Në Gjenevë nëpërmjet një Akademi madhështore përkujtohet jeta dhe vepra e kryeheroit tonë kombëtar Gjergj Kastrioti-Skënderbeu
Nga Arif Ejupi
Viti i sivjetmë në të gjitha trojet shqiptare pa përjashtuar këtu edhe mërgatën tonë në të pesë kontinentet e botës ,është shpallur si Viti Mbarëkombëtar i SKËNDERBEUT.
Në mënyrë që kjo ngjarje me rëndësi jetike të festohet sa më dinjitetshëm edhe në Gjenevë,veprimtari i çështjes sonë kombëtare z.Naim Hazir Shala,njëherit edhe i burgosur politikë i ndërgjegjes sonë nacionale, ka hartuar ditë më parë një program jashtëzakonisht tërheqës dhe përmbajtjesor.
Këtij projekti të z. Shala pa asnjë hezitim i janë bashkëngjitur Ambasada e Republikës së Shqipërisë,gjegjësisht ajo e Republikës së Kosovës me seli në Bernë,si dhe Përfaqësitë tona konsullore në Gjenevë.
Po ashtu gatishmëri për të ndihmuar mbarëvajtjen e kësaj ngjarje të një rëndësi të veçantë historike kanë shprehur edhe Rrethi Shqiptaro-Meyrin-as dhe Universiteti Popullor Shqiptar i Gjenevës,si dhe Shoqata e Klube kulturore nga ky kanton dhe kantone të tjera të Zvicrës,frëngjishtfolëse,siç ishte rasti me Shoqëritë kulturore tashmë të perfeksionuara“Ilirët”e Lozanës,“Rapsodët” e Gjenevës,dhe Ansambli i këngëve tona burimore “Gëzuar”i cili për mërgimtarët tanë në këtë kanton është bërë pasaportë identiteti e trashëgimisë sonë kulturore.
Konferencierja e kësaj Akademie solemne zonja Arta Kryeziu Osmani,bartëse e shumë veprimtarive kulturore dhe artistike të pranishmit e shumtë në Amfiteatrin“Ecole des Boudines”të komunës Meyrin,i ka ftuar në një minutë heshtjeje në nderim të atyre që nëpër shekuj ranë në ruajtje të identitetit tonë kulturor e kombëtar.
Një nga befasitë më të këndshme për pjesëmarrësit e kësaj ceremonie madhështore ka qenë lajmi që në mesin tonë gjenden edhe dy figura të dekoruara me çmimin”Nderi i Kombit”Aktori ynë i Madh Mirush Kabashi dhe prof.Astrit Rakip Leka,si protagonisti kryesor i vënies së Bustit të Skënderbeut”pranë brigjeve të bukura të liqenit Leman të Gjenevës,si dhe mikesha angleze e kombit tonë Patricia Nuegee,e cila me praninë e saj në këtë manifestim na ka rikujtuar të famshmen Edith Durham.
Zonja,Nuegee me përkushtim e sakrificë të paparë ka bërë koleksionimin e dhjetëra veprave dhe artefakteve të heroit tonë kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu.
Ky thesar i çmuar i ruajtur me aq dëshirë e pasion nga koleksionuesja angleze Nuegee u ekspozua në vitrinat e librit të“Ecole des Boudines”të cilat janë të destinuara për paraqitjen e veprave të kësaj natyre.
Me kumtesa dhe studime mbi jetën dhe veprën e Gjergj Kastriotit-SKËNDERBEUT,janë paraqitur:Irfan Musmurati,Naim Hazir Shala,prof.Agim Paçarizi,Albana Krasniqi Malaj,dhe i ftuari special i kësaj Akademie prof,dr.Frashër Demaj.
Secili nga diskutuesit ka trajtuar pikat më të ndritura të veprimtarisë së Gjergj Kastriotit Skënderbeut,i cili u përshkrua si arkitekti kryesor i krijimit të kombit shqiptar.
Posaçërisht kureshtjen e të gjithëve e ka zgjuar kumtesa shkencore e prof.dr.Frashër Demaj“Skënderbeu simbol i kombit shqiptar”Nga kjo kumtesë kanë dalë në pah fakte deri tash të panjohura nga jeta dhe vepra e Gjergj Kastriotit Skënderbeut.
Prof.dr.Frashër Demaj,përpjekjet e disa qarqeve antishqiptare për ta nxjerrë Skënderbeun si një luftëtarë përplasjesh ndërmjet religjionit të krishterë dhe atij myslimanë i konsideron të paqëndrueshme.Ai,thotë që dokumentet arkivore e thonë të kundërtën.
