Çfarë është Tribuna Shqiptare

Një histori e shkurtër e Tribuna Shqiptare

Në fund të vitit 2002 e fillim të vitit 2003 u krijua albemigrant.com dhe si pjesë e tij ishte Tribuna e Emigrantit Shqiptar (tesh.albemigrant.com). Ndonëse kjo ide ishte e mirë dhe tentonte të pasqyronte mendimet dhe opinionet e emigrantëve shqiptar, vrejtja për emrin më erdhi nga një miku im, shqiptar nga Kosova që pasi më uroi për një nismë të tillë më tha se Tribuna e Emigranëve Shqiptar nuk ka pse të jetë eksluzive për emigrantët por për të gjithë shqiptarët. Vrejtje e drejtë. Kështu Tribuna e emigrantëve shqiptar u bë Tribuna Shqiptare. Në fillim mu desh të punoja me formën dhe gjithshka ishte manuale por me kalimin e kohës e automatizuam futjen e artikujve. Kështu kaluam ne tribunashqiptare.albemigrant.com. Por, edhe kjo formë nuk më kënaqte sepse nuk realizonte kërkesat e kohës. Në janar 2008 blemë një program dhe e instaluam në një subdomain (nën-emër…) tsh.albemigrant.com. Për avantazhet do flasim pak më poshtë. Para dy-tre muajsh një sugjerim tjetër më bëri të bëjë një hap tjetër. Një bashkëpunëtori im edhe ky me origjinë nga Kosova më sugjeroj ta kaloj Tribuna Shqiptare në një domain name që të ketë emrin e vetë TribunaShqiptare.com

Tribuna Shqiptare është një mjet i shprehjes së lirë dhe inteligjente. Tribuna Shqiptare ka si qëllim krijimin e kushteve për një shtyp të lirë dhe ndikues, një shtyp sa argëtues aq shprehës.

Pyetja e parë që çdo kush mund të shtroj është: – Përse unë duhet të shkruaj për Tribuna Shqiptare ? Tribuna Shqiptare nuk ofron ndonjë kontratë. Ata që shkruajnë për Tribuna Shqiptare janë intelektualë shqiptarë që japin opinionin e tyre, që komentojnë për ç’ka ndodh në hapsirat shqiptare dhe në diasporë dhe kjo mbi baza vullnetare. Tribuna Shqiptare u krijon kushtet të lexohen, të komentohen dhe të kontaktohen. Ne kërkojmë mendimin inteligjent, ne kërkojmë pena që shkruajnë për herë të parë, ne kërkojmë sidomos zërin e emigrantëve shqiptar. Kjo e fundit edhe për faktin sepse emigrantët jo vetëm që i shikojnë zhvillimet në hapsirat shqiptare në mënyrë krahasuese me atë çka ata jetojnë në vendet ku janë ngulur por nuk kanë as ndonjë presion siç mund të kenë ata që jetojnë në Shqipëri apo Kosovë.

 Tribuna Shqiptare që do të kaloj në domain name-in e ri më 24 dhjetror 2008 në prag të Krishlindjes nuk do të ketë ndryshime të mëdha nga ajo formë që ka tani. Të gjitha shkrimet e botuara aty do të kalojnë tek faqja e re. Edhe adresat e autorëve do jenë njëjta. Këtu më poshtë keni një imazh të asaj se si do të duket Tribun Shqiptare pas 25 dhjetorit.

Autorë lexoni me kujdes …

Tribuna Shqiptare nuk boton shkrime që na vijnë nga të tretë por nga autorët. Tribuna Shqiptare nuk është blog. Pra, nëse na dërgoni një artikull ne e botojmë nëse autori e ka dhënë pëlqimin e tij për një gjë të tillë. Nëse dërgoni një artikull të një mikut tuaj na dërgoni dhe e-mailin e tij me qëllim që ne të kemi mundësi ta kontaktojmë.

Ka dy lloje autorësh. Autorë të regjistruar dhe autorë të paregjistruar. Për të dalluar nëse ju jeni të regjistruar një gjë të till mund ta shihni në krah të artikullit të publikuar tek Tribuna Shqiptare. Nëse jeni i regjistruar, kur klikoni tek emri i autorit, hapet një lidhje që të çon tek faqja e autorit që përmban një biografi të autorit, e-mailin dhe një listë me artikujt e botuar nga Tribuna Shqiptare. Këtë lidhje ju mund ta vendosni tek adresa juaj e-mail në formë firme.

