Mali i Zi në prag të zgjedhjeve presidenciale
Vonesa e kandidaturave për president në dëm të shoqërisë malazeze
Nga Gjekë Gjonaj
Qytetarët e Malit të Zi më 15 prill 2018 do të dalin në vendvotime për të zgjedhur kryetarin e shtetit. Deri në ditën e votimit mbetën vetëm një muaj. Të gjitha forcat politike ende nuk kanë zgjedhur kandidatët nga radhët e tyre. Opozita dhe pozita një kohë të gjatë dukeshin sikur të kishin rënë në gjumë të thellë. Krahu i opozitës për habi shpenzoi pak kohë e energji në kërkim të një kandidati të përbashkët, i cili sipas tyre do të dilte fitues në këto zgjedhje përballë kandidatit të partisë më të madhe politike në vend , Partisë Demokratike të Socialistëve, e cila tash 28 vite mbanë timonin e drejtimit të shtetit. As PDS-ja nuk u tregua aktive në këtë proces.
Opozita qytetare edhe në këtë rast, sikur në shumë raste tjera të mëparshme, u tregua e ndarë, jo kompakte dhe e pafuqishme të sjellë vendim të përbashkët serioz, siç është zgjedhja e kreut të shtetit. Ideja e saj ( opozitës) për një kandidat jopartiak për kryetar të shtetit në zgjedhjet presidenciale dështoi përfundimisht. Deri në mbyllje të këtij shkrimi nga radhët e opozitës kemi katër kandidatura të propozuara.
Një pjesë e opozitës, të cilën e përbëjnë Fronti Demokratik, Lëvizja Qytetare “ Ura” , Mali i Zi Demokratik dhe Partia Socialiste Popullore, ka rënë dakord që kandidati i tyre i përbashkët të jetë ish – deputeti dhe ekonomisti i njohur Mlladen Bojaniq. Sipas mbështetësve të tij Bojaniqi është njeriu i cili me veprimin e vet të deritashëm në parlament dhe jashtë tij ka dëshmuar se është opozitar i respektueshëm dhe kandidatë i denjë për president të Malit të Zi.
Deputetja e Partisë Socialdemokrate prof.dr. Draginja Vuksanoviq do të jetë kandidate për kryetare të shtetit në zgjedhjet e 15 prillit. Kjo është kumtuar nga partia e Ranko Krivokapiqit. Krivokapiq ka thënë se Kryesia e partisë njëzëri e ka propozuar Vuksanoviq për kandidat presidencial.
Lideri i Malit të Zi të bashkuar, Goran Danilloviq, do të jetë kandidat i kësaj parti në zgjedhjet presidenciale në Mal të Zi. Kjo është kumtuar në konferencën pë media të kësaj parti në Podgoricë. Mirëpo, kryetari i Malit të Zi të Bashkuar Goran Danilloviq nuk ka qenë i pranueshëm për Frontin Demokratik dhe një pjesë të opozitës qytetare, si kandidat i përbashkët i opozitës për president të Malit të Zi.
Kryetari i Mali të Zi të Vërtetë, Marko Millaçiq do të jetë kandidat i kësaj parti për president të Malit të Zi. Kjo është bërë me dije në Kongresin themelues të kësaj parti në ndërtesën e vjetër të Qeverisë.
Partia Demokratike e Socialistëve në pushtet e Millo Gjukanoviqit ende nuk e ka propozuar kandidatin presidencial. Nga kjo parti është kumtuar se “ ka filluar faza finale e zgjedhjes së kandidatit të PDS-së për president të Malit të Zi dhe se është folur për disa propozime cilësore për kandidatë për president, i cili do të fitojë me siguri. ” Në mbledhjen e Këshillit Qendror, e cila do të mbahet brenda kësaj javë, Partia Demokratike e Socialistëve, do të caktojë kandidatin e vet për kryetar të Malit të Zi”, theksojnë nga PDS-ia.
Komisioni Zgjedhor Shtetëror ka vërtetuar më 6 mars kandidaturën për president të Malit të Zi, Vasilije Miliçkoviq-njeriu që merret me ekonomi dhe Hazbija Kallaç-kryetar i Partisë së Drejtësisë dhe Pajtimit.
Nga ana tejtër kandidaturën e pavarur për president të Malit të Zi e kanë shpallur edhe dekani i Fakultetit për Studime Shtetërore dhe Evropiane në Podgoricë, Gjorgjije Bllazhiq dhe Dragan Hajdukoviq.
Vonesa kaq e madhe e partive më të mëdha opozitare, veçmas e partisë më të madhe në pushtet, për të propozuar kandidatët e tyre për president të Malit të Zi , tregon se shoqëria malazeze në përgjithësi akoma nuk është në gjendje të propozojë një figurë normale politike dhe kjo situatë nuk është e dëshirueshme. Bile do të duhej të jetë shqetësuese.Vonesa bën pështypje se është në dëm të shoqërisë.
Vlen të theksojmë se Mali i Zi asnjëherë deri më tani nuk ka pasur president jopartiak. A do të ketë kësaj herë ?
Comments
-----