Atdhedashuria është top që shëmb çdo kështjellë

Nga Nuri Dragoj

 

Monografia që i kushtohet prijësit popullor Cane Miftar Smokthinës, na njeh krahas jetës dhe veprimtarisë së këtij trimi, edhe me lëvizjet antiosmane të shqiptarëve në trevat jugore, të cilat erdhën duke u organizuar dhe qartësuar në kërkesa. Autorët e librit, profesor Bardhosh Gaçe dhe Eqerem Canaj, e sjellin personazhin në fjalë në rritje graduale, të pashkëputur nga fshati dhe treva ku u lind, një zonë me banim të lashtë sa vet jeta, ku vështirësitë natyrore, dimrat dhe terreni malor, gërshetohen me ato të krijuara nga qeveria osmane me anë të taksave të shumta, dërgimin e djemve nizam në vende të largëta, zinë që shoqëronte mos kthimin e tyre, problematikat e kohës, mosmarrëveshjet me pushtetarët vendas etj. I shkruar me gjuhë të pastër letrare, rrjedhshëm dhe mjaft tërheqës, të pasur në fjalor e shprehje të vjetra, përdorur nga banorët e fshatit Bashaj, Smokthinës e gjithë Labërisë, ia shtojnë edhe më shumë vlerat librit, duke e bërë atë mjaft interesant. Ai ka vlerë jo vetëm pse zbardh jetën e një figure të shquar të asaj treve, por edhe sepse i shërben brezit të ri të njihet me traditat përparimtare dhe luftarake të të parëve të tyre, ndihmon në pasqyrimin e ngjarjeve dhe plotësimin e figurave të panjohura apo pak të njohura, në një kohë që ndihmesa e tyre ka qenë e çmuar.  

Autorët kanë ditur të na japin cilësitë e Cane Miftarit që në moshë të vogël, zgjuarësinë dhe veprimet çapkëne, tendencën për jetë të pavarur, guximtar dhe kokëkrisur deri te ai. Një djalë që kërkon të provojë e eksperimentoj, kureshtar për ujin e pijshëm dhe të fshehtat brenda malit, eksplorues i natyrës dhe mjaft këmbëngulës në arritjen e qëllimeve të veta, duke filluar me provat e para të kalërimit, rrëzimet dhe ngritjet, dëmtimin e krahut dhe mospërfilljen e dhimbjes, daljen kaçak a firar në mal në moshën adoleshente, peripecitë e shumta me të cilët është përballur, e ku i dihej fundi rrugëtimit të tij. Ndaj dhe i ati merakosej, e ndjek hap pas hapi, e këshillon disa herë dhe më në fund i nënshtrohet vullnetit a fatit të tij, e lë në jetën e vet.

Shkruesit e monografisë janë njohës të mirë të ngjarjeve, të zhvillimeve osmane në tërësi dhe atyre që ndodhnin në Shqipëri, me kulturë të gjerë dhe penë të artë, shkrimtarë dhe poetë për nga mënyra e të shkruarit, njohës të toponimisë, etnografë të kualifikuar, duke na e dhënë të skanuar një periudhë të caktuar kohore, në të gjitha planet. Duke ecur me Cane Miftarin, mësojmë dhe zhvillimet historike, shkaqet e qëndrimeve të ndryshme të kabineteve qeveritare, rrebelimeve, ndarjeve, aleancave dhe ftohjeve, kryengritjeve të organizuara mirë por dhe kurtheve e tradhëtive, që i kanë shoqëruar shqiptarët përherë. Kemi të bëjmë me një burrë të labërisë që nuk pajtohet me padrejtësinë. Duket se Cane Smokthina ka qenë i ditur dhe është pajtuar me thënien e Roussau: “Kush duartroket padrejtësinë,është fajtor më i madh se ai që e kryen”. Sepse në një farë mënyre të gjithë kemi tendencën për mëkate, qoftë si individ, qoftë si shoqëri, dhe siç thoshte Napoleon Boboparti “Virtyti i pare është dashuria për atdhe”.                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                        

