Arti, gjuha dhe origjinaliteti i “Mjeshtres së Madhe” Vilhelme Vranari Haxhiraj në 20 vite krijimtari

Nga Lejla Gorishti  

 

U bënë 20 vite punë e lodhshme në fushën e krijimtarisë letrare të shkrimtares vlonjate Vilhelme Vranari Haxhiraj që na bën të ndihemi krenar. Ajo hyri në këtë fushë sa të vështirë dhe po aq të bukur e me vlerë,  me një konceptim dhe këndvështrim të ri Ndryshe mbi botën, natyrën, shoqërinë dhe artin letrar.

    Demokrate në shpirt, me aspirata e me një vështrim të ri ndryshe për lindjen e zhvillimin e demokracisë në vend, ka ecur dhe vazhdon të ecë përkrah lëvizjes mendore më përparimtare të kohës. Mbështetëse e lëvizjeve demokratike,Vilhelmja bëri një hap të guximshëm në zhvillimin cilësor të një letërsie ndryshe e në këtë mënyrë doli jashtë kornizave të realizmit socialist. Duke kaluar nga një gjini letrare në një tjetër derisa sot themi pa frikë se ajo ka lëvruar thuajse në të gjitha gjinitë dhe kudo ka dalë e suksesshme. Me stilin e saj thellësisht realist dhe kritik në problematikat e kohës, ajo ka pasuruar traditën ekzistuese, jo vetëm me elementet e kritikës, po dhe me notat e një demokracie europiane, gjë që e bën letërsinë e saj bashkëkohore.
Në këtë këndvështrim me përmbajtjen dhe formën e re që solli, Vilhelmja është një novatore e shquar, një nga pararendëset e letërsisë së sotme moderne.Ajo pasqyron me vertetësi gjendjen reale të shoqërisë së çdo kohe ,pabarazinë shoqërore e veçanërisht pabarazinë gjinore. Shkrimtarja ia doli me artin e portretizimit, t’i rijapë të gjallë përfaqësuesit më tipikë të shoqërisë në rrethanat e kohës, duke nxjerrë në pah imazhin farsë që fsheh, zbeh ose zvogëlon diferencimi klasor dhe gjinor…

  Personazhin “Femër”, shkrimtarja e paraqet si viktimë të ndërtimit të padrejtë të shoqërisë dhe tregon gjendjen e saj të robëruar,  në mosha, profesione dhe në mendësi të ndryshme.Te fati i saj ndikon diferencimi klasor, mosvlerësimi si një potencial i rëndësishëm në familje, në komunitet e në rang kombëtar, ndaj tarjtohet e papërfillur, si shtojcë e burrave, apo përdoret si mjet fitimi përmes shfrytëzimit dhe poshtërimit të pashembullt, si Stela, te romani”Dhembje nëne“, lrena Prizreni, te romani“Rrëfim në të perënduar“, Elisa te novela “Çmimi i dualizmit” apo Kaltra te romani “Loja e mëkatit“.
Në skicat apo në tregimet e novelat, shkrimtarja i jep vertetësi personazhit dhe idesë.Duke qenë pjesë e gjysmës së vuajtur e të mohuar të sistemit , portretet përvijohen duke nxjerrë në pah më fort tiparet morale se sa ato fizike. Personazhi realizohet me përshkrimin e shpejtë të gjesteve dhe kryesisht me anë të monologut të brendshëm. Mund të përmendim këtu prozën e shkurtër të titulluar ” Dashuria plagoset, po nuk burgoset“, ku në çdo paragraf lexuesi përjeton një gjendje të dhimbshme.
   Pothuajse në të gjitha personazhet duke përfshirë edhe vet shkrimtaren, janë  të zhytur thellë në mendime që përpëliten brenda realitetit në një jetë të brendshme intensive, ku në retrospektivë flet e lëngon shpirti i plagosur. Mbi bazën e tipareve të skicuara me disa detaje, imagjinata e lexuesit i rindërton ato në kompleksitetin e tyre e në perputhje me kushtet sociale, ekonomike e politike të kohës. Pikërisht këtu qëndron një nga vetitë e artit të Vilhelmes.
Njerëzit e thjeshë, autorja i ka përshkruar me ndjenjën e dhembjes, por dhe të dashurisë, kurse anën tjetër të kësaj ndasie të padrejtë si dhe veglat e tyre, i përshkruan me përbuzje, me ironi e deri në sarkazëm. Edhe pse e revoltuar nga padrejtësitë e kohës, si askush tjetër, ajo thotë:”Zgjatma dorën te ecim bashkë!”
Qëllon shpesh gjatë leximit të ndalemi te shumë shprehje figurative me ngarkesë emocionale të përafërta me ato të folklorit, porse janë shprehje të reja frazeologjike të tilla:
-Kush i del pushkës përballë, nuk i trembet plumbit!/-Me një të shtrënguar dore, ndanin gjerdhe dhe sinore./- “Zoti pa burrë mos më lëntë, po një të tillë mos ma dhëntë!”/- Nëna pa mend e që flet pa qira, i fut djemtë në bela./-Faji ngelet jetim…U bë qyrk e doli në rrugë, por askush nuk e pranoi si të vetin./- Mos lejo të të pushtojë zemërimi, se t’i vesh sytë e ta errëson gjykmin!”etje…

