Në pritje të pushtetit të ri vendor në Ulqin
Nga Gjekë Gjonaj
Komunikimet e para zyrtare për formimin e pushtetit të ri vendor në Ulqin ende nuk kanë filluar. Të gjitha forcat politike që kanë fituar të drejtën e përfaqësimit në parlamentin lokal në zgjedhjet e 4 shkurtit paraqiten të rezervuara në shfaqjet e tyre publike për koalicionet e mundshme paszgjedhore. Ato, fitohet përshtypja se, nuk e kanë të lehtë formimin qeverisë së re , edhe pse kjo, pas shpalljes përfundimtare të rezultateve të zgjedhjeve të Komisionit Zgjedhor Komunal, dukej jo edhe aq e vështirë.
Rezultati i zgjedhjeve vendore në Ulqin është në favor të partive shqiptare, për të mos thënë i kënaqshëm, , pasi që ato edhe pse garuan në tri kolona zgjedhore kanë fituar numër të mjaftueshëm vendesh ( 18 këshilltarë) për të marrë timonin gjatë katër viteve të fundit në këtë qytet. Sikur të ekzistonte vullneti i sinqertë politik në mes të Forcës së Re Demokratike – Forca ( 8 mandate) , Koalicioni “ Zgjohu Ulqin” në përbërje Partia Demokratike, Lidhja Demokratike e Shqiptarëve në Mal të Zi dhe Iniciativa Qytetare “ Perspektiva ( 7 mandate) dhe Unionit Demokratik të Shqiptarëve ( 3 mandate) pushteti i ri vendor në Ulqin do të formohej shumë shpejt. Por, a është real dhe i mundshëm në rrethana aktuale një skenar i tillë ? Edhe pse liderët shqiptarë të subjekteve të përmendura politike në deklaratat e fundit publike në parim nuk e kundërshtojnë një mundësi të tillë , bashkëqeverisja vetëm e tyre duket jo e afërt , madje edhe vështirë e arritshme nëse kihen parasysh kundërthëniet në mes tyre gjatë ushtrimit të pushtetit këto dy vitet e fundit bashkë me Partinë Demokratike të Socialistëve ( 8 mandate). Por edhe më përpara kur subjektet politike shqiptare e ushtronin pushtetin pa PDS-në . Edhe në rastin e parë, edhe në të dytin kanë qenë të theksuara mosmarrëveshjet, pakënaqësitë, konfrontimet dhe përplasjet brenda llojit të vet ( mes partive shqiptare) sa që kanë rezultuar edhe me rënie të pushtetit vendor. Nga kjo që thamë na imponohen pyetjet: A mund të qeveriset me sukses një komunë, kur njëri mban timonin dhe tjetri frenat? A mund të qeveriset mirë një komunë, kur njëri partner i koalicionit merr një vendim dhe tjetri e kundërshton? A është e këshillueshme që shqiptarët të vazhdojnë dhe të kenë besim te koalicionet politike, që në të kaluarën i kanë bërë akuza nga më të rënda njëri-tjetrit?
Në këtë situatë më reale duket mundësia që Partia Demokratike e Socialistëve, e cila siç thamë ka në përbërjen e re të Kuvendit të Komunës së Ulqinit numër të njëjtë mandatesh, do të jetë çelësi kryesor i formimit të shumicës parlamentare në Ulqin. Siç ka ndodhur rasti në Tuz, ku fjalën kryesore në parlamentin vendor të Tuzit e ka Partia Demokratike e Socialistëve, e cila përveç shumicës parlamentare ka edhe kryetarin e Komunës Urbane në kuadër të Komunës së Podgoricës, deri në zgjedhjet e radhës të planifikuara në fund të këtij viti.
Mbetet për t’u parë se a do të përsëritet përvoja e dy viteteve të shkuara që partitë politike shqiptare përsëri të bashkëqeverisin me Partinë Demokratike të Socialistëve në Ulqin , e cila kësaj herë me këmbëngulje pretendon edhe postin e kryetarit të ardhshëm të Ulqinit, apo ndonjëra nga ato do të mbetet në opozitë. Pavarësisht kësaj votuesit shqiptarë, që u kanë dhënë votëbesimin subjekteve të tyre nacionale që të udhëheqin me këtë qytet në katër vitet e ardhshme, presin nga përfaqësuesit politikë të shqiptarëve që ata të ushtrojnë pushtetin.
Comments
-----