AGOLLI- SHKRIMTAR I SHQUAR, POR MIDIS TE SHQUARISH – 2

Shënime nga Skifter Këlliçi

Pjesa e dytë-  C’mund të bënte më shumë Agolli?

Për të shpjeguar dhe më mirë domethëien e  titullit të këtyre shënimeve, do të përdor vargje nga Agolli dhe nga disa poetë të tjerë, të cilët dëshmojnë se janë po aq të talentuar sa ai. Kam zgjedhur vargje erotike, pra kushtuar dashurisë, botë ku zor të gjesh autorë shqiptarë të të gjitha moshave, duke përfshirë edhe  poetë popullorë, që të mos kenë hyrë dhe të mos jenë frymëzuar nga puhitë e viseve të dëlira të saj. Për më tepër, sepse që të jesh origjinal dhe i pëlqyeshëm në këtë lloj poezie, është me të vërtetë e vështirë .

Në poezinë “I përndjekuri i dashurisë” Agolli shkruan:

“Unë jam I burgosuri yt,/ Rroj në pranga që ti m’I ke vënë,/ Por çudi, as qelia s’më mbyt,/ Dhe s’më mbyt as dritarja e zezë./ Kur ti prangat m’I hodhe në mish,/ Unë i putha duart e tua./ Eshtë rast i pashembullt ta dish,/ Që xhelatin ta puth dhe ta dua,/ I përndjekuri yt erotik”.

Eshtë pa dyshim një  poezi  me konceptim figurativ, që madje kapërcen natyrën e rrëfimit poetik të Dritëroit i cili, siç është vënë në dukje nga kritika, shquhet si vazhdues i traditave më të mira   të krijimtarisë sonë poetike dhe “ruajti  prej vlerave më të arrira të poezisë së traditës- frymën popullore: ( AGOLLI Dritëro,FESH, vëllimi 1,faqe 16 ,2008)

Të shohim tani si i këndojnë dashurisë poetë të tjerë, nga më të shquarit:

Bardhyl Londo:

“ Nëse sytë e tu do të qëndrojnë të menduar mbi këto vargje,/ unë do të shoh një ëndërr të bukur./ Nëse sytë e tu do të dridhen sadopak nga këto vargje,/ unë i gjithi do të kumboj si një kitarë deri në agim./ Por nëse sytë e tu do të shkasin indiferentë mbi këto vargje,/ tëherë unë do të kem vdekur./ Mos harro të vish në varrimin tim.”(“Amanetet  e poetit”);

Ndoc Gjetja:

“Më hidh në zjarr, në det, në ferr,/më hidh në baltë, më hidh në hon,/ veç të lutem, mos më ler,/në atë vend ku ti mungon.”( “Dashuria”);

Ndoc Papleka:

“Vrapi  nëpër atë diellin e asaj dite qershori,/ ia kishte skuqur fytyrën e rrahur nga ajri i nxehtë,/ ia kishte skuqur gushën, llërët,/ lëkurën e zbuluar  të krahërorit./Ajo vajzë që dielli e kishte mbështjellë me petale paperunësh,/ i ngjante një shisheje surealiste,/ me verë të kuqe mbushur. / Vallë kush do ta pinte atë shishe?”(“Vajza flokëkuqe”);

Frederik Rreshpja:

“Në të njejtin yll jemi ndeshur,/ a mund të rrimë pra të pandarë?/ si stoli në trungun e heshtur,/ i mbjellë shumë vite më parë?/Në flakë vetëtime pashë,/ ovalen dridhëse të buzëve  të tua,/  dhe si një magji poshtë saj,/ gjithçka që si jeta më dukej,/ Pastaj  gjëmimin unë ndjeva,/ rininë tënde të përkulej,/ në çast u hepova si degë,/ dhe gjeta gjithçka që më duhej”. (“Lirikë intime”);

Visar Zhiti:

“Siç duket, / unë jetoj brenda syrit tënd./Bashkohen qerpikët,/ vjen nata për mua,/ e ngrohtë…/Kam kohë që jetoj brenda syrit tënd,/ dhe që të shlodhem,/ dal  herë pas here në shetitje,/ në formën e kulluar të lotëve.(“Jetoj në syrin tënd”);

Kolec Traboini:

“Do të hedh në akuarel pikat e shiut,/ që zbritën nga qiejtë e të prekën,/ zogjtë që u gjendën të mardhur përjashta,/ në retinën e syve të tu strehëz gjetën”.(“Akuarel’).

