Ku mbeti diaspora?!

Nga Mehmet Bislimi

 

Në vorbullën e vlimeve të këtyre ditëve, ku ethet e zgjedhjeve kanë kapluar subjektet politike në  Kosovë, bartësit e të cilave me dhjetëra herë kanë thënë:
“Mërgata duhet të përfaqësohet në Parlamentin e Kosovës me të paktën 5 deputetë!”

Këto premtime boshe, apo joshëse si lloj karremi i tërheqjes së votës së tyre sikur kanë mbetura hipotekë e premtimeve në shtegun e “lëmes së vjetër”, kur ia kemi nevojën vetëm derisa të fshihet drithi, pra buka e motmotit dhe kaq.

 Në historinë e “filozofisë” më të re, si gjithnjë figurave të politikës së Kosovës diaspora iu duhet vetëm atëherë kur iu nevojitet vota e tyre, kur iu duhen takime e tubime për të kaluar rehatshëm, kur iu duhen për të vjelë të mirat materiale, kur iu duhen për t’i zhvatur nëpër Dogana, në pikat kufitare, në sigurime të dyfishta veturash, në tatime të ndryshme, në ndihma humanitare, në ndërtim shtëpish për të pamundurit, iu duhen për të përuruar ndonjë vepër të ndërtuar nga djersa e tyre- sa për t’u parë në TV e medie tjera publike.

Fatkeqësisht dhe paturpësisht, misioni për diasporën përfundon me kaq. Mos harroni se po bëni shkelje të rëndë morale, këta njerëz, pra mërgimtarët tanë në vazhdimësi, kanë ndarë edhe kafshatën e gojës për t’iu gjendur atdheut në ditët më të vështira siç ishin kohët e pushtimit, kur Kosovën e mbajtën me 3% – shin, me Fondet e luftës, të arsimit e shëndetësisë, me mbajtjen e njerëzve në nevojë, me shërimin e të sëmurëve jashtë vendit, me shoqata e vullnetarë bamirësie, me mbështetje të elektoratit dhe me paraqitjen e tyre të dinjitetshme në
vendet ku ata punojnë e jetojnë. Edhe një herë, është tepër nënçmuese që mërgata shikohet vetëm si mjet vjeljeje, por as një herë deri me sot si faktor që qytetarët tanë dhe familjet tona në përgjithësi ua hoqëm nga barra e buxhetit të Qeverisë së Kosovës- atdheut tonë.

Premtimet e ripërsëritura për integrimin dhe përfaqësimin e mërgatës në mënyrë të denjë në institucionet e Kosovës, siç e meriton, sikur nuk i vret fare ndërgjegjja njerëzit e politikës së Kosovës. Ata nuk duan t’ia dinë fare nëse i hëngrën fjalët e veta si një salsiçe, ata nuk duan
t’ia dinë fare për mundin e mërgatës, që i mbështeti në kohët më të vështira që përjetoi vendi ynë, madje disa nga figurat e sotme politike mërgata i nxori nga anonimiteti, ata nuk duan të ia dinë as për betimin e dhënë para elektoratit se mërgata do të përfaqësohet denjësisht etj.

Gati në të gjitha shtetet e rajonit, çështja e mërgatës është zgjedhur me ligj dhe ata përfaqësohen tek shtetet e tyre denjësisht si ne Kroaci, Maqedoni, Mal të Zi, Serbi etj. Për habinë tonë jo edhe në Kosovë e Shqipëri!, Shtrohet me të drejtë pyetja: A kanë të drejt që të votohen përfaqësuesit e mërgatës sonë, apo vetëm të votojnë?! Dhe nëse është kështu, a janë edhe ata pjesë e atdheut apo ju duhen vetëm atëherë kur iu duhet vota e tyre?!

Në këtë lakim kaq lakonik i cili të krijon ndjenjën e përvjedhjes apo talljes politike me mërgatën, me këtë sjellje po vrasin rëndë moralin dhe dinjitetin e mërgatës që nga shpirti i vet ka dhënë aq shumë. Thënë më troç ky premtim shterpë, nga ana tjetër, vërtetë e vë në dyshim domosdoshmërinë e lëvizjes së potencialit tonë të vyer politik, të cilin në fakt e kërkon vendi për të ikur nga atje ku është ngulfatur vrazhdë fjala dhe premtimi i rremë!

E gjithë kjo të hamendëson se edhe ata që këtë e thonë seriozisht, mërgatën po e llogarisin jo më shumë se numra koti, që institucioneve të Kosovës i duhen vetëm për votë, për zhvatje nëpër dogana e tatime tjera të dyfishta, për ndryshe deri me tani nuk e dëgjova as edhe një
zë: Ku është dhe ku përfaqësohet mërgata jonë?!

Mërgata prapë po ju thotë: do të ishte në të mirën e vendit, sikur të gjitha subjektet tjera minore të rreshtohen pas subjektit në të cilin ata besojnë dhe shohin perspektivën e vet të sigurt, për të ndihmuar, mbi të gjitha atdheun tonë të përbashkët. Ky do të ishte një veprimi i
drejt, i matur dhe i dobishëm për Kosovën dhe elektoratin e saj të cilin e kanë ngarkuar së koti me parti e “partica” gjithandej.

Duam të besojmë se zgjedhjet në Kosovë do të kalojnë pa probleme, duam të besojmë se elektorati shqiptar do të votojë drejt, duam të besojmë se elektorati ynë nuk do të votojë për smirëzinjtë, hileqarët, për figurat e kompromentuar e të pa kurriz, për ata që duan të krijojnë
terren kaosi dhe hakmarrjeje në Kosovën tonë që ende po rënkon nga plagët e së kaluarës.

 16 maj, 2017

Mehmet Bislimi

 

 

Comments

comments

-----