Thuajani këngës, çuna!

Nga Përparim Hysi

 

Qe kështu, si dalë pa dalë prilli, kur mëngjesi më gjeti në këtë fshat ku shkela për herë të parë. Ky fshat është pak larg qytetit dhe,si për të shkurtuar rrugën, natën e kisha kaluar si mik aty, afër. Qe aty nga ora 9 e mëngjesit dhe kur pashë një”dyqankë” që lexonte berber, u futa brenda. I vogël dyqani, tri karrige të zëna dhe, megjithatë,vendosa të pres.
Urdhëroni,- tha më i moshuari ulur mbi karrike. Urdhëroni e uluni!
Të faleminderit,-  i thashë,- por nuk shkon kjo që, zotrote, të më lëshosh vendin mua,se jini dhe i moshuar. Kështu i thashë, po”zotrote” kish qëlluar njeri me gjemba dhe brisk nga shpotitë.
Aha,- më tha,- këndej nga ana jonë thonë:- Kur vjen një bythë, luan një kokë! E zbrazi shpotinë e tij dhe “kukurizmat” që ndezi dyqanin i shijoi shumë,se e vëreja kënaqësinë që i lexohej që atje, larg. Sado  që më”shpoi” me atë shpoti, “me të qeshur, me të ngjeshur”,  nuk e humba pusullën dhe nuk m’u ndenj pa ia kthyer. Ne, sikur e dimë pak si më ndryshe këtë që the zotrote?


-Pse qysh e di zotëria e juaj?-pyeti si gjysmë me kërshëri.
-Kur vjen një kokë, lëviz një bythë!

