HAPA DASHURIE

Nga Luan Çipi

 

Drejt fundit po marshoj me guxim e siguri,

Rrugës, tentoj shpesh ta kthejë shikimin pas,

Kaloj ndër mend si film, një jetë plot dashuri,

Ngazëllehem në fytyrë me buzën pak në gaz.

 

Mendimet arratisen larg, para pesëdhjetë vitesh

Në Vlorë pranë shtëpisë, në Lagjen Muradie,

Dy sytë u kryqëzuan dhe zemra nis tronditet

Dhe qenia, trupi e shpirti po ndahej fije, fije:

 

Po shihja i mjegulluar, një vashë tjetër soj,

Sa i kishte cekur shtatëmbëdhjetë pranvera,

Te unë u konvertua në një engjëll tjetër lloj,

Sa dukej fluturonte e tundur lehtë nga era.

 

Lëkundeshin flokët e saj mbi supe e mbi ballë,

Te gjokset e buisur më ngelën sytë e mi,

Fustani përmbi gjunjët dhe trupi i kolmë i bardhë,

A thua lart nga qielli po zbriste një peri?

 

E ndjeva shpejt afrimin, u bëmë njësh të dy,

Unë shpirt e zemër atje, ajo po sytë te unë,

Dhe vitet iknin vrap, u bëmë me tre fëmijë,

Çdo ditë e natë që ikte, ne duheshim më shumë.

 

Fëmijët u rritën shpejt krijuan fole më vete,

Ne të dy më shumë lidhje e miqësi forcuar,

Ata në botë mërguar, të larguar në kurbete,

Ne, po sërish së bashku, më shumë të dashuruar.

 

Tani si pensionistë, gjithë kohën jemi tok

Mëngjesin, drekën, darkën e zgjedhim sipas qejfit,

Dhe dalim e shëtisim ndër miq, gjitonë e shokë,

Ia marrim këngës dyshe, apo i biem defit.

 

Çdo hap që hedhim tok është fryt i një vendimi,

Tani gjithë kohës bashkë, s’qe fat kjo në rini,

A nuk është dashuria produkt i njëjtë mendimi

Dhe jeta jonë e gjatë, simbiozë për dashuri?!

 

Tiranë, më 01.05.2017

 

 

Comments

comments

-----