Punën e nisur çoje gjer në fund

Nga Viron Kona

                                          “Sa do të doja që dy prindërve,

                                           t`mos ua thyeja zemrën kurrë,

                                           por ç`e do se koha s`kthehet,

                                           pendimi s`më bënë më punë!” 

                                                                             Autori

                                                                      

Teli ishte kushëriri ynë nga Berati, të cilin prindërit e mi e respektonin shumë, por edhe ne fëmijët e donim sepse dinte të tregonte bukur, sidomos përralla dhe legjenda të vjetra. Ne të vegjëlve na tregonte veçanërisht për kalanë e Beratit, që ishte vendlindja  e babait dhe e nënës sime.

-Qytetin dhe kalanë na i kanë zili e gjithë bota, – thoshte ai me krenari. -Berati quhet ndryshe edhe qyteti i “një mbi një dritareve” dhe është 2400 vjeçar. Mund të jetë edhe më i vjetër, por deri më sot kjo moshë është vërtetuar.

-Pse e ka emrin Berat?

-Emri Berat vjen nga ilirët: “bir atë”. Sipas legjendës, ishin fillimisht një baba me birin e tij, që filluan ndërtimin e kalasë për t`u mbrojtur nga pushtuesit e shumtë që e lakmonin, e donin për vete Shqipërinë tonë.

-Është e bukur kalaja? – vazhdoja unë me pyetje.

-Po, është e bukur dhe e veçantë. Ajo ka mure të vjetër me kulla dhe bedena, ka sheshe dhe rrugica tërheqëse, ka shtëpi guri me forma të bukura, që ngjasojnë me kala të vogla brenda kalasë së madhe…-Pastaj, ai më shpjegonte se nga kalaja duket një pamje e mrekullueshme, duket mali i Tomorit dhe mali  Shpiragut, duket lumi i Osumit dhe ura e famshme e Gorricës…Më vjen mirë që ti do që të dish shumë gjëra, – më lavdëroi kushëriri, kurse unë sa s`ia përpija fjalët dhe, në sy më shfaqej dukshëm dëshira për ta parë sa më shpejtë Beratin.

-Djali më pyet shpesh për Beratin, por edhe për Vlorën, – tha babai, teksa, unë duke ia mora fjalën nga goja dhe nisa t`i tregojë kushëririt  se kisha njohuri për kalanë e Kaninës, e cila është vendlindja e nuses së Skënderbeut, Donikës, por  Kanina është edhe vendlindja e Ismail Qemalit, që ngriti flamurin më 28 nëntor 1912… Në shkollë kam mësuar se veç Kaninës, Vlora ka edhe shumë kala të tjera si: kalaja e Amantias, e Palermos, e Qeparoit, e Skelës (e cila ndodhet ende nënë dhe`), kalaja e Himarës, e Mavrovës, e Kropishtit, e Gjon Boçarit… Vlora, në lashtësi quhej Aulona. Këtu, veç sheshit të Flamurit dhe monumentit të Pavarësisë, ka dhe shumë monumente që u kushtohen  luftërave dhe betejave me  pushtuesit turq, me fashistët italianë dhe nazistët  gjermanë…Në shkolla kam mësuar për Luftën e Vlorës të vitit 1920, për luftëtarët e mëdhenj si Selam Musaj me shokë… Sapo dalë nga shtëpia unë shikoj si në një kartolinë Gjirin e Vlorës, portin dhe molin e anijeve, Karaburunin dhe ishullin e Sazanit…Më larg ndodhen qyteti i lashtë i Orikumit, gjiri i Dukatit ku duken anije luftarake dhe nëndetëse…Më sipër është Llogoraja, ku ndodhet pisha Flamur. Bregdeti i Vlorës është shumë i bukur, ai laget nga dy dete: Adriatik dhe Jon; në Vlorë rriten ullinj, portokalle dhe limonë. Afër shtëpisë sonë ndodhet plazhi i vjetër, kurse në Ujin e Ftohtë ndodhet  plazhi i ri. Vlora ka Zvërnecin, por ka edhe Nartën, ku çdo vit zhvillohen karnavalet. Aty ndodhet  edhe gjoli me peshk e shpendë të rrallë, aty janë edhe kriporet ku nxirret kripa…Babai thotë se Narta është e përmendur shumë për verën, ashtu si Kanina është e përmendur për mjaltin. Vlora krenohet me krahinën e famshme të Labërisë, ku shumë fshatra kanë kala të vjetra…Unë flisja me pasion për Vlorën edhe për ato që kisha dëgjuar, por edhe që mësoja në shkollë, kur befas kushëriri më pyeti:

-Ke shkuar në këto vende të bukura që përmende?

