Komunikimi i kryepolitikanit me njerëzit e thjeshtë kërkon art

Nga Prof. Dr. Eshref Ymeri

 

Fyerjet janë të palejueshme në gojën e një kryepolitikani

Praktika jetësore vërteton në çdo rast se gjatë një konflikti të një politikani me një njeri të thjeshtë, soditësit e paanshëm janë të prirur të pranojnë se të drejtë ka ai që është i vetëpërmbajtur, që ruan gjakftohtësinë dhe arrogancës nuk i përgjigjet me arrogancë. Për pasojë, mirësjellja bën që njeriu jo vetëm të fitojë simpatinë e njerëzve të edukuar, por edhe të ruajë ndjenjën e dinjitetit personal. Gjatë një debati apo konflikti politik, mirësjellja shërben si mjet për të mbrojtur të drejtën tënde.

Si krijues i traditës së komunikimit të kryepolitikanit me popullin e vet, me ndihmën e mjeteve të informimit masiv, mund të konsiderohet presidenti amerikan Franklin Ruzvelt (Franklin Roosevelt 1882-1945). Në histori janë skalitur të ashtuquajturat “fireside chats” (biseda pranë oxhakut), të cilat ai i pati zhvilluar me popullin e vet përmes valëve të radios gjatë 11 vjetëve – nga viti 1933 deri në vitin 1944. Një praktikë të tillë ai e pati provuar për herë të parë kur po kandidonte për postin e guvernatorit të Nju Jorkut. Kjo mënyrë komunikimi rezultoi mjaft e dobishme. Duke iu përgjigjur pyetjeve për çështje nga më të mprehtat që shtroheshin në letrat e lexuesve, kandidati grumbulloi shumë pikë në garën parazgjedhore.

Kur Ruzvelti u zgjodh president dhe hyri në Shtëpinë e Bardhë, mjetet e informimit masiv shpërthyen me tërë kapacitetin e tyre, në mënyrë që idetë e tij t’i përcillnin deri te amerikanët e thjeshtë. Por rezultoi se “bisedat pranë oxhakut” paskëshin qenë më të kapshme. Me një mënyrë të foluri të çlirët, të qetë dhe të kuptueshme, presidenti, përmes valëve të radios, pati shpjeguar arsyet e ndryshimeve të ndodhura, duke përgënjeshtruar thashethemet dhe duke larguar frikën. Monologu vazhdonte nga 15 deri në 45 minuta. Shpjegimet e veta presidenti i shoqëronte shpeshherë me shaka të këndshme, duke zgjedhur fjalë nga më të thjeshtat, në mënyrë që mendimi i tij të arrinte deri poshtë, te të gjitha shtresat e shoqërisë amerikane. Edhe vetë presidenti e kishte për zemër një format të tillë komunikimi, i cili i krijonte mundësinë të fliste më lirshëm, duke shmangur me këtë rast domosdoshmërinë e kontaktit personalisht me njerëzit, çka për të, si kryepolitikan i sëmurë me poliomieilit, ishte jo pak e rëndësishme. Përfundimisht, Ruzvelti arriti të hynte konkretisht në shtëpinë e çdo amerikani, duke iu krijuar njerëzve ndjesinë se ata ishin duke marrë pjesë në marrjen e vendimeve që ushtronin ndikim mbi jetën e vendit.

Duhe u ndalur në praktikën e komunikimit të Kryeministrit Rama me njerëzit në mbarë vendin, njeriu i thjeshtë nuk mund të rri pa përsiatur. Kryeministri shpesh përdor ironinë, i shpotit njerëzit e thjeshtë. Madje herë-herë arrin deri aty, saqë të krijojë skena që përbëjnë subjekt për humoristët tanë të talentuar. Në një rast, atij qytetarit nga fshati Cakran të Mallakastrës i kërkonte me këmbëngulje që, nga mikrofoni, t’i drejtohej kryetarit të opozitës Lulëzim Basha të pranonte të uleshin në dialog. Ky ishte një qëndrim i hapur ironik, për të mos thënë tallës, ndaj kryetarit të opozitës në një mjedis njerëzish të thjeshtë, në praninë e të cilëve Rama po e vinte në pozitë të vështirë qytetarin e çiltër të atij fshati.

