PËR PROFESOR ISUF LUZAJN, KA VEND TË FLASËSH ÇDO DITË

NË 104 VJETORIN E LINDJES TE PROFESORIT TE MADH

Nga Luan Çipi

 

Për çdo vlonjat dhe shqiptar që ka lexuar sadopak veprat e poetit, shkrimtarit, filozofit të shquar Isuf Luzaj dhe ka dëgjuar për veprimtarinë e tij politike e shoqërore në dobi të Kombit Shqiptar, edhe si politikan e prijës social demokrat e nacionalist, është detyrë e përditshme të njihet më tej me idetë e tij të thella dhe të pandryshueshme dhe shumë të vlefshme në dobi të kombit dhe të shoqërisë, ”përtej të mirës dhe të ligës”.

Me aq pak sa kam lexuar (vetëm 6 nga 120 vepra që ka shkruar pa reshtur në jetën e tij të gjatë e të mundimshme) dhe, aq sa e kam aftësinë vlerësuese për shkrimet dhe veprimtarinë e tij praktike jetësore, si dhe veç këtyre duke shtuar dhe njohjen prej tij të 8 gjuhëve të huaja, unë arrij në përfundimin se ai meriton kreun e vlerësimit e të nderimit kombëtar.

Ai, jo vetëm mbaroi me rezultate të shkëlqyera Universitetin, në Francën e përparuar për kohën, por mbrojti, si rrallë tjetër kush, njërën pas tjetrës, dy doktorata për letërsi dhe filozofi.

Ai, e nxori librin e parë me poezi në vitin 1938, duke theksuar me guxim dobësi të qeverisjes mbretërore, që u bë shkak i burgosjes së tij të parë.

Ai i priti, në krye të rinisë vlonjate, me armë në dorë fashistët italianë më 7 prill të vitit 1939.

Ai akuzohet për vrasjen e një gjenerali fashist dhe burgoset, dënohet me pushkatim dhe internohet në kampet e përqendrimit fashist në Itali, ku mbahet për dy vjet.

Prof. ISUF LUZAJ

Ai hedh themelet e Ballit Kombëtar, që gjatë luftës antifashiste u bë organizata pluraliste më e madhe e vendit dhe bashkë me Mit’hat Frashërin është formuluesi i programit të përsosur të tij, që u quajt “Dekalogu”, padyshim platforma më e vlerësuar ndër të gjitha programet partiake shqiptare dhe që qëndron me vlera universale edhe sot.

Ai luftoi në dhjetëra beteja, si ushtar dhe prijës kundër fashistëve italianë në Gjorm, Ruzhdie, Ballsh, Hekal, Tepelenë, Sinanaj, Selenicë e Drashovicë. Ai përfaqësoi palën nacionaliste në Konferencën e Mukjes dhe, për më tepër, mbrojti të drejtat e Kosovës, duke u përballur me kundërshtitë pro jugosllave komuniste.

Ai ishte deri në fund, për marrëveshje midis forcave politike dhe për ndalimin e vëllavrasjes, duke mos pasur asnjë rast që ta shkelte këtë ide madhore, duke qenë përherë pro bashkëpunimit kundër armikut pushtues.

Duke pranuar gabimet e tendencës pritëse dhe inaktivitetin e Ballit Kombëtar e të Legalitetit, ai detyrohet të largohet me dhimbje nga vendi i tij i dashur, duke lënë në pikëllim të thellë familjen e tij numerike e të brishtë, me shpresën e një rikthimi me ndihmën e aleatëve perëndimorë.

Në Itali, ku emigroi bashkë me shokët e tij besnikë, përballoi izolimin dhe burgosjen. Me ndihmën e burrave të shquar evropianë, siç ishte dhe vet, u vendos në pozicione aktive studiuesi dhe mësuesi, në fillim aty dhe pastaj në Argjentinë dhe, së fundi përfundimisht në Amerikë.

Thellësia e njohurive shkencore, letrare, gjuhësore dhe filozofike e vendosi atë në sferat më të larta akademike në Argjentinë, ku meritoi nderime të posaçme nga Shteti Argjentinas dhe ai Francez. Edhe më lart u vlerësua në Amerikë, ku me vullnetin e tij karakteristik, aftësitë e rralla dhe kujtesën e tij fenomenale, rifreskoi dhe fitoi titujt dhe gradat më të larta akademike, deri atë të diplomës së ”Harvardit” të famshëm në gjithë botën, dhe përfundimisht, meritoi dekoratën më të lartë akademike, “Profesor Emeritus”, dorëzuar me ceremoni personalisht nga presidenti Regan.
Deri në fund të jetës së tij edhe pse në pension, gëzoi privilegjin për drejtimin profesional didaktik të qindra profesorëve të Universiteteve Amerikanë

 Ai, deri në kufirin fundor të jetës dhe fuqive të tij fizike, mendore e shpirtërore, në moshën 87 vjeçare, nuk rreshti së shkruari e punuari për Shqipërinë dhe Kosovën, duke njohur e shfrytëzuar njohjet sipërore personale, e duke bashkëpunuar deri me presidentin Klinton.

Prijësit kosovarë të luftës për pavarësi e kishin këshilltarin e tyre të rëndësishëm dhe bëheshin edhe më të vendosur për luftë me pushtuesit Serbë, derisa edhe ai e këshillonte luftën e tyre pa kompromis si faktorin bazë të fitores.

Isuf Luzaj i pavdekshëm, i priti me gëzim ndryshimet demokratike në vendin tonë dhe la porosi që pas vdekjes të kthehej në Kaninën e tij të dashur, për ta pasur të pandarë pamjen e Vlorës së bukur, që i këndoi nga larg si poet i përmallshëm.

U mundova të sintetizoj sa më shkurt jetën dhe veprimtarinë e tij të pashoqe.

Lexues të nderuar dhe ju shtetarë e politikanë të sotëm!

Edhe me kaq sa dëshmova dhe nga ç’do mësoni prej studiuesve dhe historianëve, më thoni:

A nuk meriton ky Shqiptar, poet, shkrimtar, filozof dhe atdhetar, i vlerësuar deri nga Argjentina dhe Amerika, nderet me të larta, dekoratën madhore NDERI I KOMBIT, siç ka propozuar KLUBI I SHKRIMTARËVE “PETRO MARKO” Vlorë (ku unë bëj pjesë) dhe të paktën një bust në qytetin e Vlorës,

Vlorë, më 21.08.2011

SHENIME:
Isuf  Luzaj lindi me 21 Shkurt 1913

Shkrimi botuar te libri im “PORTRETE MIQSH”

 

 

 

Comments

comments