vete.

Bashkë me Harapin e Gurakuqin,  Fishta, organizojnë malësorët e Hotit e Grudës të protestojnë në Shkodër kundër lënies së dy bajrakëve, Malit të Zi.

Me përfundimin e Luftës së Parë Botërore, ushtria austro-hungareze tërhiqet nga Shqipëria dhe sërish del në pah çështja e kufijve territorialë. Fishta i bashkohet kryetarit të qeverisë së Durrësit Turhan pashë Përmetit, në dërgatën shqiptare në Konferencën e Paqes.

Me Bumçin më 5 shkurt, 1920, u zhvilluan takimin e radhës me kardinalin e Brukselit, Disider Mercier, primat i Belgjikës për ta ndërkombëtarizuar më tej çështjen kombëtare. Kardinali mori përsipër t’i shkruante autoriteteve të ndryshme qeveritare e kishtare.

Më 6 qershor 1921 u zgjodh deputet i prefekturës së Shkodrës. Fishta në fillim zgjidhet anëtar e më vonë kryetar i komisionit të buxhetit, anëtar i komisionit të arsimit dhe në gusht të atij viti zgjidhet Nënkryetar i Parlamentit.

Në tetor, me sivëllain Dodajn, shkuan në Romë për të takuar Kryetarin e Urdhrit dhe u pritën nga Papa Benedikti XV, ku morën ndihma për hapjen e shkollës publike me emrin “Illyricum“.

At Fishta nga viti 1920-1924 ka qenë i zgjidhur deputet  i legjislaturës  parë si përfaqësues i grupimit “Ora e Maleve që u rreshtua në një bllok me “Opoziten” kundër “Popullores”.

Fishta gjatë kohës si deputet ka qenë i zgjedhur edhe N/Kryetari i parlamentit dhe kryetari i komisionit të buxhetit e arsimit.  

Në fillim të 1922 niset për në Mbretërinë e Bashkuar, në shkurt 1922 nga Liverpool, pas 12 ditëve mbërrin në Amerikë. Takoi senatorë katolikë, të cilët ndikuan tek Henry Cabot Lodge, i Partisë Republikane, duke bërë të mundur hapjen e dyerve për njohjen diplomatike Shqipërisë së pavarur.

Në votimet për Kuvendin Kushtetues në dhjetor të vitit 1923, Fishta së bashku me Nolin dhe Gurakuqin përfaqësoi Opozitën.

Pas  dhjetorit 1924, kur qeveria e Nolit dështoi at Gjergji si simpatizant i saj u largua nga Shqipëria deri në vitin 1925, kur qeveria e Ahmet Zogut  shpalli amnistinë.

Në vitin 1930 At Gjergji  ishte njeri ndër anëtaret më sinjifikativ të konferencës ndërballkanike të zhvilluar në Athinë. Fishta u prezantua në parlamentin grek nga poeti më i madh i Greqise Palamas, ku me ketë rast mbajti një fjalim të mrekullueshëm….

Në vitin 1931, përsëri Fishta ishte anëtare i përfaqësisë shqiptare në konferencën ndërballkanike të Stambolli, dhe pas një viti (1932) edhe ne atë të Bukureshtit.

Në muajin prill të vitit 1933 me një dekret mbretëror, u mbyllen  të gjitha shkollat private, veçanërisht ato me mbështetje fetare (Katolike, Myslimane dhe Ortodokse), ku më i dëmtuari ishte komuniteti katolik. Për ketë protestoi në mënyre energjike Episkopati shqiptare  me zërin e tij më të fuqishëm At Gjergj Fishtën, i cili me këtë rast mbajti një fjalim model, në mbrojtje të historisë së arsimimit shqiptarë të lidhur me kontributin e besimit Katolik e perëndimor. Fishta pas fjalimit  u largua nga Shqipëria, dhe menjëherë e çoi shtetin shqiptar në Gjyqin e Hages. Pas rreth dy viteve seanca gjyqësore Fishta (me ndihmën e një avokati francez që zgjodhi vetë) fitoi gjyqin e Hagës (1935), ku edhe u rikthye e drejta e rihapjes të shkollave private…

Fishta, pasi u kthye në Shqipëri u takua (në vitin 1935) me mbretin (Zogu i I ) të cilit gjatë takimit i thotë: “I ke çua  me studiua  disa studentë  në Bashkimin Sovjetik, por ata  që kanë me u kthye kanë me kenë të gjithë komunistë. E ta dish se parimi ma i parë i komunizmit asht me mbytë ty (mbretin). Prandaj hap sytë e mos  shko mbas këshillave  të atyre të marrëve që  për inat të klerit katolik, të thonë me çua studentë në Rusi”.