     Kurse poeti dhe prozatori  aq i talentur, Bilal Xhaferi, që u arratis  në Amerikë, më 1986 për t’u shpëtuar përndjekjeve të Sigurimit të Shtetit ,  i këndon kështu dashurisë:

“Nuk më vrapoi rinia,/ duke përgjuar pulpat si shishe shampanje,/ nuk m’u verbua rinia,/ pas ngjyrave të fustaneve,/ nuk m’u mbyll rinia,/ në parantezat e qepallave./ Rinia ime zgjodhi tjetër drejtim,/ zgjodhi të tjera ngjyra./ Ajo mbarti në gjoks ngjyrat e baltërave,/ dhe tani e shoh të digjet si ylber sipër dheut,/ i pjellë nga mitra e shtërgatave”.

Ferik Ferra:

“Gratë na lindin,/ gratë na rritin,/ gratë na duan,/ gratë na plakin…/ gratë  na mallkojnë,/ gratë na adhurojnë,/ gratë na ndjanë, /gratë na dashurojnë’. (“Gratë”).

(Habitërisht, emrat e poetëve shquar,  Bardhyl Londo, Ndoc Gjetja, Ndoc Papleka, Kolec Traboini dhe Ferik Ferra si  dhe të shumë personliteteve në fusha të tjera, nuk figurojnë  në…  FESH (?!)…

Pra, pas ballafaqimit të poezisësë erotike të Agollit, me titull “ I përndjekuri I dashurisë”, me poezi  të poetëve që citova, a  nuk kemi të drejtë të pohojmë se edhe ato    janë po aq të goditura sa ajo, në mos ndonjë  të jetë dhe  më e goditur? ( Përjashtoj këtu krijimtarinë poetike të Kadaresë, e cila, ashtu si  krijimitaria e tij në prozë,  për mendimin tim është në përgjithësi jashtë çdo lloj krahasimi, aq sa shkrimtari ynë i madh mund të fitonte Nobelin edhe me poezitë e tij më të mira, siç e ka fituar këtë çmim me poezitë tilla shkrimtarja gjermane Herta Myller, më 2009).

Por poetët e mësipërm, si edhe poetë të tjerë, poezi të të cilëve për arsye vendi nuk kam mundur  t’i rendis, kanë shkruar   poezi në mos më të mira,  të paktën si ato që kanë   nivel  artistik të  përafërt me nivelin e poezive  të Agollit, qofshin këto lirika me temë qytetare,  atdhetare, politike…Por në këtë pjesë të dytë të shënimeve të mia, unë do të ndalem në një aspekt tjetër të krjimtarisë poetike të Agollit.

Jo rallë në shkrime të botuara në shtypin tonë paskomunist Agolli dhe krijues të tjerë,  janë kritikuar se në veprat e tyre, në këtë rast poezitë, i kanë thurur himne regjimit komunist dhe vetë diktatorit Hoxha.  U përpoqa qa të shpjegoja këtë fakt në pjesën e parë  të këtyre shënimeve , se ata, dashur pa dashur, nuk mund të vepronin ndryshe, sepse kjo ishte kërkesë e diktaturës, se e njejta dukuri  ka ndodhur prej shekujsh kur poetë  krijonin vargje për mbretërit, perandorët…Kjo ka ndodhur dhe në Bashkimin Sovjetik dhe në vende të tjera komuniste. 