Po më mirë le të flasim me gjuhën e fakteve, se si Kryeministri Rama komunikon me njerëzit e thjeshtë gjatë fushatave zgjedhore. Nëse e quan të arsyeshme, le të nxjerrë mësime nga ato mënyra të papranueshme që ka praktikuar në fushatat e kaluara zgjedhore dhe të mundohet të mësojë nga arti i komunikimit të Presidentit Ruzvelt me shtresat e gjera të popullit amerikan.

Ja çfarë shkruan nga Nju Jorku një publicist i  mirënjohur shqiptar:

“Kryeministri ynë i “nderuar” thotë për kryetarin e opozitës se “kastravec hyri e kastravec doli”. Në Pogradec ai i “gajasi” njerëzit kur iu tha se po të ishte gjallë Lazgushi do t’i lëshonte qenin kandidatit të opozitës. Refren i përbashkët i disa prezantimeve të tij ka qënë se po të votojnë për opozitën, do e kenë të vështirë, në mos të pamundur, të marrin fondet e nevojshme për zhvillimin e bashkive. Po të mos e kisha dëgjuar me veshët e mi, nuk do ta besoja kurrë një deklaratë të tillë që jo vetëm nuk ka asgjë të përbashkët me lirinë e demokracinë, por më duket dhe kriminale, se t’i heqësh ndihmat një bashkie, do të thotë të mos i krijosh mundësi asaj për të hapur vende pune, pra, t’u heqësh njerëzve kafshatën e gojës. Një Zot e di se si ia lejon vetes kryeqeveritari ynë të lëshojë lart e poshtë deklarata të tilla dhe si mund të heshtin ata që e dëgjojnë e i shkojnë pas?! Në takime të tjera ai ka pohuar se “kandidatët janë burra të mirë, por nuk bëjnë për të drejtuar bashkinë dhe se atij i vjen keq që nuk ka ndonjë motër t’ua japë për grua.” Do të kalojnë vitet dhe deklarata të tilla do të përbëjnë fondin e artë të barcoletave politike, se dhe muhabete kafenesh të ishin, do dukeshin bajate, të tepruara e pa pikë humori. S’ka si   mos të të vijë keq për ata që e dëgjojnë që janë të detyruar të qeshin të sforcuar, se, në të kundërtën, mund të kishin pasoja” (Citohet sipas: Andon Dede. “Shansi i humbur i zgjedhjeve lokale”. Marrë nga faqja e internetit e gazetës “Dielli”. 05 qershor 2015).

Vazhdojmë me një tjetër publicist, pedagog në Universitetin e Tiranës:

“Kam qenë në mëdyshje këto ditë fushate nëse do të paraqitesha apo jo më 21 qershor në qendrën e votimit. Për kë të votosh?… Por ja që mes këtyre dyshimeve, të vjen papritur një mesazh përmes ekranit të televizionit nga Kryeministri Edi Rama dhe mesazhi është ky:

“Kush voton opozitën, është budalla dhe PD po bën një fushatë për të mbledhur budallenj. Gratë e demokratëve të ndahen nga burrat e tyre budallenj, të bëhen të zgjuara, domethënë socialiste. Opozita është destruktive. Nëse votoni kandidatët e djathtë, qytetet dhe fshatrat tuaja nuk do të marrin asnjë investim nga qeveria. Ka dalë një diversant me emrin Dritan Memushi në Tepelenë që po u kërkon votat. Asnjë votë për atë”.