Unë mbeta një çast dhe m`u duk se me atë pyetje kushëriri sikur më çarmatosi krejt. E mblodha veten shpejt dhe iu përgjigja:

-Deri tani kam parë bregdetin, molin e peshkatarëve dhe të anijeve, ku kam lundruar me varkë me lopata, por, një herë lundrova edhe me anijen e kapiten Likut…Kam shëtitur në rrugën Vlorë-Skelë, që quhet ndryshe “Bulevardi i portokalleve dhe i palmave”. Me babanë dhe vëllezërit kam mbjellë pisha dhe eukalipte në sheshin në qendër të qytetit dhe përqark tij. Kam parë fushën e aeroplanëve, ku mësojnë dhe stërviten pilotët e rinj. Kam shkuar deri afër kalasë se Kaninës bashkë me shokun tim Xhimen, ku kemi mbledhur xina, koçimare, xinxife, xhangalle, rigon, borzilok, lënde lisi,1)  por edhe kemi parë muret e vjetra prej guri dhe bedenat e kalasë, atje kemi “luftuar” me shpata të vjetra ilire dhe romake, por edhe me shpata të Skënderbeut dhe ato turke…

-Kush ka fituar kur keni luftuar me shpata? – më pyeti kushëriri duke buzëqeshur.

-Herë kam fituar unë dhe herë Xhimja, shoku im më i ngushtë.

Kushëriri u pa sy më sy me babanë dhe pas pak më tha:

-Duke u rritur, do t`i shohësh të gjitha sa më tregove dhe do të mësosh më shumë për historitë e tyre, por unë besoj që edhe në Berat do të vish. Po shikoj që je djalë që dëshiron të bëhesh i ditur, – më lavdëroi ai.

Kushëriri ndenji dy net në shtëpinë tonë  dhe ditën e tretë në mesditë do të kthehej në Berat. Atëherë udhëtimet nga Berati në Vlorë dhe anasjelltas bëheshin me autobusë që niseshin aty rreth orës 08.00 në mëngjes dhe 14.00 pasdite. Pak përpara se kushëriri ynë do të largohej, babai më thirri në dhomën tjetër dhe më tha:

-Do ta përcjellësh ti kushëririn. Kur të mbërrini te agjencia, do kërkosh Kanen, biletashitësin. Unë kam folur me të, do t`i japësh paratë dhe ai do të japi biletën, të cilën ti do t`ia japësh kushëririt por pa i marrë paratë. “Kështu më ka porositur babai”, – thuaji. Ndihmoje të hipi në autobus dhe mos u largo pa u nisur autobusi. Mirë?

-Mirë o ba, mos ki merak!

Ndërkaq kushëriri u takua me të gjithë në shtëpi dhe të dy bashkë morëm në këmbë xhadenë e shtruar të rrugës Trans Ballkanike, që të çonte deri te agjencia e autobusëve. Në të dy anët kishte shtëpi të ulëta me oborre përpara dhe të rrethuara me gardhe me kallama. Herë – herë dëgjoheshin blegërima bagëtish, lehje qensh dhe ndonjë këndes që kush e di pse ngatërrohej dhe këndonte kohë e pa kohë. Në njërën anë të xhadesë ndodhej një kënetë e madhe, ku notonin rosa dhe pata, kurse sipër fluturonin zogj. Ata zhyteshin pingul në ujin e kënetës dhe kërkonin ushqim.

U kujtova për porosinë  e babait që, gjatë rrugës, t`i bëja muhabet kushëririt.

