HYLLI I DRITËS” DHUNOHET NGA “YLLI KUQ I REALIZMIT SOCIALIST”

Nga Fritz Radovani

 

YJET E POPULLIT SHQIPTAR QË NUK FIKEN KURRMA !

 

1911 Rropatej në tabutin e vdekjes gjithë ajo perandori Otomane, e nuk ishte e zonja me marrë as më dhanë kjoftë as amanetet e fundit nder kështjellat e robnueme persa e sa shekuj që vetem, një copë hanë e cungueme tundej nder hunjë ku nguleshin njerzit…

Edhe dielli dukej si i marrun nga pluhuni i kuajve që vraponin drejt ranës së Arabisë.

Shndriste Maja e Bratilës nga bryma e freskët e Prillit, ku Dedë Gjo’ Luli i Hotit kishte ngulë shtizen e latueme me duert e veta dhe, po priste At Mati Prennushin dhe At Buon Gjeçaj me shpalosë nga gjokset e Tyne Flamurin e Gjergj Kastriotit, që per gat 500 vjet turqit e kishin ngjyrosë me gjakun e paster të Martirëve të Atdheut dhe të Fesë… Ishin bash Ata Françeskanë që të zbathun gjindeshin nder shpella e shtigje me Kryq e penë, per me ruejtë nder zemra të Malsorëve trima “Besen, Burrninë e Bujarinë Shqiptare”!

1913 Solli mbi muret e Rozafës një dritë që shndriste, po ma fort vetonte e shkrepte e që, mbarë Shkodra nen gjylet e malazezëve vrapoi tue këndue Hymnin e Flamurit… Po, ishte Flamuri i Gjergj Kastriotit që shndriste nga Ai “Hyll’ i Dritës”, që vetë At Gjergji i Fishtës kishte ravizue me shkronjat e Alfabetit të vet një brilant mbi qiellin e Shkodres. Një brilant që nuk thehej as thermohej, nuk shkyhej as shkrryhej, nuk digjej as fikej po, vezullonte bash si dikur gurt e thepisun në Perkrenaren e Gjergjit të Pavdekshem…

E nga balkoni i kompanjelit u ndigjue një za: “Flamuri i Shqipnisë e ka per nder me u gjuejtë me topa…!” Europa veshtroi e heshti… Harroi se Flamuri në kompanjel ishte vue në unazen e vet nga duertë e Fratit të zbathun që Bjeshkët e Nêmuna pat çue peshë dhe, atë turk të pashpirtë që e ngulte nder hunjë e pat ba naten me ikë me ujq’ e zagar.

Ishte ajo ditë kur qyqet e kulumrijat vajtonin mbi shtizat e zbrituna pergjysë nder ata seli të sulltanëve të Stambollit, ku mrrutat e zeshkta nga tymi marramendës i largonin të keq sulltanëve vrastar e katila të shtrimë si shtazët e egra të hapun shalësh nder shilte.

“Hylli i Dritës” vezullonte edhe kur gjylet binin mbi kompanjelin e Kishës së Madhe!

 

“HYLLI I DRITËS”… Thërriste: “Perpara Burra, o gjallë o dekë per Atdhé e Fé!”…

E Burrat flut’ronin si orla mbi kokat e ushtrisë anmike! “Pasha Zotin iken turqit!..”

Per Ata që e bane me ikë, e bash prej Atyne Burrave me çakçirë e zhgun, po punohet me i harrue tue fillue prej Trimit të pathyeshem të Traboinit, “DED GJO’ LULIT, që me ata dy sy zhgabë që i vezullojshin prej gëzimi, e buzëngërthye nën ata mustakë të bardhë si biluri, me kësulë mbi një sy si bora e Majes së Bratilës, i mbërthyem ndër armët e të Parëve, në atë brez të punuem prej lokes qysh se rrezja e diellit kishte shkrepë ndër ato maje, me ata çakçirë nën të artin xhamadan ku rrahte ORA E SHQIPNISË, aty, po, ishte zëmreku i kombit ku gufonte gjaku i shkuem rrëkajë i Fatosave; aty po, ishte ajo e forta zemër që me duer prej bronxi, ngjiti në atë shtizë të latueme në shekuj atë cohë KUQ E ZI, të qëndisun nga duert e bijave të Rozafës, po, në atë shkam ku asht daltue amaneti i Gjergjit, që për pesë shekuj priti: Agimin e LIRISË…

