MRETËRIMI I PIRROS SË EPIRIT

Një roman i Resmi Osmanit

Koment nga Luan Çipi

 

 

E lexova romanin” MRETËRIMI I PIRROS  SË EPIRIT” me vëmendje dhe si shqiptar, u mbusha me krenari të ligjshme. Librin e ka shkruar bukur dhe me shumë dashuri Resmi Osmani, një penë tashmë e sprovuar e letërsisë shqipe. Autori është njëkohësisht me gradën shkencore Profesor Doktor dhe duhet mësuar nga të gjithë, se është djali i atdhetarit Taip Osmani, vrarë në Filat të Çamërisë, për më tepër edhe autori i lindur po në ato treva, arenë e ndodhive të stërlashta, të këtij romani interesant historik.

Pirrua i Epirit (Burri), si mbret emërmadh, shqiptar i pastër, historikisht nga popujt grek e maqedonas, italik e romak, është i lakmuar të jetë përvetësuar nga secili me mburrje. si të ish i veti. Edhe Skënderbeu i Madh, me të drejtë krenohej si  pasardhës i tij.

Pirrua i Epirit prej shumë kohësh, nga qarqet kompetente vlerësuese ushtarake, renditet si një nga gjeneralët botëror legjendar të shquar e më të përmendur, për guxim, trimëri e strategji, fill pas Aleksandrit të Madh të Maqedonisë, edhe ky nip Molosi.

Intrigat e oborrit mbretëror dhe dhjetëra luftime të ashpra gjurmëlënëse, shtjellohen bukur në këtë roman të guximshëm tjetër sojesh, me ngjarje para 2300 vjeçare, në një libër prej 250 faqesh. Ky është i dhjeti libër në radhë, botuar nga tregimtari  e romancieri shumë tërheqës, Resmi Osmani, që pas vitit 2000, duke ndryshuar profilin e tij krijues nga agronomik e shkencor, në  letrar, ka shkruar dhe vazhdon të shkruaj periodikisht edhe në disa gazeta, revista e sidomos në disa portale të diasporës, si te e shumëpritura “Fjala e Lirë” e Dr. Fatmir Terziut, te “Zemra Shqiptare”,   te gazeta “Kritika” etj.

Me këtë rast dua të them, se ka afro 80 vjet, nisur nga Lufta e Dytë Botërore, që dëgjohet shpesh shpifja se “grekët janë në gjendje lufte me shqiptarët”. Këtu nuk ka asgjë të vërtetë. Nuk mbahet mend për sulm të armatosur Greqisë nga Shqipëria, veç dëshirës greke për tension e qëllime politike. Duke lexuar librin e Resmi Osmanit, më shkoj mendja se kjo tezë, paska njëfarë vërtetësie të venitur, vetëm në lashtësi, po gati 230 shekuj më parë.

Me këtë rast, për romanin, për të shtuar kuriozitetin, e quaj detyrë të bëj një sintezë ngjarjesh:

Mbreti i Epirit, Pirro Molosi, ka luftuar kundër Grekëve, si me Athinasit dhe me Spartanët, mandej edhe me Maqedonasit. I ka sulmuar ata,  i ka mundur keqas disa herë dhe për më keq, i ka grabitur e çburrëruar. Këto fakte i paraqet disa herë autori i librit, Resmi Osmani, duke përshkruar me vërtetësi ngjarje të stërlashta. Dhe dihet botërisht se Pirroja i Epirit, as më shumë as më pak, ka udhëhequr në luftë tre fiset themelues të Epirit, plotësisht pararendës të shqiptarëve, fiset Ilire, që Grekët në lashtësi i kanë quajtur “barbarë” she i kanë pasur përjetësisht, fqinjë verior. Autori tregon, jo pa krenari kombëtare, që Epiri, ku kanë gjallëruar tre fiset themelore të Ilirisë: Molos, Thesprot dhe Kaon, jo vetëm që nuk ka lidhje vartësie me shtetet Greke, po kanë qenë në luftë dhemb për dhemb me ta dhe disa herë i kanë pasur nën pushtim e administrim.

