UDHËKRYQI I KONTESTIT SHQIPËRI-GREQI

Nga UNITETI GLOBAL ALBAN

UNIONI SHQIPTAR I SHOQËRISË CIVILE

 

Shekulli XXI u duk sikur do ta zgjidhte përfundimisht çështjen shqiptare. Dhe duhet pranuar që janë hedhur hapa të mëdhenj përpara. Më kryesori ndër ta është Shpallja e Pavarësisë së Kosovës, në saj të mbështetjes së fuqishme nga SHBA dhe disa shteteve europiane. Pas shumë përpjekjesh, duke filluar nga viti 2001 dhe më pas me Marrëveshjen e Ohrit, u legalizua Universiteti, dhe vitin e fundit në parlamentin e Maqedonisë u miratua ligji për njohjen e gjuhës shqipe, gjuhë zyrtare, krahas asaj maqedonase. Megjithë përpjekjet e presidentit dhe opozitës së atij vendi, për të mos pranuar një ligj të tillë, kemi bindjen se nuk do të ketë kthim pas. Por kjo nuk mjafton. Për shkak të politikës së dobët të zhvilluar prej shqiptarëve dhe vatrave jo miqësore që vazhdojnë të jenë gjallë në Europë, është venë në diskutim Mitrovica dhe po shtrohet për diskutim ndarja e saj. Ka tendenca për t’iu nënshtruar vijës së demarkacionit me Malin e Zi, e cila është në kundërshtim me të gjitha normat ndërkombëtare që lidhen me përcaktimin e kufijve midis shteteve. Edhe më keq akoma po zhvillohen marrëdhëniet me Greqinë. Dhe ja sepse.

Kohët e fundit janë zhvilluar bisedime të nivelit të lartë, midis Shqipërisë dhe Greqisë, ku është diskutuar për disa çështje që mbajnë pezull marrëdhëniet dypalëshe. Kërkesa e Tiranës zyrtare për të patur marrëdhënie të mira me shtetin grek është normale dhe e domosdoshme. Pa marrëdhënie të mira me shtetin grek, progresi ekonomik dhe integrimi do të ishte më i vështirë. Mirëpo, nëse qeveria shqiptare e kërkon këtë miqësi duke pranuar pretendime absurde të qeverisë greke, ka pasoja të rrezikshme për të nesërmen e Shqipërisë. Shqipëria dëshiron të shkojë në Europë, për të cilën i duhet ndihma e Greqisë dhe vendeve të tjera, por, në radhë të parë, do të shkojë si një komb me dinjitet, si shqiptar, dhe nuk do të shkojmë, siç na propozohet, duke dhënë pjesë të territorit. Mirëpo, pas takimit të Kretës erdhi ai i Korçës, për rezultatet e të cilit mungon informacioni. Nëse qeveria greke është shfaqur më transparente me publikun, qeveria shqiptare i ka mbajtur bisedimet në tërësi të fshehta. Por nga ato që janë pohuar prej të dy palëve, nuk rezulton asgjë e dobishme për Shqipërinë. Delegacioni shqiptar pranoi të bënte lëshime të mëdha në favor të Greqisë, pasi morën premtime për t’u mbështetur nga Athina në marrjen e statusit të kandidatit për në Bashkimin Europian, si dhe heqjen e ligjit të luftës. Po çështë ky ligj lufte që mban pezull marrëdhëniet dypalëshe? 

Qeveria greke, me vendimin nr. 2636/40, të muajit nëntor 1940, si dhe me dekretin e Mbretërisë së Greqisë, nënshkruar më datë 10 dhjetor 1940, e cilësoi Shqipërinë vend armik, me të cilin Greqia ishte në luftë. Ky vendim vinte si kundërpërgjigje e “dekretit mbretëror shqiptar”, nr. 194, datë 9 qershor 1940-XVI-II, në nënin nr. 1 të të cilit thuhej: “Mbretëria e Shqipënisë njifet e hymne në luftë me ato shtete me të cilat mbretnija e Italisë ka me qënë në luftë”. Në fakt, ky dekret ishte i Viktor Emanuelit III, i cili qe shpallur mbret i Italisë dhe Shqipërisë. Kjo u realizua me anë të mëkëmbësit të mbretit italian në Tiranë, Francesco Jakomoni, i cili e detyroi qeverinë kukull të Vërlacit të miratonte ligjin në fjalë, më 9 qershor 1940. Mirëpo ky ligj nuk mund të penalizojë popullin shqiptar, pasi Shqipëria ishte nën pushtim dhe qeveria e Tiranës dirigjohej nga Roma. Këtë e dinin mirë edhe krerë të politikës së Athinës, por atyre u interesonte ta rendisnin Shqipërinë në krahun e agresorëve fashistë, pasi në këtë mënyrë realizonin më me lehtësi qëllimin e tyre ekspansionist.