Po, po, bash AI Burrë, që sot nuk ka as vorr!.. Gati askush nuk e di të vertetën se në qelën e At Matisë, në Gerçë, shkon Imzot Lazër Mjedja dhe organizojnë takimin historik ku përpilohet një dokument i randësishëm: “Memorandumi i Gerçës”, më 23 qershor 1911, që i prinë ngjarjës së madhe të Pavarësisë Kombtare në Vlonë, më 28 nandor 1912. Ky Memorandum u shkrue në gjuhën frenge nga dora e atdhetarit Luigj Gurakuqi dhe u përpilue nga Imzot Lazër Mjedja, Luigj Gurakuqi, At Mati Prennushi, At Buon Gjeçaj, dhe asht nenshkrue nga: Sokol Baci i Grudës, Ded Gjon Luli i Traboinit të Hotit, Dedë Nika Bajraktar i Grudës; Dodë Preçi Bajraktar i Kastratit; Tomë Nika i Shkrelit, Col Dedi i Selcës Këlmendit; Lul Rrapuka i Vuklit të Këlmendit; Llesh Gjergji, Bajraktar i Nikçit; Gjeto Marku i Hotit; Mehmet Shpendi, i pari i Djelmënisë së Shalës; Martin Preka i Shkrelit; Prelë Marku, Bajraktari i Shalës, Avdi Kola Bajraktar i Gimaj, Nik Mëhilli i Shllakut, Pup Çuni Prekalor, Binak Lulashi Toplanas; Bash Bajrami Bajraktar i Nikajve dhe Bec Delia. (Marrë nga libri “Dedë Gjo’ Luli”, autor F.R., 2011)

Porsa “Hylli i Dritës” publikoi këto ngjarje dhe vendimin e “Konferencës së Londres së 1913”, ku “kurva plakë coptoi Tokat Shqiptare nder sllavë…”, revista u mbyllë në 1914!

Rihapja e revistës “Hylli i Dritës” me kambnguljen e At Gjergj Fishtës në 1914, nga një dëshirë e pathyeshme per një Shqipni të Madhe, u përkrah pahezitim nga Imz. Prend Doçi, Imz. Kaçorri, Imz. Koleci, Don Nikoll Gazulli, At Palë Dodaj, Vllaznit Sirdani, At Shtjefen Gjeçovi, At Anton Harapi, dhe afro 50 intelektual laikë me përgatitje dhe prirje Europjane Perëndimore, tue lanë në këte revistë gjurmët që nuk do të shlyhen kurrma!

Penat e Luigj Gurakuqit, Mustafa Krujës, Lluka Karafilit, Zef Palit, Zef Harapit, Mati Logorecit, Gasper Gurakuqit, Mëhill Sulit, Kristo Floqit, dhe Don Ndoc Nikaj apo Imz. Vinçenc Prennushit, edhe sot shndrisin qiellin e Asaj Shqipni që nuk njeh mort…

Aty nga viti 1933, kur Shqiptarëve filluen me i tregue “përralla me mbret”… ishte një nga “detyrat e para të qeverisë”, mbyllja e Revistes “Hylli i Dritës” dhe, bashkë me te edhe e shkollës Françeskane në Shkoder, per të cilën u desht me shkue në Hagë dhe me marrë “çelsat”. Ja pra, një fakt që tregon se kush ishte mbreti i ardhshëm i Shqipnisë, nipi i “dajës Esad” që kur donte me firmosë dokumenta, prej shkollës së madhe që kishte krye në mejtepin turk, fillonte me firmue arabisht… Vdiq edhe ai pa dijtë me shkrue shqip!  

U rrethue me disa universitarë ateista, per me mbulue fëtyren e vertetë anadollake ashtu si ma vonë, kjo metodë do të aplikohej mbas vitit 1944 nga shovenistët sllavokomunistë me sherbëtorin tiran dhe tradhtar Enver Hoxha, dhe pasuesin e tij anadollak Ramiz Alia.

***

1913 – 1944 “HYLLI I DRITËS” u drejtue nga ajka e kulturës sonë kombtare, tue fillue në 1913 e deri sa vdiq nga At Gjergj Fishta. Mbas Tij drejtues ishte At Anton Harapi deri në vitin 1941, kur drejtimin e mori At Gjon Shllaku, deri në vitin 1944, kur u mbyll per mos me u hapë ma, mbasi të dy drejtuesit e fundit u pushkatuen nga E. Hoxha, tue u zbatue kështu urdhni i qeverisë jugosllave, që kishte në mbikqyrje Tokat Shqiptare të Veriut, e shkatrrimin e kulturës së Tyne. Jugu kontrollohej si sot nga shovenistët grek.

