SFIDA E NJË PËRKTHYESI ADOLESHENT

Nga SOTIR ATHANASI

 

        Gruan e moshuar, sapo mbërrijti në spital nga azili  e shpunë menjëherë në Reanimacion. Në çastin e fundit,  erdhi edhe djali i saj funksionar në pushtet. Ajo i bëri shenjë infermjerjes e cila shtypi butonin e celularit dhe në atë qetësi-reanimative, u përhapën tingujt e një kënge Për NËNËN. Shumë e bukur. Tejet e dhimbshme dhe po aq rrëqethëse edhe pse në frëngjisht. Në mbarim të saj nëna, me vështirësi mundi t’i thotë:
         – Kjo këngë më zgjuan çdo mëngjes dhe më kujton që të kam ty, bir.  Unë po e lë këtë botë. Por ti interesou që azilet të kenë ngrohje në  dimër, freskim në behar dhe ushqim të mirë për të moshuarit. Se. . .
Kur të të sjellin ty këtu,  do të vuash. Dhe unë, edhe në BOTËN e përtejme do të ndjej dhimbje për ty.
            Pas kësaj, ajo mbylli sytë.
       ( Marrë nga një gojore në Reanimacion ) 

            Makina na la në autostradë.
            Ne morëm poshtë monopatin. Këtej zbrisnim përherë. Njëqind metra më tutje ishte shtëpia e tezes sime: një dykatësh i bollshëm, me oborr të shtruar dhe pemë frutore rreth e qark. Për ngritjen e saj një ndihmesë të madhe monetare kishin dhënë djemtë që punonin e jetonin në Itali. Dhe kjo qe derdhur pa kursim, që në themel, siç thuhet. Veçse, do të ishte më e saktë të nënkuptohej që në projekt. Atë e kishte  siguruar Gentiani, i cili prej vitesh jetonte dhe studionte në Padova. Aty përfundoi vitin e fundit të maturës, arsimin e lartë universitar për inxhinieri elektrike dhe qe emëruar, diku me këtë specialitet.
            Për vajtjen në Itali të Genit (kështu e thërrisnim të gjithë) unë do të shkruaja edhe një tregim interesant nën titullin kurdisës:
            Sfida e një përkthyesi adoleshent.
            Doemos, isha tre vjet më i madh se ai. Me maturë të mbaruar dhe një kurs për shofer, ku kisha shumë dhunti. Por ajo që spikaste më tepër që në gjimnaz tek unë, ishte letërsia dhe hartimet. Nuk është se i qaja, siç edhe m’i cilësonin, por unë shkruaja për shokët e mi dhe kapja thelbësoren e dukurisë, duke u ngritur nga e veçanta për ta përgjithësuar atë. Dhe kjo qe e mirëpritur jo vetëm nga shoqëria por edhe nga redaksitë, ku i shpija shkrimet për botim. Edhe ky tregim, mbase flet për një gjë të tillë. Ju, miqt e mi, do të jeni ata që do të pajtoheni me këtë përfundim, apo jo. Kështu që,  provën e kam me Ju.
            Gjithsesi, papunësia dhe mungesa e perspektivës më shkurajonte vijushmërisht. Për më tepër se kisha kryer dhe shërbimin e detyrueshëm ushtarak dhe ankthi ia kishte lënë vendin plogështisë.
            1.
            Atëhere, le të nisim tregimin tonë:
            Ishte fundi i viteve tetëdhjetë të shekullit të shkuar.
Vendi ynë, në një farë mënyre, po bënte kinse hapjen ndaj botës. Në qytezën ku banonte tezja ime mbërrijti një grup turistik italian. Ata, thjeshtë kishin lënë gjumin e pasdites në hotelin Adriatik në plazh dhe me një autobus urban kërshëria i solli në qytezë.
            Atë behar, thuajse çdo javë, grupet turistike pasonin njëri-tjetrin. Dëshira për të shkuar në Itali, si mua edhe Genit, na digjte gjoksin. Jo si turistë. Aq më pak, emigrantë. Kurrsesi të paligjshëm. Por me vizë të rregullt për të ndjekur studimet. Unë të lartat, kurse Geni të përfundonte maturën në Itali, e cila do t’u favorizonte pastaj për në universitet. Sepse ky e zotëronte italishten shkëlqyeshëm. Atë e kishte mësuar thjeshtë duke ndjekur kanalet italiane në TV. frekuencat e të cilëve nuk mund të pengoheshin nga zhurmuesit për arsye strategjike.
Për rastësi ( dhe fatmirësisht ), atë behar u ndodha dhe unë në qytezën e vogël dhe së bashku me Genin, kishim thurur plane.
            Kinse hapja për ne nuk qe frëngji në “në kullën tonë të lartë e të pamposhtur”. Ajo do të bënte që shikimi ynë të rrokte një pamje të paktën sa një baxhë a mazgallë, se që të komunikoje me turistët, kur dije gjuhën, mjaftonte që ata të kishin ardhur të paorganizuar a, si për kënaqësinë e tyre.  Dhe këtë e kuptonin të gjithë po t’i shikoje se ata vinin me autobusin urban e jo me Alb-turistin, luksoz të hotelit Adriatik.
            Shkurt, njohja me një të huaj mund të bëhej çengel për t’u ngjitur në anijen e tyre të kthimit matanë detit. Por për këtë, veç gjuhës duhej pak guxim. Ky nuk i mungonte Genit. Rasti qe i përkryer. Me turistët nuk kishte as përkthyes dhe as ndonjë kalec a sigurims. Lipsej shfrytëzuar kjo mundësi.