Në fundin e shekullit të 18, kur Cane Miftari shkollohej, rritej fizikisht e mendërisht, mësoi një pjesë të të vërtetave që lidheshin me Portën e Lartë. Pas vdekjes së Katerinës së Dytë, qenë përmirësuar dukshëm marrëdhëniet e Rusisë me Perandorinë Osmane, pasi ishte rënë dakord që rusët të luanin rol mbikqyrës mbi komunitetet e krishtera që jetonin në territorin e perandorisë. Gati të njëjtin rol luanin dhe francezët. Politikën e Katerinës e ndoqi dhe Pavli i Parë, i cili qe kundër rritjes së ndikimit francez. Për këtë i erdhi në ndihmë ekspedita e organizuar nga Napoleon Bonoparti, kundër Portës së Lartë, e cila i prishi marrëdhëniet midis Francës dhe Perandorisë Osmane. Si kundërpeshë, Stambolli lidhi aleancë me Anglinë dhe Rusinë dhe, në vitin 1798, i shpalli luftë Francës. Ushtria osmane e theu sulmin e Napoleonit, konfiskoi pasuritë franceze dhe gjithë ishujt e detit Jon u pushtuan nga osmanët. Por armiqësia nuk shkoi gjatë, pasi në vitin 1802 u nënshkrua paqja me Francën, së cilës iu njoh e drejta e lundrimit në Detin e Zi.

Nisur nga fakti i dobësimit të Francës dhe kërkesës së Anglisë dhe Rusisë për marrëdhënie të mira, u duk sikur sulltan Selimi i III-të do të sundonte i lumtur, por nuk ndodhi kështu. Ahmet Pashë Zhezari në Palestinë dhe Tajar Pashë Xhanikliu në Anadollin Verior, të nxitur nga Rusia, kërkuan të ishin të pavarur nga Perandoria. Rebelime më të rrezikshme qenë ato të provincave europiane. Çetat e cubave në Bullgari mbillnin trazira pa shfaqur qëllim politik, në një kohë që nacionalistët e rinj, të përkrahur nga Austria dhe Rusia, punonin për pavarësi. Ismail Pashë Tirsanikliu dhe zëvendësi i tij, Mustafa Bajraktari, vendosën sundimin e tyre mbi popullsinë vendase. Të njëtën gjë bëri dhe Osman Pazvanogllu në Bullgarinë Perëndimore dhe Serbinë Lindore. Por ajo që e shqetësonte me të vërtetë qeverinë e Stambollit, ishin lëvizjet e sundimtarit të Janinës, Ali Pashë Tepelena, kryengritjet e të cilit zhvilloheshin në Shqipëri dhe Epir. Ky pasha ndihej sovran i pavarur, në gjithë atë trevë.

Në dekadën e parë të shekullit të 19-të filloi të lulëzonte teoria e nacionalizmit, në kërkim të legjitimitetit politik. Ajo u ushqye gjatë luftrave të revolucioneve franceze dhe u rrit si një alternativë e re ndaj mënyrës së mbizotërimit të mendimit, që bazohej krahas autoritetit të qeverisë edhe në të drejtën hyjnore, e cila u shfrytëzua me kujdes nga politika europiane për të shpërbërë pushtetin osman. Fillimisht ata nxitën popullsinë e krishterë në kërkim të të drejtave të tyre për autonomi.

Në kohën kur Cane Miftari ishte 28 vjeç, sulltan Selimi i III-të urdhëroi vendosjen e një ushtrie të fortë në Edrene, e cila zemëroi nacionalistët që kërkonin pavarësi. Për pasojë ata e rritën presionin ndaj perandorisë. Më 29 maj 1807, pas një përballje të ashpër me jeniçerët, Selimi i III hoqi dorë nga froni dhe ia la atë kushëririt të vet, Mustafait IV. Në atë kohë shpërthyen kryengritjet antiosmane edhe në Serbi, nën drejtimin e Kara Gjorgje, të cilat mbështeteshin nga rusët dhe austriakët dhe vazhduan deri në vitin 1812. Natyrisht, në krah të tyre qenë anglezët, ndërsa francezët vazhdonin të ruanin marrëdhënie paqësore me perandorinë. Mustafai IV u tregua njeri pa personalitet dhe për shkak të paaftësisë së tij, në korrik të vitit 1808, u vra Selimi i III. Mustafa Bajraktari, më 28 korrik 1908, shpalli sulltan një nga djemtë e Abdylhamitit I, me emrin Mahmuti II, i cili mbretëroi deri në vitin 1839.

