Filarmonia e Vjenës në Carnegie Hall

Nga Mimoza Dajçi

 

Pas shfaqes spektakolare që Filarmonia e Vjenës dha në Kryeqytetin Shqiptar edhe artëdashësit New York-ez patën kënaqësinë të shijonin këto ditë tingujt e Straussit, Mozartit dhe Beethovenit në Carnegie Hall Manhattan. Qindra të rinj e të reja muzikantë, profesionistë, pasionantë të muzikës klasike, si zakonisht edhe aristokracia amerikane, ndoqën nga afër muzikën tradicionale dhe contemporale të Filarmonisë së Vjenës. 

Orkesatra e Vjenës filloi të japë koncerte muzikore në New York qysh nga viti 1989, ku vazhdon edhe sot këtë traditë të bukur artistike. Dirigjent i këtij sezoni dimëror në New York ishte përzgjedhur Dirigjenti i Orkestrës Simfonike të Cleveland-it Franz Welser – Most, i cili ka kohë që ka lidhur kontratë pune me Filarmoninë e Vjenës. 

Pranë kësaj filarmonie performojnë kryesisht instrumentistë austriakë, por ka edhe të huaj, mes tyre edhe dy shqiptarë. Njihet tashmë violinisti Shkëlzen Doli dhe në çelo luan Edison Pashko. Eshtë për tu vlerësuar ky fakt se të aderosh në një orkestër me famë botërore nuk është e lehtë, por falë talentit, punës dhe suksesit edhe shqiptarët kanë arritur majat e muzikës botërore.

Violinisti Shkëlzen Doli performoi Shtatorin e kalur përkrah yllit të muzikes shqiptare Rita Ora me rastin e Shenjtërimit të Nënë Terezës në Vatikan. Ai gjithashtu u bë promotor midis qeverive shqitpare dhe austriake që Koncertet e Vjenës të shfaqeshin për herë të parë edhe në Shqipëri.

Koncertet e Filarmonisë së Vjenës janë ngjarjet më të ndjekura në botë, ku përveç muzikës ka edhe kërcime nga balerinët e Operas së Shtetit, kryer në ambjentet e brendshme dhe të jashtme të pallateve historike prestigjioze të Vjenës. Baletet ndiqën për arsye logjistike, vetëm nga publiku televiziv. Biletat për të ndjekur koncertin shiten nëpërmjet internetit në muajin janar, pothuajse një vit para koncertit.

Për më shumë se 170 vjet, tingujt e orkestrës vjeneze dëshmojnë cilësi të rangut të lartë. Origjina e orkestrës lidhet me Operan e Oborrit, muzikantët e së cilës ishin Mozarti, Beethoveni etj. Filarmonia e Vjenës jep vazhdimisht koncerte në kuadrin e “Javëve të Filarmonisë së Vjenës”. Koncerti i parë mbajtur në New York shënon vitin 1989 e deri në ditët e sotme. 

Në vitin 2005 Filarmonia e Vjenës u shpall Ambasadore Nderi e Organizatës Botërore të Shëndetësisë.  

Comments

comments

-----