Dhe pasi i ka fërkuar krahët Tërmetit, duke e inkurajuar për “fitoren e tij publiçitare”, i sulet Përmetit dhe kandidatit të tij dhe pas Përmetit qyteteve të tjera për fitoren plebishitare” (Citohet sipas: Mark Marku. “Unë jam “budalla””. Marrë nga faqja e internetit e gazetës “Panorama”. 15 qershor 2015).

Rama në Shënkoll: “Budallallëk të mendosh t’i japësh votën PD-së” (Citohet sipas faqes së internetit “Sot News”. 03 qershor 2015).

Kandidatin e Partisë Demokratike për kryetar bashkie në Tepelenë, Kryeministri Rama na e quakej “diversant”! Pra, sipas këndvështrimit të tij, ai na qenkej “armik”! Ky ishte njw “kontribut i shquar” i kryeministrit të vendit për mbjelljen e përçarjes në radhët e votuesve në atë fushatë zgjedhore. Thirrja e tij “asnjë votë për atë”, të kujtonte thirrjet e komunistëve shqiptarë në fushatën zgjedhore për zgjedhjet e 02 dhjetorit të vitit 1945.

Domethënë, Kryeministri Rama, gjatë fushatës zgjedhore, nisur nga leksiku që përdor, kërkon t’i përzërë demokratët nga realiteti shqiptar, a thua se ai nuk është kryeministër në shërbim të mbarë popullit shqiptar. Unë jam i bindur se në radhët e Partisë Socialiste ka mjaft intelektualë të kultivuar, të cilët kanë një tjetër këndvështrim për mënyrën e komunikimit me njerëzit e thjeshtë, që dinë ta çmojnë lart etikën e bashkëbisedimit me ta, ashtu si Presidenti Ruzvelt dinte të komunikonte me aq thjeshtësi dhe ngrohtësi me mbarë popullin amerikan.

Por, me sa duket, Kryeministri Rama, përsëri, edhe në këtë fushatë zgjedhore, do të vazhdojë po me të njëjtën mënyrë komunikimi me njerëzit e thjeshtë, duke e paraqitur opozitën si një “gogol”, prej të cilit votuesit duhet të ruhen si djalli prej vetëtimës: të mos ia japin votën, të gjitha votat ata t’ia japin vetëm partisë socialiste. Mënyra tradicionale e tij në qëndrimin ndaj opozitës, si ndaj një “armiku”, doli në pah shumë mirë edhe gjatë një takimi që ai pati para pak ditësh me fermerët në Korçë, ku deklaroi:

“Nëse ata që dolën nga çadra rifuten në zyra, bëhet çadër gjithë shteti prapë nga e para, edhe çadër që na zë brenda të gjithëve, siç na zuri në 97-ën…” (Citohet sipas: “Ora News – Rama: Nëse çadra vjen në pushtet, na zë brenda të gjithëve, si në 1997”. Faqja e internetit “Lapsi Lajme”. 20 maj 2017).  Pra, ata që na qenkan në gjendje për ta shpëtuar Shqipërinë nga katastrofa e 97-ës, na qenkan “vetëm” Partia Socialiste dhe “vetëm” Kryeministri Rama!