Po në vitin 1935 u zgjodh provincial i kuvendit Françeskan, (detyrë që e kreu deri ne vitin 1938). Gjate kësaj kohe (në vitin 1937) i dha dorën përfundimtare  Iliadës shqiptare, Lahutës së  Malësisë..

Edhe pushtimin fashist Fishta e përjetoi me dhimbje (gjë që Fishta e kishte paralajmëruar), edhe pse  italianet i bene mjaft elozhe  e “privilegje”, ku me 6 qershor (1939) e  zgjodhën  anëtar nderi  i Akademisë të Italisë…Por Fishta kishte refuzuar edhe një dekoratë të mëparshme të shtetit fashist italian.

Më 1930 Fishta pësoi një incident në përurimin e fabrikës së çimentos, pas të cilit do t’i duhej të ecte gjithmonë me bastun.

Prej 1930 bashkë me ministrin e oborrit Mehmet bej Konica, përfaqësoi Shqipërinë në Konferencat Ballkanike në Athinë më 1930, në Stamboll më 1931 dhe në Sofje më 1932.

Mbas Konferencave maratonë Ndërballkanike, u pranua anëtar i Bashkimit Ndërkombëtar i Poetëve, organizatë e themeluar në Nju Jork.

Me diskutimin e projektligjin e arsimit për mbylljen e shkollave private, do të kishte një polemikë publicistike me ministrin e Arsimit, Hilë Mosi. Ministri pasardhës, Ivanaj, aplikoi ligjin për arsimin në shtetin shqiptar.

Më 1935 Fishta, u zgjodh Provincial i Urdhrit Françeskan në Shqipëri, dhe po të njëjtin vit u hap sërish liceu i fretërve pas vendimeve të Gjykatës së Hagës, ku shkollat private në Shqipëri e kishin shpënë çështjen. Në prill të 1937 shkoi në Çekosllovaki me detyrë prej Urdhrit. Më plotësoi mandatin si provincial dhe në këtë post e zëvendësoi Pater Çiprian Nika.

Pas pushtimit italian, më 3 qershor 1939 Fishta emërohet Akademik i Italisë. Më 1940, Papa Piu XII e priti atë në një audiencë të gjatë në Selinë e Shenjtë në Vatikan.

Nga fundi i vitit 1940 shkoi në Troshan, ku kishte nisë së pari jetën fetare dhe atë letrare.

Sëmuret me 10 dhjetor 1940, ku iu gjendën pranë miku i vet Doda dhe sekretari Volaj. Më 14 dhjetor e sjellin në Shkodër, ku e shtrojnë në spital për një sëmundje zemre dhe polmoni. Më 22 dhjetor, sodit i dëshpëruar borën e skllotën që kishte mbuluar qytetin, Fishta e kundron nga dritarja e kuvendit. Nga ftoma dhe bora e madhe Fishta rimori një polmonit që e rëndoi keqas shëndetin e tij. Me 27 mjekët humbasin shpresat dhe Fishta bie në kllapi. Më 30 dhjetor 1940 Fishta ndërroi jetë në spitalin civil të qytetit të Shkodrës. Arkivoli me trupin e tij u vendos në Kishën e Gjuhadolit, prej nga u përcoll në banesën e fundit nga pothuaj i gjithë qyteti si dhe autoritetet e kohës. Meshën e përmotshme e mbajti Arqipeshkvi i qytetit Imzot Gaspër Thaçi.

Në  Shkodër e mbarë Shqipërinë  do të përhapej   lajmi i ndarjes nga jeta i njërit prej kolosëve më të mëdhenj të fjalës e veprës shqip, At Gjergj Fishtës. Kreu i intelektualizmit, nacionalizmit, por edhe i qytetarisë  së thjeshtë të Shkodrës, Malësisë e  Shqiptarisë, do të “vishej” në zi, për  humbjen e  njërës nga mendjet më të ndritura të letërsisë, artit, historisë,filozofisë, enciklopedisë, publicistikes, satirës, diplomacisë dhe atdhetrisë.

Këtë vdekje të zezë e kishte “ndier” disi vetë at Gjergj Fishta,  kur kishte shkuar në Romë  për të marr urdhrin e anëtarit të  Akademisë së shkencave  të Italisë, urdhër që siç deklaronte Fishta nuk kishte  fuqi moshe e shëndeti ta  refuzonte, por kur do kthehej nga Italia  në Shkodër do të deklaronte : “ Më morën nga Shkodra me një veturë të zezë, më hipën në një vapor të zi, përsëri më zbritën në një veturë të zezë me të cilën më dërguan para prijësit të fashistëve Italian Duçes, të veshur me këmishë të zezë, ku edhe zyra e Duçes  ishte e zezë, dhe Duçja  qëndronte në  mes të saj me atë krye të madh sa një poç Vrake…

Sipas Akademikut Ahmet Osja vdekja e Fishtës erdhi kur nuk pritej, pasi Fishta  ishte shëruar dhe vdekja e tij kishte ardhur nga një helmim që i kishin bërë fashistët italian. Edhe ajo çfarë  kishte shkruar Fishta si më sipër e vërteton këtë.