Ka 78 vjet që luhet me një ligj të tillë. Loja ka për synim realizimin e qëllimeve djallëzore në dëm të Shqipërisë. Me pushtimin e Greqisë nga Gjermania, në mesin e vitit 1943, kryeministri grek Jorgos Xolagoklus e hoqi ligjin e luftës me Shqipërinë, sepse kërkonte paqe në kufijtë e saj. Por qeveria helene që mori pushtetin në vitin 1945, e rivendosi sërish. Kabineti i qeverisë së Andrea Papandreut, në të cilën qe ministër edhe Karolio Papulias, më 28 gusht të vitit 1987, e shfuqizoi sërish atë ligj. Qeveria shqiptare besoi. Në muajin mars të vitit 1996 u nënshkrua Pakti i Miqësisë, Bashkëpunimit dhe Sigurisë për fqinjësi të mirë. Tashmë vazhdon të thuhet se ligji nuk është hqur. Në rrethanat e krijuara shtrohen disa pyetje: Si mundet të nënshkruhet pakti i miqësisë midis dy vendeve, kur njëra palë është me duar në xhepa dhe tjetra me mitraloz në dorë? Pse qeveria shqiptare nuk e ka shtuar këtë çështje në NATO? Si mund të rrinë dy shtete fqinjë anëtarë të NATO-s, kur janë në gjendje lufte? A pranon BE të anëtarësoi në radhët e veta dy vende që janë shpallur armiq dhe vazhdojnë të jenë në gjendje lufte? Përse nuk është shtruar me forcë kjo çështje në Bruksel? A e dinë qeveritarët tanë që Greqia ka patur dhe vazhdon të ketë pretendime territoriale ndaj Shqpërisë?

Athina tallet duke karikuar herë pas here ligjin famkeq që kërcënon sovranitetin e Shqipërisë, por edhe Tirana nuk e ka denoncuar me forcë mbajtjen ndezur të gjendjes së luftës nga politika e Athinës. Edhe nëse ai miratohet, prej tij përfitojnë një numër i kufizuar shqiptarësh, pronat e të cilëve, sipas qeverisë greke, kapin vlerën rreth 13 milionë euro. Ndërsa për çamët e ndjekur nga vendlindja, ka një tjetër ligj që i konsideron të shtetëzuara pronat e tyre, pasi janë cilësuar bashkëpunëtorë me gjermanët. Nëse nga pala shqiptare nuk do të pranohej të nënshkruheshin një sërë marrëveshjes me Athinën, ligji në fjalë do të ishte hequr vite më parë, pasi do të futeshin në lojë edhe aktorë të tjerë. Shprehjet e politikanëve tanë se, nuk ka çfarë na duhen kufijtë dhe së çdo gjë “e di Europa” apo “tashmë do të shkojmë në Europë e kufijtë do të shuhen”, “kemi NATO e SHBA”, e të tjera, janë vetëm në dëm të shqiptarëve. BE dhe SHBA nuk do të pajtoheshin kurrë me Athinën, nëse do ta dinin që Greqia nuk e njeh “de jure” kufirin e miratuar nga Fuqitë e Mëdha, në vitin 1924, pra Protokollin e Firences. Madje Athina refuzon edhe sot e kësaj dite nënshkrimin e tyre. BE mbase nuk do të miratonte as uzurpimin e kishës orthodokse shqiptare, ku janë shkelur me të dyja këmbët parimet e shenjta, kanonet e Kishës Autoqefale të Shqipërisë, të vendosura që në vitin 1921, nëse politika shqiptare do të shprehej në një zë.