            Të huajt u futën në Pallatin e Kulturës së qytezës dhe kur vunë re se përveç kafes në sallën kryesore, që tymoste dhe kudprmonte, nga duhani me të dredhme si dhe fytyrave të trembura, kur panë bufenë që përveç “ingranazheve” s’kishte asgjë tjetër, domethënë as koka-kola, as raft frigoriferik, dolën menjëherë përjashta si t’I kishin përzënë me forcë të zotët e lokalit.
            U drejtuan sheshit përpara kinemasë së vjetër, së cilës nuk i qe bërë asnjë makijazh për të fshehur, në një farë mënyre, origjinën e saj prej kapanoni të ushtrisë pushtuese të fashizmit.
Ata iu afruan asaj dhe shpërthyen në një gaz kolektiv, kur panë nga larg afishen e filmit që do të shfaqej atë mbrëmje dhe që titullohej:
            Nuk ka paqe nën ullinj dhe përbri filmi për javën e aedhëshme: Fan Fan Tulipan. F
            Vizitorët e përtejdetit këmbenin shpenguar me njëri-tjetrin dhe gajaseshin. Geni më përkthente zëulur dhe ne, që atë rast prisnim t’u zbrazeshim për shpërfilljen e tyre karshi vendit tonë në dekada, menduam se: mbi këtë sfond duhet t’i thumbonim, ashtu me naivitetin e adoleshencës së Genit.
            Së-pari t’i përgjigjej ironisë për distancën e prodhimit të filmit dhe shfaqjes së tij pas katër dekadash. Këtë Geni duhet ta bënte dhe të tregonte se ne, megjithatë, dinim më shumë për ‘ta se sa ata për ne. Dhe duhej të nënvizohej, me takt edhe fakti që përtejdetast,  mund të mos kishin dëgjuar as për historinë e SKËNDERBEUT
            Për të gjitha këto ne kishim folur gjatë me njëri-tjetrin dhe djali i tezes sime, të cilin e kisha edhe shok, ishte thuajse i mbushur.
            Kur më në fund të qeshurat e tyre u platitën dhe ra një heshtje nga që ata ishin zhytur në mallin që të grishnin pamjet e filmit e fotot pas qelqeve të kornizës, Geni ndërhyri:
            – Më falni zotërinj!
            Ata kthyen kryet të befasuar dhe nuk u besohej që zëri kishte dalë nga goja e atij djali trup’pakët, por tejet tërheqës, me ata flokë rënë mbi ballin e tij, pranë vetullave që u krijonin strehë syve të tij të qeshur.
            – Më falni!-përsëriti ai:
– dëgjova të flisni për këtë film tuajin prodhuar katër dekada më parë.
            – Po, pikërisht.
            – Lejomëni zotërinj të nderuar, T’u shpjegoj diçka, se siç po shoh, nuk e keni marrë me vete as përkthyesin.
            Ata tundën kryet dhe panë me dashamirësi. Dikush nxori nga çanta, ku mbante aparatin fotografik, një stilolaps për t’ia dhuruar, por Geni i hodhi një vështrim kuptimplotë që mbase, donte të thoshte: Zotni, mbaje dorën. Nuk kam nevojë për. . . , lëmoshë. Por ai thjesht e mbylli gojën dhe me një buzëqeshje të lehtë, nuk  e pranoi. Kjo e rriti interesin për të dëgjuar sfidën. Se për të tillë e morën ndërhyrjen. Dhe, duhet ta pranojmë se e asisoi ajo qe, megjithatë.
            – Edhe dritës së yjeve, zotërinj të nderuar, i duhet dekada, të bjerë mbi planetin tonë. Por ajo vjen. Dhe ne këtë e dimë nga Galileu juaj, zotërinj vizitorë. Kurse filmat tuaj të rinj dashkan dyzetë vjet të mbërrijnë tek ne edhe pse s’jemi më shumë se dyzetë kilometra ujë, larg jush. Dhe kjo s’do ta bënte aspak për të qeshur shkencëtarin, zotërinj të nderuar. Ai mbase do të ulërinte si përpara turrës së druve, ku e kishte vënë inkuizicioni.
            E papritura qe e plotë dhe e menjëhershme. Dikush i befasuar, tha
            – E dini se ç’po thoni, djalosh?
            Shikimi i tij fliste më shumë se fjala. Atë e bafasonte gjithçka dëgjoi, por më tepër e çudiste formimi i tij. Geni do të vazhdonte duke kapur anën më të pa imagjinuar nga askush për këtë tekst:
            – E di, zotrinj. E di që, po t’i dëgjonte këto fjalë ambasadori juaj supershpërfillës, do të shkonte në Ministrinë tonë të Jashtme të dërgonte një notë proteste, dhe mua do të më fusnin në burg, ku do të më nxihej jeta si e shumë e shumë të rinjve pak më të rritur se unë.
            U dëgjuan shumë zëra njëherësh, në mbështetje të Genit, por edhe kësaj sjellje sa të thjeshtë, po aq edhe diplomatike, nga një. . ., adoleshent. 
            Unë fërgëlloja si  Odiseja, që më në fund, po shihte se po zbatohej një plan lufte përpilhar nga mëndjs e tij. 
            Dikush nga turistët, që më vonë do të mësohej se quhej Adriano dhe se veç së tjerash, ishte edhe gazetar, pyeti:
            – Përse duhej t’iu kushtonim vëmendje juve, djalosh?
            – Për shumë gjëra, zotëri. Mbase edhe vetëm për atë se Papa juaj në VATIKAN,  heroin tonë kombëtar SKËNDERBEU-n e ka quajtur: “KALORËS të KRISHTËRIMIT” Dhe se në APOLLO INË  tonë ka rrugëtuar Shën PJETRI përpara se të shkonte në Romë ku dhe e kishin thirrur. Apo edhe për atë që në vëndin tonë, zotërinj të nderuar studioi dikur Oktavian August.