Qytetarët e Republikës së Shqipërisë, gjatë zhvillimit të fushatave zgjedhore, kanë dëshirë të dëgjojnë se si partitë politike i shpalosin programet e tyre ekonomike, se si ato e zhvillojnë garën, duke treguar me fakte përparësitë e programeve të tyre. Pikërisht gjatë atyre fushatave ata kanë dëshirë të dëgjojnë nga politikanët, por sidomos nga kryepolitikanët, që t’u drejtohen zgjedhësve për të gjykuar se cili program është më i miri, se cili program siguron punësimin e njerëzve, ndihmon shtresat në nevojë, ngre pensionet dhe pagat e punonjësve të administratës shtetërore dhe, përgjithësisht, luan një rol të dorës së parë në ngritjen e nivelit të përgjithshëm të jetesës, siç veprohet në vendet perëndimore, me demokraci të konsoliduar. Por kryepolitikanët tanë, deri tani, nuk u janë drejtuar asnjëherë me pyetje të tilla shtresave të gjera të popullit, në mënyrë që ato të zgjedhin programin më të parapëlqyer. Përkundrazi, politikanët përgjithësisht dhe kryepolitikanët veçanërisht, gjatë fushatave zgjedhore përdorin gjuhën e konfliktit ndaj kundërshtarit politik, kanë qejf ironinë, sharjet, shpotitë, talljet, çka ndikon negativisht te njerëzit e thjeshtë, duke nxitur urrejtjen dhe përçarjen, të cilën e kemi të trashëguar që nga kohët e kryehershme. Do të ishte mirë që kryepolitikanët, gjatë kësaj fushate zgjedhore që fillon sot, të mundohen të shpalosin artin e tyre në komunikimin me zgjedhësit e vet, duke respektuar me kulturë qytetare kundërshtarin politik. Kjo duhet theksuar në respekt të qytetarëve të thjeshtë, paçka se leksiku i vrazhdë që ata do të përdorin kundër njëri-tjetrit gjatë kësa fushate, do të jetë thjesht sa për sy e faqe, se aleanca e tyre e fshehtë është e thellë. Ajo aleancë u çimentua me ndryshimin e Nenit 449 të Kodit të Procedurës Penale për Amnistinë që aprovoi Kuvendi para do kohësh, sipas të cilit të gjithë politikanët pajisen me një mburojë të fuqishme kundër Reformës në Drejtësi dhe tërë bëmave të tyre korruptive u vihet një gur i rëndë përsipër. Ndryshimi i atij Neni  pasqyron talljen më shembullore të klasës politike me popullin shqiptar gjatë kësaj periudhe të pluralizmit. Sipas atij Neni të ndryshuar, politikanët na paskan qenë “qelibar” gjatë periudhës në fjalë, kurse mëkatarë, siç thotë Kryeministri Rama, na qenkan vetëm gjykatësit dhe prokurorët, mbi të cilët dashka të bjerë “dajaku” i Reformës në Drejtësi! Kësisoj dolën parashikimet që pata bërë gati një vit e gjysmë më parë në artikullin me titull “Reforma në Drejtësi: do të mbarset mali dhe do të pjellë një mi”, të cilin e pata botuar në internet më 28 janar 2016.

Ajo që i ka lënë një shije të keqe çdokujt që e ka të shenjtë dinjitetin personal, është fyerja e rëndë që Kryeministri Rama i bëri ditën për drekë Kryetares së Bashkisë së Shkodrës, zonjës së nderuar Voltana Ademi, gjatë vizitës që bëri në Shkodër, për t’u takuar me të rinj që votojnë për herë të parë. Në takimin me të rinjtë, zoti Rama, ndër të tjera, deklaroi:

“Unë kam qenë kryetar bashkie. Voltanën nuk e merrja as për magaziniere. Por nuk ka rëndësi, rëndësi ka që këtu që prej 27 vitesh PD qeveris Shkodrën dhe prej 27 vitesh merr besimin e shumicës së shkodranëve, si një besim i dhënë gratis. Si një besim që vazhdon të luftojë me fantazmën e komunizmit dhe me një dasi që e mban hapur, për të mbajtur pushtetin mbi Shkodrën. Ne kemi dashur të bëjmë shumë më tepër për Shkodrën, por nuk e bëmë dot” (Citohet sipas: Rama: Voltana Ademin nuk e merrja as për magaziniere”. Faqja e internetit “Illyria”. 15 maj 2016).

