Ka edhe një faqe tjetër, të turpshme, në historinë e Ushtrisë së Kuqe

Nga Prof. Dr. Eshref Ymeri

 

Në historinë e Luftës së Dytë Botërore, kryesfondin e saj e zë përplasja e Gjermanisë naziste me Bashkimin Sovjetik, pas sulmit të befasishëm të trupave gjermane të 22 qershorit të vitit 1941. Arsyet e nisjes së atij sulmi duhen kërkuar në Paktin e mossulmimit Molotov-Ribentrop, që u nënshkrua në Moskë më 23 gusht 1939. Ai pakt kishte në themel pabesinë e të dyja palëve ndaj njëra-tjetrës: ndarjen e Polonisë. Por ai pakt fshihte në vetvete një pabesi të dyfishtë të politikës sovjetike: jo vetëm ndaj demokracive perëndimore, por edhe ndaj vetë Gjermanisë hitleriane. Se Stalini synonte që, duke e ndarë Poloninë me Hitlerin (për të pasur një kufi të përbashkët me të), “t’i siguronte” atij krahët lindorë, duke e nxitur të vinte nën këmbë demokracitë evropianoperëndimore. Paskëtaj, në çastin që do ta quante të volitshëm, Stalini do t’i sulej Gjermanisë, me synimin që të arrinte deri në Gjibraltar. Kësisoj mbarë Evropa do të përfundonte nën çizmen e Ushtrisë së Kuqe, me “flamurin proletar” mbi krye. Ajo pabesi e dyfishtë, të dyja palëve u kushtoi me miliona të vrarë dhe shkatërrime të pallogaritshme.

Pabesinë e politikës sovjetike ndaj demokracive perëndimore, e zbulon haptas vetë Stalini. Në një fjalim që ka mbajtur vetëm katër ditë para nënshkrimit të paktit në fjalë, pra, më 19 gusht 1939, në Byronë Politike të Komitetit Qëndror të Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik, ai shtjellon haptazi idenë kryesore të Testamentit të Pjetrit I për pushtimin e Evropës. Në atë fjalim thuhet:

“Le të fillojë Lufta e Dytë Botërore, pjesëmarrësit e saj le ta shqyejnë njëri-tjetrin dhe atëherë Bashkimi Sovjetik do të ngrejë flamurin e revolucionit proletar dhe mbarë Evropa do të bjerë në këmbët e tij” (Citohet sipas: “Vtoruju mirovuju vojnu naçali Germanjija i Sovjetskij Sojuz” (Luftën e Dytë Botërore e filluan Gjermania dhe Bashkimi Sovjetik”. Faqja e internetit “sokrytoe.net”. 23 korrik 2009).

Për sulmin që Bashkimi Sovjetik do të ndërmerrte kundër Gjermanisë, dëshmon ish-oficeri i zbulimit sovjetik Viktor Suvorov. Ai deklaron:

“Ekzistojnë jo pak udhëzime për faktin se afati i fillimit të operacionit sovjetik “Shtrëngata” qe lënë për më 06 korrik të vitit 1941… Zhukovi (si edhe Stalini) kishte qejf t’i jepte goditjet e veta të dielave në mëngjes. 06 korriku i vitit 1941 ishte e diela e fundit para përqendrimit të plotë të trupave sovjetike (në kufinjtë perëndimorë të Bashkimit Sovjetik – E. Y.). Gjeneral-armatë S.P. Ivanov e përmend këtë datë pa dorashka: “…trupat gjermane arritën të na e merrnin iniciativën nga dora dy javë më përpara”” (Viktor Suvorov. “Ledokoll. Kto naçall Vtoruju Mirovuju Vojnu” (Akullthyesja. Kush e filloi Luftën e Dytë Botërore”. Shtëpia Botuese “Novoje vremja”. Moskva 1993, f. 333).

Gjatë luftës 4-vjeçare për shporrjen e trupave pushtuese hitleriane nga territori i vet, Ushtria e Kuqe  shkroi shumë faqe të lavdishme në historinë e Bashkimit Sovjetik, sidomos në betejën e Stalingradit (17 korrik 1942 – 2 shkurt 1943)  dhe në betejën e Kurskut (5 korrik – 23 gusht 1943).