Mahmuti II, hypi në fron në moshën 23 vjeçe dhe nuk kishte përvojë, por u mbështet te kryeveziri Mustafa Pashë Bajraktari, i cili e kuptoi që Perandoria kishte nevojë për një dorë të fortë dhe ushtri moderne të tipit perëndimor. Sulltani i ri, pasi zhduku njerëzit e afërm të sulltan Selimit III, thirri krerët e provincave për të biseduar mbi reformat, por ndaj tij nuk u bindën Ali Pashë Tepelena, Mehmet Aliu i Egjiptit dhe disa krerë bullgarë, që ishin kundër Mustafa Bajraktarit. Gjithsesi u nënshkrua një marrëveshje që parashikonte: a) ndershmëri e besnikëri ndaj sulltanit dhe vezirit të madh; b) organizimin e një ushtrie të re; c) vjeljen e rregullt të tatimeve; d) qeverisjen e provincave duke respektuar ligjshmërinë etj. Sulltani u zotua se do të merrte vetëm taksat e ligjshme, por kjo marrëveshje nuk u nënshkrua prej tij, me shpresë se do të ndikonte pozitivisht te krerët e provincave. Mirëpo, këta të fundit, kur panë se marrëveshja kufizonte pushtetin e tyre vetjak, ngritën krye. Mehmet Aliu në Egjipt kishte bërë për vete ulematë që ishin keqtrajtuar nga mamlukët. Duke përfituar nga dobësia e qeverisë qendrore të Stambollit, ai mori masa për forcimin e ushtrisë dhe armatosjen e saj me armë të prodhimit perëndimor, duke shfrytëzuar për këtë dijet e oficerëve francezë të mbetur aty.

Autorët e librit e kanë pasqyruar situatën në mënyrë të shkëlqyer. Kur Cane Miftari ishte 30 vjeç e shohim në oborrin e Ali Pashë Tepelenës, apo Luanit të Janinës, siç na jepet në libër. Gaçe dhe Canaj kanë ditur të na sjellin në mënyrë të përsosur egërsinë e sulltanit ndaj vezirit të Janinës, gjendjen fizike, morale e psikologjike të Ali Pashë Tepelenës në atë periudhë, të prerë si përherë, por të zbutur njëkohësisht, më të dashur me njerëzit që e rrethonin, premtues për heqjen e taksave dhe lëshime të tjera. Diçka po ndodhte. Pashai po plakej, qeveria osmane e kishte rritur presionin ndaj tij, qenë ftohur marrëdhëniet me disa feudalë shqiptarë, sidomos me trimat që ishin në krye të revoltave. Ali Pasha kërkonte të mblidhte sa më shumë prej tyre pranë vetes, të mësonte të vërtetën në qëndrimin ndaj tij dhe t’i bindte ta mbështetnin, pasi ndihej më i kërcënuar se kurrë. Europa e Rusia kërkonin shpërbërjen e osmanëve, ndërsa qeveria perandorake bënte gjithçka për të patur nën zotërim të plotë vilajetet nën administrimin e vet.                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                             

Situata vinte duke u acaruar ngado. Rusët mundën të bllokonin trevat danubiane në vitin 1810, shpartalluan osmanët në Ballkan dhe në vitin 1811 nisën bisedimet për paqe. Ndërkohë Napoleoni I-rë mësyu Rusinë dhe në maj të vitit 1812, Traktati i Bukureshtit ua ktheu Vllahinë dhe Moldavinë osmanëve, ndërsa rusët morën Besarabinë. Më 1818 shpërtheu një kryengritje, ku u përfshi dhe Millosh Obrenoviç, e cila përkoi me mundjen e Napoleonit I-rë në Vaterlo (Ëaterloo). Për pasojë rusët e detyruan Mahmutin e II të pranonte Serbinë si principatë vasale.

