Marine Le Pen ka ngecur në rrjetin e shpifografisë së Beogradit

Nga Prof. Dr. Eshref Ymeri

Përmes faqes së internetit, u njoha me informacionin e mëposhtëm:

“Kandidatja presidenciale Marine Le Pen ka deklaruar se kur të bëhet presidente e Francës, do ta nisë anulimin e njohjes së Kosovës. Le Pen, kryetare e Frontit Demokratik, gjatë një interviste për gazetën serbe “Srpski Telegraf”, ka thënë se “Kosova është tokë e shenjtë serbe”, prandaj shteti i saj “do ta tërheqë njohjen e Kosovës”. Po ashtu, ajo tha se ndaj “serbëve është bërë padrejtësi e madhe në vitet ’90 dhe se Evropa është e obliguar të përmirësojë këtë padrejtësi”” (Citohet sipas: “Shokon Le Pen: Nëse e fitoj Francën, anuloj njohjen e Kosovës, tokë e shenjtë serbe”. Faqja e internetit “voal.ch”. 20 mars 2017).

Qenkan shakatarë të mëdhenj një takëm politikanësh të nivelit më të lartë të botës neolatine franko-italiane! Gati para dy vjetësh dhe pikërisht më 25 maj 2015, presidenti Italian Serxho Matarela (Sergio Mattarella – 1941), nga foltorja e parlamentit të Serbisë, bëri një deklaratë sa foshnjarake, aq edhe absurde:

“Rrënjët e marrëdhënieve tona, atyre mes Serbisë e Italisë, janë të thella, ndër shekuj në histori. Serbia ka nxjerrë nga gjiri i saj 17 perandorë romakë, ndër të cilët veçohet figura e Konstandinit”.

Presidenti italian kërkonte të vinte në sinkron me historiografinë shoviniste të fqinjëve tanë për shtrembërimin e të vërtetave historike për iliroshqiptarët, ashtu siç kanë mashtruar dhe vazhdojnë të mashtrojnë serbogrekët kundër kombit shqiptar. 

Presidenti italian ishte në të drejtën e tij për t’i dashur dhe për t’i respektuar aq shumë serbët, por kjo nuk do të thotë aspak që ai duhej të shtrembëronte të vërtetat historike për perandorët romakë me prejardhje ilire, të cilët kërkonte t’i shiste për perandorë “serbë”.

Se dihet historikisht që 20 perandorë romakë, duke filluar nga Deciusi (249-251) deri te Justiniani I (527-565) e kanë pasur prejardhjen nga Iliria.

Perandori Konstandini i Madh, të cilin presidenti italian na e quante posaçërisht “serb”, ka lindur në vitin 274, është shpallur perandor në vitin 306 dhe ka vdekur në vitin 337, ndërkohë që tributë serbe patën zbritur në siujdhesën tonë në shek. VII.

Tani, një tjetër politikane me mjaft peshë në Francë, e cila ëndërron të bëhet presidente, deklarohet pothuajse në një gjatësi vale me presidentin italian, duke shpallur botërisht dashurinë e saj përvëlimtare për shovinizmin serbokaragjoz. Sipas saj, Kosova na qenka “tokë e shenjtë serbe”, pikërisht ashtu siç ka propaganduar dhe vazhdon të propagandojë ofiçina shpifografike serbe gjatë një periudhe mbinjëshekullore, në një bashkëpunim të ngushtë me rrjetin propagandistik të shovinizmit rusomadh. Pas vizitës “fluturake” në Moskë dhe takimit frymëzues me Putinin, Marine Le Pen me siguri që është bindur edhe shumë më tepër për anulimin e njohjes së Kosovës, nëse zgjidhet presidente. Pavarësisht nga deklarata e saj shoviniste në adresë jo vetëm të Kosovës, por edhe të mbarë kombit shqiptar, kësaj politikaneje të majmur me 9 milonë eurot e Putinit, i duhet kujtuar se Kosova ka qenë dhe vazhdon të jetë tokë e shenjtë shqiptare, ashtu siç janë të shenjta të gjitha trojet etnike shqiptare që shtrihen që nga Arta e Preveza dhe deri në Manastir, Shkup, Preshevë, Mitrovicë e Tivar.

Për dijeninë e politikanes Marine Le Pen, në Dardaninë ilire, e cila sot quhet Kosovë, politeizmi filloi

 t’ia lëshonte vendin me kohë krishterimit, i cili, që me Ediktin e Milanos, në vitin 313, u shpall fe zyrtare, institucionale, shtetërore. Për më tepër, kisha katolike shqiptare në Dardani është përhapur që në shekullin e parë pas Krishtit, ndërkohë që sllavët, siç u përmend më lart, zbritën në siujdhesën tonë në shek. VII.

       Nga deklarata e politikanes Marine Le Pen, e cila shkel mbi gjakun e martirëve të lirisë së Kosovës, mohon gjenocidin mbinjëshekullor të bishave serbe kundër popullit shqiptar të Kosovës, njollos veprën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe epopenë e lavdishme të Aleancës së NATO-s për ndëshkimin e shovinizmit kriminal serb dhe fyen rëndë dinjitetin e 20 mijë grave dhe vajzave të përdhunuara egërsisht, mund të nxirret përfundimi se ajo ose ka formim të mangët intelektual, ose është vënë kokë e këmbë në shërbim të shovinizmit serb dhe rus. Se ndryshe si u dashka kuptuar mohimi që kjo politikane me paha të madhe i bën të vërtetës historike. Se ajo mund t’i adhurojë serborusët deri në “vetësakrifikim”, kjo është punë e saj, por kjo nuk do të thotë që ajo duhet të shkelë dhe të mohojë të vërtetën historike. Mirë do të ishte që politikania me peshë Marine Le Pen t’i kthehet dhe ta studiojë me seriozitet mendimin filozofik francez, në mënyrë që ta zgjerojë horizontin e vet kulturor. Le të lexojë se çfarë  shkruan filozofi, bashkatdhetari i saj i shquar Dekart (René Descartes  1596-1650).

Kur cek problemin e së vërtetës, Dekarti thotë:

“Për të gjetur të vërtetën, gjithsekush duhet që, të paktën, një herë në jetën e tij, të çlirohet nga paragjykimet e grumbulluara me kohë dhe ta ndërtojë krejtësisht nga fillimi sitemin e bindjeve të veta”.

Prandaj, për ta njohur mirë historinë e Kosovës, politikanes Marine Le Pen i duhet të reformojë rrënjësisht sistemin e bindjeve të veta. Se, në të kundërt, shqiptarët kanë për t’i vënë nofkën “daulle e shpuar” e Bogradit dhe e Moskës.

Santa Barbara, Kaliforni

25 mars 2017

 

 

 

 

Comments

comments

-----