FC KOSOVA E GJENEVËS E KALUARA DHE ARDHMJA E NDRITUR E MËRGATËS SONË NË ZVICËR

FC Kosova e Gjenevës sivjet mbush 20 vjet të themelimit: ajo është zyrtarizuar me regjistrim pranë Asociacionit kantonal të  futbollit  të Gjenevës, më 1997

Nga Arif Ejupi

Zvicra thuhet se numëron rreth 200 mijë të migruar shqiptarë, të integruar me sukses në shoqërinë helvetike. Po ashtu të rinjtë tanë mërgimtarë kohën e lirë e programojnë me pjesëmarrje aktive në shoqëri kulturore dhe klube të ndryshme sportive. Në këtë fushë  shquhen  sidomos të rinjtë e FC “Kosova“ të Gjenevës, të cilët sivjet shënojnë njëzetvjetorin  e  punës dhe të suksesit. Kjo skuadër, aktualisht anëtare e Ligës së Dytë Regjionale të Kantonit të Gjenevës, është zyrtarizuar me regjistrim pranë Asociacionit kantonal të  futbollit  të Gjenevës, më 1997.

Themelues të FC Kosova të Gjenevës, janë vëllezërit  Besim dhe Burim Jahiu, me origjinë nga Anamorava e Kosovës. Posaçërisht nga mërgimtarët shqiptarë të Gjenevës, si aktivist i dalluar  sportiv dhe si organizator i shkëlqyer njihet Besim Jahiu. Ai mbi një dekadë me mjaft sukses kreu detyrën e Presidentit të Klubit “Kosova”të Gjenevës, duke qenë për aq kohë edhe lojtar aktiv i kësaj skuadre. Brenda një harku të shkurtër kohor së bashku me bashkëpunëtorët e tij  sjell në klub  futbollistët me emër  si Bujar Latifi, ish-lojtar i dalluar i FC Shkëndija të Tetovës, anëtare e Superligës së Maqedonisë. Latifi shkëlqeu edhe si mesfushor tek FC Concordia e Baselit, ku karrierën e tyre e nisën Xherdan Shaqiri, dhe vëllezërit Granit dhe Taulant Xhaka. Lojtar tjetër në zë ishte edhe Fadil Haliti,  sulmues cilësor i disa skuadrave të Kroacisë,anëtare të ish-Ligës së Dytë të Jugosllavisë, e më vonë  trajner i suksesshëm e shumëvjeçar i FC Kosova të Gjenevës.

Jashtëzakonisht i dobishëm për FC Kosova të Gjenevës tregohet edhe Hysen Bilalli, dikur qendërmbrojtës i pakalueshëm i FC Borci të Ferizajt, ish- anëtar i Ligës së Parë të Kosovës, tani i njohur me emrin FC Ferizaj, anëtar i Superligës së Republikës së Kosovës në futboll. Në fund të viteve të 80-ta ky futbollist  me një përgatitje të jashtëzakonshme fizike pati luajtur edhe në disa skuadra të  kantonit Vaud, si: FC Saint-Legier, FC Forward-Morges dhe US Terr-Sainte 1940. Paraqitjet e tij të rregullta në fanellën e këtyre ekipeve dhe loja e bukur i mundësuan këtij lojtari me eksperiencë rregullimin e dokumenteve dhe qëndrimin e përhershëm në Zvicër. Përforcim i madh  për skuadrën FC Kosova të Gjenevës, për kohën konsiderohen edhe vëllezërit  Armend e Arben Selmani, sulmues të spikatur. Armend Selmani, si sulmues i majtë bije në sy me shpejtësinë e tij prej atleti  dhe driblimet e tij të bukura. Ai me mjaft sukses ka luajtur edhe në FC” Etoile –Carouge” të Gjenevës,në të kaluarën anëtare e  Challenge League të Zvicrës. Kurse me skuadrën FC  Kosova, debutojnë qendërsulmuesi efikas Halil Rrahmani, portierët  shtatgjatë Reshat Kamberi e Bujar Ahmeti. Mbrojtësit perspektivë e me përvojë Nexhat Xhymshiti –Xhimi, Behxhet Rexha, Samet Mjaku, dhe treshja e vëllezërve Bajrami, loja e të cilëve ndërlidhet  për mrekulli me lojtarët e ardhur.