Sipas,prof.dr.Frashër Demaj,përpjekjet më serioze për ta vrarë Skënderbeun kanë ardhur pikërisht nga Venediku,ky një fakt që demanton spekulimet e gojëkqinjëve që betejat e tij ishin të karakterit fetar.
Gjithashtu me rrëshekun e shtrigës këto qarqe përhapin të pavërtetën se e ëma e Gjergj Kastriotit Skënderbeut ishte sllave.Provat materiale i demantojnë këto trillime,gjë që është dëshmuar me qindra herë që Vojsava Tribalda e ëma e Skënderbeut ishte puro shqiptare dhe vinte nga Pollogu i Tetovës.
Përshkrimet kuturu dhe pa qasje në dokumente mbi pamjen fizike të Gjergj Kastriotit-Skënderbeut,po ashtu janë të pasakta thotë studiuesi Demaj.
Gjergj Kastrioti Skënderbeu ishte shpatullgjerë dhe shtatlartë ngase shpata e tij e modelit turk dhe përkrenarja që ruhen në Muzeun Kombëtar të Vjenës,janë të dimensioneve të ndryshme.
Sidomos shpata si arma e tij më e përsosur e luftës peshonte mbi tre kilogramë edhe ky argument shpije kah e vërteta se Skënderbeu ishte trupgjatë dhe i zhdërvjellët.
Historiani ynë i njohur Frashër Demaj,autor i shumë librave dhe studimeve historike figurën e Skënderbeut e radhit në mesin e figurave më të shquara të Evropës.
Në këtë kumtesë tamam shkencore e të bazuar fillim e fund në argumente prof.dr.Frashër Demaj,përveç studiueseve shqiptarë të veprës së Skënderbeut përmend edhe një numër studiuesish të huaj,venedikas,turq,francezë e amerikanë,të cilët studimet e tyre i kanë mbështetur në dokumentet e gjetura në arkiva,dhe falë këtyre fakteve është paralizuar çdo përpjekjeje e sllavëve të Ballkanit,që Skënderbeun ta tjetërsojnë nga të qenurit shqiptar,dhe me rrënjë nga Hasi i Kosovës.
Diku mbi 600 vepra historike dhe letrare janë shkruar për këtë personalitet me përmasa botërore,dhe të gjitha këto studime qofshin historike apo letrare,Skënderbeun e njohin si një hero të papërsëritshëm të kombit shqiptar,dhe si njërin nga katër heronjtë më të mëdhenj të Evropës.
Ndërkohë zonja Kryeziu-Osmani,udhëheqëse e këtij programi festiv para të pranishmëve ka lexuar edhe një letër përshëndetje të zotit Ilir Mehmeti,profesor pranë Katedrës së Historisë në Universitetin shtetëror të Tetovës,i cili ka përgëzuar organizatorët dhe pjesëmarrësit e këtij jubileu,duke thënë që vetëm kështu të bashkuar rreth figurës së SKËNDERBEUT,ruajmë gjuhën,historinë dhe kulturën tonë të lavdishme.
Mirush Kabashi me interpretimet e tij brilante ndërpritet disaherë nga duartrokitjet e shikuesve
Aktori ynë i madh Mirush Kabashi i dekoruar meritueshëm“Nderi i Kombit”me interpretimet e tija të shkëlqyera ka ngritur të gjithë në këmbë.Ky artist që ndërvite na ka bërë kudo krenar me paraqitjet e tij të mrekullueshme sikur ka trashëguar diçka nga gjenet e Aleksandër Moisiut.
Interpretimi dhe loja e përkryer e tij,s’njohin moshë.Ai edhe sot duke rrëmbyer zemrat e qindra shikueseve dëshmoi dashurinë për artin.Skena është ushqimi i tij i vetëm,pa të cilën edhe nuk mund ta imagjinoj dot jetën.
Kabashi i aftë për të interpretuar çdo varg të rilindësve tanë sot të pranishmit e kësaj Akademie i entuziazmoi me vargjet e Ando Zako Çajupit,Naim Frashërit,Vaso Pashë Shkodranit,etj.
Duke dashur të thotë që pa përkrahjen e miqve tanë ndërkombëtar nuk do të ishim këtu ku jemi ai shkëputi kujtime nga jeta e Charles Teleford Erikson në Shqipëri.