  Në shkolla ne kemi studiuar  vepra letrare kushtuar Leninit, Stalinit, Mao Ce Dunit, madje edhe Titos, deri më 1948, kur ndodhi shkëputja e Shqipërisë nga Jugosllavia. Kështu, nëse Agolli ka shkruar poezi për Partinë dhe Enver Hoxhën, veçanërisht pas vdekjes së tij, më 1985, kjo ka ndodhur, sepse , si anëtar i KQ të PPSH-së dhe kryetar I LSHA-së, ai  nuk mund të vepronte ndryshe. Kjo kishte ndodhur me shkrimtarët tanë edhe më 1953, kur kishte vdekur Stalini, të cilët nën shembullin e shkrimtarëve të Bashkimit Sovjetik dhe në vendeve të tjera socialiste, edhe ata shprehën dhëmbjen e tyre të thellë për humbjen e “atit të proletariatit botëor”.

Por në rastin tonë,  a ishte i sinqertë Agolli kur shkruante me aq dhëmbje për vdekjen Enver  Hoxhës, të këtij tirani që aq shumë të këqia i solli vendit dhe popullit tonë, ose kur krijonte vepra të tjera “për njeriun e ri, që rritej i lumtur nën qiellin e të vetmit vend që ndërtonte socializmin në botë?”

Së pari, duhet të vemë në dukje  se Agolli ridhte nga një familje fshatare, se ishte lidhur me luftën partizane që i mitur, se kishte vazhduar me bursë të shtetit studimet në shkollën e mesme. Pastaj, po me bursë të shtetit kishte përfunduar për pesë vjet, (1952-1957) studimet e larta per letërsi në Bashkimin Sovjetik, se pastaj kishte nisur punën si gazetar në gazetën “Zëri i Popullit”. Dhe jo vetëm kaq, por Partia e kishte  zgjedhur deputet në Kuvendin popullor , më 1973  pas sulmeve të Enver Hoxhës në Plenumin e 4-t të KQ të PPSH-së kundër ndikimeve borgjezo-revizioniste në kulturë dhe art edhe kryetar te LSHA-së  dhe pastaj  më 1976,  anëtar I KQ të PPSH-së.

Vlerësime më të larta se këto nuk gjen në radhët e krijuesve tanë! (Në Bashkimin Sovjetik kjo  do të ndodhte me Shollohovin dhe disa krijues të tjerë në periudhën  kur vendin e drejtonte Stalimi dhe më pas Hrushovi).

Pra, Agolli logjikisht kishte arsye të ishte i kënaqur për këto shpërblime  dhe të mbetej “besnik i mësimeve të partisë dhe shokut Enver Hoxha” edhe kur e shoqja, sovjetike, u nda prej tij dhe u kthye në atdhë së bashku me djalin 7-vjeçar,  mbase dhe për arsyes, siç  del edhe nga kujtimet e njërit prej familirëve të tij, të botuara më 2 mars  të marsit të këtij viti shtypin tonë, se  ajo lëvdonte Hrushovin, që ishte shpallur nga Enver Hoxha armik , se kishte tradhëtuar primet e maksizëm-leninizmit. Dhë këtë besnikëri ndaj Partisë Agolli e  sendërtoi në vepra letrare.

Mirëpo,  pa pritur, më 1965 Agolli boton vëllimin me tregime “Zhurma e erërave të dikurshme ”, ribotuar me tregime të tjera nëfund të viteve 1980 nën titullin “Njerëz të krisur”, i cili ”u prit keq nga kritika zyrtare dhe u hoq nga qarkullimi”, sepse: “Në të heronjtë paraqiten me cenet e tyre, duke iu shmangur skemës për heroin  tipik pozitiv”, (AGOLLI Dritëro, FESH, vëllimi 1, faqe 17. 2008). Jo vetëm kaq, por më 1968  u ndalua edhe shfaqja e dramës “ Fytyra e dytë”,  vënë në skenë nga Teatri Popullor, ashtu si  vite më pas  në teatro të tjera do të të viheshin në skenë dhe do të ndaloheshin së shfaquri edhe dy drama të tjera “Mosha e bardhë”  dhe “ Baladë për një grua”. Arsyeja:” Dramat e Agollit, megjithëse  nuk dalin jashtë rjedhës së realizmit socialist, kanë dhënë shkas për t’u interpretuar si rrezikuese të doktrinës dhe pastërtisë ideologjike”.( Shaban Sinani,”Tri drama të pabotura të Agollit”, gazeta “Shqip”, 14 tetor 2016). Nuk mjaftonin këto, por  më 1973 botonte   romanin “Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo”, (1973), që  ishte një kritikë fshikulluese  e cila  vinte në lojë një burokrat që vepron në një zyrë   ministrie  dhe jo një drejtues  i tillë  në  një kooperativë bujqësore a kantier ndërtimi. Ishte pra një kritikë  që, ndonëse me humor, godiste njerëz të aparatit shtetëor. Dhe kjo ndodhte për herë të parë në letërsinë shqiptare të asaj periudhe.