Qeveria shqiptare pranoi të zgjerohen varrezat greke në Këlcyrë e Bularat, madje mori përsipër të gjejë edhe varret e ushtarëve grekë të rënë gjatë Luftës Italo-Greke. Ajo që tërheq vëmendjen është dhënia e tyre të statusit historic, që nënkupton rënien e ushtarëve për trojet shqiptare, apo për trojet e tyre, gjë e cila mund të shoqërohet me pasoja në të ardhmen. Në fushën e luftimeve, gjatë muajve nëntor 1940 – prill 1941, mbetën të vrarë rreth 17 mijë ushtarë italianë dhe grekë për interest e tyre, duke e kthyer Shqipërinë në shesh beteje, jashtë vullnetit të saj. Italia i tërhoqi trupat e të rënëve, për t’u prehur në vendlindjen e tyre, ndërsa Greqia nuk i luajti nga vendi, pasi Athina zyrtare vazhdon ta quaj Jugun e Shqipërisë pronë të saj. Ne nuk jemi kundër gjetjes së eshtrave të ushtarëve grekë, pasi nderimi ndaj të rënëve është kulturë dhe detyrim qytetar. Por nuk e shohim me vend grumbullimin e tyre nëpër manastire të ndërtuara në tokën shqiptare. Greqia mund t’i tërheq eshtrat e tyre në vendin e vet. Në fakt, jo vetëm që nuk e bënë një gjë të tillë, por e lidh rënien e ushtarëve me kisha e manastire, pas të cilëve fshihet diçka e kobshme për interest kombëtare shqiptare.

Lind pyetja: Përse përbëjnë problem serioz për Shqipërinë dhe shqiptarët, pranimi i varrezave greke në Këlcyrë e më gjerë? Nuk do të kishte asnjë shqetësim, nëse bëhej fjalë për një shtet fqinj që nuk ka pretendime territoriale ndaj Shqipërisë, apo nëse Athina do t’i njihte kufijtë e saj. Por e vërteta është ndryshe dhe gjërat duhen thënë siç janë. Greqia vazhdon ta quaj jugun e Shqipërisë tokë greke.

Qeveria shqiptare nuk duhet të harrojë përpjekjet e bëra nga shteti fqinj, për të përfshirë brenda kufirit grek, dy prefekturat shqiptare që përfaqësojnë trojet e ndodhura në jug dhe juglindje të Shqipërisë, prefekturën e Korçës dhe atë të Gjirokastrës. Politika greke e ka kërkuar këtë territor, duke filluar nga gjysma e dytë e shekullit XIX dhe i shtoi përpjekjet në vitet 1870 -1880, në kuadër të Traktatit të Paqes së Shën Stefanit (3 mars 1878) e më pas në Kongresin e Berlinit (13 qershor 1878) për t’i rinisur gjatë zhvillimit të punimeve të Konferencës së Ambasadorëve të Londrës 1912-1913, por edhe më pas, në Konferencën e Paqes së Versajës 1919-1920 dhe atë të Parisit të vitit 1946. E njëjta gjë vazhdon edhe sot, kur ajo e ka shtrirë minioritetin deri në afërsi të qytetit të Vlorës. Greqia i bën presion qeverisë shqiptare se nuk do ta votojë për në BE, nëse nuk i hapet rruga për të plotësuar objektivat e hershme, në funksion të helenizmit të Shqipërisë së Jugut.

Dhe të mos harrojmë! Në kushtetutën helene thuhet se ushtari grek varroset në tokën e vet. Lind pyetja: Mos edhe tokën ku janë ngritur këto varreza, Athina e quan greke? Patjetër që po. Qeveria greke, në pranverën e vitit 1943, i kërkoi komandës gjermane t’i jepte lejen për të mbajtur të pushtuar jugun e Shqipërisë, në këmbim të lenies së lirë të trupave të tyre, por gjermanët nuk pranuan. Karrolio Papulas, vite më parë, kur vizitoi Shqipërinë, gjatë një takimi në Fier, pyetjes së një gazetari grek se çdo të bëhet me eshtrat e Shën Kozmait, u përgjigj: Lereni të prehet në tokën e vet!

Varrezat greke përbëjnë problem, sepse ato janë kthyer që sot në qendër pelegrinazhi, që organizohet nën kujdesin e politikës greke, e cila e ka intensifikuar punën për helenizimin e Jugut të Shqipërisë. Për këtë flasin qartë kishat e ndërtuara në tërë jugun e vendit, jo me karakteristika të kishës shqiptare, por me karakteristika të kishës greke, ku është zbatuar e njëjta arkitekturë dhe objekte të tilla janë ngritur me shumicë në një linjë, që është vija imagjinare e Vorio-Epirit, e përcaktuar në vitet 1912 – 1913 nga Venizellos. Ato gjenden që nga derdhja e Vjosës dhe vijojnë në fshatra, qytete, madje edhe aty ku nuk ka fare ortodoksë, siç është p.sh. Memaliaj, në Këlcyrë e në vazhdimësi deri në Korçë. Pra vihet re një koncentrim objektesh fetare, të cilat synojnë, me sa duket, të zëvendësojnë piramidat e kufirit, që grekët nuk i njohin në vendin e tyre të ligjshëm, në kufirin e njohur në vitin 1913 dhe rizyrtarizuar në vitin 1924 nga Protokolli i Firences.