Telegrame të shumta ngushëllimi mori Provinciali Nika. Më 31 janar 1941 Akademia Mbretërore e Italisë mbajti një Meshë Drite, në kishën artistike të saj të Shën Lukës dhe Shën Martinës, të cilën e udhëhoqi Gjenerali i Urdhrit Françeskan At Leonard M. Bello, kënduar nga Schola Cantorum e Vatikanit, ndërsa pjesën muzikore të saj e drejtoi muzikanti i njohur Akademik Don Lorenzzo Perosi, ndërsa një tjetër ceremoni përkujtimore u mbajt Reale Accademt, d’Italia më 9 mars 1941.

At Gjergj Fishta është dekoruar për shërbime paqe me dekoratën Mearif të klasit të II.

Më 28 janar 1912, Klubi “Gjuha Shqype” në pallatin ipeshknor në praninë e Imzot Serreqit, përmes kryetarit të saj Ndoc Çobës, i cili më këtë rast mbajti edhe një ligjëratë mbi veprimtarinë e tij, i dhuroi Fishtës një kurorë argjendi për merita në krijimtarinë letrare dhe po këtë vit ai dekorohet dhe nga Mbretëria Austro-Hungareze me medaljen Ritterkreuz (1912), për kontributin kulturor në Shqipëri, qyteti i Beratit i dërgoi një pupël ari (pendë) (1913), Piu XI Medaglia di Benemerenza (1925), Urdhri françeskan e dekoroi Lector Jubilatus (1929), Greqia me dekoratën Phoenix (1931); qeveria italiane e bëri anëtar të saj, Academico d’Italia më 1939.

Me rastin e 130 vjetorit të ditëlindjes së tij. Këshilli i Bashkisë se Lezhës e bëri “Qytetar Nderi”. Në këtë mbledhje përkujtimore, një grup intelektualësh kërkuan nga Kryetari i Qarkut dhe Prefekti qe t’i bëhet një propozim Presidencës që t’i akordojë poetit të madh titullin e lartë “Nderi i Kombit” për merita të shquara në shërbim të Kombit Shqiptar. Kjo dëshirë u realizua nga presidenti Alfred Moisiume 28 Nëntor 2002.

Shkëlqimi i Fishtës si poet i ri, shpërthen qysh me  poezinë e parë  të tij, që njihet me titullin “Zotit Anselmo Lorecchios n’Vjenë” botuar në revistën Albania më 30 Nëntor 1899 me pseudonimin “E popullit”. Po në vitin 1899, zë fill dhe veprimtaria atdhetare e tij, kur Atë Gjergji, në bashkëpunim me abatin e madh të Mirditës, Prengë Doçin, me Dom Ndoc Nikajn, At Pashko Bardhin, At Ambroz Marlaskajn, Luigj Gurakuqin etj., kur punuan për  formimin  e shoqërisë kulturore-patriotike  “Bashkimi”.  Po ketë vit ai shkruan poezinë “Gjakësoreve”, kur ai falë edhe gjakun e vëllait dhe me familjen e gjakësit lidh kumari…Ketë poezi  e boton në revistën “Albania” (nr.10 të vitit 1901). Në revistën “Albania” Fishta  boton edhe disa këngë trimërie dhe satirike me permbajtje politike. Keto poezi e kanë burimin nga gurra popullore dhe i përkisnin dialektit të vlefshëm Gegë…Thuajse në të njëjtën kohë (por edhe më vonë) At Gjergji boton  edhe në revistën Elçija me pseudonime të ndryshme (si: Rushman  Sokoli, Mar Pepa , Gastigat Ridendo, Sula , Fushk n’Dushk , Bibë Gjeta ,Gegë  Toska , e tjer..). Në vitin 1902, pas një shërbimi të shkurtër si ndihmës-famullitar në Hot (Brigje) të Malësisë Madhe, emërohet drejtor në shkollën Françeskane (Iliricum) në Shkodër. Sipas  dëshmive të kohës,  mësohet se  Fishta ka qenë i pari drejtues i kësaj shkolle që ka  futur si lëndë të detyrueshme mësimin e Gjuhës shqipe. Gjate këtyre viteve me gjithë angazhimin si meshtar e mësues, At  Gjergji, nuk harroi për asnjë  moment punën e tij  pasiononte të “letrave” shqipe.