 Pra, duke kërkuar hapësira të reja, Agolli tërthor dëshmonte se donte të dilte nga tuneli mbytës   i parimeve  të realizmit socialist. Megjithatë, pas këtyre goditjeve  më 1974, ai botoi poemën “Nënë Shqipëri”, vepër e quajtur  idealizuese nga kritika, vazhdim, por me një nivel më të lartë se “Bagëti e bujqësia” e Naimit. Mjerisht, idealizimi në këtë poemë  arrin  në madhështi, kur autori, kapërcen këtë cak dhe idealizon Shqipërinë  komuniste.  Kuptohet se nuk mund t’I shmangej  këtij qëllimi, sepse poema botohej  në prag  të 30-vjetorit të Clirimit , madje në… 100 mijë kopje dhe përfshihej edhe në programet shkollore. Por politizimii poemës  kalonte caqet e një logjike elementare, kur, siç duket,  për t’I bërë  qejfin shokut Enver, autori,   me zell të tepruar gjente vend që me një varg t’u sulej edhe…  “ armiqve të “nënës  Shqipëri”… Fadil Paçramit dhe Todi Lubonjës, që për më tepër kishin qenë miq dhe kolegë të tij dhe ishin quajtur  të tillë, si dhe shumë artistëve dhe shkrimtarëve të tjerë, sepse, sipas Enver Hoxhës  ishin “orvatur të futnin në artin dhe kulturën tonë “ndikime të ideologjisë borgjezo-revizioniste”.

Nuk harroj kurrë një mesditë   janari të vitit 1991 kur Tod Lubonja, ish-drejtori im në RTVSH, në vitet  1972-73, më takoi në rrugë dhe shumë i revoltuar më tha:” Që Dritëroi do të më kritikonte ashpër në referatet e tij, ku zbërthente  raportin e Enver Hoxhës në Plenumin e 4-t të KQ, këtë  e kuptoj, sepse nuk kishte si të bënte ndryshe, ngaqë   ishte  kryetar i LSHA-së. Por nuk e ka porositur  Enveri që në këtë poemë të më demaskonte si “armik!?”. Dhe kishte të drejtë.

Poema “Nënë Shqipëri”  nis me vargjet:” Më ler të bie në prehërin tënd të ngrohtë,/ O hallemadhja ime shekullore!…”. Dhe vazhdon: ”Ti sytë i lan në mëngjes me ujin e krojeve  të maleve, / Ti llërët i lëmon në mëngjes me shkumën e deteve,/ Ti faqët i fshin me peshqirin e madh të livadheve…/ Dhe çdo mëngjes bëhesh më e re dhe përze zhubra e rudha…”.

