AGOLLI- SHKRIMTAR I SHQUAR, POR MIDIS TE SHQUARISH…

Shënime nga Skifter Këlliçi

 

Pjesa e tretë dhe e fundit- C’nuk bëri dhe bëri Agolli pas vitit 1985

15 prill 1985. Diktatori Enver Hoxha “ngrë patkojtë nga dielli”…Por, ndërkohë, Shqipëria është mbuluar në heshtje tragjike  nga kjo… fatkeqësi. Shqiptarët përpiqen ta shprehin këtë dhëmbje me lot, (oh, sa lotë të stisur, kur shumicës dërmuese  anë e kënd mëmëdheut  i rreh zemra nga gazi dhe hareja!). Këtë “dhëmbje “e shprehin”edhe shkrimtarët dhe poetët.  Ndër ta edhe Agolli. Ndër të parët. Mbase dhe i pari. I takon më shumë se të tjerëve, sepse është kryetar I LSHA-së, anëtar i KQ të PPSH-së.. .Dhe midis të tjerash në poezinë e tij ai shkruan edhe këto vargje:”Falmë, Enver, që po përmend në vjershë,/ fjalën vdekje, mbushur gjëmë e zi./ Fjalën vdekje Ti në varg s’e deshe,/ deshe jetën në çdo poezi”.

Publicistja dhe poetesha  kosovare, Adrina Shala Prishtina, në esenë e saj me mjaft interes, të botuar më 6 shkurt të këtij viti në disa gazeta dhe portale  interneti, shkruan kështu për këto vargje kushtuar vdekjes së tiranit gjakësor: ” Jo, ai vdekjen në varg nuk e deshi; e deshi në jetët e njerëzve që e kundërshtuen; e deshi gjithandej; e deshi në dhomat e Sigurimit; e deshi në kazermat e internimit; e deshi në burgjet e tij; dhe aq shumë e deshi, saqë edhe eshtnat ua zhduku, deri sa Shqipnia u ba vorr madh”.

Përcaktim rrëqethës i një të vërtete të lemerishme! Nuk ka nevojë për  t’u shpjeguar më tej, sepse këtë të vërtetë e pamë me vargjet e B.Xhaferrit, të T. Xhagjikës dhe të sa e sa poetëve që patën guximin t’i shkruajnë dhe t’i mbajnë ato ato fshehur në vitet e zymta të diktaturës dhe shumë më tepër t’i shkruajnë  dhe t’i botojnë ato pas shpalljes së pluralizmit, në dhjetor të vitit 1991.

Në qoftë se nisemi nga pohimet e familiarit  të Agollit, të shprehura në shtypin tonë, që i citova në pjesën e dytë të këtyre shënimeve se: “ Dritëroi e vlerësonte shumë Enverin, e cilësonte si njeriun që bëri shtet dhe ishte në gjendje ta mbante shtetin”, atëherë arrijmë në përfundimin se ai i ka shkruar me çiltëri dhe dhëmbje të madhe ato vargje. Për të ardhur vërtet shumë keq…

Mirëpo, pas vdekjes së  këtij tirani të perbindshëm   zhvilimet e reja që filluan në Evropën  lindore , veçanërist në B. Sovjetik,  me “Gllasnostin”, (Kthjelltësi”), dhe “Perestrojkën”(“Rikostruksion”), sollën si pasojë që edhe në Shqipëri burgjitë e shtypjes tiranike të liroheshin disi. U pakësuan ndjekjet, burgosjet, internimet, sidoqë Ramiz Alia që erdhi në pushtet pas vdekjes së Enver Hoxhës, deklaroi se Partia do të ndiqte  rrugën e tij.