Në vitin 1905 At Gjergj Fishta, në Zadar të Kroacise boton blenin e parë të “Lahutes së Malesisë”, i cili ishte fryti i nektarit  të parë që kishte mbledhur nga trashëgimia historike e heroike e Malësisë Madhe, e këtyre trojeve nga më shqiptaret e Shqipërisë Etnike, si dhe nga frymëzimi i fituar nga koha kur kishte qenë ndihmës-famullitarë në famullin e Shën Gjonit (në Brigje) Hot.. Ndërsa  Blenin e dytë të kryeveprës “Lahuta  e Malësisë” Fishta do ta botonte një vit  më vonë (në vitin 1906). Në të dy këto blen,  Fishta do të pasqyrohen luftërat e malësorëve e shqiptarëve në mbrojtje të trojeve të tyre (që nga lufta e Vraninës 1862 me në krye trimin Oso Kuka, Lidhjen e Prizrenit dhe luftërat mbrojtëse të malësorëve e shqiptarëve në vitet1878-1881, kryengritjen antiotomane 1911, luftërat mbrojtëse të viteve 1912-1913 e tj.).  Iliadën  shqiptare At Gjergji e kishte “pagëzuar” me “emrin” d.m.th.“Lahuta e Malësisë”, me emrin e “veglës” muzikore  autoktone të trojeve tona  që shoqëronte e “lavdëronte” jetën, veprat dhe trimat e urtë -atdhetar të  Shqiptarisë. Edhe Lahuta e  Fishtës kishte këtë  mison patriotik. Për të kujtuar ketë po citojmë pakë vargje nga kënga e nantë “Lidhja e Prizrenit “:

.. janë Krenët e Shqiptarisë ,

Krenët e Gegëve e të Toskenisë ,

Që kanë dalun në ketë dhe ,

Me lidhë besë me lidhun fe.

Më 1907  At Gjergj Fishta, boton përmbledhjen satirike Anzat e Parnasit, dhe më 1909 përmbledhjen lirike “Pika voëset“, ndërsa më 1913 “Mrizi i Zanave“.

Deri më 1899 Fishta shkruan me alfabetin shqip të françeskanëve. Në janar të atij viti ai bëhet bashkëthemelues dhe prestar aktiv i shoqërisë “Bashkimi”, të cilën e drejtoi poeti atdhetar Preng Doçi. Me alfabetin e kësaj shoqërie u botuan edhe krijimet e Fishtës të kësaj periudhe. Më 1902 emërohet drejtor i shkollës françeskane në Shkodër gjer atëherë e drejtuar nga klerikë të huaj. Menjëherë ai fut gjuhën shqipe si gjuhë mësimi në këtë shkollë.

Në vijim të aktivitetit të tij letrar e patriotik në vitin 1911  shfaq  melodramën zjarr per atë kohë, Shqyptari i Qytetnuem, ndersa në vitin 1912 melodramën “Vllaznia ase Shen Francesku i Assisit”.

Në vitin 1913 themelon revistën brilante “Hylli i Drites”, drita e së cilës nuk u shua e nuk do të shuhet kurrë, pasi kjo revistë ndriçoj rrugën e autoktonisë (historike, kulturore e fetare) të shqiptarisë, së bashku me  çmimin e kësaj rruge, anës së cilës vërshonin lumenj gjaku, djerse e sakrificash.  Nga “drita” e Hyllit Dritës, po veçojmë trajtimin shkencore, historik e patriotik të epopesë së lavdishme të malësoreve të Malësisë së Madhe (së bashku me  Dukagjinin, Mirditën, Lezhën, Shkodrën e më gjerë),  të  kryengritjes antiotomane  të vitit 1911, ku u valëvit në Deçiq (me 6 prill) për herë të parë pas 432 viteve mungesë  edhe flamuri kombëtar i Gjergj Kastriotit nga trimi i  urtë Dedë Gjon Luli me shokë shumë. Ketë epope Fishta i madh e memorizon me një cikël shkrimesh me titullin e spikatur “Lot Gjaku”, “A janë  t’zot shqiptaret me u majtë  n’vedi”,etj.. Ndërsa  nga vargjet lapidare të Lahutës të Malësisë  për kryengritjen antiosmane  po  citojmë:

..Të shtatë krajlat çua janë në këmbë

kah ka ra medet kjo gjamë.

N’atë Malësi, n’atë Rapshë të Hotit ,

Ded Gjo Luli burr  si motit ,

Me i çetë Lekë burra Shkorretit ,

Ka nisë pushkën me asqer të mbretit.

Po në vitin 1913 boton për herë të parë në Shkodër poezitë brilante patriotike me titull “Mrizi i Zanave..  Spikat në ketë botim poezia:

Gjuha shqype :

Porsi kanga e zogut t’veres,
qi vallzon n’blerim të prillit;
porsi i ambli flladi i eres,
qi lmon gjit e drandofillit;
porsi vala e bregut  t’detit,
porsi gjama e rrfes zhgjetare,
porsi ushtima e nji termetit,
ngjashtu asht gjuha e jonë shqyptare.