–        E pa konkurrencë, kalon shpejt një rang më lart  

FC Kosova  e përbërë nga lojtarë cilësorë mposht kundërshtarët e saj një nga një me lehtësi dhe rezultat të thellë. Ajo, si  lider i grupit Kampionatin vijues e nis në Ligën e katërt rajonale të Gjenevës. Edhe në këtë Ligë është e pakonkurrencë. Jo vetëm në terren të vet por edhe si mysafire gjunjëzon rivalët e saj. Qendërsulmuesi Halil Rahmani, gati në çdo ndeshje tregohet i frytshëm duke shënuar nga të gjitha pozitat.  Ai në fund të Kampionatit radhitet si golashënuesi më i mirë i  skuadrës dhe i grupit të kësaj Lige. FC Kosova pa kurrfarë pengese më 1999-2000 kalon në Ligën e Tretë  Rajonale të kantonit të Gjenevës. Ajo edhe në këtë rang garash demonstron lojë të bukur dhe tubon numër maksimal pikësh. Kuota e pikëve të tubuara dy-tre javë para përfundimit të Kampionatit u siguron futbollistëve të kësaj ekipe triumfin. Ata në fund të gushtit të vitit 2000 si anëtarë të Ligës së Dytë Rajonale të Gjenevës, nisin garat me dymbëdhjetë skuadrat më të mira të këtij kantoni. Me angazhim kolektiv dhe disiplinë të shtuar në punë futbollistët e kësaj skuadre, do të  jenë me rol  mjaft të rëndësishëm edhe në këtë Ligë.

Sukseset e këtyre djemve të vyeshëm do ta kenë edhe mbështetjen e  bashkatdhetarëve tanë. Për skuadrën e tyre të zemrës nuk kursejnë asgjë as afaristët  e shumtë shqiptarë të cilët veprojnë  prej vitesh në Gjenevë. Po ashtu nga ndeshja në ndeshje shumëfishohet edhe numri i tifozëve. Ata, si lojtari i dymbëdhjetë i kësaj skuadre  nën tingujt  e daulles dhe zurlës  krijojnë atmosferë të vërtetë festive në 45 stadiumet e kantonit të Gjenevës.   

–        Ish lojtari i Valencias luajti për FC Kosovën e Gjenevës!

FC Kosova tashmë me një përvojë të duhur dhe organizim të shkëlqyeshëm bëhet tërheqëse edhe për lojtarët e komuniteteve të tjera. Anëtarë të kësaj skuadre më 1999 bëhen portieri Antonio Di Marco me origjinë italiane dhe qendërsulmuesi i njohur me ngjyrë nga Kongo, Alex Tekumo, i cili në të kaluarën luajti në skuadrën e famshme FC Valencia të Spanjës. Me këta dy lojtarë të klasit të parë  dhe me  dy-tri përtërije të tjera FC Kosova, arrin kulmin e suksesit dhe bënë emër në Ligën e Dytë Rajonale të Gjenevës. Përveç suksesit në Kampionat, futbollistët e saj  pesë herë luajnë edhe në Finalen e Kupës së Gjenevës. Këta dy lojtarë së bashku me bashkëlojtarët e tjerë shqiptarë me të drejtë mund të quhen si gjenerata që la gjurmë të pashlyeshme suksesi  në futbollin gjenevas dhe e bëri krenare mërgatën tonë.

Sikurse çdo skuadër tjetër futbolli ashtu edhe FC Kosova e Gjenevës, pati momente krizash. Mirëpo ato  u tejkaluan shpejtë falë ish- futbollistëve veteranë të kësaj skuadre Fadil Haliti, Hysen Billalli e Bujar Latifi, të cilët morën drejtimin e skuadrës së FC Kosova të Gjenevës. Ata, në cilësinë e trajnerëve ruajtën bërthamën e ekipit dhe shtuan fondin e lojtarëve duke angazhuar lojtarë të talentuar si: Burim Terziun e FC Drita të Gjilanit, Asmir Zenelin e FC Meyr-in LNB të Gjenevës,mbrojtësit perspektivë Liridon Heta e Liridon Imeri, mesfushorët Armend Zatriqi e Përparim Emerllahu,sulmuesit Alban Osmani e Ibrahim Fazlija.

