Mbretëreshës së skenës dhe ekranit shqiptar, Margarita Xhepa!

Nga Vilhelme Vrana Haxhiraj

 

Ikonës së skenës dhe ekranit, nënës dhe gjyshes së dhembshur, mikes së gjithë artdashësve , si dhe mikes sime, Margarita Xhepa!

  Një fjalë  e urtë e gojëmjaltve apo e mendjendriturve thotë: Më mirël vonë se sa kurrë!” 

 Zonja e Madhe, Margarita në këtë përvjetor, Ju përshëndes nga Vlora, nga qyeti i Diellit , që si asnjë qytet tjetër laget nga dallgët lozonjare dhe të kaltëra të detit Adriatik dhe nga thellësia  bujare  e zulmëmadhe e Jonit blu! Ju nis puhizën detare që nuk ndal kurrë ladhatimin e kësaj toke të bekuar, Rivierës shqiptare, më të bukurës, magjiplotes, që unë e quaj:

     “Perla ku kanë folenë e qetohen Perëditë!”

 Jetë gjatë dhe u pafshim përherë në skenat shqiptare apo të botës, se e meritoni , mikja ime!   

Për Ju, sot po i nis lexuesit dhe admiruesve tuaj dy skica letrare, ku njëra u kushtohet Juve!

 

    

* Identiteti i saj…një femër!

                                        

        (Mbretëreshës së skenës dhe ekranit shqiptar, Margarita Xhepa!)

   

    Një femër…

     Ajo është një femër si gjithë të tjerat.

     Një fytyrë e pastër si qelibari. Shikim i pafajshëm si i një ëngjëlli. Lëkura tejet e bardhë, e butë dhe delikate të kujton se dikur ka pasur freskinë e pranverës dhe njomështinë e foshnjës. Në atë fytyrë mermeri harmonizohen tipare shumë të bukura dhe të rregullta që i japin një hijeshi dhe ëmbëlsi të jashtëzakonshme.  E bëjnë atë joshëse dhe të dashur për të gjithë. Të tërheqin vëmendjen sytë e gjelbër, rrethuar nga qerpikë të gjatë e të dendur. Ndërsa mbi ballin fisnik harkojnë vetullat e gjata dhe të zeza. Duket se çdo tipar i asaj fytyre të përkryer është skalitur me mjeshtëri nga dora e një piktori të talentuar. Të shkon në mend se natyra ka derdhur gjithë mjeshtërinë e artit të saj, duke vënë në punë talentin e artistëve më të aftë për ta bërë sa më të përsosur atë femër.

      Këto tipare të buta që shprehin pafajësi, dëlirësi, dashuri, të cilat gjenden vetëm te engjëjt, çuditërisht ndryshojnë sipas fjalëve që ajo shpreh. Kjo bën që të ndryshojë edhe pamja e saj. Herë-herë e butë si kadife dhe papritur ashpërsohet si një tufan. Pas pak ajo ngryset si mugëtira e një muzgu të vranët, që më pas ia lë vendin buzëqeshjes së pranverës, kurse papritur e çuditërisht duket krejt e padjallëzuar si e një fëmije. Në atë fytyrë të bukur vërehet dhembje, vuajtje, gëzim, lumturi, hidhërim, sarkazëm e më pas mëshirë dhe shumë dashuri.

      Auditori në heshtje…

      Një heshtje varri, aq e akullt, sa dhe ajri duket i tendosur…Më pas një puhizë e lehtë u end në atë mjedis të ngrirë. Të gjithë vështruan njëri- tjetrin në sy. Zëri i saj, vetëm zëri i saj melodioz, magjepsës është mbizotërues i asaj hapësire.

      Burra, gra, vajza të reja ngërthyer pas karrigeve, duken të hipnotizuar pas timbrit të veçantë të atij zëri tejshpues dhe të mrekullueshëm. Gjithë auditori elektrizohet nga fjalët e saj:

      “Dëgjojeni zërin e dridhshëm, të dhembshur të një nëne dhe përgjigjen vajtuese të një bije!

       Të dyja nënë e bijë ëndrrashuara… shpresëvrara!…

       O Zot!… Përse ky fat?!…Përse xhanëm?!”- është zëri ankues i asaj femre të mrekullueshme që përshkon tejpërtej hapësirën. Tingëllon aq tronditës, sa shqetësohet edhe fëmija në barkun e nënës.

      Lot …, vetëm lot përshkojnë faqet e flashkëta të dëgjuesve, që me fytyra të ngrira dhe shpirtra të tendosur, dëgjojnë prej gojës së një artisteje të madhe dramën që përjetuam dhe kalvaret që kaluam për gjysëm shekulli.

      Më pas një puhizë e lehtë ledhatuese u end mbi atmosferën e ngrirë. Secili pyet veten: “Ç’ të jetë vallë?” Pataj gjithë sy e vesh tek aktorja e madhe që në ato çaste magjike dhe të papërsëritshme duket si një ikonë e shenjtë. Paskëtaj…çudi! Një dritë shpresëdhënëse në ngjyrë të gjelbër buroi nga sytë e saj të bukur dhe u shpërnda në horizont…Krelat e verdha të kornizës së artë që rrethojnë dhe madhërojnë atë fytyrë fisnike, deri atë çast të ngrira, nisën të lëkunden lehtas. Dukej sikur i flladiti puhija e agimit të ditës së re që sapo rilindi.