Po “zotrote” as që e prishi terezinë, por  sikur donte të mbronte shpotinë e tij, tha:-Dy llafe ndajnë detin. Ma ke digjuar atë llafin tija që thotë:”Fshat e zanat,shtëpi e tabijat!”. Ju tuajat, ne tonat dhe, për të treguar se nuk ishte i keq,por njeri që i pëlqenin shakatë, erdhi dhe më hodhi dorën në qafë.
Çuna,- tha,-qy, miku, do rruhet në vend tim dhe do ta pres, se më qenka usta. Më priti dhe, sa hymë në klubin e vetëm që kishte fshati, tek porositi për mua dhe për vete, më tha:- Të dongëdisa  pakëz aty pari, po ma bëj hallall. Se fshati ynë, pakëz larg, është bërë si i  harruar. Nga qeveria,se e mori ferra uratën. S’ka imëni qeveri. Tokat batall dhe njerëzit janë katandisur si ata qentë e uritur që presin të bien kocka nga qielli. Nuk punohet hiç dhe kemi katandisur që rrojmë me lajme. Lajmet po blozë dhe, po nuk  bëre ndonjë shaka, si ajo që të bëra pragsabahu me ty,  tërë dita shkon blozë dhe njeriu i shkretë bëhet hundë e buzë, sikur t’i ketë ngrënë gomarja bukën. Shiko,- foli si i merakosur,- mos kujto se qy,xhixhai që e thirre”zotrote” tija, nuk e do  demokracinë. Jo, or mik,jo. Demokracia është e mirë, por jo ama t’ua lëshë rrezilave frerin nëpër këmbë dhe  ta  kthejnë vendin në shkretëtirë. Se ropi, që thuaj ti, është dhe shejtan, por është dhe melaqe. Melaqe, kur e mban në hudut. Kur ia bën rrup-sup! Jo po ke liri, me demek bëj si të duash. Bëj si të duash? Dhe tak bëhet shejtan dhe hjade e bëje  terbiet. Se ja, nuk trapit larg una,po të tregoj vetëm nja dy shembulla dhe zotëria juaj si me shkollë që jini, bëjeni hesapin vet.
Qemë komprativë e madhe ne:hane-bir kufijtë! Hane-bir, kufijte, po kishte zot hauri, or tynjatjeta. Kryetari kishte tromopil dhe, kur kalon një sabah ja  mu tek kjo ara e  madhe që sot e sheh shkretë, kalon se do shkonte për mbledhje në Tiranë. Shikon grurin,verdhur dhe zverdhur sikur mend po jepte shpirt. Si ata që në kohën tonë i zinte malaria. Eh, ti s’e ke arritur dhe nuk më ke xhevap,por limon , o të keqen pepja tyja. Zbret, or tynjatjeta, por,sa pa grurin zverdhur, nxin  e sterron si ajo dita e qametit dhe lëshon sokëllimën:- Brigadierin imëni këtu! Lëshohet shaferi me vrap ( se atë,shaferin e kish dhe “kaçator” (korrier apo lajms)) dhe e gjen brigadierin. Ke parë leprin,kur e ndjek zagari, këmbët e prasme të brigadierit mbi supe dhe me një frymë,gatitu para kryetarit. -Digjo,- paska ulëritur qy-ja,- kur të kthehem nga Tirana ndajnate, këtë grurin e dua të nxijë e të më rrijë gatitu në këmbë. Jo, në mos, mos të shoh më bojën si brigadier. Iku ai me  tromopil, po erdh e t’u nxi qo ara nga mizëria e njerëzve me t’i hedhur  grurit  nitrat a ku ta di una.
Dhe, për këtë godë që po pimë bashkë, gruri ndryshoi çehre. Qiri në këmbë dhe  u shëndosh si ai i sëmuri nga gjëlpëra. Kur u kthye ai i “vafri” nga Tirana,gruri sikur qëndronte gatitu. Jo po si sot: han-bërdush. Më t’i ranë pyllit dhe s’i lanë një dru në këmbë. Lopët në stalla, në vend të ndaheshin sipas ligjit, një të ardhur “iforti”, me demek, jam demokrat: tri lopë njëherësh. Fukarai me gjisht në gojë. Aha,- këtë lloj qeverie nuk e dua una.Ajo tjetra: të shtypte. Qo, po litarin nëpër këmbë. Edhe i shkreti rop, është si puna e atij qorrit, që, sa i erdhën sytë, u qërruati psi, se i bëri keq drita. Qy, batallëk, që ka zënë njerëzinë imëni, është jazëk, or tynjatjeta.Punë jo.Zanat jo dhe klubi plot.Kemi katandisur si ajo kënga:”Ku leh qen e ku del tym.ku ia bën daullja bym!”. E ktheu dhe unë për t’i kthyer rrestin,porosita që t’i sillnin dhe një dopio. “Zotrote” që nuk mbahej nga shpotitë, tani, i bërë çakërrqejf, ma ktheu:- Epo pse thonë: miku i mirë është si dera e qishës! Ndërkaq, në një tavolinë, ca çuna ia thanë këngës:
“Kush e çliroi Shqipërinë?- ia thanë dy zëra dhe, ndërsa unë prisja që t’i bënin jehonë ndonjë luftëtari të dëgjuar, dy zëra të tjerë:” Gjekë Papai me Soll VELINË”. “Zotrote” e kapi fillin e mendimeve të mia dhe, ndërsa unë do ta pyesja për këta”heronj që nuk m’i kish zënë veshi”, shpotitës si gjithmonë: janë ata dy në qoshetë që i kanë tharë nga dy ranxhata për shokë. Këngëtarët i shpojnë me këngë. Po hanë bodec ata? Janë bërë “spatë” dhe iu duket e po luftojnë me jermenin. Epo kot nuk të thashë: fshat e zanat, shtëpi e tabijat! Tani qe  radha ime të qeshja me këta “heronj të kohës sonë”. Tek do ndahesha me”zotrote”, i hodha duarët në qafë dhe e falnderova për gjithë kohën që kaloi me mua.
*       *      *
Prit një çikëz,-më tha. Të tëra na i hoqën (kemi parë shumë nga ajo qeveri që iku), tani rrojmë për qejfin tonë, por një gjë e kemi veçan nga gjithë fshatrat e tjerë. Tek do ta pyesja,se ç’të veçantë kishin nga të tjerët,”zotrote” urdhëroi:- Miku po ikën, Thuajani këngës,çuna! Dhe,sikur këtë  të kishin pritur, u çuan të tërë,sikur të isha miku i secilit dhe ia  thanë:”Miku që erdh nga udha/ dritë,or,dritë t’i bëhet gjurma/ mos t’i ngjitet ferrë nëpër këmbë/ se kujtim të mirë ka lënë.”. Kjo këngë më mbushi morrnica dhe zura i përqafova një për një këngëtarët, pastaj ata”çliruesit e Shqipërisë”.Kur u përcolla me”zotrote”, m’u duk se po përcillesha me një mik që jo vetëm ia vlente, por qe për t’u vënë në qoshe. Sa njerëz  të mirë! Ç’mbresa përjetova veç brenda një dite. Qeshë aq i ngarkuar emocioanlisht, sa po i ndaj dhe me ju.
Fshati K… në vitin 2000.

Comments

comments

-----