Në vitin 1814, në Odesa u rithemelua shoqëria Etniki Eterja “Heteria”, që më vonë mori emrin “Shoqëria e Miqve”. Ajo ushqehej me frymën e fanarit dhe në të bënin pjesë një numër i madh klerikësh ortodoksë. Heteria tentoi të krijonte lidhje me Kara Gjorgjin dhe Ali Pashë Tepelenën, por nuk arritën ndonjë përfundim pozitiv, ndaj kërkuan mbështetjen ruse. Në krye të lëvizjes vunë Joan Kapodistrën, njeri i afërt me carin rus. Meqë Kapodistra nuk pranoi, iu drejtuan Aleksandër Ipsilanit, i cili kishte qenë adjutant i Carit të Rusisë dhe i kërkuan të bashkëvepronte me prijsin e serbëve, Millosh Obrenoviç.

Në Greqi përgatitej një kryengritje antiosmane, e cila do të shpërthente kur ushtria osmane të ishte e zënë me luftime në Moldavi e Vllahi nga sulmet e Ipsilanit, dhe në Epir e Shqipërinë e Jugut kundër Ali Pashë Tepelenës. Luftimet morën përmasa të frikshme në More, pasi priftërinjtë luajtën rol aktiv në nxitjen e dhunës. Popullsia greke në atë trevë kishte mbështetur Ali Pashë Tepelenën, por Halet Efendiu, myhyrdar i sulltan Mahmutit II, u inatos me Ali Pashë Tepelënën, sepse nuk po i dërgonte dhurata si më parë. Për më tepër ai kishte shërbyer si mësues i fëmijëve të dinjitarëve grekë në Stamboll. Por dhe Ali Pashë Tepelena nuk qëndroi duarkryq. Ai u informua për një letër që anëtarët e komitetit të kryengritjes së Moresë i dërgonin Dhespotit të Janinës, e thirri dhespotin në zyrën e vet dhe i dha letrën për ta lexuar. Dhespoti vdiq në vend nga frika. Për të hetuar çështjen e vdekjes së tij, Halet Efendiu dërgoi Nikola Moruzin, që ishte njëkohësisht dhe anëtar i shoqatës Etniki Eterja. Në raportin e tij thuhej se raja e Rumelisë qe besnike e Dovletit, ndaj Ali Pasha duhej të ndëshkohej. Pikërisht intrigat e Halet Efendiut dhe Hurshid Pashës çuan në rebelimin e Ali Pashë Tepelenës dhe rezistenca e tij ndaj taborreve osmane qe shumë e fortë. Por, sipas profesor Mehmet Maksutoglu, patriarku u tremb dhe shprehu kritikë ndaj kryengritësve. Kjo bëri që Halet Efendiun, për shkak të dezinformimeve, ta dërgonin në Konja, ku dhe e ekzekutuan. Me vdekje u dënua dhe kryepeshkopi ortodoks Grigorios në Stamboll. Në këto rrethana, qeveria osmane rriti presionin mbi popullsinë dhe mori masa për të rekrutuar të gjitha moshat mbi 18 vjeç, por hasën në kudërshti të shqiptarëve. Kush nuk pranonte të shkonte nizam, merrej me forcë, rrihej dhe burgosej. Për pasojë pati konflikte në gjithë trojet shqiptare. Shumë burra u rebeluan ndaj kërkesave të njëpasnjëshme të qeverisë perandorake, jo vetëm për taksat e larta, por edhe për kërkesat e vazhdueshme për të marrë djemtë ushtarë. Të njëjtën gjë bënte dhe Ali Pashë Tepelena, i cili e donte ushtrinë për t’u mbrojtur.

