AH MOJ NEXHI, ME NISHAN NË BUZË

Tregim nga Kristaq Turtulli

 

-O Artan Buzeli, ku je bre, ku je!- dëgjoi një zë basi, si buri makine të vjetër. Vala e turmës e shtynte me bërryla e supe. Gjendej në hyrjen e metrosë së madhe të Torontos, ku kryqëzohen trenat veri- jug dhe lindje- perëndim.

U shmang me vështirësi morisë së nxituar të njerëzve. U ngrit në majat e këmbëve. Xhamat e trasha të syzeve iu mjegulluan prej avullit dhe djersës. I fshiu me shami dhe puliti sytë të shihte atë që e thirri në gjuhën shqipe. I habitur dhe i zhgënjyer dalloi të njohurin e dikurshëm, që nuk donte ta takonte kurrë.

Sherif Vreno si patok në fluturim, u derdh drejt tij krahëhapur. Koka katrore i qe zbardhur, bërë dele dhe mbuluar me kapele të bardhë republikë.  Rrumbullak, si kadushkë me turshi.

– Dale prit..,- ia bëri Artani dhe tërhoqi kokën pas: – Mose je ti….

– Shefiri jam…  s’më mban mend, – tha dhe e puthi pllaq- plluq në faqe.

-Hëm.. Sherifi!- ia bëri Artani.

-Sa mirë që gjeta moshatar, të këmbej dy llafe. U myka me gruan mbyllur në shtëpi. Kujt tu flas, mureve. Kur bëj pazar, ose blej ndonjë paketë me cigare, u them:

‘No anglisht, no’ dhe tregoj me gisht atë që dua.

Futi gishtat nëpërmjet dy kopsave të hapura të këmishës. Fshiu djersën e gjoksit dhe shtoi:

-Erdha për vizitë në djali, por s’ ta kanë ngenë. U hipin makinave, ikin në mëngjes dhe kthehen në mbrëmje.

– Hëm..,- ia bëri Artani me vështrim të shpërndarë. Ndjeu shumë pranë kriposjen e djersëve të tjetrit.  Sherifi flet sikur janë ndarë dje dhe jo shumë vite më parë.

-Djali shkoi në intervistë në godinën përballë. Iu qepa të shihja qendrën. Më tha prit këtu, pi një kafe: –  Sherifi dhe vështroi me kureshtje rreth e rrotull:- Kallaballëk i madh.

-Hëm.., ashtu është, kallaballëk,- foli ultas Artani dhe ndjeu ngurtësimin e qafës.

Sherif Vreno u kthye ballas. Shikimi që derdhej prej syve të tij të vegjël i ngjanë Artanit si dy tehe shtize të mprehta.

-Shyqyr që gjeta një shqiptar, moshatar, të këmbej dy fjalë, – Sherifi zbardhi dhembët e vëna.

-Hëm.., mirë o Sherif Vreno që gjete një shqiptar, moshatar, të këmbesh dy fjalë. Por kur takohet shqiptari me shqiptarin, në vend të huaj, përtej oqeanit, nuk është thjesht të pinë kafe dhe të këmbejnë dy fjalë.

-Ashtu thua!- ia bëri Sherifi dhe ngriti vetullat përpjetë.

-Po, kështu,- i tha thatë dhe shtoj:- Mua më fal. Kam punë. Nxitoj.

 Artani u grind me vete: ‘Nga më dole përpara o Sherif Vreno, duke mbartur rëndesën e pluhurit të tridhjetë e pesë vjetëve.

 Sytë e vegjël Sherifit mbetën si dy pellgje të ngrirë.

 -Po…pse,- ia bëri Sherifi. Hoqi kapelen dhe fshiu çaçkën e kokës. ‘ Më ngjan o Tani Buzeli ke filluar ta hedhësh shurrën me kallmë, përpjetë!’  murmuriti me inat Sherif Vreno.

Artani s’ i ktheu përgjigje.

Në metronë e madhe të qytetit të  Torontos dyndej mizëri e madhe udhëtarësh dhe të mbahej fryma.