-Ne fëmijët, – i thashë kushëririt, – futemi në kënetë dhe mbledhim vezët që bëjnë aty patat dhe rosat. Por ndonjëherë kapim edhe ngjala, të cilat fshihen në rërën e kënetës.

-Kujdes kur futeni në kënetë se ka edhe gjarpërinj! – më këshilloi kushëriri.

-Po, e di që ka gjarpërinj, një shokun tonë e pickoi një nepërkë, por ne e çuam menjëherë në ambulancën e lagjes dhe ai shpëtoi.

Gjatë rrugës, që i kalon dy kilometra, kushëriri, më pyeti për shkollën, për ëndrrat e mia, se çfarë doja të bëhesha kur të rritesha dhe u gëzua shumë kur unë i thashë se doja të bëhesha mësues. Pastaj më pyeti për shokët dhe, siç është zakoni, që të rriturit japin këshilla, ai më këshilloi që shokët t`i zija të mirë, të urtë dhe të ditur…

-Të mësosh nga ata që janë më të mirë dhe më të zotë! – më këshilloi ai buzagaz dhe, si heshti pak, vijoi duke qeshur: -Shkolla i jep mend njeriut, pastaj, kur njerëzit bëhen të ditur, atëherë ata kanë mundësitë të zhvillojnë jetën dhe vendin. Në Berat tregohet për një burrë të mençur, i cili thoshte se “do të vijë dita, që të shkosh nga Berati në Vlorë, të pishë atje kafe dhe të kthehesh në Berat brenda ditës”. Disa njerëz, kur e dëgjuan, i thanë: “-Qenke budalla ti, si është e mundur, që njeriu të shkojë nga Berati në Vlorë dhe të kthehet brenda ditës?!” Por ai iu përgjigj se, jeta, ecën gjithnjë përpara, dhe  tregoi se, dikur njerëzit udhëtonin në këmbë, pastaj përdorën kuajt, më pas karrocat…Sigurisht që ai kishte të drejtë. Ja, erdhi koha që njerëzit udhëtojnë me kamionë, autobusë e vetura, por edhe me vaporë dhe aeroplanë. Edhe në të ardhmen, kur ju të rriteni, do të ketë zhvillime të tjera që sot ne as që i mendojmë…

-Po ti – e pyeta unë kushëririn, veç kamionit dhe autobusit, me çfarë tjetër ke udhëtuar?

Ai bëri buzën në gaz dhe më përkëdheli flokët.

-Kam udhëtuar me kalë, por jo si kalorës me shpata, siç mund ta përfytyrosh ti tani, por kam udhëtuar me kalë me babanë tim dhe me gjyshin kur ata  vinin nga Berati në Vlorë, sepse merreshin me tregtinë e ullinjve. Ullinjtë e Beratit kanë qenë atëherë të përmendur shumë për vaj dhe pëlqeheshin edhe në Vlorë, por edhe nga italianët që i kemi fqinj. Mbaj mend kohën kur u martua mamaja jote. Unë isha fëmijë dhe isha nga ana e krushqve, domethënë nga ana e fisit të mamasë tënde…

-Edhe mamaja ime kishte hipur në kalë?- e pyeta  habitur.

-Po, ajo ishte kryesoja. Ishte  e veshur nuse me rroba të bardha, kalorëse e vërtetë ishte… Ashtu erdhëm nga Kalaja e Beratit deri në bregun e lumit Vjosa. Nuk kishte urë atëherë dhe lumin e kaluam me trap, ku hipëm të gjithë, njerëzit dhe kuajt. Pastaj vazhduam deri në Vlorë. Mbaj mend vërshimin e lumit Vjosa, si dhe dy palë saze që shoqëronin dasmorët në të dy krahët  lumit. Një palë saze të Beratit, që na përcollën deri në Vjosë dhe pastaj sazet e  Vlorës që na përcollën deri në shtëpinë tuaj, këtu në Skelë të Vlorës. Ishte një dasmë vërtetë shumë e bukur dhe e paharruar…

 -Kujt i thonë saze? – e pyeta kushëririn.