Gjergj Fishta veç krijimtarisë artistike, shkëlqeu edhe në fushën e pedagogjisë e të psikologjisë sociale, gjuhësisë etj. dhe si mendimtar me potencial të madh teorik dhe me një veprimtari të dendur praktike, në shërbim të mbrojtjes dhe të zhvillimit të gjuhës dhe të shkollës shqipe. Ai i kishte vënë vetes si qëllim që të luftojë për të ngritur nivelin kulturor e arsimor të bashkëkombësve dhe për të nxitur tek ata dëshirën për përparim dhe për atdhedashuri, si dy shtylla qe do t’i ndihmonin për të mbajtur në këmbë shoqërinë shqiptare të goditur nga pushteti disa shekullor otoman.

Në periudhën e parë të veprimtarisë së tij politiko-arsimore, ai fillon përpjekjet për të vazhduar e çuar më tej punën e paraardhësve të tij, NaimitSamiutPetro Nini Luarasit etj, në luftë për ngritjen kulturore e arsimore të popullit. Kjo ishte koha e fundit e pushtimit turk dhe e viteve të para të Pavarësisë, deri kur ai do të zgjidhej deputet dhe do t’i vihej punës për zhvillimin e gjuhës dhe shkollës shqipe në kushtet e ekzistencës të një shteti shqiptar të pavarur. Kjo ishte një kohë që do të kërkonte jo vetëm aftësi krijuese shkencore pedagogjike të larta, por edhe një nuhatje të fortë politike për të shfrytëzuar me sukses çdo koniunkture në shërbim të zgjidhjes së çështjes kombëtare, pra edhe të problemeve të gjuhës dhe të shkollës shqipe.

Pasi u kthye nga studimet e larta për teologji e filozofi, u caktua në kolegjin e Troshanit si profesor. Ai e deshi mësuesinë dhe e quajti “Zeje të shenjtë”. Fishta nuk që vetëm krijues artistik i nivelit të lartë, por edhe linguist, pedagog, filozof, sociolog e diplomat, piktor dhe adhurues i muzikës etj. Pra, kishte një përgatitje të përgjithshme shkencore-pedagogjike në lartësinë e kërkesave të kohës. Ai njeh mendimin pedagogjik bashkëkohor evropian, të cilin përpiqet ta shfrytëzojë për të forcuar punën në shkollë. Në fjalimin që përgatiti për ta mbajtur në parlament, kur po diskutohej për arsimin, dalin qartë parametrat e filozofisë së tij arsimore në kushtet e reja të ekzistencës së shtetit shqiptar. Ai është një personalitet poliedrik. dhe të gjitha aftësitë e tij, i vë në shërbim të zhvillimit të kulturës dhe të arsimit shqiptar.

Ai, duke ndjekur traditën e shkrimtarëve te Rilindjes që, krahas krijimtarisë artistike, ìu kushtuan dhe punës për mbrojtjen dhe zhvillimin e gjuhës dhe të shkollës shqipe, punoi në mënyrë shumë të përkushtuar për të çuar më tej punën e nisur prej tyre në kushtet e reja të rënies përfundimtare të perandorisë turke dhe të krijimit të shtetit te ri shqiptar. Idetë e tij pedagogjike, veç artikujve shkencor që botoi në organe të ndryshme të shtypit të kohës, i gjejmë të kristalizuara edhe në veprat e tij artistike. Ky mund të jetë edhe ndikimi latin, sepse dihet se romakët edhe rregullat e stilistikës i paraqitnin në vargje.

Fishta, duke i shfaqur idetë e tija pedagogjike edhe me anë vargjesh, ishte i bindur se ato do të kapeshin e do të kuptoheshin më shpejt nga bashkëkombësit e tij. Ai, nëpërmjet të kësaj rruge, u përpoq që të futej, jo vetëm në mendjen e bashkëkohësve të tij, por edhe në zemrat e tyre dhe mund të themi se ia arriti qëllimit. Fishta, pas binomit të njohur “Për fe dhe atdhe”, mund të themi se krijoi dhe një binom tjetër shumë të fuqishëm: “Çdo gjë për gjuhën dhe shkollën shqipe”. Ndërsa më të parin lëshonte kushtrimin madhor për të dhënë jetën për lirinë e trojeve shqiptare, në të dytin kërkon angazhimin e të gjithëve për mbrojtjen e kulturës, të gjuhës dhe të arsimit shqip. Të dyja këto thirrje plotësojnë njëra-tjetrën. Tek poezia kushtuar mikut të tij, historianit Pashk Bardhi, formulon qartë kredon e tij pedagogjike:

“Për çka se mjaft nuk âsht’ me mkâmbë Shqipninë, porse duhen rrit edhe shqiptart, qi t’bâhen të zot me e mbajt Shqipninë

Ky përfundim i filozofisë arsimore fishtiane, ka qenë dhe do të mbetet qëllimi përfundimtar i shkollës sonë mbarë kombëtare. Poeti vizionar lufton që në shërbim të përparimit të kombit të vihet gjithë potenciali intelektual dhe për këtë qëllim përkrahë çdo lëvizje kulturore e arsimore që krijohet në atë kohë.