 Liroj komçën e dytë të këmishës. Ndjeu në shpinë nxitimin e currilit bezdisësh të djersës dhe u drodh. Ti thotë Nexhit se Sherif Vreno ka ardhur në Toronto, i mbiu përpara syve si plaku maç! Ajo do pulitë sytë dhe nishani në buzë do ti dridhet, E perse duhet ti  tregoj Nexhit, kur shtegu i verbër është rënduar prej gjetheve të ronitura nga lagështia e kohës.

Eh more Sherif Vreno! Sherif Vreno!

 Sytë e të vegjël të errët dhe nënqeshja e keqe gjithnjë u qenë ngjitur hap pas hapi si dy njolla të murme të ndehura në skaj. Aq sa ata kur linin xhiron e mbrëmjes shpina u qëndronte gjithnjë e ftohtë akull. Ecnin pa folur në rrugicat e kalldrëmta. Dhe kur mbyllnin derën e shtëpisë ndjeheshin disi më të çliruar.

-Nuk e di sa i ngjashëm është morri me njeriun! Morrat janë mësuar te thëthinin dhe nuk mund te bëjnë dot pa krijesat e gjalla,- murmuriti Artani dhe përshkoi rrugën e “Mbretëreshës” me hap të shpejtë: -Ti tregoj Nexhit?  Perse duhem ti flas për të, përse? Eh more Sherif Vreno! Sherif Vreno! Nga më dole në këtë skaj të botës, mijëra kilometra larg, në Toronto..!

 

 Të dy shokët qëndronin ulur në shkallët e kinoteatrit ‘Çajupi’ dhe tymosnin cigare ‘DS’, Artani u afrua drejt tyre çakërqejf dhe u tha:

“Gjejeni kë gjeta mbrëmë kur shkova në shtëpi?”

 “Ama Ç’ja fut kot dhe ti, pse fallxhorë jemi ne.” ia ktheu Dashi me indiferentizëm dhe shkundi hirin e cigares.

‘ Ndonjë shoq të sat ëme,’ shtoi Sherifi.

“Nexhin ore, Nexhin gjeta në shtëpi,” tha Artani i ngazëllyer. Merrte frymë me zor prej emocionit dhe fytyra i shkëlqente nga kënaqësia.

“Kë Nexhi mo?’ e pyeti Sherifi dhe flaku pështymën tutje.

“Nexhin me nishan në buzë.”

“Mos na shit pordhë?!” ia patën në të njëjtën kohë Sherif dhe Dashi: ‘ Nga u gjend kjo Nexhi te ty.

‘ Ja, u gjend te unë,’ u tha Artani.

Të dy shokët u kthyen nga Artani dhe shqyen sytë nga habia. Pastaj vështruan njeri tjetrin në sy.

Të tre shokët kishin një vit që ishin liruar prej ushtrie dhe njohur në punë, në ndërmarrjen e Lëkurë -Këpucës. Sherifi punon në katin e dytë, në prestarinë e lëkurëve. I ati i tij është kryetar lagje. Dashi fërneti punon së bashku me të atin në montim e këpucëve. Lakmon fërnetin e zi me belladonin e mrekullueshëm. Artani punon në katin përdhes të fabrikës, në skarnimin e lëkurëve. I mbështjellë fund e krye me rroba llastiku mbart lëkurët e regjura dhe të kriposura. I pëlqen të shkruajë poezi dhe tekste këngësh. I ati i vdiq pas një sëmundje të gjatë, kur ishte vetëm tetë vjet. Shkaktuar prej një vitive të tmerrshme në birucat e nëndheshme të hetuesisë së Hanit me Dy Porta. Me akuzën e rëndomtë: ‘fshehje floriri’.

 “Sikur the Nexhin me nishan në buzë!’

“Po, me nishan në buzë,” u tha Artani.

“Domethënë Nexhi me nishan në buzë paska ardhur në shtëpi tënde?’ i thanë të dy shokët me ironi.  Shprehja e tyre kaloi në qeshje:’ Me gjithë mend e ke?’