Kjo gjendje na paraqitet mjaft mirë nga profesor Gaçe e Canaj. Duke përshkruar veprimtarinë e trimit të Smokthinës, del se Ali Pasha vuri re menjëherë trimërinë, zgjuarësinë dhe besnikërinë e Cane Miftarit dhe e dërgoi me një tabor ushtarësh në trevat jugore të Shqipërisë. Duhej të mblidhte ushtarë për pashanë. Miftari përshkoi male e fusha, u përballë me shi e borë, vdekje të shokëve nga moti e sëmundjet, nga ndëshkimet që u jepte vet ai për shkelje të moralit, takoi trima si Tafil Buzi, Mete Jazo, Ali Korça e Veiz Vasjari, lexoi mëdyshjet e shumë njerëzve, mosbesimin e të tjerëve, tronditjen nga themelet të pushtetit të Ali Pashës, për pasojë nuk mundi ta realizonte detyrën që i ngarkoi Luani i Janinës. Trimat qenë ftohur edhe ndaj tij, ndonëse kishin besuar se mbronte të drejtat shqiptare. U kthye duarbosh te pashai. Ai e kuptoi, por nuk e hodhi. E ngarkoi me një tjetër mision në Korfuz, të takonte konsullin francez Pouqueville. Kishte nevojë për mbështetjen e fuqive të mëdha europiane. Por Anglia as që donte t’ia dinte më për të. I premtoi ta strehonte familjarisht, t’i garantonte jetën. Por pashai nuk mund të largohej, pasi ikjen e quante tradhëti ndaj idealit të vet dhe njerëzve që e rrethonin. Franca mbështeste levizjen e të krishterëve për pavarësi. Rusia priste shembjen e perandorisë osmane.

Në prill të vitit 1820, Cane Miftari u kthye nga misioni në Korfuz dhe nga Parga u nis për në Artë. Ishte koha kur Ali Pashë Tepelena përgatitej për luftë. Katër muaj më pas, ushtria osmane organizoi një sulm të madh kundër Ali Pashë Tepelenës dhe në gusht të vitit 1820 rrethuan Janinën. Nga situata e krijuar përfitoi patriarku i Patrës, Germanos, i cili më 25 mars 1821, shpalli fillimin e luftës për çlirimin e Greqisë, duke kryer masakra të shumta mbi popullsinë turke të Moresë dhe sidomos mbi myslimanët e Topolicës. Kështu vepruan edhe jeniçerët e Stambollit, të cilët varën në litar patriarkun e fesë ortodokse dhe disa klerikë. Në revolucionin e vitit 1821, grekët iu kundërvunë myslimanëve dhe për pasojë mijëra burra, gra e fëmijë u masakruan, duke u therur si bagëti. “Nuk ekziston asgjë e gjallë në botë që të jetë më e egër se njeriu”, shkruante Homeri.

Parimi udhëheqës i atij revolucioni qe shpagimi i territoreve që mbaheshin nga myslimanët me frymën e zgjerimit të Greqisë dhe krijimit të një Greqie të madhe me qendër Konstandinopojën, pra një ringjallje e Perandorisë Bizantine. Edhe pse qeveria e Portës së Lartë që ishte myslimane u soll miqësisht me të krishterët, u dha të drejtën e besimit dhe të shkollës, përkundrazi, ortodoksia u soll ashpër me ta, duke ushqyer frymën fetare, se gjoja kjo sjellje ndaj myslimanëve qe dëshirë e Zotit.

Ndërkohë, opinioni perëndimor kundërveproi ndaj masakrave që u bënë ndaj grekëve, pa thënë asnjë fjalë për masakrat ndaj popullsisë myslimane. Ali Pashë Tepelena, i rrethuar për kohë të gjatë, pas shumë luftimeve që zgjatën në kohë, u detyrua të dorëzohej. Ai u vra në rrethim, më 24 janar të vitit 1822. Në këtë mënyrë mori fund edhe përpjekja për të shkëputur Epirin dhe Shqipërinë e Jugut nga Perandoria Osmane.

Guvernatori i Egjiptit, Muhamet Ali Pasha, ishte në kërkim të pavarësisë, ndaj e pozicionoi flotën e vet në brigjet e Moresë, që drejtohej nga Ibrahim Pasha. Forcat greke u shtypën dhe kështjellat u rimorën nga forcat osmane. Kjo nuk u prit mirë nga britanikët dhe rusët. Në të njëjtin front u rreshtuan dhe francezët. Më 4 prill 1827, britanikët u takuan me rusët në Shën Petërburg dhe u shprehën kundër veprimeve të Ibrahim Pashës, duke nënshkruar dhe një protokoll, ku kërkohej shpallja e Greqisë shtet autonom. Ky protokoll nuk u miratua nga Austria pasi ishte perandori, sundonte disa popullsi dhe mund të hapej loja e autonomisë.