-Sazet janë vegla muzikore që shoqërojnë këngët popullore. Sazet e Beratit përbëheshin nga një gërnetë, një violinë, një ose dy llauta dhe një def. Berati ka pasur violinist të famshëm. Njërit, i thërrisnin “Paganini i Beratit”2) se i binte shumë bukur violinës. Ka qenë edhe një muzikantë tjetër i shquar që i binte gërnetës, ose siç e quanin ndryshe Usta Halit Berati.

-Çfarë këngësh këndoheshin atëherë?

-Kur unë isha i vogël sa ty, mbaj mend që grupi i sazeve merrte shpesh herë këngët: “Mora mandolinën”, “Jelekun kadife veshur”, “Kështu e kështu më thanë”, “Shamia e beqarit”, “Mora përpjetë kalanë”…

-Di të këndosh ti? – e pyeta kushëririn.

-Po, – u përgjigj ai, – në Berat këndojnë shumë njerëz. Ja për shembull po këndoj një strofë nga kënga “Mora përpjetë kalanë”, që kemi kënduar edhe në dasmën e mamasë tënde.

Dhe, ashtu duke ecur, kushëriri ia mori këngës:

Mora përpjetë kalanë/edhe zbrita tatëpjetë,/jam zemëruar moj xanane/bubu qyqja se ç`më gjet.

Pastaj refreni:

Of, of, aman, aman/lule më dogje xhan/of, of, aman medet/dhe në vdeksha dheu s`më tretë…

Kushëriri këndonte ëmbël dhe e dridhte zërin, mbyllte sytë dhe e shoqëronte këngën me gjeste të duarve, të trupit dhe me pamjen e fytyrës. Vija re se këndonte me pasion të madh dhe sytë i ndrisnin..

Pastaj, pa  i thënë gjë, ngaqë kishte ardhur në qejf, ai ia nisi dhe një kënge popullore të Vlorës:

Oh shokë  medet – medet/Kam një mike more me lezet/E zë me dorë e më rrëshqet/Porsi ngjala nëpër det/Ngjalë e Portonovës oh/Zemrën seç ma more oh!

Ndërkaq kishim arritur te agjencia.

I thashë kushëririt të më priste pak minuta përpara hyrjes së agjencisë deri sa unë të kryeja porositë që më kishte lënë babai.

-Shkojmë bashkë, pse vetëm ti? – më tha ai, por nuk nguli këmbë kur unë i përsërita se po kryeja porosinë që më kishte lënë babai. Buzëqeshi dhe më përkëdheli me sy.

-Mirë o djalë, mirë, ti tani je i rritur dhe e  di se ç`bënë!

 Shkova fillimisht te Kane biletashitësi  dhe pasi iu prezantova, i përcolla porosinë  babait.

-Po, – më tha ai, – e kam biletën për kushëririn tuaj, do vijë vetë ai, apo do ta marrësh ti?

-Babai më tha që të ma japësh mua biletën dhe më ka dhënë edhe paratë.

Kania buzëqeshi.

-Eh, Toli s`hoqi dorë nga zakonet e mikpritjes! Do që t`i bëj të gjitha vetë dhe një më një. Burrë zakoni është! – Dhe, duke më parë në sy, më tha: -Të jesh krenar me babanë tënd, o djalë!

Biletashitësi më tregoi autobusin e Beratit.

-Ja, është ai atje, ai autobusi me 50 vende, e shikon?

Me biletën në dorë shkova te kushëriri dhe bashkë u drejtuam te hyrja e autobusit. Aty, kushëriri nxori portofolin dhe më afroi paratë e biletës, por unë i thashë se babai më kishte porositur të mos i merrja. Kushëriri buzëqeshi, më përqafoi dhe hyri në autobus.

E shoqërova me vështrim sesi ai takoi fatorinon e autobusit, i cili i tregoi vendin ku të ulej dhe, shumë shpejt kushëriri u rehatua. Ngriti dorën dhe më përshëndeti nga xhamat e autobusit. Edhe unë ia ktheva përshëndetjen buzagaz. Autobusi po mbushej dhe, kushëriri herë-herë më shihte nga xhami dhe ma bënte me dorë që të kthehesha në shtëpi, të mos rrija kot aty,  se ishte e sigurt që autobusi pas pak do të nisej.