“Po me gjithë mend.’

‘Nuk gjeti shtëpi tjetër ajo?!’ ia bëri Sherifi Vreno duke nënqeshur hidhur:’ Por u pengua te ty…’.

‘Nuk e di. Ajo erdhi mbrëmë tek unë.., ‘ Artani s’ u kushtuar rëndësi zgërdhirjes së shokëve.

‘Hëm, e çuditshme! Si nëpër filma! Pa na thuaj si ndodhi me këtë Nexhi, me nishan në buzë, u hyn papandehur të tjerëve në shtëpi?” i thanë ata me seriozitet të shtirur dhe tinës qëlluan njëri tjetrin me bërryla.

‘Po ja. Mbrëmë, kur u ktheva nga kursi i makinës shkova në shtëpi. Nëna më priste te dera. Më ndali dhe zë ankues më tha:

‘Hiç nuk i hapesh nënës ti, hiç.’

‘Përse moj nënë,’ ia bëra i habitur.

‘Po, ja….Në kuzhinë të pret një vajzë e bukur e panjohur.’

‘Në kuzhinë më pret një vajzë e panjohur!’ ia bëra i çuditur.

‘Po. Di gjë ti?’

Pa i kthyer nënës përgjigje hyra në kuzhinë. Unë s’ kisha ftuar ndonjë vajzë në shtëpi. U shtanga. Ulur në stol ishte Nexhi, bukuroshja, me nishan në buzë. E lakmuara e meshkujve. E njoha para një muaji në takimin e krijuesve të rinj të qytetit, vallëzuam dhe biseduam shkarazi. Ardhja e një vajze të bukur në shtëpi më shkaktoi  përskuqje në fytyrë.

‘Nexhi po ti këtu!’ i thashë dhe iu afrova pranë.

Ajo mblodhi supet pa ditur ç’të bënte dhe mërmëriti:

‘Erdha. Mos bëra gabim?!’

Heshta, nuk dija çti thosha. Kisha një lëmsh me pyetje në tru dhe nuk dija nga ta nisja.

‘Ke ngrënë gjësend?’ e pyeta sa për tu gjendur në llaf. Në të njëjtën kohë u grinda me veten, si nuk gjeta diçka tjetër më për të qenë.

Ajo mblodhi supet. Nishani në buzë iu drodh. Mbante veshur një fustan me lule pak të hapur në gjoks dhe një xhaketë të hollë, të bardhë pambuku.

Nëna solli dy pjata me supë të mbetur nga dreka. Pa më ndarë shikimin pyetës. Dreq o punë, qenka bela e madhe kur të vjen në shtëpi pa pritur dhe papandehur një vajzë e bukur, me nishan ne buzë. Mu përkëdhel sedra. Ajo mblodhi gjunjët, shtriu fustanin dhe u ul pa shumë ceremoni në tavolinë. Filloi të hante. Vështroja profilin e hijshëm të Nexhit, hundën e vogël, pak majuce dhe dëgjoja trokëllimën e lugëve në pjata. Nuk dija nga ti a nisja.

Më në fund vendosa. Nuk kisha përse të vrisja mendjen. Një femër më hyri në shtëpi, do ti merrja punët shtruar. Si një mashkull i regjur pa shumë hollësira të panevojshme dhe sentimentalizma. Nëna lodhet gjithë ditën, do shkojë shpejt të flejë në dhomën e saj. Do ti sqaroj të gjitha enigmat e kësaj bukurie të ardhur papritmas në mbrëmje.

Mblodha pjatat dhe i vura në lavapjatë. Nëna më erdhi pranë dhe më pëshpëriti:

‘Përse ka ardhur kjo vajzë, hë? U ul të hajë në tavolinë si në shtëpinë e vet? Biro mos më ke bërë ndonjë proçkë dhe nuk ia thua nënës?

 ‘Jo moj nënë jo,’ e qetësova.

 Ajo tundi kokën e pabindur.

‘ Mos e ke lënë me barrë oi zi?’

