NJË KRIM I PËRBINDSHËM NË KOSOVË

6 mësues turq i bëhen kurban xhelatit Erdogan nga injorantët që na qeverisin

Nga KOLEC TRABOINI

Nuk është gabim siç shkruan gazeta shqiptaro-amerikane “Illyria” në New York, duke dashur ta zbusë efektin e këtij masakrimi të hapur të qytetareve të lirë turq që nuk kanë mbi supe asnjë krim, kane bindjet e tyre dhe lirinë për tu shprehur se çfarë është më mirë për atdheun e tyre në Turqi, e cila ka në krye një kriminel jashtë çdo kontrolli. Dorëzimi i tyre tek falangat e Erdoganit është krim. Krim i përbindshëm. Dhe krimet janë të dënueshme. Sepse ata 6 mësues do tu rrezikohet jeta dhe do të torturohen për vdekje nga diktatori i përgjakshëm Erdogan, i cili dihet botërisht se është mik i Thaçit, Hajradinajt e kompanisë së tyre duke përfshi këtu edhe qeveritarët mediokër të Tiranës, që edhe ata i lëpihen si zagarë qeverisë së diktatorit të Ankarasë. Dhe krijimi i mikro-konfliktit kinse Erdogan krimineli është kundër kryetarit të Qeverisë së Kosovës, është një sajesë groteske që ashtu si Ponc Pilati, qeveria e Kosovës të lajë duart, që tashmë i janë përlyer me gjakun e profesorëve turq që i lëshuan duart e xhelatëve. Akoma me tej për tu shprehur me popullorçe, shkarkimi i ministrit të brendshëm dhe atij të shërbimit të fshehtë të Kosovës, nuk është gjë tjetër veç se në Prishtinë pasi e bënë krimin po duan te lajnë mut me shurrë. Jo duhet te jap dorëheqjen kryeministri si i padenje te drejtoje një vend si Kosova në principet e humanizmit njerëzor. Bashkëpunimi dhe ndihma që i jepet një diktatori për të torturuar e vrarë njerëz do të nxirrte jashtë loje çdo lloj qeverie apo qeveritari qe ka sado pak dinjitet. Po këta tanët nuk i njohin principet e humanizmit se janë me mendje në mesjetë e mbase ende në kohën e sundimit e gjenocidit osman në trojet shqiptare. O mjeranë që jeni në pushtet pa e ditur si e pse është pushteti dhe qeverisja. O të pa gdhendur që nuk dini çfarë është politike dhe shteti, populli dhe kombi, humanizmi njerëzor kryekreje, mos u sillni si pashallarë në kohëra moderne. Keni nivel intelektual të mjerueshëm dhe injorancë të dukshëm deri në sharlatanizëm. E hëngrën turpin me bukë. Dhe thonë i kemi shpëtuar hebrenjtë. Ja e vërteta e tyre. Dorëzojnë mësuesit tek xhelati. Turp e faqja e zezë! Nuk mund të jetë njeri i mirë ai që i çon njerëzit në thertore, përkundrazi e ka shpirtin katran, dhe kushdo që i mbron këto veprime barbare duhet te shohë e te shqetësohet shumëçka ne shpirtin e vet. Asgjë nuk na bashkon me kriminelët dhe bashkëpunëtoret e tyre. Duhet te mbetemi human dhe me ndjejë dhembje për çdo njeri që bie në kthetrat e xhelatëve të pushteteve si Erdogani, Putini apo djalli dhe i biri, dhe këto viktima qofshin shqiptarë apo turq, italianë apo bullgarë se në këtë rast humanizmi njerëzor nuk ka të bëjë me nacionalitete por me të drejtën universale të jetës. Mallkuar qoftë kushdo që shkatërron jetët njerëzore!

31 mars 2018

Për më shumë shkrime TRABOINI

Comments

comments

-----