ÇUKA dhe KËRRUTA

Tregim nga Përparim Hysi

 

Dhëntë që fëmijërisë i kam patur dobësi. I kam dashur ato dhe, deri sa dola mësues, asnjëherë nuk e lëshova kërrabën  nga dora. Çfarë nuk bëja për to? Zarare që nuk numëroheshin,duke i futur në kullotat e botës. Kjo ndodhte, zakonisht, netëve se kot nuk thonë:ujku mjegull do. Në fshatin tim, kam qenë i vetmi që e gëdhija natën jashtë dhe kushedi se sa herë jam ndëshkuar nga imat vetëm e vetëm nga ankesat e bashkëfshatarëve që vinin re jo vetëm dëmin, por shënonin me gisht dhe fajtorin që isha  veç unë. Më  ndëshkonte, me të drejtë babai im, por unë, siç duket, paskësham lindur”makiavelist”: qëllimi të justifikojë mjetin! Qëllimi: të ngopeshin delet e mia dhe i kisha thënë vetes:hallall dajakun!
Pse ndodhte kështu me mua si bari, vihej re një mbarësi në delet e mia, për të cilat nuk lija gur e kusur për t’i ngopur. Aq i papërmbjatur qeshë në këtë drejtim, sa, kur nuk gjeja kund ndonjë  kullotë të botës, i fusja dhëntë dhe në grurin tonë. As më bëhej vonë që kështu shkurtoja bukën e gojës. Natyrisht, dinak dhe trazovaç,njëherësh, siç qeshë nga natyra (kurrë nuk i lija dy gurë bashkë), i fusja dhëntë në grurë dhe vet,fshehur nja 500 metro më tutje, bëja sikur flija. Them kështu se e ndjeja sikur e kisha prapa veshit, baban tim që ngjirrej duke thirrur:”O Papi, kanë hyrë dhëntë në grurë! O Papi… dhe varda kërcënimet e mallkimet, por Papi, në atë kohë, kish vdekur dhe,ç’do ndodhte “pas vdekjes”, le të bëhej kiameti. E gjithë kjo “komedi” imja, kishte gjithmonë një finale të pritshme: ca pëllëmba surratit dhe, kur timeti i hipte në majë të hundës, dhe ca shqelma. Unë i duroja të gjitha (sa e”lehtë” për t’u bërë”hero”) dhe mezalla  se qaja. Mos kujtoni se ndreqesha? Jo.Vetëm ndërroja destinacionin.

*      *     *
Pashë dje një tufë me dele dhe, kur vura re një dele me brirë, m’u kujtua tufa ime dhe një histori që ia vlen ta ndaj me ju.
Ndodhi që në tufën time të dhënëve kisha një dele me dybrirë të vegjël dhe e quajta Kërrutë. Them të drejtën, këtë,Kërrutën, e doja shumë,se jo vetëm ata brirët i kish si dyantena paralele,por qe dhe e bukur. Dhe brirët, siç mendoja unë me naivitetin e një fëmije, i kishin dalë si për ta veçuar nga dhëntë e tjera. Jo vetëm dallohej nga të tjerat, por dhe unë sikur e mbaja pak me”hatër”: e kisha bërë si ogiçe. Por ashtu si jeta që ka dhe të përpjeta dhe të tatëpjeta,ke parë që ,për ters, na lind një qengj me dy veshë të prerë. Sikur dikush të ishte futur në barkun e deles mëmë dhe ia kish prerë me thikë veshët. Ngaqë i kishte veshët të prerë ,ia vura emrin”Çukë”. Çuka rritej dhe unë e shihja me inat. Asnjë trajtim të veçantë për të dhe më dukej se u hante racionin dhënëve të tjera. U  rritën dhe Kërruta dhe Çuka dhe një mëngjes, tek po i ngisja për në shtrungë ku i priste babai me vedër në duar, Çukës i dhashë një të shtymë me kërrabë. Babai e vuri re, po nuk foli. Kurrë nuk e priste këtë veprim nga unë për një dele. Kur mbaroi së mjeli, i thashë babait:- O Baba, a nuk i ngjet kjo,Kërruta,asaj çupës që i  këndon ti”Çupë e veli-beut/me nishan në ballë?. E bukur po, e shëndoshë po dhe ata dy “brirët”,eh, se sa bukuri  i japin! Kurse Çuka,-po ku mbahesha unë nga mllefi,- uh,  llahatar. Ma shpif nga ata veshë që nuk ia shoh dot. Babai im i ndjerë, kur qe në qejf, zinte dhe kishe qejf që ta dëgjoje.
Kërruta,- tha,- pasi u mendua një copë herë. Si çupë e VELi-beut,- përsëriti fjalët e mia. Kërruta,- tha  ai,- nuk ia vlen  as sa ato dy veshët e”prerë” të Çukës. Kur tha kështu, mua m’u rrotullua shtrunga dhe qeshë gati të vij me vrap atje tek “Kërruta” për ta ruajtur nga ndonjë e keqe.
E di historinë e  deles “kërrutë” dhe deles”çukë” ti? Unë gjithmonë kam qenë i nxituar dhe harrova që para kisha timat,ndaj dhe e zbraza mllefin  tim:-Unë Çukën nuk e shoh dot me sy; me ata veshë të prerë për shëmtim dhe sikur më “shëmton” tërë tufën, kurse”Kërruta: të kënaqet syri e shpirti kur e shikon.
Më duket,- tha babai,- po të ha kurrizi. Je mësuar dhe nuk rri dot.
Dëgjomë mua dhe unë nuk e kam  nga vetja, por nga barinj të moçëm. Delja “çukë”,- filloi të më tregojë ai,- lind rrallë në një tufë,ashtu si dhe delja”kërrutë”. “Çuka” që ti e ke inat, është bekim për një tufë me dhënë. Ajo e ndjen që nuk është si gjithë shoqet e saj dhe i lutet ZOTIT:- Shtoje tufën që mos bien në sy veshët e prerë që kam! Kurse ajo,”kërruta jote”, është ters për një tufë. Zë e kapërdiset siç bën maçoku kur hip mbi dëngun me thekër dhe i thotë PERËNDISË:- Pakësoje tufën, që të më duken briret mua! Të dhjefsha mu mbi ata brirët e saj,- mallkoi,- pale po ma krahasoke dhe me” Çupën e Veli-beut!!”.
Unë u bëra tym nga ç’më tha babai,por,sidoqoftë, mërinë ndaj “Çukës” veç ma zbuti,po fare nuk ma hoqi. Gjithmonë e vras mendjen të  jetë e vërtetë kjo mendësi e vjetër barinjësh apo jo. Por, ndonjëherë, bie peng i kësaj besttytnie se edhe e ndjera,gjyshja ime, kur më pa që i rashë me gurë një pule qafërrjepur që ma shpallte,kur e shihja, mbaj mend që më tha: është ogur i mirë për pulat.I lutet ZOTIT:- Shtoi sa më shumë që mos duket qafa ime! Dhe hajde e mos beso!
Të  tëra këto i kujtova, pasi pashë atë tufën me dele dhe, sikur të kish qendruar bariu, kisha për ta pyetur. Sidoqoftë, mbresat po i ndaj me ju.

 

                            Tiranë, 26 maj  2018

 

 

Comments

comments

-----