O, çmë gjeti mua. Duhej ti mbushja mendjen nënës se nuk kisha gjë me të. I mbusha Nexhit një gotë me qumësht. Ajo më falënderoi pa më parë në sy. Dreq o punë me këto femrat, kur ia ka qejfi, përse nuk më ra në sy qysh më parë. Por pa e bërë të gjatë hyn zduq e zdruq në shtëpi.

Nëna iku në dhomën tjetër. Pa e zgjatur i futa duart Nexhit në gji. Ia shtrëngova fort cicat dhe thithat e vogla. Ajo u ndeh dhe u përdrodh. Nuk e priste veprimin tim. E putha me afsh në buzë e tulta. Ia thëthiva me neps nishanin e zi. Buzët i kish të thata dhe nishani i zi ish i thatë gjithashtu. Nexhi mundohej të mbrohej, të shkëputej . Trupi i saj i brishtë dridhej në krahët e mia. Por unë ëhë, e kisha mbërthyer si në mengene. Më në fund u shkëput prej meje, largoi kokën me shikim të trishtuar.

 E pashë me inat.

‘Nuk do,’ hungërita,‘ Përse erdhe tek unë?’

‘Erdha,’ murmuriti ajo kokulur: ‘Mos bëra vallë gabim?’

‘Jo… Po përse?’

‘Nesër shkoj në Tiranë, kam konkursin e pikturës.’

‘Dhe ti erdhe tek unë, me një njohje gjysmë ore?’

Ajo mblodhi supet dhe vari kokën poshtë.

‘ Mu duke djalë i mirë, prandaj. Autobusi niset në orën tre të mëngjesit. Shtëpia jote është pranë stacionit të autobusëve,’ mërmëriti.

Hëm, djalë i mirë! Unë pa e zgjatur dhe pa ja vënë veshin arsyes së saj e mbërtheva nga shpatullat dhe e putha përsëri. Dëgjova hapat e nënës. U shkëputa nga Nexhi.

‘Mund të flini në divan,’ iu drejtua nëna Nexhit, ‘ti shtrova rrobat.’

Nëna iku. Por nuk ndenji pa ma bërë me shenjë, të shkoja të flija dhe unë e të mos bëja ndonjë marrëzi. Po ku më rihej mua. Të kesh një femër në shtëpi, që të ngre në havadan dhe të bësh gjumë të qetë.

Mbaja vesh frymëmarrjen e rëndë të nënës, shoqëruar me fërshëllimë si lokomotivë. Frymëmarrjen e butë të Nexhit dhe trokëllimën e fortë të orës së madhe të varur në mur. Isha i gjithi i ngrehur. Zemra më rrihte me vrull. Goja më ish mbushur me lëng. Nuk mund të rezistoja më. Pa e zgjatur u ngrita, eca në majat e gishtërinjve, ngrita kuvertën që mbulonte Nexhin dhe u ngjesha pas trupit të saj të ngrohtë.

‘Çfarë do?’ia bëri ajo.

Si ktheva përgjigje. E putha e shtrëngova, mezi mbushesha me frymë nga dëshira e shfrenuar për të bërë seks me të. U kërleshëm. Ia thitha me afsh nishanin e zi. Ia copëtova cicat me majat e dhëmbëve. Duart më lëvizën me shpejtësi drejt mbathjeve të vogla të mëndafshta të Nexhit. Ajo filloi të qante. Kryqëzoi këmbët dhe u zbyth në cep të divanit. Në errësirë dallova ndriçimin drithërues të lotëve dhe frikën e hapur në sytë e saj. Pëshpëriti zë dredhur.

‘Të lutem Tani, të përgjërohem. Mos më bëj gjë. Jam për konkurs. Nuk kisha ku të shkoja. Besova dhe trokita në derën tuaj. Kur të kthehem jam e jotja, më bëj ç’të duash.’

Dëgjova zhurmën e derës së dhomës ku flinte nëna. Pa e zgjatur shkava prej shtratit të Nexhit dhe shkova në shtratin tim…ja kaq. Kjo është e gjitha.