Së pari, Agolli  mund të kishte biseduar me Ramiz Alinë dhe t’i shpjegonte që vepra   e poetit të madh  Lasgudsh Poradeci, e lënë si dhe ai   në heshtje të thellë që nga viti 1944, pas vendosjes pra të regjimit komunist, të ribotohej dhe ai të mbahej më pranë. Dhe kishte një mbështetje shumë të sigurtë  nga vetë Enver Hoxha,  i cili në kujtimet  e tij  kishte shkruar:” E kam njohur Poradecin që para lufte, kur ishte profesor në gjimnazin e Tiranës. Më kishte ftuar dy herë në dhomën e tij të thjeshtë, pa zjarr, dhe me një velenxë të hedhur krahëve më kish lexuar disa vjersha të tij të bukura të asaj kohe… Ai ishte i dëshpëruar nga regjimi i Zogut, prandaj preferonte të jetonte i vetmuar”. ( “Nga Ditari i shokut Enver”, 2 gusht 1981, botuar në gazetën “Drilon”, organ i KP të rrethit të Pogradecit,  22 dhjetor 1988).

Jo vetëm kaq: Në në gusht të po atij viti  u mor vesh lajmi I kobshëm se poeti Havzi Nela, deri atëherë  i burgosur dhe i syrgjynosur disa herë, ishte dënuar me varje dhe dënimi ishte ekzekutuar. E pra, ai s’ kishte vrarë ndonjë sigurimas,  as kishte hedhur në erë ndonjë kantier a fabrikë, as  kishte te kryer asnjë vepër tjetër sabotuese kundër rendit socialist. Ai  në poezi të tij të mbajtura fshehur, vetëm se kishte shprehur  urrejtje  ndaj  komunizmit të përçudnuar shqiptar.

A kishte mundësi që Agolli me funksionet e tij e tij të lartë partiako-shtetërore dhe  si kryetar I LSHS-së, mbi të gjitha- personalitet shumë i njohur në popull me veprat e tij letrare, të takonte Ramiz Alinë, sekretar i parë KQ të  P.P. SH-së dhe president I Republikës? Me të  ai  kishte pasur lidhje të vjetra, që kur kishte qenë gazetar në “Zërin e Popullit”, aq më tepër që e dinte mirë se sa i ndryshëm ishte nga xhelati  Enver Hoxha, dhe kështu i kishte të tëra mundësitë të ndikonte që kjo masë mizore për këtë poet të kthehej të paktën në burgim të përjetshëm? Kishte plotësisht. Madje jo vetëm ai, por edhe veprimtarë   shumë të njohur edhe në fusha të tjera të jetës.

Agolli, për fat të keq, këtë nuk e bëri. Pikërisht ndaj këtij poeti dhe atdhetari i cili në qelitë e burgut kishte shkruar fshehurazi edhe poezinë “Kur të vdes”, nga e cila kam shkëputur vargjet e mëposhtme: “ Kur të mësoni se kam vdekë,/ Thoni: “Dritë ai kërkoi,/ Dhe  dritë nuk pa me sy,/… Thoni:” Terri e qërroi ”,/ Thoni: ”Dielli nuk e ngrohu,/ Thoni: “Tmerri e trishtoi,/ E të shtypunit i tha: ” Cohu!”./ Kur të vijë, të çelë pranvera,/ Kur bilbili nis me këndue,/ Mbi vorr timin me gurë e ferra,/ Një tufë lulesh me ma lshue”…

…Korrik i vitit 1990.  Mbi 3000 të rinj shqiptarë të strehuar për shumë ditë nëpër ambasada të huaja, janë vendosur në vende perendimore,  në shenjë proteste kundër shtypjes dhe tiranisë së padurueshme komuniste. Dhe ja, më 19 gusht,  kryeredaktor i  “Dritës”, poeti i njohur, Bardhyl Londo, boton me guxim poezinë “Kuajt” të studentit Gjekë Marinaj,  nga   një fshat pranë Shkodrës.