Vargje jo realiste, sepse   30-vjetorin e Clirimit Shqipëria “e  festonte” me shtypjen, dhunën,  thellimin e mëtejshëm të luftës së klasave mbi kurriz, të cilat  kishte nisur diktatori ynë i kuq, madje me koka të këputura  që nga anëtarë të Byrosë Politike, që i kishte pasur shokë të tij besnikë gjatë të Luftës, pastaj të shkrimtarëve dhe artistëve, deri te burgimet dhe internimet e panumërta  familjesh, të cilat  i kishin kallur  datën popullit të mjerë dhe Shqipërisë, së cilës, përkundrazi, i shtoheshin zhubrat t dhe rudhat nga këto të zeza gjëmëmadhe  që i kishin rënë mbi kokë. Dhhe, mëgjithatë, në këtë  poemë Agolli vazhdon të himnizojë kështu  këtë diktator:”Ne ishim krah tij, bashkë si gishtat e dorës,/ Në akuj, furtunë dhe terr,/… Dhe ti i thoje: “Pri, bir i nënës, Enver!”.

  Ndaj, thuajse në po të njejtën kohë kur Agolli  i ofronte lexuesit shqiptar ketë poemë “idiliko-politike”, Bilal Xhaferi, poeti i shtrënguar të sygjynosej  në Amerikë nga ndjekjet e Sigurimit të  Shtetit, shkruante poezinë e tij “ Shqipëria”:“E para mjegull e prillit,/ Porsi qefin të mbuloi,/ Sa shpejt nga sytë atdhe më humbe,/ Sa shpejt errësira të  gllabëroi…/ Me tel me gjemba, gjoksi yt,/ I lidhur mbeti në kufi./ Ashtu të lashë, i shtrenjti vend,/ Dhe rrugën mora për këtej./ Vallë ku më çon kjo rrugë e largët?/ Kur vetë tek ti do të kthej?”

Kurse në një poezi tjetër ”Shqipëri, 1976”,  vit, kur terrori enverhoxhist po arrinte kulmin, Bilal Xhaferi,  tashmë në Amerikë, shkruante: ” Vend i vogël, kohë e vogël, racion I vogël,/ Errësirë e madhe, frikë e madhe, mjerim i madh./ Dhe rrugëve të atdheut, si kukuvajkë  nën hënë,/ Leh dhe ulërin “Gazi 69”.

Një e vërtetë e dhëmbshme që të shtrëngon edhe sot të nxjerrësh nga gjoksi  ulurima të thekshme. Vargje krejt e kundërta me ato të mësirpërmet të poemës “Nënë Shqipëri” të Agollit.

Poeti Trifon Xhagjika, ushtarak , që u pushkatua më 1963, shkruante  fshehurazi poezi, ndër të cilat poemën “ Kënga e verbër”, kushtuar “Republikës popullore”, nga e cila po shkëpus vargjet: “O Republikë e pabesë!/ T’u fala si kristiani Krishtit,/ Po ç’më dhe?/ Tek ti jam i lirë, pa liri,/I gjallë, pa jetuar,/I vdekur, i pavarrosur…/ Nuk mundem të të fal,/ Gjuha m’u zgjidh,/ Në netët e tua të përgjakura ,/ Do të dëgjosh zërin tim:/”Të urrej, Republkë,/ Lavire e zotërve gjakpirës..”, (prill 1962).

Sigurisht që nga Agolli, dhe jo vetëm nga ai, por edhe nga  poetë a prozatorë të tjerë, e përsëris, është e natyrshme që nuk priteshin të botoheshin  vargje të tilla. Dhe kur Kadareja një ditë tetori të vitit 1975 guxoi të dërgonte për ta botuar në gazetën “Drita” poemën “Në mesditë Byroja Politike u mblodh”,  që njihet edhe me titullin” Pashallaët e kuq”, kryeredaktori i saj, duke kuptuar rrezikshmrinë  që paraqiste,  e hoqi  në çastin e fundit nga shtypi. Cështja u ngjit  deri te”Kupola e kuqe”, shefi i propagandës,  Ramiz Alia, ia dërgoi për ta lexuar vetë Enver Hoxhës, i cili, midis të tjerash, e porositi që ta thërriste Kadarenë, sepse: “Për këtë poet reaksionar rendi ynë socialist është burokratik” dhe, për më tepër burokratët i kanë “duart të lyera deri në bëryl duart me gjak “.(“Ditari vetjak I Enver Hoxhës”,  20 tetor 1975).