Por, në historinë e faqeve të lavdishme të Ushtrisë së Kuqe gjatë betejave të saj kundër trupave pushtuese naziste, ekziston edhe një tjetër faqe, e panjohur, së cilës , gjatë tërë periudhës së diktaturës komuniste sovjetike, i qe vënë përsipër një gur i rëndë për fshehjen e saj të kujdesshme. Vetëm pas shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik, kjo faqe ka dalë në dritë dhe është bërë e njohur për publikun e gjerë. Kjo është një faqe e turpshme në historinë e Ushtrisë së Kuqe. Për të hedhur dritë mbi këtë faqe sa të turpshme, aq edhe të pështirë, kanë shkruar dhe kanë folur dëshmitarë të drejtpërdrejtë. Këtu po mjaftohemi vetëm me dëshmitë e një personaliteti të letrave, kinoregjisor, skenarist dhe dramaturg i njohur ky, Zahar Agranenko (1912-1960). Dëshmitë e veta ai i pati hedhur në ditarin që pati filluar ta mbante gjatë kohës së luftës në Prusinë Lindore. Le të ndjekim ca dëshmi të tij rrëqethëse, të cilat i përcjell në një faqe interneti Nikollaj Ivanovi.

“Kolonat e gjata të trupave sovjetike që patën hyrë në Prusinë Lindore në janar të vitit 1945, përfaqësonin në vetvete një përzierje të gjërave bashkëkohore dhe të mesjetës… Larmia e armatimit përputhej plotësisht me larminë e karaktereve të vetë ushtarëve, në radhët e të cilëve kishte banditë të njohur, pijanecë dhe përdhunues, si edhe komunistë idealistë dhe përfaqësues të inteligjencies, të cilët ishin të tronditur nga qëndrimi i shokëve të tyre.

Në Moskë, Beria dhe Stalini ishin të mirinformuar për ato që po ndodhnin, përmes raportimeve të hollësishme, në njërin prej të cilave njoftohej:

“Shumë gjermanë mendojnë se të gjitha vajzat dhe gratë gjermane që kishin mbetur në Prusinë Lindore, i patën përdhunuar ushtarët e Ushtrisë së Kuqe”.

 Silleshin shembuj të shumtë të përdhunimeve në grup, si të vajzave të mitura, ashtu edhe të plakave. Mareshali Rokosovski kishte lëshuar një urdhër me nr. 006, me qëllim që ndjenja e urrejtjes ndaj armikut të shprehej në fushën e betejës. Ai urdhër nuk u zbatua absolutisht. Kishte patur disa përpjekje arbitrare për të vendosur rregullin. Komandanti i një regjimenti pushkatarësh gjoja paskej pushkatuar personalisht një kapiten, i cili kishte pasë rreshtuar ushtarët e vet para një gruaje gjermane që e kishin shtrirë përtokë. Por në shumicën e rasteve, ose vetë oficerët merrnin pjesë në skandale, ose mungesa e disiplinës në radhët e ushtarëve të dehur, e bënte të pamundur vendosjen e rregullit.

Thirrjet për hakmarrje për atdheun që ra pre e sulmit të Vermahtit, qenkeshin kuptuar si leje për shpërthimin e egërsisë. Madhe edhe gra të reja sovjetike, ushtarë dhe punonjës të mjekësisë nuk ishin kundër një egërsie të tillë.

Një vajzë 21-vjeçare e grupit të zbulimit, thoshte:

“Ushtarët tanë sillen me gjermanët, sidomos me gratë gjermane, pikërisht ashtu siç e meritojnë”.

Kishte edhe nga ato, të cilave një gjë e tillë u ngjallte kureshtje. Kështu, disa gra gjermane kujtojnë ca gra sovjetike, të cilat rrinin dhe i soditnin se si po përdhunoheshin nga ushtarët, bashhkatdhetarët e tyre. Por kishte edhe nga ato gra sovjetike që binin në gjendje shoku nga skenat që kishin parë në Gjermani.

Natalia Gese, mikesha e ngushtë e shkencëtarit Andrea Saharov, asokohe punonte si korrespondente ushtarake. Më vonë ajo kujton:

“Ushtarët rusë i përdhunonin të gjitha femrat gjermane, nga mosha 8 deri në moshën 80 vjeçe. Ajo ishte një ushtri përdhunuesish”.

Pijet alkoolike, përfshirë edhe kimikate të rrezikshme, të grabitura nëpër laboratorë, luanin një rol të konsiderueshëm të ushtrimin e dhunës seksuale. Dhe ndodhte që ushtarët sovjetikë mund t’i vërsuleshin një femre gjermane, pasi ishin zhdëpur së piri për të qenë sa më të kuturisur. Por në raste të tilla, ata bëheshin aq rrumbull, saq nuk ishin në gjendje ta përfundonin aktin seksual dhe, në inat e sipër, përdornin shishet, çka sillte si pasojë që një pjesë e viktimave të mbeteshin të sakatuara.