Romani i Resmi Osmanit, flet jo vetëm për ketë fakt historik të pëlqyeshëm superior për ne, por kjo kuptohet dhe në rrjedhshmërinë e logjikën e zhvillimit të ngjarjeve. Libri gjithashtu dallohet për leksikun e pasur elegant, figurat e goditura letrare e stilistike, për bukurinë e përshkrimit mjedisor dhe për heroizmin dhe qëndrimin e guximshëm deri te flijimi jetësor, në respektim të idealit e të krenarisë kombëtare. Libri tregon se autori ia ka mbërritur qëllimit, për t’i paraqitur shqiptarët luftëtarë të denjë, për këtë prijës madhështor e sipëror, të pa përsëritur kund ndër shekuj.

Ngjarjet në Roman zhvillohen midis viteve 297 deri 275 para epokës së re dhe përfshijnë veprimtarinë më të ethshme epirote nën mbretin Pirro, që kur ai, i sapomartuar me princeshën Antigonea, bijën e mbretit Ptoleme të Egjiptit, u nis në Iliri, si Mbret i Epirit, për rikurorëzim në fronin e grabitur padrejtësisht. Dhe arrihen gradualisht po me vendosmëri, rivendikimet mbretërore të tij, fillimisht duke e ndarë për oportunitet të detyruar, mbretërinë me kushëririn e tij Neoptolem i II të dhe së fundi, duke e përfituar deri me luftë dhe dhunë plotësisht atë, në përfshirje të tre krahinave Ilire, që shtrihen në perlën e bukur bregdetare nga Preveza e sotme në jug,  përfshirë anëdetin e Himarës e deri në Antigonea, Amantia e Orikum, në veri.

Si simbol e hajmali mbreti Pirro mbante gjithnjë varur në qafë, shqiponjën e artë, zogun e maleve të Epirit, nga ka nderin të vijë edhe emri Shqiptar.

Familjet mbretërore Epirote ishin lidhur me krushqi me mbretëritë për rreth. Kështu Olimpiada, vajza e xhaxhait të Pirros, ishte nëna e Aleksandërit të Madh të Maqedonisë dhe Diademoja, motra e Pirros, ishte gruaja e mbretit të  Thesalisë dhe Greqisë etj. Kështu që më shumë herë, ishin të baras respektuar.

Ndër hapat e parë të veprimtarisë për Pirron si mbret, ishte forcimi i lidhjeve për rreth, me hapa të menduara mirë. Ai zgjodhi e thërriti pranë oborrit mbretëror si këshilltar e ndihmës të parë Kinean, nxënësin e Dimostenit, për kohën një nga oratorët më të shquar të Greqisë, i ditur si Latoni e i mençur si Aristoteli. Brenda pak kohe u zgjeruan lidhjet me të tjera mbretëri të fuqishme, duke realizuar njëherazi edhe tre krushqi të reja. Tre nuse të reja e të bukura për Pirron, erdhën të shoqëruar  me prikë si pasuri të patundshme e toka dhe me krahë të fuqishme në forcën ushtarake. Një tjetër hap i rëndësishëm ishte kujdesi për forcimin e  njëkohshëm të ekonomisë dhe ushtrisë, rritja e klasës së prodhuesve, ndërtuesve dhe bazave ushtarake me shpejtësi dhe në të gjithë vendin. Zhvillimi ekonomik i lindi dëshirën për ekspansion dhe zgjerim kufijsh dhe kjo dëshirë e bëri që të futet pa mëdyshje në luftë me shpatë në dorë pa pushuar gjithë jetës, deri në vdekjen e  tij fatale e të parakohshme.

E nisi luftën me mbretin Antipatria të Maqedonisë, ku konstatoi midis vëllezërish e trashëgimtarësh, intriga e rivalitet. Për çdo vatër mobilizoi nga një ushtar, e ndau ushtrinë, duke sulmuar njëherazi në disa qytete, u preu furnizimet dhe brenda kampeve kundërshtare futi njerëzit e tij, që të mbillnin frikë, amulli dhe disfatizëm. Qytetet u dorëzuan lehtazi njeri pas tjetrit.

Tjetër luftë edhe më të egër do fillonte me mbretin Dimitri të Thesalisë, Maqedonisë dhe Greqisë. Aq e shpejtë, madhështore dhe e bujshme ishte fitorja e kësaj beteje të përgjakshme dhe aq e dukshme e superiore madhështia luftarake personale, drejtuese e strategjike e Mbretit Pirro, sa atë mes beteje, shoqëruesit e tij trima, e identifikuan me “Shqiponjën e Epirit” dhe ai u tha atyre se ju jini “Krahët e Shqiponjës”.