Më në fund, duke u kujtuar se kishim lënë të luanim futboll me shokët e lagjes, e përshëndeta kushëririn edhe një herë dhe, i bindur se  kisha kryer plotësisht detyrën, mora rrugën e kthimit për në shtëpi. Ndihesha mirë dhe, nga kënaqësia, herë – herë fishkëlleja dhe këndoja. Kur po i afrohesha shtëpisë, mora kthesën për te  fusha e lagjes dhe kur i pashë nga larg shokët që ishin të zhveshur, u futa edhe unë në lojë…

Pas rreth dy orësh u ktheva në shtëpi.

-Ç`u bëre?! – më tërhoqi vërejtjen nëna, – na bëre merak! E përcolle kushëririn apo jo?

-Po, o ma, e përcolla, si nuk e përcolla!

-Mirë, o bir, mirë, po shko nga dhoma tjetër se po të pret babai, nuk e di pse është i mërzitur dhe diçka do që të thotë.

Shkova nga dhoma tjetër  ku ndodhej babai. Dukej që po më priste. Kush e di pse  ndihej i nervozuar dhe, sapo unë hyra, ai ia nisi të më bënte ca pyetje disi të çuditshme njëra pas tjetrës:

-Gjatë rrugës për tek agjencia, i bëre muhabet kushëririt?

-Po, o ba, ai më pyeste dhe unë i përgjigjesha, ai më pyeti për shkollën…Gjatë rrugës edhe kënduam, edhe këngë të Beratit, edhe këngë të Vlorës…

-Biletën e autobusit e preu ai, apo  ti ?

-Unë, o ba, unë e preva! Ai donte të më jepte paratë e biletës, por unë i thashë se…

-Cili shofer ishte, ai me mustaqe, “babaxhani”, apo ai flokëverdhi, “llafazani”?

 -Ah, shoferin nuk e pashë mirë, o ba, se atje kishte shumë njerëz. Mbaj mend vetëm fatorinon, ishte një burrë pa flokë dhe me mustaqe të mëdha…

-Zuri vend kushëriri, u rehatua në ndenjësen e autobusit?

-Po, o ba, kur ai hipi ne u përshëndetëm me njëri – tjetrin me duar.

-Po pastaj, e përshëndete përsëri me dorë kur autobusi largohej tej kthesës së qytetit? – kur bëri këtë pyetje, im at sikur më shpoi tejpërtej me shikimin e tij. Dukej që përgjigjja që do t`i jepja unë kishte rëndësi.

-Jo…o ba..! Unë u largova pa u nisur autobusi…sepse, kushëriri ma bënte me dorë që të kthehesha në shtëpi dhe unë…Po pse, o ba gjithë këto pyetje, kur unë e përcolla kushëririn dhe i kreva të gjitha porositë që më dhe? Pastaj, o ba, kaq shumë gjëra për një përcjellje…

Babai më afroi pranë dhe, duke më parë drejt e në sy, më tha:

-Miku ynë, or bir, sot nuk është nisur, autobusi ka pasur defekt të rëndë, shoferi nuk i kishte kushtuar vëmendjen e duhur që më parë dhe…

-Po më habit me këto fjalë, o ba? – fola krejt i befasuar.

-Nuk e ke kryer deri në fund porosinë që të dhashë, o bir! E le mikun në mes të udhës, “shkel e shko”  e bëre punën, ngaqë nguteshe të shkoje të luaje me shokët. Tani kushëriri ynë sorollatet në qytet që të gjej ndonjë strehë tjetër, ndonjë hotel dhe…

Disa çaste heshta i pezmatuar. Ndjeja se babai kishte të drejtë. Edhe kushëririn  nuk e kisha përcjellë deri në fund, por edhe babanë e kisha dëshpëruar, ndërkohë që përfytyroja kushëririn duke u sorollatur nëpër qytet që të gjente hotel. Ndihesha i zemëruar me veten, kurse sytë i kisha me lot. Për një lojë me top e kisha braktisur kushëririn, e kisha lënë në mes të rrugës atë njeri aq të mirë, aq të dashur dhe të ditur, që këndonte aq bukur; atë njeri që më kishte kushtuar aq shumë vëmendje…

-Po mirë, o ba, kur autobusi nuk u nis, pse kushëriri  nuk u kthye përsëri tek ne, por po sorollatet nëpër qytet për të gjetur hotel?