Më 6 korrik 1827 u nënshkrua Traktati i Londrës, sipas të cilit, me perandorinë do të kishte paqe vetëm po të pranohej traktati i Shën Peterburgut. Porta e Lartë nuk e pranoi këtë kusht, pasi e konsideroi ndërhyrje në punët e brendshme. Atëherë flota ruse dhe ajo britanike kërcënuan Ibrahim Pashën për t’u tërhequr. Ai nuk u bind. Një muaj më pas, flota britanike, ruse e franceze u bashkuan, dhe mbytën anijet osmane. Kjo çoi në shpalljen e pavarësisë së Greqisë në vitin 1828 dhe një vit më pas qeveria osmane nënshkroi Traktatin e Edrinesë që njihte pavarësinë e shtetit të dominuar nga popullsia e krishterë.

Në revolucionin grek morën pjesë një numër i madh shqiptarësh. Madje shpesh nga historianët thuhet se ai revolucion u bë nga shqiptarët, pasi rreth 70 për qind e heronjëve të asaj lufte janë shqiptarë. Krerët e çetave kryengritëse bënë disa takime me palën greke, për të qenë bashkë në luftë kundër osmanëve, duke marrë garanci për ruajtjen e territoreve në mënyrë reciproke. Pala greke heshtte. Por nga libri mësojmë se përpjekjet e shqiptarëve për largimin e Mehmet Reshid Pashës nuk reshtën për asnjë çast. Porta e Lartë bëri përpjekje për të bindur Iliaz Podën të tërhiqej nga veprimet kryengritëse, por nuk ia arritën qëllimit. Bashkë me Ismail Pashë Vlorën, Beqir bej Vlorën e Cane bej Smokthinën, kryengritjet vazhduan, madje më të organizuara.

Zëvendësimi i Ali Pashë Tepelenës me Omer Pashën e rriti më tej revoltën shqiptare. Kryengritësit deklaruan se nuk njihnin asnjë qeveritar tjetër përveç Ismail beut, nipit të Ali Pashë Tepelenës. Tashmë opozitarët antiosmanë në Shqipëri e ndjenin më shumë nevojën e bashkimit, për të patur unitet mendimi dhe veprimi kundër reformave centralizuese të qeverisë osmane. Kjo bëri që krahinat shqiptare të jugut, Vlorë, Tepelenë, Delvinë, Mallakstër, Kurvelesh, Çamëri, Skrapar, Përmet, Kolonjë, Leskovik, në maj të vitit 1828 të dërgonin përfaqësueit e tyre në Berat, ku u krijua Lidhja shqiptare nën drejtimin e Iliaz e Zylyftar Podës, Ismail bej Vlorës, Shahin Delvinës e tjerë. Në atë kuvend, Cane Miftar Smokthina, përfaqësonte Lumin e Vlorës. Aty u vendos largimi i vezirit të Janinës dhe qeverisja prej shqiptarëve. E vërteta, liria, virtyti janë tri gjërat e vetme për të cilat duhet ta duam jetën, shkruante Volteri. Kështu mendonte dhe Cane Smokthina.

Edhe pse ushtria osmane kreu krime të përbindshme ndaj popullsisë, lëvizja e armatosur antiosmane dhe njëkohësisht antifeudale mori përmasa të gjera, duke u ushqyer me forca nga ushtarët që dezertonin radhët e ushtrisë perandorake. Tradhëtitë nga radhët e bejlerëve, që binin pre e politikës osmane për pushtet, e dëmtoi lëvizjen antiosmane, por njëkohësiht nxori në krye të kryengritjeve trima si Tafil Buzi, Gjoleka, Rrapo Hekali etj. Kjo bëri që krahas Portës së Lartë, të pësonin tronditje edhe qeveritarët vendas.