Po citoj disa vargje të saj: “Tërë jetën duke vrapuar rrimë,/ Shohim veç përpara,/ C’bëhet prapa, s’ duam t’ia dimë./ Nuk kemi emër, / Të gjithëve kuaj na thonë,/ Nuk qajmë, nuk qeshim,/ Heshtim, dëgjojmë./ Hamë ç’të na japin,/ “Ecni!”, na thonë..”.

Sigurimi i Shtetit që deri atëherë duket  se dremit  si gërdallë, nxjerr dhëmbët dhe kërkon ta kallë në burg këtë djalosh rrebel. Por ai arrin të kalojë kufinjtë nga veriu dhe të vendoset në Amerikë, ku jeton edhe sot.

 A e kishte njoftuar Londo Agollin nga i cili varej gazeta, për botimin e kasaj poezie të “ukubetshme reaksionare” në të cilën  kuajt  simbolizonin popullin e mjerë shqiptar? Nuk e di, por fakti është se Londo mbeti sërishmi kryeredaktor. Mbase i mbrojtur nga Agolli.

    Në  dhjetor të atij viti PPSH-ja detyrohet të pranojë pluralizmin partiak. Themelohet Partia Demokratike. Dhe më 5 janar 1991 qarkullon gazeta e parë opozitare “RD”. I pari që e përshëndet në faqet e saj,   është.. Dritëro Agolli!… Ramiz Alia e ndjen  se edhe nga gjiri i Partisë së Enverit po dalin kundërshtarë. Ndër ta edhe Londo, që po në fillim të vitit   1991 është tashmë ai vetë që boton poemën “Thirrja e gjakut”, e cila përpihet nga lexuesit, sepse demaskon hapur   diktaturën  enverhoxhiste. Kam bindjen se  poema është botuar edhe me miratimin e Dritëroit.

Ja disa vargje të saj: “C’je ti vallë, presidium, apo pronë private?/ Rrogë e majme, privilegje,/ Një tufë servilësh te pragu,/ Pronë absurde, pa investime nga xhepi,/ Dikush tjetër investon për ju: Gjaku”.

Shkojmë më tutje: në qershor të atij viti mbidhet Kongresi i  10-të i PPSH-së, kur nuk kanë kanë veçse disa muaj nga rrëzimi i përmendores së tiranit. Ramiz Alia e ka kuptuar  se PPSH-ja duhet të riformohet. Ndër të parët që diskuton është dhe Agolli. Sulmon ashpër vijën  e gabuar të partisë . ”Pasqyrë e  kësaj vije,- shpërthen ai  me mllef ,- është gjendja katastrofike e Shqipërisëë, është varfërimi deri në palcë i popullit, si pasojë e zbatimit  të dogmave marksiste-leniniste….”. Ndërpritet gjatë dhe disa herë nga britmat çjerëse: ”Parti, Enver,  jemi gati kurdoherë!”, të cilëve ai u përgjigjet: ”Ju me të vërtetë treguat se Partia e Punës nuk rinovohet”. Dhe vazhdon të demaskojë sistemin e   ashtuqujatur sociallist. Po atë e ka krijuar dhe drejtuar Enver Hoxha, dhe familiari i tij, siç e kemi parë në pjesën e dytë të këtyre shënimeve,  pranon se Dritëroi  e respektonte dhe lëvdonte “këtë Enver”, që kishte bërë shtet..etj.. etj…. Por njëkohësisht, po sipas familiarit, që më 1984, kur diktatori i  ishte ende gjallë,  kritikonte politikën e Partisë që I kishte marrë fshatarit lopën!.. Shtonte, gjithashtu sipas familiarit, se kjo gjendje nuk do të vazhdonte më shumë se 10 vjet, siç ndodhi në të vërtetë. Profeci  apo, meqë komunizmi po rrëzohej për ibret, o burra, t’i biem,  që të fitojmë respekt në opinon dhe në popull, sepse i vdekuri nuk ngjallet më?