Skuadra  tregoi formë stabile në Ligën e Dytë Rajonale të Gjenevës, në të cilën luajti me mjaft sukses plot 15 vjet.  Më 2013, për shkak të angazhimeve të tyre në punën e përditshme ish-trajnerët Haliti,  Bilalli dhe Latifi, u detyruan të lënë drejtimin e skuadrës. Ndërkohë  ata zëvendësohen nga lezhjani Durim Lika. Në FC Kosova të Gjenevës, vijnë  edhe  lojtarët profesionist të Superligës së Shqipërisë si:  Florian Braho, Klodian Asllani dhe Elton Lika. Braho, më herët luajti në FC Luftëtari të  Gjirokastrës, FC Kastrioti të Krujës  dhe FC Partizani të Tiranës. Ndërkaq, Asllani ka luajtur  gjatë viteve 2005-2007 me FC Dinamo të Tiranës, 18-të herë  kampione e   Shqipërisë. Elton Lika, i vëllai i trajnerit Durim Lika, po ashtu u dallua me lojën e tij të bukur në FC Besëlidhja të Lezhës dhe FC Skënderbeu të Korçës.

Viti 2015 është njëri nga vitet më të rënda të FC Kosova të Gjenevës, ngase pas një periudhe të gjatë kohore skuadra  largohet nga Liga e Dytë Rajonale.

–        Me gjithë zemërimin, konsolidojnë shpejt radhët

Rënia në shkallë më të ultë garash  natyrisht  shkaktoi pakënaqësi tek të gjithë simpatizuesit e kësaj skuadre. Vëllezërit Salihu, sipërmarrës të suksesshëm së bashku me  Qamil Sejdiun dhe një grup shokësh të tjerë  nisën të veprojnë praktikisht, në mënyrë që FC Kosova,të rikthehet  sa më parë  në shoqërinë e mëhershme. Domosdoshmëri dhe nevojë urgjente paraqitet angazhimi i një trajneri  profesionist. Kjo pozitë  i besohet  profesorit të Edukatës Fizike nga Kosova, Musa Selimi. Ardhja e tij në Klub ngjallë tek secili shpresën për këndellje të skuadrës dhe rezultate të dëshiruara.Mirëpo disa ditë para përfundimit të Kampionatit z. Selimi emrohet Dekan i Fakultetit të Edukimit dhe Sportit në Universitetin e Prishtinës. FC Kosova e Gjenevës,edhe pse  e pozicionuar në vendin e parë nuk  lejon ndonjë të papritur. Ajo adc-hoc bënë zgjidhje të përkohëshme duke ia besuar timonin e skuadres vitiasit Ekrem Qerimi . FC Kosova e Gjenevës, edhe ndeshjet e mbetura i fiton me rezultat bindës  dhe në qershor té vitit 2016,rikthehet në Ligën e Dytë Rajonale të, Gjenevës,në të cilën edhe sot zhvillon me sukses garat.Aktualisht ekipit të parë  i prinë  Msc.Sokol Salihu ish-futbollist i FC Etoile-Carouge të Gjenevës, anëtare e të ashtuquajturës Première League të Zvicrës, e gjithashtu deri vonë edhe lojtar i FC Kosova të Gjenevës. 

Skuadra për momentin ka  një fond prej 100 (njëqind) lojtarëve të licencuar dhe disponon me të gjitha kategoritë.Udhëheqësit e FC Kosova të Gjenevës,  punën me ekipin e dytë ia kanë besuar  trajnerit Abaz Nivokazi, e me atë të juniorëve  Anton Grishës, njëherit edhe lojtar  i ekipës së parë të FC Kosova të Gjenevës.  Grisha i ardhur kohë më parë nga FC Tërbuni i Pukës së Shqipërisë,ka gjasa  që nga  ky kontigjent i të rinjve të krijojë të paktën dy-tre  lojtarë cilësorë.