Si është e mundur që Kryeministri Rama të kuturisë të fyejë kaq rëndë një personalitet të qarkut të Shkodrës, e cila është zgjedhur kryetare bashkie me votën e zgjedhësve të Partisë Demokratike. A e kupton Kryeministri Rama që me fyerjen që i ka bërë zonjës Voltana Ademi, ka fyer rëndë, së pari, familjen e saj, si prindërit, bashkëshortin, fëmijët, vëllëzërit, motrat, gjithë njerëzit e farefisit dhe mandej ka fyer po kaq rëndë mbarë zgjedhësit shkodranë, të cilët e kanë votuar për postin që ajo mban? Një fyerje e tillë dëshmon se Kryeministri Rama ushqen mllef jo vetëm kundër zonjës Voltana, por edhe kundër alternativës së djathtë, kundër masës së madhe të zgjedhësve të qytetit të Shkodrës. Dhe kjo është shumë e rëndë. Me sa duket, ai qenka në mëri të thellë me shumicën e zgjedhësve shkodranë, të cilët gjatë gjithë periudhës së pluralizmit që po përjetojmë, kanë votuar gjithmonë për alternativën e djathtë. Kryeministri shpreh zemërimin e vet, duke u justifikuar se po të kishte qenë kryetar bashkie një përfaqësues i alternativës së majtë, Shkodra do të qe zhvilluar “më shumë”. Por harron se në fushatën zgjedhore për zgjedhjet vendore të vitit 2015, siç e theksojnë dy publicistët e sipërcituar, ai nuk do t’u jepte absolutisht fonde atyre njësive vendore që do të votonin për Partinë Demokratike. Pra, e ka pranuar me gojën e vet se ai qenka kryeministër vetëm për zgjedhësit socialistë, kurse për “budallenjtë demokratë”, nuk do t’i bëhej vonë fare. Thënë më shkoqur, Kryeministri Rama është vetëm për një sistem njëpartiak ose njëngjyrësh në Shqipëri, çka do të thotë neokomunizëm apo enverizëm i kulluar në kushtet e pluralizmit. Ai duhet të bindet një herë e mirë se qeverisja e tij katërvjeçare është shoqëruar me shumë probleme shqetësuese për qytetarët shqiptarë. Dëshmia më e qartë e qeverisjes së tij problematike, është largimi i dhjetra mijëra qytetarëve drejt Evropës Perëndimore gjatë këtyre katër vjetëve. Prandaj ai le të lexojë me kujdes një material interesant, të botuar në internet, me autore zonjën Elona Bedalli: “Të gjithë duan të ikin. Flet prof. Lekë Sokoli, sociolog: Shqiptarët po ikin nga cilësia e keqe e lirisë…” (Faqja e internetit e revistës “Monitor”. 21 nëntor 2015).

Gjithçka që u citua më lart, janë fyerje të pastra në adresë të njerëzve të thjeshtë. Por fyerjet e një kryepolitikani janë të palejueshme, madje edhe ndaj atyre që meritojnë një vlerësim negativ. Fyerjet, gjithsesi, sipas Zhan-Zhak Rusoit (Jean-Jacques Rousseau 1712-1778), janë argumente të atyre që nuk kanë të drejtë. Është interesante të dihet se çfarë ka ndier, çfarë ka përjetuar Kryeministri Rama pas fyerjes publike që i bëri zonjës Voltana Ademi, me prejardhje nga një familje e nderuar shkodrane, e përndjekur dhe e shpronësuar gjatë viteve të diktaturës enveriste, një zonjë me personalitet, e cila, para zgjedhjes në postin e Kryetares së Bashkisë, ka punuar pedagoge në Universitetin e Shkodrës, ku ka dhënë lëndën e informatikës.

Filozofi, piktori, poeti dhe shkrimtari libanezo-amerikan Halil Xhibran  (Khalil Gibran – 1883-1931), i vlerësuar si një shkrimtar dhe filozof i shquar arab i shek. XX, thotë:

“Është shumë e vështirë ta detyrosh veten të flasësh. Ca më vështirë është ta detyrosh veten të heshtësh. Edhe më e vështirë është ta detyrosh veten të mendosh. Por ama shumë më e vështirë është ta detyrosh veten të ndiesh”.