‘Dale, dale se nuk të marrim vesh? E le Nexhin te ikte dhe nuk ia bëre atë punë?’- ia bëri Sherifi me nënqeshje cinike në buzë.

‘Jua a thashë,’ u përgjigj Artani.”Nexhi mu lut, ishte për konkurs.”

 Sherif dhe Dashi vështruan njeri tjetrin.

‘ Pa na thuaj, ku është çudia,’ ia benë ata:  ‘Qe s’ te durohej pa i treguar, hë? Le Nexhin të ikë si një pëllumbeshë, pa ja ngritur këmbët bigë?’

‘ Po, e lashë të ikte, pa ja ngrita këmbët bigë,’ua ktheu Artani i nervozuar.

‘Kjo është çmënduria më e madhe e shekullit të njëzetë,’ ia bëri Sherifi dhe qeshi me të keq:’ Hej, na bie bretku gjithë ditën për një puthje ti na tregon…

 Artani s’i ktheu përgjigje. Flaku cigaren e shkeli me majën e këpucës dhe u largua pa kthyer kokën. Shokët nuk e lanë të përfundonte historinë:

 Në mëngjes e përcolli Nexhin deri në stacionin e autobusëve të linjës. Ishte ftohtë dhe Nexhi dridhej. Iu var në qafë dhe e puthi me buzët e plota, të tulta e të lëngështa prej vesës mëngjesore. Sytë e saj shkëlqenin prej mirënjohjes.

 Kur u kthye në shtëpi e gjeti të ëmën ngritur, me sy të merakosur dhe me xhaketë të trashë leshi në dorë.

‘Si e lamë vajzën të udhëtojë në këtë mëngjes të ftohtë me xhaketë të hollë,’ tha nëna.

Vonë iu kujtua, gjatë vallëzimit Nexhi e pyeti:’ Ku banon?’ ‘ Në shtatë katëshi,’ i tha ai. ‘Një rrugë larg nga stacioni i autobusëve?’ E pyeti ajo. ‘Po.’

 

Sherif dhe Dashi filluan të prashitnin mes tyre, duke pirë cigare paf- puf. Tanit i paska shkruar në shtëpi Nexhi me nishan në buzë, bomba e fshatit Paçovë. Për këtë Nexhi plasi grushti një javë më parë në shkallët e Pallatit të Kulturës. Të mjerit Tani, i lëshon goja lëng për Nexhin, mburret në sy të tyre dhe krijon ëndrra me sy hapur. Ai s’ është dalluar ndonjëherë si joshës i femrave. Kur e futën të bënte seks me Xhulinë këmbështrembër, kurvën me nam, u drodh si epileptik. Dhe kur mbaroi atë punë qe bërë i verdhë dyllë. Qëndronte mbi Xhulinë pa lëvizur. Vështronte si hutaq rreth e qark. Kurva Xhuli e shtyu me gju.

‘Nga ma gjetët këtë qullac,’ u grind ajo: ‘Pa e futur u prish më keq se lepuri.’

Një javë pas bisedës Dashi dhe Sherifi qëndronin ulur si zakonisht në shkallët e kinoteatrit ‘Çajupi’. Sherifi luante me tre topa të bardhë, të vegjël ping-pongu. Do merrte pjesë me numra shpejtësie në grupin e estradës së ndërmarrjes. Dashi pinte me kënaqësi, me gllënjka të vogla fërnetin e zi me belladonin e mrekullueshëm. Faqoren petashuqe me lëngun e fërnetit e mbante të fshehur në xhepin e brendshëm të xhaketës.

Artani sy picërruar prej tymit, pinte cigare ‘DS’. Kish kaluar një javë e vështirë qysh nga ajo natë e mahnitshme. Ndjente shumë mall për Nexhin. I iku gjumi. Risillte nëpër mend refrenin e këngës kushtuar asaj:

                           ‘Do ta puth nishankën’ë që ma ke në buzë.

                           Po të duash ti Nexhi, do bëhem urë.’

