PËR VORREZAT / MEMORIALET E USHTARËVE GREKË NË TOKËN SHQIPTARE

(Shënim i një pasardhësi të shqiptarëve të vrarë prej andartëve grekë)

Nga Thanë G. Gjoka

Kërkesat e vijueshme të qeverive greke pas vitit 1992 për krijim vorrezash në tokën shqiptare për ushtarët grekë që ranë gjatë Luftës Italo-Greke të vitit 1940 është e drejtë, por pa reciprocitet nuk mund të ketë qetërsi shpitrash…

Qeveritë shqiptare, si ajo e viteve 2010-2012 dhe kjo e sotmja, kanë pranuar ndërtimin e këtyre vorrezave (me mire memorialeve, si shkroi Prof. P. Xhufi), për respekt të ushtarëve grekë që ranë gjatë asaj lufte. Ky gjest tregon respekt dhe dashuri të qeverive shqiptare dhe të popullit shqiptar ndaj popullit fqinj grek. Mirëpo nuk duhen lënë në harresë faktet edhe më të dhimbshme, që do të tregojnë respekt e dashuri të qeverive greke dhe të popullit grek ndaj popullit shqiptar.

Për këtë arsye është mirë të ngrihen edhe memoriale për shqiptarët e masakruar prej ushtërive greke. Masakrat e ushtrive greke ndaj popullsisë shqiptare në trojet shqiptare nuk kanë të numëruar. Ato filluan dhe vijuan me një strategji të dukshme shoviniste për pastrimin e territoreve shqiptare prej popullsisë shqiptare. Në vitin 1878 andartët grekë dogjën qytetin Lekurës mbi Sarandë. Pastaj vijuan gjatë viteve 1914-1916 në fshatra të Gjirokastrës, Përmetit, Kolonjës, Korçës dhe Devollit, ku dogjën qindra shtëpi dhe vranë me mijëra banorë, për të vetmin shkak se ata nuk pranonin të thoshin se ishin “grekë, po thoshin “jemi orthodoksë shqiptarë“.

Po ashtu, mijëra shqiptarë vrau dhe qindra e mijëra shtëpi dogji ushtria greke në krahinën shqiptare të Çamërisë. Në vitet 1923-1926 qeveria greke vrau, masakroi dhe dëboi nga vatrat e tyre mbi 20 mijë shqiptarë myslimanë, të cilët i dërgoi në Turqi si turq. Kurse gjatë viteve 1944-1945 dëboi 25-30 mijë shqiptarë myslimanë drejt Shqipërisë gjoja se kishin qenë bashkëpunëtorë të Nazizmit. Po si mund të ishin bashkëpunëtorë të Nazizmit fëmijët, pleqtë dhe nuset me barrë, që vriteshin e dëboheshin nga shtëpitë e tyre?

Qeveria e sotme greke, si anëtare e Europës së Bashkuar duhet të kërkojë falje për gjithë këto masakra dhe të ndërtojë memoriale dhe monumente në qytetet Bilisht, Korçë, Ersekë, Përmet, Gjirokastër dhe brenda territorit të shtetit grek në qytetet Filat, Igumenicë, Margëlliç, Pargë e Prevezë. Në këto memoriale duhet të ketë monumente ose basoreleve me nuse me barrë që u nxirret me bajonetë foshnja nga barku prej andartëve grekë. Në pjedestalin e këtyre monumenteve duhet të gdhenden në greqisht e shqip fjalë për kërkimin e të falurit. Priftërinj dhe peshkopë të Kishës Shqiptare Orthodokse dhe priftërinj e peshkopë të Kishës Orthodokse Greke shoqëruar me bijtë e pasardhësve të viktimave dhuhet të shkojnë në sejcilin prej këtyre momorialeve dhe të mbajnë meshë një herë në vit. Të tilla veprime forcojnë miqësinë e dashurinë midis dy popujve fqinjë.

Qeveria shqiptare, krahas pranimit të kërkesave të qeverisë greke, duhet të kërkojë reciprocitet me dinjitet. Vetëm kështu rikrijohen urrat e vllazërisë midi dy popujve tanë, urra të cilat ishin ngritur prej stërgjyshërve të të dy popujve dhe kishin funksionuar për bukuri që nga Antikiteti e deri te krijimi i shtetit të pavarrur grek. Këto urra disa qarqe shoviniste në qeveritë greke të pasvitit 1827 kanë punuar për t’i prishur dhe kanë arritur me propagandën e tyre djallëzore të ngjallin midis disa pjesëtarëve të të dy popujve tanë mosmarreveshje e urrejtje.

Jemi fqinjë të vjetër prej 3 mijë vetësh dhe kemi nevojë për respekt e dashuri të dyanshme.

Ashtu si nuk ka paqe shpirtërore midis pasardhësve të grekëve të rënë në Luftën Italo-Greke, pa vendosur lule mbi memorialin e ushtarëve grekë të rënë në tokën shqiptare gjatë luftimeve heroike të djemve grekë që ndoqën ushtrinë pushtuese italiane përtej kufirit të shtetit grek. Po ashtu dhe pa krijuar memoriale për shqiptarët e masakruar nga andartët grekë, ku të vendosim lule nuk mund të vijë paqja shpirtërore midis ne pasardhësve të shqiptarëve të masakruar… 

Comments

comments

-----