Prof. Namik Ressuli, tek “Shkrimtarët Shqiptarë”, fq. 12 – 13, shkruen: “Shkrimtarët kryesorë të këtyne shkrimëve janë: Buzuku, Budi, Frangu i Bardhë, Bogdani e Kazazi… a) Lënda është gati krejt fetare pse u shkrua me qellim kryesor që të mbajë të gjallë e të forcojë në katholiket e Veriut fenë katholike, e cila nën pushtimin otoman kish nisur të shkatërrohej e të çdukej;.. Padyshim ky prodhim Verior është më i rëndësishmi i prodhimëve të pjesës së parë të leteraturës Shqipe, si nga pikëpamja e sasisë dhe e gjerësisë si dhe nga pikëpamja e lendës dhe e mbrendisë. Këta shkrimtarë të vjetër të Veriut nuk janë vetëm të parët që filluan njëfarë lëvizje kulturore në vendin tonë, nuk janë vetëm të parët që i dhanë Shqipës një alfabet – alfabetin latin – po janë edhe të parët që mendojnë e punojnë për Atdhenë e Gjuhën e tyre, për Shqipën e Shqipërinë.

Madje, nga kjo pikëpamje kombëtare ky prodhim munt të lidhej drejtë për drejtë me atë që erdhi pas Lidhjës së Prizrenit.”

Pra, të gjitha këto vlera të Veriut duheshin shkatrrue e zhdukë me kulm e thëmel…

U punue barbarisht per këte qellim nga viti 1944 e deri sa ra Muri i Berlinit në 1989.

Ishin pikrisht autorët e Realizmit Socialist, që marrshonin me “pushkë e kazem” per me shkatrrue Shqipninë e Gjergj Kastriotit… Dhe, mbasi vune maskat e demokracisë, vazhduen regresin që po vazhdojnë edhe sot në gjurmët e vjetra … Me hajninë e veprave letrare e historike dhe në pershtatje me krimin e organizuem, zhdukjet e kundershtarëve politik, korrupsionin, agjenturen, imoralitetin… etj, simbas porosive të Ramiz Alisë.

***

1990 – 1991 Shkodra ishte Flamurtare e Demokracisë në Shqipninë e robnueme.

Rinia Shqiptare kerkonte me ngulm: “E duem Shqipninë si gjithë Europa”!

Modeli i Flamurit Shqiptar në Burgun e Spaçit, u ba shembull per të gjithë Shqiptarët.

Flamuri Kuq e Zi valvitej i Lirë dhe i padhunuem nga “ylli sllavokomunist” i Titos…

Anadollaku Ramiz Alia porositë “agjentët e sigurimit të shtetit” nën masken e njohun të “Akademisë së Shkencave”, “Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të RPSSh” dhe të gjithë levat vllavrasëse të PPSh, “me pasë kujdes nga agjenturat e Vatikanit në Shkoder”!

1992 Me 2 Dhjetor Shqipnia kuadrohet Antare e Konferencës Islamike…

1993 “HYLLI I DRITËS” pushtohet nga “Ylli i kuq i Realizmit Socialist”. Dhunohen,

errsohen dhe shtremnohen materialet shkencore, politike, historike, letrare, poetike, didaktike, polemikat e Autorëve të pavdekshem, dhe thesaret tjera të Visareve të Kombit, që janë perla të çmueshme të Kulturës skalitun nder fletët e arta të “Hyllit të Dritës”!

Pikrisht, kjo ngjet nga ata barbar që krenoheshin per shkatrrimin me “pushkë e kazem”, ndonse, në sirtarët e studjove të veta, kishin veprat e Atyne Kolosëve të “Hyllit të Dritës” prej të cilëve plaçkitnin gjithshka ju vinte perdore, tue fillue nga cili të dishroni ju.., që me ua kontrollue xhepat e mbrendshem të kostumeve si “deputetë”, vazhdojnë me ruejtë nder ta edhe sot të zhublosun flamujt sovjetikë, jugosllav, grekë, turq, francez, italian…

E kur flasin per “demokraci” nuk i vjen turp me shkundë edhe flamurin amerikan!

2017:Sot askush nuk di me folë Gegënisht si “kjoftë për atëherë”: “HYLLI I DRITËS”!

Të parët që luftuen At Fishten me “Lahuten e Malcis” sot janë nder fletët e këtij “Hylli”!

Qellimi kryesor i tyne sot asht “pushtimi kulturor dhe shpartallimi i Shtetit Shqiptar”!

Mos studimi i shkrimtarëve të Veriut nder shkollat Shqiptare, mos botimi i veprave me vlera letrare dhe Atdhetare të Veriut dhe, çensura ndaj Gegënishtes në shtypin e ditës, janë vepra antikombtare që ndihmojnë antishqiptarët në SHKOMTARIZIMIN TONË!

Në gjuhen Gegnishte të “Hyllit të Dritës” kjo quhet vazhdimsi Antishqiptare!

            Melbourne, Qershor 2017.

 

 

 

 

 

 

Comments

comments

-----