Ndaj jo vetëm në mesin e viteve ‘70-të të shekullit të kaluar, dhe  më pas, Agolli nuk mund të shkruante ndryshe. Ishte i detyruar do t’u përshtatej rrethanave. Ose mund të bënte diçka tjetër. Të shkruante vepra, në prozë a poezi, dhe t’i ruante thellë sirtarëve , në  një kohë   që  Kadareja shkonte dhe më tutje: romanin e tij ”Hija”, që demaskonte sistemin tiranik shqiptar, e dërgonte më 1988 fshehurazi në Francë, që të botohej pas vdekjes së tij.Por edhe për këtë Agolli nuk duhet fajësuar. Në radhë të parë, sepse nuk dimë nëse ai pas kritikave që përmeda më sipër, deri në ndalimin e disa veprave te tij, kishte ndërruar bindjet e tij ideologjike, sidomos pas Plenumit të 4-t, 1973, që solli pasojat tragjike që përmenda më sipër. Nuk  besoj se ai të miratonte dënimet e rënda të shumë krijuesve që arritën deri burgosjen për shkaqe politike të F.Rreshpes, J.Bllacit, .Z. Zorbës, P.Taçit, D. Gumenit, V. Zhitit, Z. Moravës etj., të cilat pas dënimit me vdekje të   T. Xhagjikës të pasoheshin  edhe me dënimet   mizore, po me vdekje,  të dy poetëve të tjerë tërinj, V.Bloshmit dhe Genc Lekësm më 1967. Por as që të ngrinte zërin, në rast se kishte krijuar këtë bindje, ai nuk kishte mundësi, sepse, siç përmenda lart, xhelati Hoxha, nuk kishte ngurruar të shpinte në  varr shokët e tij të luftës.

Në  intervistën  e gjatë, të   botuar, siç vura në dukje mësipër,  më 2 mars të këtij viti thuajse në të gjitha gazetat tona , një familiar i ngushtë i Agollit thekson: “Dritëroi vlerësonte shumë Enver Hoxhën, e cilësonte atë si  “njeriun që bëri shtet dhe që ishte në gjendje ta mbante shtetin. E vlerësonte dhe e cilësonte atë të zgjuar”. Veç këtyre familiari shton se Agolli  vlerësonte edhe Mehmet Shehun, në shtëpinë e të cilit bënte dhe vizita dhe se nuk besonte se ai të kishte qenë poliagjent dhe të kishte vrarë veten. (Po aty). Pra, vinte kështu në dyshim bindjet e Enver Hoxhës, që kishte zbuluar “këto fakte”,  të cilat kishin sjellë si pasojë vetëvrasjen e kryeministrit,   “ vetëvrasje” që ai  quante “vrasje”. Pra hidhte poshtë bindjen e diktatorit!…

Jo vetëm kaq, por familiari shton se më 1984, gjatë një vizite në fshatra te jugut të Shqipërisë, kur kishte parë në fusha gomerë, Dritëroi kishte thëë: ”Shihni si ikin gomerët me vrap, se hanë tani ushqimimin e lopëve që janë futur në kooperativë!… Në vend që t’i lenë fshatarit lopën, tani i  kanë lënë gomarin, që vetëm punë bën dhe asgjë tjetër.” Pas këtyre fjalëve familiari e kishte qortuar se mund t’I  merrte më qafë, por Dritëroi kishte  shtuar: “Unë them të vërteta dhe mbajeni mend se kjo nuk zgjat më shumë se 10 vjet”.( Po aty).

Sidoqoftë, deri tani asnjë familiar tjetër nuk ka përgënjështruar pohimin  e mësipërm se Dritëro Agolli vlerësonte kaq shumë Enver Hoxhën….Por do të vinte viti 1985.. Diktatori do të shkonte në ferr. C’farë do të bënte tani Agolli nga ato që mund të kishte bërë më parë. Për këtë do të flasim në pjesën e tretë dhe të fundit të këtyre shënimeve .

Comments

comments

-----