Erikson,i lindur në Galesburg,Illinos të Shteteve të Bashkuara të Amerikës,kaloi gati tridhjetë vjet në Shqipëri,në cilësinë e misionarit dhe diplomatit.
Kabashi thotë që Erikson është nga më të merituarit që me ndikimin e drejtpërdrejtë të shtetit të tij u evitua zhbërja e Shqipërisë,nga fqinjët e saj ekspansionist.
Për të nderuar përkushtimin e këtij diplomati dhe shkrimtari të njohur amerikan ndaj Shqipërisë,Kabashi para audiencës lexoi një poezi të shkruar nga vetë Erikson,e cila i dedikohet Skënderbeut si figurë kryesore e shqiptarëve.
Interpretimi i kësaj poezie nga Kabashi,ishte aq i fuqishëm dhe linte përshtypjen sikur ai vërtetë po bënë dialogun me Skënderbeun.
Paraqitjet e Kabashit çdoherë janë me përmbajtje,dhe mesazh kanë unitetin ndërshqiptarë.
Disa nga artdashësit të impresionuar me aktrimin e Kabashit në shenjë nderi dhe respekti i dhuruan atij edhe tufa të shumta lulesh.
Ndërkaq aktori nga Kosova Adem Muji,i cili prej vitesh jeton dhe vepron në Gjenevë,tek shikuesit përcolli një varg porosish të Gjergj Kastriotit-Skënderbeut,të cilat edhe pse kanë kaluar mbi pesë shekuj janë me mjaft vlerë edhe në ditët e sotme.
Programi i kësaj Akademie fitoi në vlerë sidomos pjesa artistike kur në skenë me grupin e solistëve u paraqit Naim Hazir Shala,i cili me zërin e tij prej baritoni kënaqi të gjithë me këngën“Fryn Murlani” këngë kjo që i kushtohet kryeheroit tonë Gjergj Kastrioti- Skënderbeu.
Shoqëria Kulturore Artistike“Ilirët”nga Lozana me një përvojë gati 25 vjeçare u paraqit me disa këngë atdhetare.
Po ashtu mbresëlënëse ishin edhe paraqitjet e grupeve muzikore”Gëzuar”dhe”Rapsodët“nga Gjeneva,të cilat edhe pse në kushte të rënda materiale po begatojnë jetën tonë kulturore në mërgim.
Moderatorja,Arta Kryeziu-Osmani u tregua tejet e vëmendshme kur të pranishmit i thirri edhe për një minutë tjetër heshtjeje në nderim të veprës së koreografit Agron Bajrami,i cili para pak ditësh vdiq dhe u varros këtu në Zvicër.
Në pamundësi për të përfshirë në një shkrim Gazete të gjithë akterët e këtij manifestimi po theksojmë që me prezencën e tyre këtë përvjetorë të shenjtë të kombit tonë e nderuan edhe Ambasadorët Nazane Breca,e akredituar në Bernë,si përfaqësuese e Republikës së Kosovës,dhe z.Ilir Gjoni,me të njëjtin funksion nga Republika e Shqipërisë.
Z.Gjoni,u paraqit edhe me një fjalë rasti ku ndër të tjera tha:”Jemi me shumë fat që një popull kaq i vogël kemi personalitete të rangut botëror si Skënderbeu,Nënë Tereza,Ferid Murati e Ismail Kadare”.
Më pastaj Gjoni tha unë me këto pak fjalë po përfaqësoj edhe kolegen këtu pranë meje zonjën Breca,kur dihet që heronjtë e mi janë edhe heronj të saj.
Si rëndom i pranishëm në këtë solemnitet ishte edhe Konsulli ynë i Përgjithshëm në Gjenevë,zoti Ramadan Avdiu.
Nergut në këtë ngjarje nga Prishtina kishte ardhur edhe z.Gazmend Islami,kryetar i Ballit Kombëtar të Kosovës.
Patjetër duhet theksuar edhe praninë e veprimtarëve të hershëm të çështjes sonë kombëtare në këtë ngjarje z.Xhefer Shatri,ish-Ministër i Informatave të Republikës së Kosovës,dhe z.Bardhyl Mahmuti ish-përfaqësues politikë i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës,dhe ish-Ambasadorit të Kosovës në Zvicër,z.Naim Malaj.
Meqë sot në Gjenevë,ishte ditë e bukur shumica e pjesëmarrësve bënë homazhe pranë shtatores së Skënderbeut,më ç’rast vendosën edhe kurora lulesh.
ARIF EJUPI
Comments
-----