Ky angazhim me frytdhënie kaq të lartë shkencore, që në moshën 28 vjeçare në fushën e gjuhës, kulturës dhe të arsimit tregonte se në botën intelektuale shqiptare po hynte një force e re shkencore, e aftë për të kontribuar në përballimin e problemeve të mëdha të kohës në këto fusha me rëndësi shumë të madhe për kombin, që në atë kohë ishte i angazhuar në luftë për liri e pavarësi.

Dihet se pa gjuhë nuk ka shkollë dhe pa shkollë nuk mund të ketë zhvillim modern të gjuhës.”Alfabeti i Bashkimit,- thotë Vehbi Bala,- i projektuar nga Fishta përmblidhte veçoritë më pozitive të alfabeteve ekzistuese dhe Kongresi e pranoi atë si alfabet të vetëm të shqipes. Drejtësinë e këtij veprimi e tregoi koha: ai u bë alfabet kombëtar. Pra, edhe këtu, si gjetkë, Fishta dha një kontribut të spikatur për kombin shqiptar”.

Siç dihet, At Gjergj Fishta, në vitin 1908 ishte një nder organizatoret, pjesëmarrësit dhe veprimtaret më të rëndësishëm të Kongresit të Manastirit, kongres  që jo vetëm unifikoi alfabetin në mes shqiptareve ,por edhe na afroje rrugët e komunikimit (në të shkruar me shkronja latine) me Evropën dhe Boten Perëndimore. Vlen të theksohet se At Gjergji u zgjodh kryetari i komisionit te Alfabetit, të përberë nga 11 antarë . Por per të “ardhur” deri ketu Ai u zgjodh në mes 400 pjesëmarrësve ,150 delegateve dhe 50 të zgjedhurve me të drejte vote. Në kongres u mbajtën mjaftë kumtesa interesante  ,por ajo e at Gjergj Fishtës ishte më e shkëlqyera per vlerat e së ciles shkruajnë edhe personalitete të huaja, si misionarja amerikane Fineas Kenedi , e cila ndër të tjera thotë se kumtesa ,  e poetit  Gjergj Fishta  nga Shkodra  ishte ma  e mira dhe i beri  dëgjuesit  tu rridhnin lotët…Ndërsa studiuesi dhe historiani italian  Gaetano  Petrotta  shkruante se (Gjergj Fishta) si gojëtarë shkëlqeu mbi të gjithë gojëtaret shqiptare, ku foli për ma se një orë e gjysme në mes  mahnitjes dhe admirimit  të të pranishmeve…

Edhe sikur vetëm kaq të kishte bërë Fishta për gjuhën dhe shkollën shqipe, do të ishte e mjaftueshme për ta vënë atë në sofrën e parë të mendimtarëve shqiptarë të të gjitha kohërave. Për Fishtën, gjuha shqipe është një pasaportë e gjallë, që provon identitetin e të qenit shqiptar.

Nper gjuhë shqype bota mbârë

ka me ju njohtë se ç’fis ju kini,

ka me ju njohtë për shqyptarë,

trima n’zâ, sikurse jîni

Kjo gjuhë për poetin pedagog është jo vetëm si “Kânga e zogut t’verës”, por edhe “Si ushtime e nji termeti”, sepse në këtë gjuhë, thotë ai, edhe Kastriota u pat fol atyne ushtrive “ngadhënjimtare” që çuditen boten dhe po në këtë poezi ai mallkon rëndë at bir shqiptari.

qi përbuzë këtë gjuhë hyjnore,

qi n’gjuhë t’huej, kur s’asht nevoja,

flet e t’veten e lèn mbas dore.”

Këto ide janë me vlera të përjetshme. Fishta, duke ndjekur traditën e Rilindjes, godet politikën arsimore turke dhe të vendeve fqinje, që synonin të shfrytëzonin në maksimum edhe shkollën si një mjet shumë të efektshëm për shkombëtarizimin e popullit. U përpoq që të forcojë shkollën shqipe, me qellim që ajo t’i shërbejë zgjimit të popullit për të ruajtur identitetin e tij dhe për të gjetur në vetvete forcat e nevojshme për të ecur drejt lirisë, pavarësisë dhe përparimit.