Kënga thotë: Zuri labi me trumbetë, / Gjolekë s’kemi fishekë, / Hajde bëjmë tatëpjetë, / T’u marrim xhephanetë… Por nuk mungonin dhe shërbëtorët e Portës së Lartë, që vegjetonin në radhët e luftëtarëve. Duket se kjo kategori njerëzish nuk e kanë asnjëherë parasysh shprehjen e urtë popullore: “Atë që nuk dëshiron të ta bëjë tjetri, mos e bëj, edhe atë që dëshiron ta bëjë tjetri, bëje”. Ndaj dhe kënga u drejtohet tradhëtarëve me këto fjalë: Pa dëgjo o beu ynë, / Mbaje mirë terezinë, / Se njerëzia u piknë, / Ikn e muarrë arratinë, / Ca në Vlorë, ca në Delvinë… Kullat e bardha në brinjë, / Kukumjaçet ulërijnë, / Ashtu do t’i bësh dhe tinë

Studiuesi Gaçe dhe shkrimtari Canaj, na sjellin të plotë realitetin e kohës, përpjekjet për të shtirë në dorë luftëtarë të shquarë nga radhët e kryengritësve, premtimin që u bënin atyre me poste e para dhe pasojat që rridhnin nga besimi i krijuar për shkak të dëshirës për pushtet e lakmisë së përfitimeve monetare. Arritjet e kryengritësve e tmerruan Mehmet Pashën që u detyrua të jepte dorëheqjen, por ajo nuk u pranua, pasi qe menduar një plan i hollë për asgjësimin e krerëve shqiptarë. Në kurthin e ngritur nga Mehmet Reshid Pasha, ra pre dhe Ismail Vlora, i cili u paraqit në Janinë më 5 janar të vitit 1829, sipas kërkesës së guvernatorit, ku njerëzit e tij qenë porositur për ta vrarë duke ngjitur shkallët.

Aty veçohet zgjuarësia dhe karakteri i fortë i Cane Smokthinës, i cili nuk u pajtua me propozimin e Mehmet Pashës dhe iu shmang planit të tij për të vrarë disa nga krerët e kryengritjes. Pati dhe shumë të tjerë që e nuhatën të keqen e madhe. Por ky kujdes zgjati fare pak kohë, sepse në verën e vitit 1830, plani i tyre i fshehtë u bë realitet. Rreth 400 krerë të shquar nga trevat shqiptare u thirrën në Manastir për të marrë ofiqet e premtuara. Ata qenë veshur me kostume kombëtare dhe ecnin kaluar, për të parë fillimisht një stërvitje mësimore të ushtarëve perandorak, armët e të cilëve u kthyen befas nga trimat shqiptarë, duke shtrirë përtokë ata viganë që i jepnin dritë atij stadiumi të zi për ta e gjithë Shqipërinë.

Në të njëjtën ditë, masakër bëri edhe i biri i Mehmet Pashës, Emin Pasha, i cili nisi drejt Manastirit kokën e Musli Beut dhe disa feudalëve të tjerë që ndodheshin në Janinë. Ishin të paktë ata që i shpëtuan këtij kurthi të tmerrshëm. Autorët tërheqin vëmendjen e lexuesit, duke mos lejuar të kalojë fakti i përçarjes, i tradhtisë, pasi ata trima nuk i besuan pushtetarëve osmanë, por të dërguarve të tyre, bejlerëve shqiptarë që luajtën rolin e ndërmjetësit, duke u bërë apel brezave: kurrë më kështu!

Por shqiptarët sërish nuk u gjunjëzuan.

Në vitin 1833 kryengritjet erdhën në rritje, duke u shtrirë në gjithë trevat jugore dhe luftëtarët e udhëhequr nga Zylyftar Poda, Tafil Buzi, Rrapo Hekali, Shahin Delvina, Beqir Vlora, Cane Smokthina, Bilal Nezha, e të tjerë, bënë që të binte kalaja e Beratit. Kishte të drejtë Sami Frashëri kur thoshte: Atdhedashuriaështë top që shëmb e mposht çdo armik e çdo kështjellë, sado të fuqishme të jenë. Pas kësaj u pranua që pashallëku të qeverisej nga shqiptarë. Në këtë mënyrë, të shtatë kazatë kryengritëse, Vlora, Mallakastra e Sipërme, Berati, Tepelena, Tomorrica, Skrapari e Dëshnica të vendosnin përfaqësuesit e tyre dhe mbikqyreshin nga populli i Toskërisë.