Autorët e paregjistruar nuk e kanë një privilegj të tillë. Për tu regjistruar ju duhet të dërgoni një biografi të shkurtër dhe një foto. Për autorët e regjistruar në pjesën më të madhe ne nuk i lexojmë artikujt por i postojmë duke patur besim në aftësitë krijuese të autorëve. Pra gabimet e autorëve ngelen të pakorrigjuara.

 Mjete për të parë forcën tuaj …

Autorët që shkruajnë tek Tribuna Shqiptare kanë mundësi të shikojnë forcën e tyre mbi lexuesin. Në krah të ç’do artikulli ju mund të shikoni artikujt më popullor, të ditës, të javës dhe të muajit.
 

Këtu më sipër ju keni shembullin që kur klikojmë mbi ME POPULLORET jemi në gjendje të shikojmë artikullim më të lexuar, më të printuar (shtypur) dhe ata më të dërguar me e-mail. Artikujt mund të vlerësohen gjithashtu me yje nga një deri në pesë.

Artikujt që dërgoni

Jeni të lutur të dërgoni artikuj në formatin word 1997, 2000 apo 2003. Jeni të lutur të mos i përfshini fotot në word por dërgojini me vehte në formatin .jpg. Jeni të lutur të dërgoni foto, qoftë tuajat qoftë foto që kanë të bëjnë me ngjarjen që ju komentoni apo përshkruani. Ju nuk mund ta merrni me mend çafarë bukurie i jep shkrimit një foto…Ngaqë ne marrim një volum të madh shkrimesh, jo gjithmonë ia dalim ti lexojmë të gjithë shkrimet që na dërgoni. Sidomos me ata që janë autorë të regjistruar, botimi bëhet me « besim qorr » pra duke besuar se autori nuk ka bërë gabime. Pra hidhini një sy shkrimit para se të na e dërgoni

Dy fjalë për një parim të rëndësishëm

A lejohen debatet personale tek Tribuna Shqiptare ?

 

Para disa vjetësh, dikush nuk ishte dakord me një shkrim të një personaliteti për të cilin unë kisha dhe kam respekt. Në një reagim, ky person më sulmonte edhe mua. Sigurisht unë e botova. Dua ta theksoj debate, reagime, apo edhe shkrime kundër një shkrimi të një tjetri ne i lejojmë dhe jo vetëm i lejojmë por edhe i nxisim veç me një kusht. Pavarësisht nga gjinia e gjithësecilit, ne lejojmë debate ku nuk humbet parimi i burrërisë, pra ku mungojnë fyerjet banale dhe sharjet. Nëse dikush dërgon një shkrim ku citohet dikush tjetër, ndonëse botimi nuk do të thotë se ne mbështesim njërën apo tjetrën palë, ne brenda mundësive e njoftojmë personin e cituar në një shkrim me qëllim që ai/ajo të ketë mundësi të mbroj pikëpamjen e vetë apo edhe ta injoroj shkrimin. Kjo për vetë faktin se askush nuk duhet të sulmoj një njeri që i ka duart të lidhura dhe që nuk mund të mbrohet. Nga një debat inteligjent përfitojnë të gjithë. Ashtu si në çdo botim, kur një shkrim ka emër dhe mbiemër, është autori dhe vetë autori përgjëgjës për çka shkruan.

A ka kufizime Tribuna Shqiptare ?

Tribuna Shqiptare nuk lejon botimin e shkrimeve që nxisin urrejtje mes shqiptarëve, glorifikimin e figurave negative (diktatorëve dhe diktaturave) shqiptare apo të huaja, shkrimet që nxisin urrejtje fetare, ndërkrahinore etj. Gjithashtu shkrime të dobëta nga ana gjuhësore dhe që nuk nuk arrijnë të kenë një minimum cilësor nuk do të pranohen.

Ndihmoni Tribuna Shqiptare

 

Tribuna Shqiptare është një faqe jo komerciale. Ju mund ta ndihmoni atë duke e bërë faqe të fillimit, duke marr pjesë me shkrime apo me komente të lira. Nëse keni një biznes dhe doni të sponsorizoni duke reklamuar tek Tribuna na kontaktoni.

Ajet Nuro

Adminstrator

anuro@albemigrant.com

-----