Pra, në këtë hulli, ne kemi edhe fenomene të tjera të çuditshme, të cilat i zbuloi skandali i njohur i eshtrave të ushtarëve grekë në Kosinë të Përmetit dhe më gjerë, të cilat rezultuan se ishin eshtra të banorëve shqiptarë. Në zhvarrimin e eshtrave u vu re prania e përfaqësuesve të shtetit grek dhe të Kishës së ashtuquajtur Autoqefale Shqiptare, e cila drejtohet po nga grekë.

Kjo tregon që këtu kemi një problem vërtetë të madh, ku shteti shqiptar i ka braktisur qytetarët e vet, dhe aty po funksionojnë pushtete të fshehta, pushtete ilegjitime, siç është ai i konsullit apo pushteti i Janullatosit, i cili bën si të dojë, ndërton varreza dhe memorialë pa patur leje, i paraqet si memorialë grekë etj. Të gjitha këto janë vepra dhe akte të palejueshme në marrëdhëniet ndërkombëtare dhe janë tepër të rrezikshme, jo vetëm për paqen e harmoninë në këto zona, që janë të pastra shqiptare, por janë akoma më të rrezikshme kur në këto zona ka vërtet minoritet grek, si në Gjirokastër e Delvinë, kur ngrihen struktura paralele, të cilat nuk identifikohen me shtetin shqiptar, duke avancuar në objektivin e krijimit të një zone ekstraterritoriale, para të cilave ndonjëherë vërehet dhe heshtje apo gjunjëzim i politikës shqiptare.

Këto veprime mund të demaskoheshin me lehtësi, nëse do të kishte vullnet dhe vendosmëri nga klasa politike shqiptare, nëse ajo do të bashkohej kur bëhej fjalë për çështje madhore të Shqipërisë. Në fakt, të dy krahët e politikës, për të fituar kredibilitet pushteti me anë të anëtarësimit të Shqipërinë në NATO apo në BE, kanë preferuar të dhurojnë pjesë të territorit shqiptar, njëlloj sikur të jepnin dhuratë një tablo pikture. Ata harrojnë që interesat e larta të kombit shkojnë tej interesave partiake, madje edhe tej integrimit të Shqipërisë në BE.

Tashmë u deklarua sërish rishikimi i kufirit detar me Greqinë. Ministria e Jashtme e Shqipërisë e ka mbajtur të fshehtë të vërtetën e këtyre bisedimeve. Sipas deklaratës së ministrit të Jashtëm grek, Nikos Kotzias, në takimet e zhvilluara, përveç varrezave, pala shqiptare ka pranuar të kalojë në favor të Greqisë rreth 12 milje nga territori shqiptar në Detin Jon. Ministri Bushati pranoi që do të bëhen negociata, por sipas tij, marrëveshja për rishikimin e çështjes së kufirit detar do të jetë më e mirë se ajo e nënshkruar nga qeveria e djathtë. Mirëpo kjo frazë nuk thotë asgjë. Shqipëria nëse nuk është në gjendje të përballet me ekipin e specializuar grek të kufirit, duhet të kërkojë ndihmë ndërkombëtare. Në vitin 1936, Fuqitë e Mëdha kanë vendosur që, gjerësia e detit territorial për Greqinë, të jetë 6 milje. T’i jepet Greqisë 12 milje det, do të thotë që ajo të zotërojë tërësisht Kanalin e Otrantos, me gjithë rezervat e mëdha të naftës dhe gazit, që janë zbuluar në pejsën që i takon Shqipërisë, madje t’i afrohet Ksamilit e Sarandës fare te dera, gjë që duket e pabesueshme ose çmenduri qeveritare. Por edhe sikur të mos jetë 12 milje, por më pak, sërish është e gabuar dhe pala shqiptare nuk mund të marrë përsipër të negociojë me qeverinë greke, pa patur të pranishëm ekspertë ndërkombëtarë për këtë çështje, phesë e të cilit të jenë patjetër edhe eskpertë italianë, pasi Italia është pjesë e Otrantos.