Ai lufton për të vënë në lëvizje mendimin krijues kombëtar, që pushtuesi pikërisht kërkonte ta mbyste. Fishta në luftën e tij ishte i hapur, i guximshëm, iniciator me largpamësi të madhe. Ai është tepër i ndjeshëm ndaj tronditjeve historike të kombit të tij në çfarëdo sfere jete që mund të ndodhin ato. Fishta luftonte për t’u hapur sytë bashkëkombësve të tij, që të kuptonin dhe të gjykonin vetë për politikën arsimore të pushtuesit otoman, që pranon pa asnjë kundërshtim që në territorin që mbulonte kombi shqiptar të hapeshin gjithfarë shkollash: italiane, greke, austriake e deri sllave, sepse, siç dihet, ato turke kishin mbuluar krejt vendin, dhe në të njëjtën kohë nuk lejonin që të çileshin shkolla shqipe, me qëllim që të copëtohej sa më shumë uniteti shpirtëror i kombit. N’atë kohë, propaganda e huaj kishte bërë punën e saj për të çorientuar opinionin shqiptar për problemet e shkollës në gjuhën shqipe. Ajo kishte krijuar, siç e quan vetë poeti pedagog, një çoroditje që preku jo vetëm familjen e disa shtresave shoqërore, por edhe ndonjë segment të caktuar të shtetit të ri të porsaformuar. Ai i vë gishtin plagës dhe i kushtohet tërësisht luftës për çlirimin e familjes dhe forcave e tjera shoqërore të kohës nga helmimi i propagandës shumë të rafinuar të pushtetit, që kërkonte zhvlerësimin e gjuhës dhe të shkollës shqipe. Ai në radhë të parë godet me forcë ftohtësinë e shqiptarëve ndaj dijeve dhe shkollës, kundër kësaj të keqeje të madhe, që shkonte në favor të propagandës së huaj, që siç dihet, ishte shumë e egër.

Më 1907, tek Nakdomonicipedija, krijon me një mjeshtëri të rrallë artistike episodin e një tregtie të çuditshme: Shënkolli, me urdhër të Zotit, del nëpër botë me një barkë ngarkuar me mend. Kush donte t’i shtonte ato që ka, mund të blinte edhe do të tjera. Më në fund rruga e qiti shejtin në Shëngjin. Në të njëjtën kohë, del në këtë port edhe djalli, që vinte nga Franca me një barkë ngarkuar me shkarpa për t’i shitur. Dihet se n’atë kohë, dikush e ndalonte shkollën shqipe me ligj, disa të tjerë e mallkonin ose e poshtëronin me metoda nga më të ndryshmet. Puna kishte shkuar deri atje sa disa parapëlqenin për fëmijët emra të huaj se gjoja tingëllonin më modern se ata që ishin brumi i shqipes. Poeti zgjedh si tipike familjen Guca, që ishte bartëse e këtyre kundërshtive. Me lindjen e djalit ndizet sherri. Filipi donte ta pagëzojë fëmijën me një emër shqiptar: Palokë, kurse e shoqja nuk pranon. Fishta tek “Paloke Guca” zbulon sesi zhvillohet kjo luftë edhe brenda mureve të shkollës. Ai vë ballë përballë Palokën me një mësues, siç e quan ai, të pantënzonë, që kërkonte që nxënësit e tij… “Gjithçka tjetër të dilnin, posë shqiptare, posë njerëz që ndiejnë për Atmé, gjuhë e t’Parë“. Ai nxjerr lakuriq metodën që përdor ai për t’ia arritur këtij qëllimi të mallkuar. Kur Paloka kthen në shtepi, tek praku i derës, i thotë babë Filipit: “Unë s’jam shqyptar: Unë jam shkodran“.

Kështu poeti pedagog, me katër-pesë vargje, jep objektivin që i kishin vënë vetes disa shkolla të huaja të asaj kohe, për shkombëtarizimin e brezit të ri. Misioni i mësuesve të patënzonë s’ka si del më mirë. Por ata nuk ndalen deri këtu, por bëjnë çmos që fëmijët t’i largojnë dhe t’i shkëpusin fare nga figurat e shquara kombëtare.

Me rezistencën fëminore, Fishta do të thotë se shpirti heroik shqiptar, megjithëse i tronditur, vazhdon të jetojë dhe se ka të ardhme. Fishta kritikon edhe disa segmente të caktuara të shtetit të sapoformuar shqiptar, që lejojnë ende disa nga këto shkolla të vazhdonin punën, edhe pse në të vërtetë pak e kishin ndryshuar, ose më mirë të themi se e kishin fshehur objektivin e mëparshëm, domethënë të para 1912-ës, por ajo që e shqetëson poetin është edhe fakti se ato tani mbaheshin me paratë e taksapaguesve shqiptarë.