Autorët e librit pasqyrojnë me profesionalizëm zhvillimet e mëvonshme, përpjekjet e Daut Pashës për rikthimin e Beratit nën varësisë e osmanëve, por dështuan përsëri, pasi trevat shqiptare u treguan edhe më të bashkuara. Profesor Gaçe e Canaj tregojnë se kjo kryengritje ishte e veçantë për shkak se shënoi një etapë më të lartë të lëvizjes kombëtare, pati shtrirje më të gjerë dhe përmbajtje të re, pasi në konflikt kemi një ndeshje ballore të masave popullore me qeverinë osmane dhe reformat centralizuese të saj. Për herë të parë ndihet thirrja për çlirim kombëtar dhe shihen qartë elementët e bashkimit të çetave patriotike. Duket se në veshët e trimave shqiptarë kumbonin në vesh fjalët e Skënderbeut, thënë 400 vite më parë: “Fuqitë e Shqipërisë u ngjajnë rrëkeve të vogla, që rrjedhin në drejtime të ndryshme. Në qoftë se këto rrëke bashkohen, atëherë bëjnë një lum të madh e të fuqishëm”.

Natyrisht fitorja përfundimtare nuk qe e lehtë, jo vetëm sepse shqiptarët nuk ishin të organizuar mirë, por mbi të gjithë u mungonte mbështetja nga fuqitë europiane. Megjithatë, pavarësisht nga sukseset e forcave qeveritare, rezistenca nuk u shua, madje u ndez edhe më shumë, sepse krahas urrejtjes për sunduesit që e lanë vendin të prapambetur, ndihej dhe dëshira për pavarësi. Një vit më pas, më 1835, një tjetër kryengritje e fuqishme nisi në Berat, më tej në Fier e drejtuar nga Alush Frakulla. Në Velabisht u mbajt dhe një kuvend i rëndësishëm, për të cilin kënga popullore thotë: Lumi Vlorës nëntë mijë, / Berati me Toskërinë, / Delvina me Çamërinë, / Velabisht ngritën hordhinë… Trimat u ngjitën me shkallë për të marrë kalanë dhe Mete Jazua që mbante flamurin në ballë u godit për vdekje, por Cane Smokthina nuk e lëshoi flamurin, por ia rrëmbeu nga dora dhe e nguli te kroi. Mjaft domethënëse janë vargjet popullore: Mete Jazua gjakëtuar, / Kullën e kuqe ç’e muarë, / U plagos në krahëruar, / Dy plumba përtej e shpuan….-Ngrehu Mete, shih vëllanë, / Të shikosh Cane Miftar, / Se Cane Miftari shkoi/, Nguli bajrakun te kroi

Më pas kryengritjet antiosmane u shtrinë në gjithë jugun dhe mbërritën deri në portat e Janinës, por më në fund u thyen dhe Tafil Buzi u detyrua të pranonte armëpushimin. Ata u tradhëtuan nga krerët grekë, të cilët e fituan pavarësinë në sajë të luftës së mijëra shqiptarëve nga Vlora, Berati, Përmeti e deri në Artë, ndërsa paria greke nuk e mbështeti lëvizjen shqiptare, madje u përpoq ta sabotonte atë, pasi nuk i interesonte pavarësia e fqinjëve të vetë. Nëse ata do të tregohehsin besnik si dhe shqiptarët, ngjarjet do të kishin përparuar më shpejt në favor të popullit më të lashtë të gadishullit, që ka derdhur gjak më shumë se gjithë të tjerët. E më në fund edhe Cane Smokthina ran ë kurthin e Emin pashait. E thirrën në Vlorë dhe i morën jetën. Populli e qorton trimin e vet: …Vajte drejt në kafene, / Të hodh helmin në kafe, / Të plasnë sytë e s’e pe… 

 

 

 

Comments

comments

-----