ADEM ZAPLLUZHA, ARUSHA E BJESHKËVE POETIKE

Poezi e prodhuar nga hidrocentrali i shpirtit të Adem Zaplluzhës

 

Parathënie e vëllimit poetik “Ti mundesh nëse do” e poetit kosovar Adem Zaplluzha

 

Nga MSc. Albert HABAZAJ, poet, studiues

Edhe pse deri në këto çaste që shkruaj këto dy fjalë shoqëruese për lexuesin e librit “Ti mundesh nëse do”, ende nuk e kam takuar Adem Zaplluzhën, unë e njoh Poetin (nga prurjet e kaltra të shpirtit të tij të bardhë). Adem Zaplluzha është Arusha e Bjeshkëve poetike. Njerëzit që kanë dëshirë të shkruajnë poezi e botojnë synojnë të arrijnë në Malin poetik, të kapin majat e tij. Jo të gjithë arrijnë në mal. Jo të gjithë kapin majën. Është i lartë mali. Ka lugina, brinja, çuka, kodra, shpate, qafa, gryka, gërxhe, thepa. Kreshta është sipër. Poeti Adem Zaplluzha kalëron bujar nga Bjeshkët poetike, sepse prizrenasi ynë ka pirë nga uji i kulluar i  Bjeshkëve të Sharrit, ka marrë nga hijeshia e tyre dhe ka prodhuar poezi nga hidrocentrali i shpirtit të tij me dritë. Kur bëjmë bilancin e krijimit letrar, autori prezantohet me një begati krijuese, qoftë për letërsinë shqipe për fëmijë, qoftë për në atë për të rritur, sidomos në gjininë e poezisë së fushës së letërsisë artistike. Tashmë Zaplluzha ravijëzohet si një përmendore madhështore e gjallë, me dinjitet e në lëvizje për Lulëkuqet e Kosovës, se i dhembin sinorët e Atdheut, se i ka të shenjtë gurët dardanë, se i ka në eshtrën e tij fosilet parake dhe thesaret e Therandës. Vëllimi poetik: “Ti mundesh nëse do” është një megametaforë jetësore dardane, gjaku artistik i autorit Adem Zaplluzha, i cili tronditshëm kërkon, proteston e lufton, që hirushja diellore, qysh kur u shfaq jeta në këto troje, të udhëtojë fisnikërisht përpara, veç jo nëpër çitjane të “njerkës”, por në krahë të simotrave të saj ballkaniko-europiane; jo “me këmbët e breshkës”, zvarritur, rraskapitur, zhuritur, por “ballëlart e mal në këmbë”, siç na vjen krenarisht jehona e një kënge të bukur. 

Profili i autorit është i tejdukshëm. Ai në thelb është lirik. Natyra lirike e tij shfaqet natyrshëm, pa artific, pa bujë, bukur, ëmbël, magjishëm e freskët. Nuk është vështirë të kuptosh, se në rrahjet letrare të autorit ndihen dhe regëtima të fuqishme epiko-lirike, nga që rrënjët e ushqimit të tij poetik janë zënë nga Uji i bekuar i Epikës legjendare, nga lëngu magjik i Ciklit të Kreshnikëve, nga sherbeti i Baladave popullore shqiptare. Tek autori ynë, vijnë me gurgullimë të këndshme remineshencat mitologjike nga poezia jonë legjendare dhe nuk lënë asnjë grimcë të shijes së lodhur parake. A nuk ngjan si një kreshnik i ri i vargut Zaplluzha, që merr e merr fuqi nga qumështi i zanave të Muzës së krijimit?! Mbi shtratin e sigurt dhe të pazëvendësueshëm të traditës së visareve të kombit, autori ndërton një libër poetik modern, harmonishëm me strukturën e re dhe brendinë e pasur poetiko-estetike dhe etiko-morale, sa kombëtare aq universale. Ky vëllim poetik vjen si një pemë e lartë me tri degë të shëndetshme e 93 gjethe me gjelbërim të përhershëm, si pisha e Bjeshkëve të Sharrit, si dafina për kurorë. Cikli i parë titullohet: “Çfarë të bëj me këtë heshtje?”, i dyti “Ti mundesh nëse do”, që është dhe titulli i librit dhe cikli i tretë: “Më erdhi nga baladat” kanë një lidhje organike, të brendshme dhe buruese, që rrinë bukur pranë njëra-tjetrës në pemën poetike “Ti mundesh nëse do”, e cila zbukuron kopshtin e Krijimit shqiptar. Duke lexuar vëllimin me vëmendje dhe kënaqësi, herë-herë autori më sjell vegime drithëruese nga Azem Shkreli, Frederik Reshpja apo Fatos Arapi, të holla, të thella, të imta, delikate, aq sa siç shkruan vetë “trishtueshëm vdesin pemët në Atdheun tim të largët”. Por ai është vetëm ai – Adem Zaplluzha. Zaplluzha është njeri, është malësor, është shqiptar, qytetar i botës, e njeh dhe e shkruan botën me të gjitha pamjet, me të gjitha stinët, me natyrën e tij, me të gjitha ngjyrat, me dhembjet dhe dashuritë, me ligësitë e mirësitë, me miqësitë dhe urrejtjet, me veset e virtytet, parë nga të gjitha planet e  mundshme si krijues. Ky poet i “ashpër” epik bëhet aq lirik i ëmbël e “fije bari”, saqë më shpie tek Lasgushi, por me emrin e tij të përveçëm: Adem Zaplluzha, që di të krijojë dhe fjalë të reja si “pendla e nositit”, që vjen një perlë në fjalorin tonë poetik, por që ka firmën e tij. Herë-herë Adem Zaplluzha shpërthen si Frederik Rreshpja, saqë, për padrejtësitë njerëzore, për veset zvarranike midis “vedit”, është në gjendje të kacafytet edhe me perënditë, se “kafshuam dhe gurin dhe dheun”. Në luftë me kë? Me njëri-tjetrin. E kush fiton? Bota. I fuqishmi. I padrejti. I ligu. Lufta për ekzistencë – shkruan autori – na shndërroi në bisha. Është lufta për dreqin kjo përgjakje e keqe. Edhe trupëzimin e stinëve, të florës, ideve e botëkuptimeve nuk e realizon si qëllim në vetvete në kërkim të labirinteve formale të poezisë moderne, por duke ruajtur shëndetshëm raportin hierakik të funksioneve që ka arti poetik. Autori është edhe misionar me krijimin e tij, ku ndjenja dhe mendimi njësohen si shpirt në funksion të mesazheve që do të përçojë tek të “tjerët” e tij, por edhe tek “të tjerët e të tjerëve”. Thënë me dy fjalë të autorit, mesazhi poetik për njeriun mund të përmblidhet në shprehjen: “O njeri, njih vetveten, se dashuria tund malet e kap yjet me dorë”. Me vargjet, mbushur ajër e kaltërsi: “Vetëm nëse do/ mund të shndërrohesh/ në një shpend të shenjtë./ Tek e fundit,/ kështu kanë lindur perënditë” morfologjia poetike e Zaplluzhës trupëzohet në paradigmën e krijimit, që merr përmasa universale dhe shërben si start për të nisur maratonën e pandalshme jo vetëm shpirtërore të përparimit dhe mirësisë qytetare me identitetin tonë kulturor. 

Përgjegjës i Bibliotekës Shkencore “Nermin Vlora Falaschi”, Universiteti “Ismail Qemali”, Vlorë, ALBANIA.

Kryetar i Shoqatës së Shkrimtarëve dhe Artistëve “Petro MARKO”, Vlorë.

 

Comments

comments

-----