KAEF – Destinacion Suksesi!

Nga Mimoza Dajçi Boletini

New York, Maj 2017

Në një nga ambjentet e “Russian Tea Room” në Manhattan, Fondi i Edukimit Kosovë – Amerikë mbajti si zakonisht darkën vjetore dedikuar Kosovës në lëmin botëror, ku të ftuar special ishin kongresmeni Eliot Engel dhe futbollisti i famshëm shqiptar Lorik Cana. Mbrëmja e mbajtur në New York, u moderua nga Këshilltari për arsimim pranë Fondacionit KAEF – Gazmend Gjonbalaj, i cili përveç të tjerave në fjalën dhe falenderimet e rastit u ndal tek sukseset e studentëve shqiptarë nga Kosova që kryen studimet në universitetet prestigjoze amerikane dhe më pas u kthyen të punojnë në atdhe në fusha të ndryshme të biznesit, politikës, artit, sportit, administratës publike etj. 

Arritjet e KAEF – tha ai – në edukim dhe zhvillim kanë tërhequr edhe vëmendjen e ndërkombëtarëve përsa i përket sukseseve të vetë individit në Kosovë, të cilët u diplomuan në gazetari, diplomaci, shkenca ekzakte, politikë, ekonomi etj. 

 

 
KAEF nē vetëvete përmban një program akademik me synim dhënien e bursave studentëve nga Kosova me rezultate të larta dhe të talentuarve, si dhe ofron mbështetje për master, gjë që njëherësh është pasqyrë e një imazhi pozitiv për Kosovën në syrin e botës së qytetëruar. Gati 90-të të rinj deri më tani janë kthyer në vendlindje për të patur një Kosovë të zhvilluar, përparuar, të cilët premtojnë të jenë të aftë të luftojnë korrupsionin e të ndërtojnë paqen në vend.
Në këtë takim fjalën e morën gjithashtu kongresmeni Eliot Engel, futbollisti dhe patrioti Lorik Cana, Assemblyman Mark Gjonaj, Ambasadorja Teuta Sahatqija, etj. 
Përveç të ftuarve të rastit ku morën pjesë edhe bashkëthemeluesit e KAEF Ed Hammel me zonjën, piktoren e njohur Barbara Hammel, Ambasadorja e Kosovës në Washington D.C. Vlora Çitaku, i ftuar nderi gjithashtu ishte edhe Këshilltari i Presidentit Nishani, Flamur Gashi. 
Fondacioni i Edukimit Kosovë – Amerikë themeluar në vitin 2004, ka ofruar rreth 90 bursa të nivelit master për studentë nga Kosova. Ndërkohë Assemblyman Mark Gjonaj dekoroi këtë mbrëmje me Proklamatë Nderi kongresmenin Eliot Engel, futbollistin Lorik Cana, Granit Gjonbalaj dhe disa studentë të tjerë.  
Gala e Edukimit në Manhattan, New York, kaloi këndshëm dhe në harmoni në ambjentin e bukur “Russian Tea Room”, dhe u ndoq jo vetëm nga media e shkruar, por edhe nga TV Zëri i Amerikës dhe TV 21.
KAEF me Çmimin “David Gotaas” dekoroi këtë vit filantropistin Granit Gjonbalaj. Duke u mbyllyr me duartrokitje sipari i këtij eventi, Gazmend Gjonbalaj theksoi se KAEF është shndërruar tashmë në një mekanizëm shtysë të zhvillimit në Kosovë, për të gjithë bursistët që kthehen në Kosovë dhe marrin role të rëndësishme e me ndikim në të gjitha fushat e jetës.

Comments

comments

-----