Gjuha letrare artistike në funksion të brendisë
 

Në rrugën 20-vjeçare të saj, stili letrar, gjuha artistike ka njohur rritje të vazhdueshme.Duke u rikthyer te vepra e saj e parë, vëllimi poetik”Loti nuk ka faj”ku po të vërejmë nivelin artistik, shprehjet figurative apo pasigurinë metrike, të gjitha këto flasin për një përvojë letrare fillestare. Nëse e krahasojmë këtë vëllim poetik me romanin e saj të parë “Dhembje nëne“, që u botua menjëherë pas tij, ajo është ulur aty tamam si një nxënëse apo një studente e zellshme që kërkon të zerë vend në kolanën e letërsisë pse jo, edhe të arrijë rezultatet e më të mëdhenjëve. Synimin për të qenë vetvetja në këtë fushë, e ka realizuar jo vetëm nga tematika dhe përmbajtja, por edhe nga stili letrar, gjuha e pasur artistike, si dhe nga përngjasimi i frazeologjisë dhe i fjalorit poetik në çdo vepër të botuar. Në këtë prurje të bollshme letrare, autorja  si risi ka sjellë një pasuri fjalori, me fjalë që nuk përfshihen në Fjalorin sinonimik, që zëvendësojnë një tog fjalësh dhe që kanë forcë shprehëse. Ose përdor shumë shprehje frazeologjike të njohura nga folklori, por edhe të reja, që i japin veprës vlera të mëdha filozofike e psikologjike, duke e bërë më të lexueshme dhe më tërheqëse.
  Vit pas viti, botim pas botimi, diçka krejt origjinale, krejt ndryshe, fillon të spikatë në larminë e tematikave, në trajtimin e problematikës së tranzicionit dhe veçoritë e saj artistike. Brenda periudhës përherë në ngritje të krijimtarisë së saj (1996- e në vazhdim) autorja i jep çastet e frymëzimit përmes figurash të pasura e të larmishme.

    Vihet re se epiteteve tepër të konsumuara, ose të përdorura pa mjeshtëri, ua zënë shpesh vendin epitete të reja me fjalë të reja që i kanë dhënë origjinalitet stilit të saj letrar. Me mjete krahasuese dhe shprehëse, Vilhelmja i jep forcë e qartësi mendimit mbi problemet sociale që shqetësojnë autoren dhe mbarë shqiptarët. Ajo ngre zërin kundër plagëve të vjetra dhe të reja të shqiptarëve, të cilat kërkon t’i mjekojë me mendimin dhe fjalën e saj letrare, që buron nga një shpirt i mardhur e i lënguar ndër vite. Autorja ngrihet me një zë të fuqishëm, kundër çdo lloj padrejtësie, diferencimi dhe mohimi klasor apo social, si: trafikimit dhe përdorimit të narkotikëve dhe armëve, kundër krimit spontan apo të organizuar, kundër trafikut të mishit të bardhë, që është shndërruar në një industri fitimprurëse,kundër tregtimit të fëmijëve, kundër korrupsionit dhe sa e sa dukurive negative. Këto vihen re në të gjitha veprat e Vranarit, por unë po veçoj romanet “Ringjallur si Krishti”, “Loja e mekatit” , “Vonë tejet vonë“, “Ankthi i së vërtetës”,”Jetë në udhëkryq”, “Rrëfim në të perënduar”, “Një mall i pashuar”etjeku personazhet, viktima të fenomeneve negative, këlthasin e ulërasin pasi kërkojnë ndryshim,duan drejtësi.
Ndjenjat më të thella kombëtare dhe shoqërore janë shprehur me të shumtën e rasteve nëpërmjet personifikimeve apo apostrofave, drejtuar atdheut, flamurit, Vlorës, detit, natyrës prrallore të vendit. Duke u bërë dëshmitare të së kaluarës dhe të tashmes, ajo përmes letërsisë ka lidhur tri kohët, ku shprehet: “E sotmja tronditëse, nuk më lë të harroj të djeshmen tragjike dhe të mendoj për të nesërmen dilemë që po troket…!” .Ky është motivi që e udhëheq autoren në çdo vepër sepse, “nuk mund të jetë e sigurtë e ardhmja, nëse nuk pranojmë të shkuarën dhe të tashmen”-shprehet me të drejtë ajo. Mungesa e drejtësisë në vend , ku ligjin e bënë dhe e zbaton paraja apo rruga, ajo shprehet: “Drejtësia është e barasvlertë me lirinë e shpirtit, të cilën e vendos vetëm i virtytshmi!”