Nëse kryhet ky akt, kemi të bëjmë me tradhëti të hapur ndaj interesave kombëtare shqiptare. Gjykata Kushtetuese, me vendimin nr. 15, datë 15 prill 2010, e dënoi këtë veprim të kryer nga qeveria e mëparshme, ku Shqipëria humbiste 300 kilometra katrore sipërfaqe detare, dhe e ka quajtur antikushtetuese marrëveshjen e nënshkruar prej saj. Në këto rrethana, nevojitet tërheqja me çdo kusht e qeverisë shqiptare nga një akt i tillë, në të kundërt duhet të pranojmë që Viti i Gjergj Kastriotit Skënderbeut është zëvendësuar me Vitin e Hamza Kastriotit.

Shqetësuese është mungesa e reciprocitetit. Kryeministri Rama u shpreh se në marëdhënie me Greqinë e çdo vend tjetër, duhet të mbahet parasysh reciprociteti. Është i pari kryeministër që e ka shprehur publikisht një gjë të tillë. Por nuk mjafton e thëna. Bazuar në Kushtetutën e Shqipërisë, por dhe në atë të Greqisë, theksohet që në marrëdhëniet me shtetet e tjera, parimi i reciprocitetit është parim bazë. Ky parim me rëndësi në marrëdhënie midis shteteve është shkelur me të dyja këmbët. Politika pranon vendosjen e varrezave të ushtarëve grek në të gjithë vijën që Athina e quan “Vorio-Epir”, por asnjë politikan nuk ka kërkuar reciprocitet, që varreza të tilla të ngrihen dhe në Greqi, ku janë vrarë e masakruar dhjetra mijë shqiptarë të krahinës së Çamërisë edhe më gjerë. Numri i të vrarëve zë fill që nga koha e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, për të vijuar me kohën kur zhvillonte punimet Konferenca e Londrës 1913, masakrat e vitit 1914, vrasjet dhe dëbimet në vitet 1918-1924, si dhe ato gjatë Luftës së Dytë Botërore. Po këta të rënë për idealin e tyre dhe të kombit, a nuk duhen nderuar duke ngritur varreza në qendrat e tyre të vendlindjes, që është Greqia? Duket se shteti shqiptar nuk ka qenë i aftë ta detyrojë Athinën të zbatojë reciprocitetin në marrëdhëniet midis dy shteteve.

Nuk mund të ketë reciprocitet midis dy vendeve, kur Shqipëria ka nënshkruar Konventën e Këshillit të Evropës për njohjen dhe mbrojtjen e minoritetit, ndërsa Greqia nuk e ka nënshkruar një konventë të tillë. Kjo tingëllon vërtet ironike dhe sarkastike. Athina insiston dhe këmbëngul pranë qeverisë shqiptare që të zgjerohen të drejtat e minoritetit grek në Shqipëri, duke kërkuar dhe gjëra që shkojnë përtej një kërkese reale dhe të pranueshme, në një kohë që Athina zyrtare nuk pranon as të përmendësh fjalën Çamëri në bisedime dypalëshe, le pastaj të diskutosh si partner për mënyrën e zgjidhjes së këtij problemi të madh, pa të cilin nuk mund të ketë mirëkuptim dypalësh.

Tirana e njeh minoritetin grek në Shqipëri, që nga koha kur ai është vendosur këtu. Edhe në periudhën e komunizmit janë respektuar të drejtat e tij, madje që nga viti 1921, kur Shqipëria u pranua në Lidhjen e Kombeve. Është njohur për ta e drejta e arsimimit, besimit, e organizimit etj. Athina i kërkon Tiranës të mos interesohet për popullsinë shqiptare të përfaqësuar nga arvanitët apo çamët, të cilët numërojnë mbi 300 mijë vetë që e kanë ruajtur gjuhën shqipe, pa folur për më shumë 800 mijë shqiptarë të tjerë, që kanë shkuar pas vitit 1990 dhe jetojnë në territorin grek. Me këtë mendësi, Greqia nuk lejon hapjen e shkollave shqipe, kur janë dhjetëra mijëra fëmijë që kanë nevojë për librin shqip, për mësimin e gjuhës amtare.

Një tjetër problem është çështja came. Teorikisht Greqia herë pranon dhe herë kundërshton trajtimin e kësaj teme në marrëdhëniet dypalëshe. Pas vitit 1992, këtë problem e ka shtruar Serreqi, ministr i Jashtëm i asaj kohe. Atëherë pala greke nuk guxoi të deklaronte mosnjohjen e kësaj çështje. Këto 27 vite të demokracisë, në vend që të avancohej në zgjidhjen e këtij problemi, nga politika shqiptare është pranuar diktati grek dhe çështja në fjalë është shuar.