Pas hyrjes së trupave sovjetike në kufinjtë e Rajhut të Tretë, erdhi radha e grave gjermane për të qenë viktima të tragjedisë të quajtur luftë. Sipas përllogaritjeve të studiuesve gjermanë, ushtarët sovjetikë patën përdhunuar 2 milionë vajza dhe gra gjermane që nga fillimi i luftimeve në Prusinë Lindore deri në vjeshtën e vitit 1945. Madje 500 mijë prej tyre qenë përdhunuar në territorin e zonës sovjetike të okupimit, domethënë të asaj që më vonë u quajt Republika Demokratike Gjermane.

Praktika e përdhunimeve e arriti kulmin e vet në Berlin. Kur trupat e Ushtrisë së Kuqe hyn në qytet, atje banonin 1,4 milionë gra dhe vajza, nga të cilat 800 mijë ishin të moshës nga 14 deri në 45 vjeçe. Gjatë periudhës së pranverës dhe deri në vjeshtën e vitit 1945, së paku, 110 mijë prej tyre qenë përdhunuar nga ushtarët sovjetikë. Për pasojë, afërsisht 10% e grave vdiqën ose i dhanë fund jetës me vetëvrasje, 20% e tyre mbetën shtatzëna dhe më shumë se një mijë lindën fëmijë. Këta përbënin 5% të fëmijëve të lindur në Berlin nga fundi i vitit 1945 deri në verën e vitit 1946… (Citohet sipas: Nikollaj Ivanov. “Pro podvigi sovjetskovo solldata, solldata nasilnjika… Pozornoj datje 23 fevrala posvjashaetca” (Për heroizmat e ushtarit sovjetik, të ushtarit përdhunues… I kushtohet 23 shkurtit të turpshëm). Faqja e internetit “FakeOff”. 23 shkurt 2015).

Ka pasur dhe ka ende shumë nga ata rusë, të cilët i shfajësojnë ushtarët përdhunues sovjetikë në territorin gjerman, me arsyetimin se ajo ishte një hakmarrje për sulmin e befasishëm të trupave gjermane dhe për masakrat që ato kryen në fillim të luftës, sidomos në territoret perëndimore të Bashkimit Sovjetik. Por ky është një shfajësim mjeran që nuk përballet dot me logjikën e shëndoshë.

Së pari, ç’faj kishin vajzat e mitura dhe gratë gjermane për sulmin që Hitleri ndërmori kundër Bashkimit Sovjetik?!

Së dyti, Jugosllavia nuk kishte ndërmarrë ndonjë sulm kundër Bashkimit Sovjetik dhe ushtarët sovjetikë që ndihmuan në çlirimin e territorit jugosllav, nuk kishin arsye se pse duhej të silleshin me egërsi, duke përdhunuar vajza dhe gra jugosllave. Në një material, të botuar para do kohësh në faqet e internetit, thuhet:

“Qytetarët e vjetër të Beogradit mbajnë mend futjen e ushtarëve të dehur të Ushtrisë së Kuqe nëpër banesa, që plaçkitnin dhe dhunonin nënat e vajzat, por edhe fshehjet e vajzave në bodrume e madje kanalizime.Titoja për këtë është ankuar te Stalini, i cili i thotë:

“Janë djem të rinj. Le të zbaviten se e kanë merituar”.

Të dhënat, që me siguri nuk janë të sakta, thonë se në muajt e fundit të vitit 1944, në Serbi kanë ndodhur 1219 dhunime, 359 tentime të dhunimit, 111 dhunime me vrasje, 248 dhunime dhe tentime të vrasjes, si dhe 1204 grabitje me lëndime fizike ose vrasje. Numri i femrave të dhunuara thuhet se arrinte në 5000. Situata më e rëndë ishte në Beograd, ku gjatë kësaj periudhe thuhet se janë dhunuar 2000 gra dhe vajza. Por, shifrat mendohet se janë shumë më të mëdha. Fat të njëjtë kanë pasur të gjithë popujt, ku kanë shkelur rusët, sidomos në Poloni, Gjermani, Lituani, Letoni, Estoni” (Citohet sipas: Kur Tito i ankohej Stalinit: Ushtarët tuaj po dhunojnë femrat tona”. Faqja e internetit “Dossier”. 20 prill 2014).

Ja, pra, ky ishte “qytetërimi” që ushtarët sovjetikë çonin në vendet që çliruan nga nazizmi gjerman gjatë Luftës së Dytë Botërore, “qytetërimi” përmes dhunës seksuale, të ushtruar në një mënyrë aq shtazarake.

San Diego, Kaliforni

09 maj 2017

 

 

 

Comments

comments

-----