Askujt s’ ia tregoi tekstin e këngës kushtuar Nexhit. Do ta luante në kitarë.

Cigaret u mbaruan. Vetëm në kinkalerinë e Çomë Gajtani kish ‘DS’. I mbante  nën banak. Çomë Gajtani, kushëri i parë i nënës së Artanit dhe xheku ruante ndonjë paketë ‘DS’ për të.

‘Shko merr ndonjë paketë në Çome Gajtani,’ i tha Dashi

‘ Do vijë ndonjë me mua,’ u tha Artani shokëve.

‘Shko vetë. Çome Gajtani i ka zët dëshmimtarët,’ i tha Sherif dhe shau nëpër dhembë. Një prej topave të vegjël i shpëtoi nga duart, u rrokullis në asfalt dhe u shkel prej kalimtarëve. Artani iku. Sherifi vazhdonte të grindej për shkeljen e topit. Dashi indiferent rrëkëllente fërnet.

Përtej bulevardit të postës së vjetër u shfaq Nexhi. Veshur me xhaketën e hollë, të bardhë dhe fustanin me lule. Ajo sa ish kthyer nga Tirana dhe e kish fituar konkursin e pikturës. Mezi priste të takonte Artanin.

‘ Dashi, Dashi, shiko Nexhin. Në trotuarin e postës së vjetër,’ klithi Sherifi: ‘Ta thërres?’

‘Lëre dreqin, çe ngacmon kur s’ e njeh,’ i foli Dashi me bezdi.

‘Punë e madhe! Nexhi!’ thirri Sherifi dhe u turr drejt saj.

Vajza ndaloi. Vështroi e hutuar nga i erdhi zëri. Një djalë të huaj po i afrohej, bëri të largohej.

‘Nexhi të lutem mos ik. Vetëm një pyetje kam,’ iu lut Sherifi.

Vajza me një lëvizje nazike ngriti flokët e zinj dhe kaçurrela, e ngrehur para djalit të huaj.

‘Doja të pyesja për Artanin,’  i tha Sherifi.

‘Po…përse!’ ia bëri vajza dhe zemra i rrahu me vrull. U bë gati ta pyeste ku është? Ai djalë u tregua fisnik me të.

‘Kam vënë bast. A  fjete vëtret në shtëpinë e tij?’

Nexhi u skuq, u zverdh, më pas u nxi prej inatit. Sa bastardë janë njerëzit. Vënë baste!

‘Nuk di kush është ky Artani. Më lërë të qetë,’ i tha dhe u tërhoq prapa me hapa të plogështa, duke vështruar përdhe me frikën e rrëzimit.

Sherifi pa i kushtuar rëndësi turbullimit të vajzës vazhdoi:

‘Nexhi, aksidentalisht ishe në shtëpinë e atij bufi, ashiku të pazierë, apo na gënjeu?

Turpi i hijshëm i Nexhit u drodh.

‘Nexhi, nëse ke qenë ne shtëpinë e tij. Mirë bëre që s’ ja le,’ i thirri Sherifi nga pas dhe qeshi me sarkazëm: ‘Artan Buzeli është kërriç i tëri, nuk merr erë nga femrat dhe nga jeta. Ka dhe biografinë e prishur. Më beso e bukura Nexhi, me atë nishan magjepsës në buzë. Po të vije në shtëpinë time, do të mbaja gjithë natën në krahë si princeshë.”

Nexhi rrëzoi kokën në gjoks e mbytur prej ngashërimit dhe nuk i ktheu përgjigje. Artani mund të ishte një naiv i mjerë, ndërsa ky një i poshtër.

‘Dëgjon Nexhi! Gjëja më e mençur e femrave si ti, është të mos ua lënë foleçkën spurdhjakëve si Artan Buzeli!’

Sherifi Vreno me duart e rrasura thellë në xhepa, vazhdonte të qeshte me të keq. Dashi pinte indiferent me gllënjka të vogla fërnetin e zi me belladonin e mrekullueshëm…

 

Korrik  2011- 2017

Comments

comments

-----