Guguftu` e guguçe`!

Poezi nga Viron Kona

 

Sapo rrapi nis të çelë gjethe,

kumritë1) shfaqen në degë,

mbledhin fije andej-këndej,

dhe mes rrapit ngrenë folenë.

  

Rreth e rreth fluturojnë,

i shohim dhe dy nga dy,

diç bëjnë atje nën fletë,

është kohë për dashuri!

Stinë e bukur e pranverës,

gjithë natyrën gjallëron,

vezët ngrohë kumria nënë,

mashkulli i saj vigjilon.

Sapo dalin n`jetë vogëlushët,

rreziqet vijnë radhë – radhë,

nga stuhitë, shirat e breshëri,

por dhe nga ca njerëz vandalë. 2)

Ja një grabitqar në qiell,

vete – vjen, ndjell fatkeqësi,

zogjtë e vegjël duhen mbrojtur,

nga skifteri kthetrazi. 3)

 

Kumritë mikeshat tona,

vijnë n`ballkone e në çati,

këtyre fqinjave hirplota,

u thurim këngë e poezi.

N`ditën e verës, vajzat e reja,

i ndjellin pranë me përkëdheli`,

me bollokume i gostitin,

të kenë fat në dashuri.

 

Ja dhe sheshi po gjallëron,

bëhen bashkë zogj e fëmijë,

qielli mbushet ngjyra- ngjyra,

me balona dhe kumri.

 

I kemi zemër, xhan i kemi,

kumritë që jetojnë me ne,

ëmbëlsisht i përkëdhelim:

guguftu` e guguçe`!  

1).Kumria(Turtullesha) lloj pëllumbi. Njihet nga ngjyra gri dhe nga ngjyra e bardhë, e cila është shumë e rrallë. Ushqehet kryesisht me fara, insekte, kërmij. Nga fundi i pranverës femra lëshon 1-2 vezë. Në popull i thonë guguçe, por edhe guguftu.

2). Vandalë, këtu nënkupton njerëzit e egër, barbarë e të pamëshirshëm. Bëhet fjalë për ata njerëz, të cilët i vrasin kumritë, teksa ato qëndrojnë apo flenë nëpër degët e drurëve e pemëve.

3).Skifteri kthetrazi, lloji i zogjve të vegjël grabitqarë. Ushqehet me insekte, brejtës, gjarpërinj, zogj etj. Mund të takohet edhe në qytete. Ai lëshon tinguj të mprehtë: ki-ki-ki në mënyrë të përsëritur.

 

Comments

comments

-----