 Jo, sepse e vërteta është se ato kritika  asgjësuese që shprehu në Kongresin e 10- të të PPSH-së, ose në Kongresin e Parë të PS-së  së porsakrijuar, (dashamirës të letërsisë gjykonin se ai që atëherë duhej që mejëherë të largohej nga politika, sepse leteërsia e mirëfilltë kurdoherë është në opozitë dhe qëndron   mbi  politikën), Agolli u përqoq t’i sendërtonte në krijimtarinë e mëtejshme letrare. Së pari, më  1990 u ribotua, ndonëse pa ripunime,  romani humoristik  “ Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo”. U botua madje edhe në Francë dhe deri më 1994 edhe në disa vende të tjera, shoqëruar me recensione shumë pozitive. Por, për ironinë e fatit, u botua në një periudhë krejt të papërshtatshme. Asokohe, lexuesi,  nuk ia kishte ngenë të lexonte këtë roman, i cili kishte pasur jehonë në vitet 70-80 – të të shekullit të kaluar, sepse  na bënte e të qeshnim me marrëzitë e këndshme të Zylos dhe Demkës, dy shëmbëlltyra shqiptare të Don Kishotit dhe Sanço Pançës, vepër që ishte shkruar edhe si jehonë e fjalimeve të Enver Hoxhës  më 1966 dhe 1972, kundër shfaqjeve  burokratike  në aparatin shtetëror.  Zyloja I Agollit, edhe atëherë,  nuk paraqiste rrezik për shqiptarët,  sepse nuk ishte përfaqësues i së ashtuquaturës “diktaturë e proletariatit”, që të kallte në burg, dhe që  bënte gjëmën edhe familjes…

Megjithatë, Mehmet Shehu në një letër që i drejtone Enver Hoxhës për luhatjet ideologjike të Agollit, vinte në dukje: ”… Mjafton të përmendim dy vepra të gabuara të Dritëro Agollit:a) Romani “Shkëlqimi dhe rënia e rënia e shokut Zylo”, ku absolutizohet burokratizmi, ku del se vendi  ynë është i kalbur me burokratë  të pandreqshëm, si Zyloja etj; b) Drama “Fytyra e dytë”…që e nxin situatën e vendit…”. ( Alma Mile, “Shaban Sinani  zbulon letrën e Mehmet Shehut për Enver Hoxhën:” Ku gabon Agolli?”, “ Panorama”, 8 shkurt 2012). Por, mëgjithatë, romani nuk u ndalua dhe në shtypin  e viteve 1970-të dhe më pas nuk iu bë ndonjë verejtje. Mbase meqë  Agolli ishte tashmë kryetar I LSHA-së dhe anëtar I KQ? .. Mbase Partia donte të tregonte se lejonte në vepra letrare edhe kritikë ndaj dukurive të tilla negative si burokracia?

Sidoqoftë, më 1990 e në vitet e mëpasme, lexuesi ynë,  kishte nevojë të lexonte  jo për këta tipa burokratësh, “me bojë pelikan të përjargur”, siç shkruan  Kadareja në poemën e tij ‘”Në mesditë Byroja u mblodh” dhe për të cilën kam shkruar në pjesën e dytë,  por për  “Zylo” të tjerë, “ të kobshëm,/me duar të përgjakura gjer në bëryl..”, siç vazhdon ai më pas tutje në këtë poemë, të cilët ishin bërë edhe më gjakësorë, sepse po shihnin se pushteti po u rrëshqiste nga duart. Ndaj, ishte kjo arsyeja që kur Enver Hoxha  lexoi dorëshkrimin e poemës së mësipërme, u tërbua dhe, siç kam vënë në dukje po  në pjesën e dytë të këtyre shënimeve, e porositi  Ramiz Alinë ta thërriste Kadarenë këtë poet “korb”dhe “ta vinte të lëpinte mutërat që kishte shkruar…”.