Ndërkaq ekipi i veteranëve udhëhiqet me shumë sukses nga lojtari i dikurshëm i FC Kosova të Gjenevës, Halil Rrahmani. Në Klub edhe sot ka futbollistë të talentuar dhe mjaft cilësorë si: Mërgim Osmani ish-portier i FC Grand-Lancy të Gjenevës, anëtare e Première League të Zvicrës, Erion Hoti, gjithashtu është një lojtar i kompletuar e perspektivë nën hijen e të cilit nuk mbesin as të ardhurit Blendim Gashi, ish-lojtar i FC Drita e Gjilanit dhe Liridon Bajrami, dikur lojtar i FC Shkupi të Maqedonisë. Formë të jashtëzakonshme po tregon edhe sulmuesi shtatmesëm e me eksperiencë Arben Selmani. Ai  tani për tani është edhe golashënuesi më i mirë i skuadrës. Në  skuadrër ka edhe  përplot talent  të tjerë por  nuk po lakojmë më tepër emra sepse në një shkrim si ky është e pamundur të përmblidhen të gjithë.

–        Gjithçka në bazë vullnetare

Vlen të theksohet se i gjithë ky aktivitet zhvillohet në baza vullnetare dhe si burim financimi sikur në të kaluarën edhe tani ka donacionet e afaristëve shqiptarë të Gjenevës. Ky organizim bëhet me dëshirën e vetme që përmes lojës së futbollit të krijohen ura bashkëpunimi dhe miqësie me të gjitha komunitetet e botës që jetojnë dhe veprojnë në kantonin e Gjenevës. Andaj si stafi udhëheqës i skuadrës ashtu dhe lojtarët u shprehin mirënjohje të thellë donatorëve të tyre të rregullt që edhe sot po ndihmojnë pakursyer dhe pa dallim race dhe etnie afirmimin e këtyre të rinjve.  Stadiumi si një nga kushtet themelore pa të cilin nuk mund të imagjinohet zhvillimi i aktiviteteve, ofrohet pa kompensim  nga Departamenti i Kulturës dhe Sportit i kantonit të Gjenevës. Kurse shpenzimet tjera si pajisjet dhe pagesa e gjyqtarëve të futbollit bëhet me vetëfinancim dhe donacione të mbledhura.

FC Kosova e Gjenevës gjithmonë ka qenë dhe mbetet e hapur edhe për lojtarët e komuniteteve të tjera. Se vërtet është kështu dëshmon edhe prezenca e lojtarëve të tashëm në ekip si: Syzlovec Michael, Chrystian Racchumick, Mourad Hbabaz, Mahamadu Traore etj.

Pikë  tjetër e lakmueshme e kësaj skuadre  është edhe organizimi i turnirëve me rastin e festave  tona kombëtare. Sidomos duhet veçuar turniri i parvjetshëm “Gjeneva 2016”, në të cilin morën pjesë shumica e ekipeve shqiptare të futbollit të cilat veprojnë në kuadër të Ligave të ndryshme të Zvicrës dhe janë pjesë e Unionit të Klubeve Shqiptare të Futbollit në Zvicër.

FC Kosova e Gjenevës, gjithashtu ka krijuar marrëdhënie të shkëlqyera edhe me Klubet futbollistike të Kosovës. Ajo, në nëntorin e vitit të kaluar pati një pritje të ngrohtë nga FC Vëllaznimi i Gjakovës, me të cilin me rastit e Ditës së Flamurit dhe 104 vjetorit  të Pavarësisë së Shqipërisë, zhvilloi ndeshje miqësore. 

Udhëheqësit e FC Kosova të Gjenevës, kanë hartuar programe afatgjata dhe konkrete. Ata në  një të ardhme të afërt  synojnë inkuadrimin në Ligën Inter-regjionale të Zvicrës dhe krijimin e një Shkolle të Futbollit, nëpërmjet së cilës do të mundësohej  rekrutimi dhe zbulimi më i lehtë i talenteve të rinj të futbollit.

Comments

comments

-----