    Po këmbëngulja e njohur për pasuri letrare artistike, për larmi në funksion të përmbajtjes, u bë më pas një meritë e saj.
E tërë rruga 20-vjecare e krijimtarisë së Vilhelmes mund të përfytyrohet si një kurbë që fillon të ngrihet mbi pengesat që has, arrin në kulmin e saj dhe vazhdon të qëndrojë po aty. Gjuha e autores është e pastër, ajo është njohëse e mirë e normës letrare të gjuhës shpipe, të cilën di ta përdorë, ta flasë e ta shkruajë bukur atë. Pasuron fjalorin vazhdimisht si mjet arti dhe stilin e saj artistik duke krijuar dhe fjalë të reja me efekt stilistikor. Për shembull:
*epokbëmat- kohë të mbushura me ngjarje,/ -zhegvere,- i nxehti përvëlues i verës,/

-laklitarë -e kishte litarin si lak në fyt,/-hallvite, -vitet e gjata vuajtjesh e mjerimi,/

-mikgjendur, – iu gjend si mik,/ -tejzvargur,- ( mëse / tepër/ shumë i zvarritur/  

-Nënnjeri- njeri me nivel jo normal në gjykim,/ -nënzëshëm-nënzëriti= foli me zë të ulët sa mezi dëgjohet,/ -i parlindur -lidhet me brezat e shkuar,lindi i pari fëmijëve,/

-Nevetja – qenia ime,/ -mallzhuritur=e dogji, e përzhëliti mall i madh për gjithçka,/

-buzudha- sapo fillon një rrugë këmbësorësh,/-fatcak= deri këtu e kishte fatin( kufiri i fatit,/-anrrugë= në anë të rrugës, ose anës së rrugës, etje…

Në  mbi  40 librat e saj ndeshim neologjizma, përzierje të formave dialektore, frazeologji poetike e folklorike apo aforizma të goditura që i japin bukuri dhe gjallëri të veçantë artit të saj letrar. Le të shohim disa aforizma, ndryshe do t’i quaja fjalë të urta, për të cilat kemi nevojë:

*Shkenca është fuqia sunduese dhe mjeti që i kundërvihet paditurisë./  -Nevoja e bën njeriun të gjejë rrugë të reja në zbulimin e të panjohurave,/ -S’ka vlerë shkenca dhe ligjet e saj, kur s’gjejnë zbatim,/ -Shkenca ka vlerë kur i shërben zhvillimit e jo shkatërrimit,/ -Tradita, sjellja e mirë apo vesi trashëgohen nga familja,kryesisht nga nëna,/-Nuk mund të jesh qytetar i mirë, nëse nuk je bashkëshort i mire,/ -Gruaja është shtëpia, por emrin e mirë të familjes e merr burri,/ -Femra që rend pas burrit paralli e bukurosh, është e paracaktuar të jetë fatkeqe,/ -Gruaja të cilën burri e konsideron shok, është një thesar vlerash i paçmuar,/-Njeriu i aftë e besnik, meriton vëmendje dhe nderim.

Si një nga figurat më të vlerësuara të letërsisë së viteve të pas’90-ës, si brenda dhe jashtë vendit, i janë akorduar shumë çmime prestigjioze, Vilhelmja, është njëkohësisht edhe një ndër shkrimtaret e rralla me diapazion më të gjerë krijimtarie, shumëdimensionale që vazhdon të japë një kontribut të vyer në letërsinë shqipe. Për prurjen sasiore dhe cilësore në dobi të zhvillimit të artit letrar në Shqipëri ajo është vlerësuar me shumë çmime të para, me Çmimin e Karrierës, me Medalje Argjendi, kurse nga Presidenti i Republikës me urdhrin “Mjeshtre e Madhe e Penës” dhe me Medalje Ari.

  Në disa çaste të rëndësishme historike, sidomos në vitet e para të demokracisë, Vilhelmja si prozatore, romanciere dhe si publiciste, përfaqëson mendimin më përparimtar të kohës. Publicistika e saj kombëtare dhe shoqërore përshkohet nga vërtetësia e realitetit politiko -social dhe është një kontribut i madh në zhvillimet e një demokracie perëndimore, e shprehur  përmes veprave letrare.
Ajo sjell një pasuri fjalori e një përvojë të çmuar për brezat dhe qëndron rehat në shtratin e gjerë të letërsisë shqipe si një art bashkëkohor modern dhe një shkrimtare krejt origjinale.
29-5-2017

Comments

comments

-----