Një tjetër kryepolitikan, por tashmë i opozitës, zotëria Lulëzim Basha, ka fyer rëndë besimtarët katolikë me mënyrën se si është shprehur për gazetën austriake Der Standard”. Ai ka deklaruar:

“95 për qind e personave me origjinë kriminale që qëndrojnë në parlament dhe 70 për qind në komuna, janë katolikë nga veriu i Shqipërisë” (Citohet sipas: Frank Shkreli. “Lulzim Basha: Fajin e kanë “katolikët e Veriut”. Faqja e internetit “Tribuna Shqiptare”. 15 maj 2017).

Pas kësaj deklarate të papeshuar të kryepolitikanit të opozitës, njeriu i thjeshtë rri e vret mendjen: njerëz me origjinë kriminale në parlament apo në komuna, na qenkan të besimit katolik, pra, kjo fe na përfaqësuaka truallin ku lindin elementë të tillë!!!

Një deklaratë e tillë e pamenduar, me tone provincialiste, jo vetëm që ka fyer rëndë mbarë shqiptarët e besimit katolik, por edhe ka rrezikuar për mbjelljen e farës së përçarjes fetare në vendin tonë. Dihet mirë nga të gjithë që katolicizmi në Shqipëri ka qenë vatër e shquar e shqiptarisë, ka qenë vatër e ndritur e nacionalizmit shqiptar. Dhe kryevatrani i nacionalizmit mes katolikëve shqiptarë, ka qenë Atë Gjegj Fishta, i ndjekur nga përfaqësues të tjerë të kësaj feje, si Ndre Mjeda, Luigj Gurakuqi, Atë Anton Harapi, Atë Gjon Shllaku, Atë Zef Pllumi, Atë Pjetër Mëshkalla dhe shumë e shumë të tjerë, mes të cilëve 140 klerikë ranë pre e diktaturës së egër që instaloi krimineli Enver Hoxha, si zbatues i zellshëm i platformës shoviniste sebomadhe. Ajo platformë kriminale synonte shfarosjen e lules së katolicizmit shqiptar, i cili ishte në pararojë të mbrojtjes së interesave tona kombëtare nga serbosllavizmi.

Deklarata e sipërcituar e Lulëzim Bashës me siguri që ka qenë thjesht punë ngutjeje ose, në vrull e sipër, shkarje pa dashje në vorbullën e fjalëve të pamenduara, të shoqëruara me tone provincialiste që nuk i shkojnë aspak për shtat një intelektuali të formuar në mjediset e kulturës perëndimore, një deklaratë kjo po aq e nxituar, si ato pesë shakatë e tij entuziaste, të cilat, në faqen e internetit “Lapsi Lajme” të datës 19 maj 2017, janë vlerësuar gabimisht si “5 gënjeshtrat e mëdha të Bashës në Çadër”, apo si ajo kryeshakaja që lëshoi po nga Çadra, kur tha se “paratë e “oligarkëve dhe politikanëve” të korruptuar do t’i nxjerrë nga bankat dhe do t’ua ndajë shqiptarëve”!!! (Citohet sipas: “Basha: Marrim paratë e oligarkëve dhe ua japim shqiptarëve”. Faqja e internetit e gazetës “Bota Sot”. 09 maj 2017).

Poeti dhe kulturologu anglez Metju Arnold (Matthew Arnold 1822-1888), njëri nga studiuesit letrarë dhe eseistët më me autoritet të periudhës viktoriane, ka lënë një thënie të shkëlqyer për breznitë pasardhëse:

“Toni provincialist… nuk u drejtohet frymës dhe intelektit, por gjakut dhe ndjenjave…”.

Santa Barbara, Kaliforni

25 maj 2017

 

 

Comments

comments

-----