Edi Rama e rizgjoi problemin çam dhe nëse do të tregohet konseguent, do t’i sjell dobi, jo vetëm Shqipërisë, por të dy vendeve. Politika shqiptare duhet të vihet në lëvizje nga shoqata “Çamëria”, si dhe nga partia “Bashkimi Demokrat për Integrim”, të cilat nevojitet të jenë më agresive në parashtrimin e problemit çam në kancelaritë evropiane dhe botërore. Është në të drejtën e tyre që ta paraqesin problemin me forcën e duhur. Nëse ata heshtin, problemi nuk do të zgjidhet kurrë. Bota ka nevojë të shohë shqetësimin e vet çamëve, ta prekë atë, ta jetojë këtë shqetësim dhe pastaj të interesohet dhe të mësojë më shumë për t’i dhënë zgjidhjen përfundimtare, gjë e cila është një e drejtë e ligjshme e çamëve. Natyrisht kjo kërkon durim, guxim e përgjegjësi.

Çështja po debatohet edhe në media. Do të dëshironim që intelektualë të shquar shqiptar, në vend që të merren me debate të pafrytshme, mbi çështje tepër të koklavitura, duhet të merren me probleme që kanë të bëjnë me mbijetesën në aspektin ekzistencial të vet kombit, për t’i thënë ndal një ofensive, e cila kërkon të realizojë planet e mykura të megalidesë në shekullin e 21-të. Kjo ndodh sepse politika shqiptare e ka bërë të vetën përgjunjësinë, kompleksin e inferioritetit para të huajve, të cilët luajnë rol të fuqishëm edhe në opinionin e brendshëm shqiptar. Kjo ndodh edhe për shkak të korrupsionit politik. Flitet vazhdimisht për korrupsion, duke e nënkuptuar atë thjesht me terma financiarë, me para, me blerje të institucioneve apo zyrtarëve, por këtu ne kemi të bëjmë me korrupsion politik. Për interesa të çastit, për një mbështetje politike apo kapjen e një karrigeje, bëhen lëshime që dëmtojnë Shqipërinë.

Politika është për të mbrojtur në radhë të parë interesat e vendit, dhe nga momenti që këto interesa shiten për të patur një mik më shumë, apo për të patur një mbështetje politike më shumë në konfliktin e brendshëm ndërpartiak, atëherë ajo bëhet e neveritshme.

Në vendin tonë, nëse trajton çështje të interesit kombëtar, menjëherë etiketohesh “nacionalist”. Në fakt, të mbrosh interesat kombëtare nuk do të thotë që je “nacionalist”, por qe je patriot, që do vendin tend, i cili pa dashurinë e njerëzve që e popullojnë, nuk mund të mbijetojë. Eshtë vështirë të gjeshë politikanë në vendet fqinjë që, kur diskutohen çështje madhore të kombit të tyre, të mos bashkohen. Te ne ndodh e kundërta, sepse politika shqiptare ndihet e përulur para të huajve. Shpesh mbahen sytë nga përfaqësuesit e trupit diplomatik, çfarë thotë njëri ambasador e çfarë mendimi shprej tjetri, si e gjykojnë ata një sjellje politike apo një tjetër, duke harruar që diplomatët në fjalë, nuk janë këtu për të zgjidhur problemet e shqiptarëve, por në radhë të parë për të mbrojtur interesat e kombit të tyre, të aleancave të veta, mbase dhe ta drejtojnë ujin në mullirin e tyre, aty ku u pëlqen të bluajnë.

Në këtë kuadër, besojmë se ka ardhur koha për t’u venë në lëvizje shoqëria civile, të thotë fjalën e vet për çdo çështje me rëndësi kombëtare, ta imponojë qeverinë të verë në plan të parë interest kombëtare dhe jo ato të kolltukut dhe xhepit të individit, madje as të partisë që përfaqson. Nëse qeveritë do të vazhdojnë në linjën e tyre, duke kryer veprime që cënojnë ionteresat madhore të kombit, shoqëria civile duhet të vihet në krye të popullit dhe ta detyrojë qeverinë të largohet, për të ardhur në krye njerëzit që e duan Shqipërinë.

 

UNITETI GLOBAL ALBAN

UNIONI SHQIPTAR I SHOQËRISË CIVILE

Comments

comments

-----