            – Shkuat shumë larg, vogëlush.
            – Mbase, zotërinj. Por kur heroi ynë mori një emblemë të tillë, do të duheshin edhe njëqind vjet, që të lindte i madhi i qiejve GALILEO GALILEI . Kurse Koperniku falë këtij KALORËSI të KRISHTËRIMIT, do të studionte i qetë një dekadë a dy më pas në BOLONJË e PADOVA. Përsëri doni të afrohem edhe ca zotërinj? Besoj se ju kujtohet që VIVALDI ka bërë një oper për heroin tonë: SKËNDERBEU. Doni sërish?
            – Prego.
            – A e keni pyetur veten, zotërinj, të nderuar. . . ., – dhe Geni u përlot përpara se të thashte:
            – Përse BAREZI e ndihmoi, zotrinj të nderuar, XHUZEPE VERDIN? 
            Pas kësaj shprehjeje, që ne e kishim rrahur me njëri-tjetrin, ata shpërthyen në duartrokitje dhe nisën ta përqafojnë Genin, por filluan edhe nga pyetjet se ku e kishte mësuar kaq mirë italishten. apo edhe në se dëshironte të vazhdonte studimet në Itali. Si dhe ç’thoshin prindrit për këtë?

             Atëhere Geni tha duke qeshur shprehjen aq të mbërthyer: 

             – Më në fund, ÇEZARI e gjeti RUBIKONIN për t’a hedhur ushtrinë në luftën me POMPEUN.

             Të qeshurat dhe duartrokitjet s’kishin të sosur.
            Atëherë ende, s’kishin filluar largimet biblike me anije.

            Këto kujtoja atë ditë, tek zbrisnim monopatin për te shtëpia e tezes. Gazetari Adriano do t’i dërgonte një garanci dhe Geni në shtator do të shkonte në Padova.
            Rinisi për të një jetë e re. Të gjitha këto i përkisnin tashmë të shkuarës.
—————————-
SOTIR ATHANASI
Athinë,
11, Dhjetor, 

Comments

comments

-----