Për më tepër,  ky roman i Dritëroit ,  u krijonte lexuesve të huaj  idenë se edhe në Shqipërinë e viteve 1990  problem kryesor  nuk  vazhdonte të ishte mungesa e lirisë,  por vazhdonte të ishte burokracia, e përfaqësuar nga “Zylot”, si ai romanit në fjalë. Ndaj “ “Shkëlqimi dhe rënia..…”  nuk u ndërpre së botuari në variantin e parë në faqet  “Hostenit”,( 1972), për shtrëmbërime të realitetit socialist ,siç është shkruar dhe shkruhet ende në shtyp. Këtë e dëshmon vetë Agolli, i cili në një intervistë rreth këtj romani, që gjendet në google, shkruan:”Kur romani përfundoi së botuari në revistën  “Hosteni”, Niko Nikolla, (kryeredaktori i “Hostenit”, shënimi imi, S.K)  dhe unë, në fillim të vitit 1973 shkuam në Shtëpinë Botuese ”Naim Frashëri”. Botimi i ri i romanit, përveç pjesës së së Afrikës, nuk ka ndryshime nga botimet e mëparshme”. Sidoqoftë, “Shkëlqimi dhe rënia…”, për vlerat artistike mbetet edhe sot vepra më e mirë humoristike në letërsinë shqiptare.

Si perifrazim i kritikave të rrepta që, siç e pamë Agolli bëri në diskutimin e tij në Kongresin e Parë  të PPSH-së më 1991, është dhe romani “ Dështaku” . ”Faqet e këtij romani , – shkruan kritiku Yrjen Berisha,- sjellin imazhin e errët të inkuizicionit bashkëkohor, që i ngjan periudhës mesjetare…Dhe bazuar në këtë filozofi, mendoj se autori me këtë roman… i dha një grusht të merituar diktaturës së kuqe, e cila  vepronte sipas ligjeve mafioze dhe kriminale që për interesa të ngushta, zbaton ligjet e xhunglës”. (Agjensioni Floripres, 30 qershor, 2011). Po në të njejtën rjedhë zhvillohen edhe ngjarjet e romanit tjetër “Kalorësi lakuriq”, (1996). Por, si në të parin, ashtu dhe në këtë roman, ndonëse përsëri demaskohet diktatura komuniste, mendoj se niveli artistik nuk është në lartësinë e disa romaneve të Agollit, ku, sidoqë brenda  kërkesave dogmatike të realizmit socialist,  për karaktere dhe mjedise të spikatura, shquhen romanet “Komisari Memo, (1970)  dhe “Njeriu me top”, ( 1975) .

 Mbi të gjitha, nuk shënoi ngritje të dukshme artistike as romani i ri  humoristik “Arka e djalli”, (1997). Në një shkrim në google, me titull “Diskutim: ”Shkëlqimi…”, ku flitet për këtë roman, lexova se në biseda me miq Agolli shprehej:  “Me të  do të ndryshoj përfytyrimin e letërsisë”. Por, për shumicën e lexuesve kontributi më i mirë ishte dhe mbetet, “Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo”. Për më tepër, romani i mësipërm, ku parodizohet skematizmi i realizmit socialist  dhe nënvizohet se ”personalitete e fuqishme të letërsisë shqipe kanë qenë më të lirë se  metoda e tyre krijuese”, (AGOLLI Dritëro, FESH faqe 17,  vëllimi 1, 2008),  jo për faj të autorit, iu   paraqit lexuesit në një peridhë periudhë  të llahtarshme, në periudhën  rënies së firmave piramidore. Ishte koha ku shqiptarët  humbën miliona e miliona para të kursimeve e tyre, kur vendi u përpI nga djegie, shkatërrime dhe mijëra të vrarë dhe plagosur; ishte dhe koha kur lexuesit, (nga ata që kishin nge të lexonin),  mund të pritnin prej tij një  roman shumë tronditës   për këto ngjarje, më tragjiket pas vitit 1945, se sa romanin e  mësipërm, i cili mund të ishte botuar më parë. Ose pritnin dhe kanë pritur nga Agolli ndonjë roman, dramë, që tashmë  të shpinte më tutje idetë e dramës “ Fytyra e dytë”, a “Mosha e bardhë”, a të shkruante komedi, ose romane të tjera humoristike ku, me stilin e tij hokatar, satirik dhe sarkastik, të jepte pasazhe të viteve  paskomuniste, deri në ditët që jetojmë,  kur Shqipëria dhe populli shqiptar janë bërë “verme” në laboratorët e shumicës së politikanëve pushtetarë, që kanë emërues të përbashkët- korrupsionin. Pritnin pra, të zbërthente në prozë  ato dukuri që lexojmë në   poezinë e tij “Gënjeshtra”, disa vargje prej të cilave po  rendis më poshtë:

“ O popull, ç’të bëjnë,/ Të japin lodra të luash,/ Të mbajnë me përralla,/ Të flesh në shtrat sa të duash,/ Të quajnë të vogël,/ Dhe thonë s’di shumë,/ Të japin prapë një lodër,/ Dhe prapë të thonë:/”Pusho, mos bëj zhurmë!”.

Nuk jam shkrimtar i humorit, por, gjithsesi, i ngacmuar nga dukuritë bashkëkohore të shoqërisë sonë, kam shkruar dy romane humoristike: “Tirani ngrihet nga varri”, (2004) dhe ”Politikanët mëkatarë fluturojnë në Mars”, ( Prishtinë, 2006). Në të parin, një riosh që i ngjan tiranit të vdekur, shtihet dhe bind miletin se me ndihmën e perendisë që i ka falur mëkatet, është ringjallur për të vendosur demokracinë e vërtetë në këtë vend  të vogël, “demokraci” e shpërdorur nga partitë politike. Në të dytin, po ky djalosh, pas dhjetë vjetësh u dërgon krerëve  të po këtyre partive politike “emaile”,  veç e veç, sikur ato vinë nga… marsianët. Me anë të tyre,  u shjegojnë atyre, përsëri veç e veç se, meqë temperturat në tokë do të ngrihen mbi 50 gradë dhe jeta do të vdesë, me anije të tyre kozmike  do t’i marrin dhe shpien në planetin e kuq, Mars, që  atje të ndërtojnë shoqërinë komuniste, ku të tërë banorëte këtij planeti  të jenë… të barabartë. Të dy romanet u botuan me entuziazëm nga botuesit, por, mjerisht për to  nuk u shkrua as edhe një resht në shtyp. Siç duket,  nuk patën jehonë te lexuesit.

Të kthehemi përsëri tek Dritëroi . Ndoshta ai nuk mundi, ose nuk  vuri vetes si qëllim të shkruante vepra të tilla. Nuk është mëkatë, për shembull , që ai  nuk mundi të bënte në prozë, atë që bëri  të paktën shkrimtari i njohur, Fatos Kongoli, me disa romane, si “ I humburi”, “ Kufoma”, ”Lëkura e qenit”…  që kanë pasur jehonë  edhe te lexuesit e huaj, vepra ku shfaqen me nivel të lartë  artistikisht  dramat e dhëmbshme që kemi përjetuar dhe përjetojmë .

Sidoqoftë, Agolli, siç është cilësuar nga kritika, mbetet, mbi të gjitha, poeti që në veprat e tij , si “Fjala gdhend gurin”,(1977), ”Udhëtoj i menduar, (1985), ” Pelegrini I vonuar, (1993),”Fletorkat e mesnatës, (1999), etj., i këndoi me shumë ndjenjë vendlindjes, vlagës AGOLLI- SHKRIMTAR I SHQUAR, POR  MIDIS TE SHQUARISH

 

 

Comments

comments

-----