    Dhe artistja qan…Vajton ajo nënë… qan ajo femër… Veçse këto nuk janë lot hidhërimi, por janë shprehje gëzimi. Atëhere zemrat e drithëruara të të pranishmëve qetësohen. Shpirtrat e ngurosur prej dhembjes dhe ngricës së dimrit të gjatë nisën të shkrijnë ashtu…, dalëngadalë. Atmosfera u shtendos.

   Porse të pranishmit ende janë nën përshtypjen e fjalëve të Ofelisë që thotë: “O njerëz, dhembja dhe gëzimi janë bashkudhëtarë.  Ju, o të munduar, mposhteni dhembjen, harroni vuajtjen, lini mënjanë mllefin, urrejtjen dhe hakmarrjen, sepse jeta është e shkurtër dhe tejet e bukur… Jetojeni çdo çast dhe falni shumë dashuri! Është bukur kur mbi tokë, mes njerëzve mbizotëron kjo ndjenjë e bukur dhe fisnike, dashuria.”

   Më pas…duartrokitje pa fund…Akulli tashmë u thye …Enigma u zbulua…Të gjithë përgëzojnë dhe urojnë artisten e madhe, ikonën e skenës dhe të  ekranit, Margarita Xhepa “Nder i Kombit”.

     Të faleminderit! Të faleminderit mbretëreshë e skenës shqiptare, yll i kinematografisë sonë! Të faleminderit!

 Ishte një grua, një bijë, një motër, një nënë, një gjyshe dhe thellësisht një qytetare.

               Shkruar një ditë pas paraqitjes së romanit “Ringjallur si Krishti” 5/11/2002 -Tiranë në Panairin e Librit, ku zonja e madhe e artit skenik e kinematografik, veç fjalës së saj, debutoi pjesë nga libri.

***

 

 Portret nëne

  «Nuk ka si nëna…Ajo është familj, edhe pse namin e merr burri. Nëna është unikale në Univers…Dashuria e nënës është detyrë e përgjegjësi,  përgjërim e vetmohim, dhembje e lumturi, ëndërr e pagjumësi, bekim e udhërrëfim për të nesërmen  e të birit apo të së bijës!» Vivra                         

 

   Mes heshtash dhembjeje, brenda qenies tënde, u ngjiz krijesa më e ëmbël e dashurisë tënde të pafat. Mes lotësh e drithërimash, ti s’ngurove t’i falje një buzëqeshje…,atë buzëqeshje që ta dhuron vetëm nëna.

    Ai ishte i dëlirë si mëngjezi…

    I hajthëm si një syth i sapodalë…

    Ai ishte vetë pafajësia…një shpirtbutësi e brishtë, që e gjenë vetëm tek engjëjt.

    Fëmija është ëndrra e çdo nëne, dhurata më e bukur që fal jeta…

    Me zemrën e plagosur ti mbolle dashurinë…dhe si askush tjetër, me lule shumëngjyrëshe lulëzove kopshtin “jetë”.

     Me syrin mallit pikur, gëzimin qetë e përcolle.

     Me zërin e përvuajtur gjer në dhembje, por tejet të ëmbël…, dashuri, mirësi dhe mirëkuptim dhurove…

     Me dorën e dridhur dhe të ashpër si vetë jeta, por me butësi e maturi, sigurinë për të nesërmen i premtove.

     Një psherëtimë mbyturazi në fyt të mbeti…

     Mos vallë ishte ankthi i një amaneti?!

    -Kujdes, biro… kujdes!…Tek ti kam varur çdo shpresë…- psherëtive dhe fjala të mbeti në mes…

     Mornica trupin e drobitur ta përshkuan.

     Në sytë ëndërrimtarë lotët të vagëlluan…

     Një rënkim i mbytur, por ankimin askush s’ta dëgjoi…

     U trete, u mpake, u plake dhe vetveten, o nënë, ti harrove…, përmes brengash jeta të shkoi.

     Mbi krye, nën tufën e argjendtë, brengat fshehur të qëndronin…

     Shpirti t’u tha, syri lot pikoi…

     Dashuria jote u bë rrënjë në shpirt dhe në jetë të jetëve hodhi shtat…

     Pa gjumë në sy ti endesh nëpër netë, kur pyet për djalin, vajzën, se në ç’kënd të globit mund të jenë?!

     E lodhur…e sfilitur… me shikimin tretur drejt perëndimit det…Nëna e gjorë e zhuritur prej mallit u tha u mpak, u plak u tret me sy të vagëlluar, ashtu ngeli një jetë.

     Ti vetëm munde të bëlbëzozh: “Jetë biro, bijo…veç jetë për ju, Zotit i kërkoj…!”- me dorën e rreshkur e të flashkët thinjat lëmove…

       Ti ishe jeta… që jetës i jep jetë. Bijëve të tu dritë iu dhe nëpër netë…Mbylle sytë i urove dhe e lumtur në botën tjetër shkove. Kështu, kaq të sakrificës, të forta, stoike dhe shembull virtyti për fëmijët dhe brezat, të tilla trimëresha dhe të vetmohuara, janë vetëm nënat tona!

 

Comments

comments

-----