Si krijues Fishta, në radhë të parë ishte poet. Veprimtaria letrare- patriotike e At Gjergjit është  shumë dimensionalshe, ajo i ngjanë një fanari ndriçues që përbehet nga një tufë rreze-drite  që mund të krahasohen me meteorë të pashuar. Gjatë veprimtarisë së dendur botuese, e cila përveçse në librat, u publikua edhe në 15 gazeta e revista të kohës brenda edhe jashtë vendit, veprimtaria e tij përfshin 40 vite të jetës, ku ai përdori 24 pseudonime. 

Përkushtimin më të madh e pati ndaj epikës. “Lahutës së Malësisë”, veprës së jetës, ai i kushtoi 40 vjet punë. Ndërsa vepra tjetër epike “Moisi Golemi dhe Deli Cena” u botua jo plotësisht në shtypin periodik. Tonet e madhërishme heroike, burimësia e papërsëritshme e përfytyrimeve, shqiptarësia në dhënien e mjediseve, heronjve, rrethanave që kanë bërë që Fishta, si epik të quhej “Homer i Shqipërisë”. Ndërthurjet e ndryshme të mitologjisë me realitetin, ashpërsia e stilit, mendimi i fuqishëm filozofik, dramaciteti i veprës, kanë bërë që Fishta të krahasohet në këtë lëmë me Gëten e Danten.

Po, te Gjergj Fishta, është thuajse e pamundur të ndash vepren krijuese letrare, qoftë dhe fetare, apo si piktor, arkitekt, etj. me atë patriotike, pasi e gjithë krijimtaria e tij si poetike, në prozë  enë publicistikë, histori,  politikë,  diplomaci, si dhe  satirë, ajo  është në shërbim të palëkundur të patriotizmit të  kulluar shqiptar. 

At Gjergji për veprën e tij patriotike ishte versuar e dekoruar nga  “Klubi gjuha Shqipe” më 1911 me  kurorën e argjend. Për Fishtën si mendje e ndritur bënë vlerësime edhe  vende të tjera të Evropës duke përfshirë edhe vetë shtetin turk  që (nën influencën e mikut tij Hasan Riza Pasha ) në vitin 1912 i dha dekoratën “Mearit klasit II”, në vitin 1912 Perandori i Austrisë  i akordon  dekoratën “Ritterkreuzmë 1917 qyteti  i  Beratit i dhuron “Pendën e Artë”, në vitin 1925 Papa Piu i IX-të i jep dekoratën “Medaglia al Merito”, më 1929 Paria e Përgjithshme e Urdhrit Françeskan i e nderon me  titullin “Lector Jubilatus”, Greqia në vitin 1931 i jep  çmimin “Phoenix”. 

Për Gjergj Fishtën studiuesi, gjuhëtari dhe albanologu i shquar gjerman Maximilian Lambertz do të thoshte nga Lapcigu (në vitin 1949) : “Shqipnija pat nji fat fort të madh e të jashtëzakonshëm, çka  nuk e patën popujt e tjerë veçse mbas qindra vjetesh të një jete letrare; pat  të madhin, të naltësuemin  për mbi të gjithë, atë që u mbështet në popullin e vet e në gjuhen e tij e që me vjersha të veta ndezi flakë zemrat në popull, pat gjenin poetike në Fishtën.”. Ndërsa për “ILIADEN” shqiptare “Lahutën e Malësisë” po ky personalitet gjerman, do të shkruante : “Lahuta e Malësisë e Gjergj Fishtës, jo vetëm se ka rëndësi në pikëpamjen artistike e historike, por edhe pse ajo si vëna e mirë sa ma shumë vjet të kalojnë aq ma vlerë merr, tue kenë se ajo asht pasqyra, magazina dhe kopja besnike e jetës, e shpirtit, e dëshirave , e përpjekjeve , e luftës dhe e dekës së shqiptareve”.      

Në vitet e demokracisë,  ish presidenti i Shqipërisë  Alfred Moisiu e dekoron (pas vdekjes)   Gjergj Fishtën, me urdhrin më të lartë “NDERI I KOMBIT”… Vlen të theksohet gjithashtu, se Fishta është shqiptari i Parë i propozuar për çmimin Nobel.  

Për këtë jetëshkrim janë përdorur materiale nga interneti, si Wikipedia, Eqrem Çabej, Kol Kamsi, Kostaq Cipo, Viktor Volaj, Historia e Shqipërisë, Arshi Pipa, Zef Simoni, At Zef Pllumi, Frok Shkreli, Moikom Zeqo, Ndue Bacaj, Denis Zavalani, Enis Sulstarova, Zef Ahmeti, etj,. 

Comments

comments

-----