Fushata e Maqedonisë kundër mbretit Dimitri kishte përfunduar, po lufta vazhdonte. Duhej goditur Atika, zemra e Helenëve, ndërsa qytetet greke po binin njeri pas tjetrit deri sa u pushtua Akropoli. Fjala triumfuese e Pirros ishte për paqe dhe mirëkuptim midis fqinjëve dhe për largimin e tiranisë së Dimitri Poliarketit. Pas kësaj ai u kthye fitimtar në Epir, për t’u çmallur me djemtë e tij Ptolemeun e burrëruar, Aleksandërin e shkathët dhe Helenin e përpiktë, si dhe me vajzat Olimbin, Zajminën dhe Brikenë, që po rriteshin për ditë.

Ndërkohë po kalonin 17 vjet mbretërimi dhe Pirrua i Epirit po festonte veç triumfit në betejat e njëpasnjëshme edhe zhvillim e lulëzim në ekonomi, po fqinjët italik e tarentinjë të përtej detit, ndiheshin të kërcënuar nga Romakët, ndaj menduan t’i kërkonin ndihmë mikut të tyre emërmadh. Dhe e gjejmë sërish gjeneralin e madh të angazhuar deri në luftëra të pabarabarta numerike, po me fitore të bujshme e të një pas njëshme. Romakët edhe pse ne vendin e tyre dhe më të shumtë numerikisht, provuan në fakt se trimëria dhe forca e Pirros ishte edh më e madhe se fama e tij. Por në ndeshjen me ushtritë Romake Pirrua vlerësoi përgatitjen dhe trimërinë e tyre, duke thënë se ky pohim i shton dhe me shumë vlerat e fitoreve tona. Veç trimërisë dhe strategjisë ushtarake epirote në këto beteja u përdorën edhe elefantët aziatik, çka ishte një e papritur, që i trembi edhe më shumë kuajt dhe ushtarët romak. Po në këto beteja si dhe në të tjerat që pasuan në gadishujt Apenine apo ne ishullin e Sicilisë, vërtet Pirrua fitoi, po humbi thuajse gjithë ushtrinë, ndaj dhe në histori kjo ngeli të quhet “si fitorja e Pirros”. Në këto kushte ai nisi përpjekjet për marrëveshje paqësore dhe pas gjashtë vjetësh lufte e fitore Pirrua kthehet me ushtri të përgjysmuar në Epirin, njëkohësisht për të ndjekur punët e ngelura pas dore për drejtim e organizim, po dhe me ëndrrën e pashuar për luftëra dhe pushtime të reja.

Pirrua tani kish në krahë edhe djemtë e tij. Me Ptolemeun dhe Aleksandrin u  nis drejt maleve të Pindit, befasisht sulmoi drejt mbretit Antigon të Maqedonisë, që nuk i rezistoi dot furisë Epirote edhe ngaqë ushtria e tij u ndodh enkas në panik e pështjellim, nisi të dezertonte  në masë.

Pirrua, 25 vjet mbret dhe në moshë 45 vjeçare, ishte i pathyeshëm dhe ashtu, në rrugë e sipër, nuk e ndali vrullin sulmues, po u derdh drejt Peloponezit dhe pushtoi Spartën, po tamam aty, humbi në luftë djalin dhe vet më vonë u godit në kokë për vdekje me një tjegull, nga një grua spartane, që mbronte djalin e saj.

 

Kështu mbaron ky roman i Resmi Osmanit, që duhet lexuar nga të gjithë shqiptarët, pse paraqet bukur ngjarje interesante të mbretërimit, të fitoreve të shumta dhe fundin fatal të Pirros së Epirit, Burrit të shquar të lashtësisë Molose, që si shqiptar i mirëfilltë i dikurshëm, veç të tjerave,(do të shtoja me shpoti, siç më gjëmon mua në vesh) na dërgon lajm nga thellësia e shekujve se përse ne, shqiptarët sot, “vazhdojmë të jemi në gjendje lufte me Greqinë”.

 

Tiranë, më 10.05.2017

Comments

comments

-----