Sa për kujtesë zotërisë së nderuar

Nga Prof. Dr. Eshref Ymeri

 

Pas botimit në faqen e internetit “Fjala e Lirë” të datës 17 maj 2017 të artikullit tim me titull “Kastriot Myftaraj mbron vetëm të vërtetën”, në rubrikën “Komente”, një zotëri me emrin Noke, ka bërë këtë koment:

       “Pa asnjë dyshim: Respekt për dijet dhe analizat me thelb shkencor që realizon Prof.dr. Eshref Ymeri. Kur i shkel këmba në sheshin e politikës shqiptare, ndiej rrëshqitje. Sapo gjendet në atë shesh, edhe pse i nënshtrohem autoritetit të tij shkencor, nuk e shoh të jetë në lartësinë e tij. Respekt”.

       Me këtë rast, po i drejtohem zotërisë Noke me këtë letër të shkurtër:

       I nderuar zotëri Noke,

       Ju deklaroni se unë, sapo gjendem në sheshin e politikës, nuk qenkam në lartësinë e duhur. Për mua, deri tani, ore zotëri i nderuar, sheshi i politikës ku jam gjendur, ka qenë mbrojtja e dinjitetit kombëtar në marrëdhëniet jo vetëm me fqinjët, por edhe përtej fqinjëve, mbrojtja e pavarësisë së Kishës Ortodokse Shqiptare që e siguroi mbreti Zog, në bashkëpunim me Nolin e Madh, dhe vendosja në krye të saj e një Kryepeshkopi me gjak, me prejardhje dhe me shtetësi shqiptare, në përputhje me Statutin e saj të vitit 1929; shtrimi i kërkesës për ngritjen e zërit nga ana e politikës së Tiranës zyrtare për organizimin e Konferencës Londra 2, për hedhjen poshtë të vendimeve të Konferencës Londra 1 të vitit 1913, me qëllim Ribashkimin e Trojeve Tona Etnike, që nga Arta e Preveza e deri në Tivar. Kam theksuar shpeshherë, ashtu si edhe disa intelektualë të tjerë nacionalistë, se duhet të ribashkohen fillimisht trojet etnike dhe pastaj të hyjmë në Bashkimin Evroipian, kam përkrahur qëndrimin e Kryeministrit Rama në nëntor të vitit të kaluar, kur ai, gjatë debatit me Vangjel Dulen, nga tribuna e Kuvendit, për herë të parë, si asnjë kryeministër tjetër që prej vitit 1920, kërkoi që Greqia të shfuqizojë ligjin e luftës, të lejojë kthimin e popullsisë çame në vatrat e veta stërgjyshore, t’i kthejë pronat e grabitura dhe ta dëmshpërblejë, duke kërkuar edhe ndjesë publike për gjenocidin e ushtruar kundër asaj popullsie në vitet 1944-1945. Kam kërkuar, gjithashtu, që klasa politike të respektojë dinjitetin e vet dhe dinjitetin e vendit tonë, duke mos lejuar që Shqipëria, ashtu si edhe Kosova, të jenë parcela eksperimentale të Perëndimit evropian. Pas shembjes së sistemit komunist në Evropën Lindore, u ndryshuan shumë kufinj dhe u krijuan 18 shtete të reja, por vetëm kufinjtë e Shqipërisë nuk ndryshuan dhe prandaj, për qejfin e Perëndimit evropian, ne, shqiptarët e Shqipërisë Londineze, vazhdojmë të kufizohemi me troje dhe me popullsi shqiptare. Në publicistikën time kam shkruar mbi bazën e fakteve konkrete për politikën e shovinizmit rusomadh, i cili ka luajtur një rol të dorës së parë për copëtimin e trojeve tona etnike. Kam ngritur zërin që klasa politike e Tiranës të heqë dorë nga politika servile ndaj Athinës, duke i bërë asaj lëshime pas lëshimesh, si edhe ndaj Brukselit. Po kështu kam vepruar edhe në raport me klasën politike të Prishtinës, e cila është dalluar për servilizmin e saj model ndaj Beogradit dhe ndaj Brukselit.

       Pres nga ju, zotëri Noke, të më jepni leksione se si duhet të mësoj të veproj në sheshin e politikës, në mënyrë që të di ku janë lartësitë dhe ultësirat e saj, për t’u orientuar më lehtë. Unë veten e konsideroj gjithmonë nxënës se dija nuk ka fund. Prandaj edhe sot e kësaj dite tingëllom mjaft aktuale thënia e Sokratit të Madh të lashtësisë: “Unë di që s’di gjë hiç”. Por, ju lutem, mos dilni në faqet e internetit me pseudonime, dilni në shesh të mejdanit me emër dhe me mbiemër, se periudhën e autecensurës e kemi lënë pas që në dhjetorin e vitit 1990. Se nuk e kuptoj se nga kush druheni? Guxim, ore burrë i dheut!

       Ju uroj shëndet dhe mbarësi.

       Eshref Ymeri

       Santa Barbara, Kaliforni

       19 maj 2017

 

 

Comments

comments

-----