-Se e ka pasur zor të kthehej përsëri, or bir! Kurse, po ta shoqëroje ti gjer në fund, ai doemos që do të kthehej me ty. Kështu që, edhe ne, nuk do të ndiheshim keq siç po ndihemi. Hë, si thua ti, çfarë të bëjmë tani, më jep dot ndonjë këshillë? – më pyeti babai sikur të isha i rritur.

-Të shkojmë e ta kërkojmë, dhe, kur ta gjejmë t`i them të vijë prapë te ne, – i thashë.

Babait i pëlqeu që iu përgjigja ashtu dhe  tundi kokën në shenjë aprovimi. U veshëm dhe morëm rrugën drejt qendrës së qytetit. U endëm zemërthyer sa nga njëri hotel te tjetri dhe, më në fund e gjetëm kushëririn te hotel  “Sazani”. Edhe kushëriri ndihej disi fajtor, ngaqë nuk kishte pasur kurajën të kthehej përsëri tek ne. Por më shumë fajtor se ai ndihej babai. Kurse unë, ndihesha aq keq saqë nuk guxoja ta shihja kushëririn në sy.

Babai iu lut, që ta linte hotelin dhe të provonte përsëri mikpritjen në shtëpinë tonë.

-Po mirë jam edhe këtu, o Toli! Që këtej nisem me autobusin e mëngjesit, atë të orës 08.00. Meqenëse autobusi nuk u nis, vlejnë biletat e djeshme, kështu që…

-Mirë, mirë, – i tha babai këmbëngulës, – me autobusin e orës 08.00  do të nisesh, por sonte do të vish përsëri nga ne. Nesër, që mëngjes, do të të shoqëroj djali përsëri…Të lutem mos ma prishë se, edhe mua, edhe djalit do të na mbetet peng, pastaj, ky ka qejf të të dëgjojë ty kur këndon ato këngët e bukura të Beratit… Por, edhe ne të tjerët kemi qejf t`i dëgjojmë, hë, të lutem, me këta të hotelit ku ti je regjistruar, bisedoj unë…

Darka kaloi si s`ka më mirë, por unë herë-herë ndihesha në siklet dhe herë-herë kokën e mbaja ulur. Bija në mendime dhe qortoja veten pareshtur. Kushëriri, duke kuptuar se çfarë ndjeja, më buzëqeshte me mirësi dhe, si për të më dhënë kurajë që të vija në qejf, ia niste ndonjë kënge, herë të Beratit dhe herë të Vlorës…Aty nga fundi i darkës, babai e falënderoi kushëririn që ndodhej përsëri në shtëpinë tonë, dhe, një çast, u kthye nga unë dhe më tha me lezet:

-Jeta, or bir, i jep njeriut mësime me vlerë, që gjërat t`i bëj gjithnjë me mend. Nuk është kot ajo fjala që “Punën e nisur, çoje gjer në  fund”…

………………

 

1). Xina, koçimare, xinxife: fruta pylli.

-Xhangalle,-bajame të njoma ende të pabëra.

-Rigon, borzilok – erëza, por edhe bimë mjekësore.

-Lënde lisi,- Lëndja e vockël e lisit, ngjan si një vezë e futur në mbajtësen e vet, ajo shkëputet nga pema dhe bie për tokë. Kokrrat gjenden përreth pemëve të lisit. Lëndet janë përdorur për ushqim që në lashtësi, thuajse si drithërat e sotëm, por ato kanë edhe vlera mjekësore…

 

2).Nikola Paganini(1782-1840), violinist italian, njëri nga violinistët më të mëdhenj të të gjitha kohërave.

 

Comments

comments

-----