PAK RADHË, PËR LIBRIN E RI TË BAJAME HOXHËS-ÇELIKU, “VAJET E PRANVERËS MASHTRUESE…”

Nga Prof. Murat Gecaj

 

Një lexues i vëmendshëm, ka parë këto ditë, të publikuar në Internet, një Bisedë, që zhvillova me poeten e shkrimtaren Bajame Hoxha-Çeliku, e përndjekur nga diktatura në Shqipëri dhe tani me banim, familjarisht, në Bruksel të Belgjikës. Titulli i saj ishte, “17 librat e botuar, dëshmojnë punën time shumëvjeçare e të palodhur, përpara të vërtetave, që unë kam përjetuar…”. Duke folur për tërë këto botime të saj, ajo u ndal posaçërisht në përmbajtjen e këtij libri, i cili të tërheq që nga titulli i tij. Pasi sillte në kujtesë periudhën e interntimit në Lushnjë dhe vuajtjet pambarim aje, bëri këtë sqarim, sigurisht shkurt, për përmbajtjen e tij:

“ “Kush mbjell erën, korrë furtunën!…” Por, ne e prindërit tanë, mbollëm paqen dhe gjetëm ferrin mbi tokë! Në romanin me 581 faqe, “Vajet e Pranverës Mashtruese”, që botova fundvitin e kaluar, te Shtëpia Botuese”Nacional”, trajtohet pikërisht kjo temë, që përfshin kohën, nga viti dyzetë e pesë dhe deri në nëntëdhjetë e njëshin, kur trokiti demokracia dhe ne u lamë të lirë të marrim vetëm rrugët e kurbetit, me rrobat që kishim veshur. 

Kushdo, qw është i interesuar për ta njohur atë histori të hidhur, por të vërtetë, mund ta lexojë këtë libër, ku personazhet janë me emra të vërtetë. Megjithatë, besoj se nuk i ka nxënë dot ai libër, prej qindra faqesh, të tëra ato drama, që ne i përjetuam. Një jetë-në skëterrë, do ta quaja!”

Autoria Bajame Hoxha (Çeliku)

Prandaj  dhe, në mbyllje të tërë këtij botimi voluminoz, në faqen 578, autorja ka shkruar: “Kjo histori dhe tëra ngjarjet në libër, janë të vërteta, si  dhe personazhet, me emra të vërtetë”. Pra, kemi të bëjmë me ngjarje të përjetuara nga vetë  autorja, çka e bën më interesant leximin e këtij. Prandaj dhe unë e mora atë, në Librarinë “Adrion”, në qendër të kryeqytetit tonë dhe do ta lexoj, me kurreshtje e dëshirë.

Kapakwt e librit, nga autorja Bajame Hoxha (Çeliku)…

Kërkoj mirëkuptimin e lexuesve, për këto pak radhë, që duken si një “reklamë”, për këtë libër të ri të autores prodhimtare, Bajame Hoxha-Çeliku. Me këtë rast, e përgëzojmë atë dhe i urojmë shëndet e mbarësi, vetjake e familjare dhe botime të tjera, gjithnjë e më të arrira, për të cilat ajo ka folur edhe në atë Bisedë, që përmenda më lart, pra se i ka të gatshëm për botim!

Tiranë, 19 qershor 2017

 

 

Comments

comments

-----