POEMA DRAMATIKE “SKËNDERBEU” E AKTORIT TONË TË NJOHUR XHEVAT LIMANI NGA NJU-JORKU NË GJENEVË

Nga Arif Ejupi

Me rastin e festës së Pashkëve, Universiteti Popullor Shqiptar i Gjenevës  për artdashësit  e shumtë të këtij metropoli kulturor e diplomatik ka organizuar shfaqjen e poemës të llojit dramë “Skënderbeu” të aktorit dhe regjisorit tonë të mirënjohur  Xhevat Limani.
Audiencën e përbërë nga shqiptarë dhe zviceranë me artistin dhe krijuesin e dhjetëra veprave letrare dhe dramatike z. Xhevat Limani e ka njohur Albana Krasniqi-Malaj, drejtoreshë e UPSH-së në Gjenevë. Ajo aktorin e qindra roleve në teatrin profesionist të Shkupit dhe themeluesin e Teatrit Shqiptar në Amerikë, Z. Limani e ka prezantuar para shikuesve si hartues të vërtet të veprës së lavdishme të kryeheroit tonë kombëtar Gjergj Kastrioti–Skënderbeu.
Prezantimin e kësaj vepre në Vjenë, Zagreb,Luzern, Gjenevë e Paris, zonja Krasniqi Malaj e sheh si diçka që ringjallë dashuri dhe respekt për njeriun që shpëtoj krishterimin evropian nga asimilimi. Vlerësimet e zonjës Krasniqi–Malaj, janë plotësisht të sakta dhe të qëndrueshme ngase në Muzeun kombëtar në Vjenë të Austrisë, edhe sot me mburrje dhe krenari ruhet Shpata dhe përkrenarja e Gjergj Kastriotit–Skënderbeut.
Vepra e të cilit do të mbetet e përjetshme sepse falë atij u mund dhe u shpartallua Perandoria Osmane, tha në vështrimin e tij të shkurtër kritikë por mjaft përmbajtësor poeti dhe piktori Gani Bytyçi, i cili aktualisht kryen funksionin e Zëvendëskryetarit të Shoqatës së Krijuesve Shqiptarë të Zvicrës.
Ai këtë vepër monumentale të profesorit shumëvjeçar të Universitetit  të Tetovës, Xhevat Limani e konsideron si një vlerë të veçantë dhe trashëgimi të patundshme të historisë dhe kulturës sonë kombëtare.
Pastaj në skenën e ndërtuar me një dekor të mrekullueshëm të“Salle Communale du Mole” të Gjenevës, u shfaq artisti dhe regjisori Limani.
Me sytë e tij të bukur e plotë shkëlqim, me mjekrën e bardhë e natyrale, shpatullgjerë e energjik ai tek gjithsecili ngjalli Skënderbeun e para 549 vjetëve.
Nëpërmjet kësaj poeme dramatike u pa  qartë që arti i Limanit, është autentik dhe burimin e ka nga  thellësia e shpirtit të tij. Atij iu deshën nëntë vjet pune dhe sakrifice që të realizojë këtë projekt të madh, të cilin e kishte ëndërr të kahershme. Studiuesi dhe kritiku i mirëfilltë e me prirje për skenën dhe filmin menjëherë vëren origjinalitetin e aktorit Limani.
Ai për dallim nga disa artistë dhe regjisor ë të tjerë as që provon të kopjojë apo të interpretojë ndonjë artist  qoftë ai edhe i Hollivudit.
Thjesht, Limani , kërkon që të jetë vetvetja. Mbase kjo edhe ka bërë që ai të adhurohet tej mase edhe nga artistët dhe studiuesit e fushës së artit skenik në Amerikë dhe Evropë.
Poema dramatike “SKËNDERBEU” e aktorit dhe regjisorit Limani u vlerësua me notë të lartë edhe nga kritikë profesionist të teatrit dhe filmit në Kroaci. Gjithashtu ra në sy edhe talenti shpërthyes i sopranos Era Hoxha. Ajo e specializuar në Akademinë e Arteve të Bukura në Tiranë, në Degën e Operës dhe Baletit, kudo që prezantohet tërheq dhe bënë për vete shikuesin.
Me zërin e saj magjik e kumbues në rolin e Donikës, edhe në Gjenevë, Era Hoxha ka shkëlqyer përkrah babait të saj Xhevat Limani. Si zoti Limani ashtu  dhe zonja Era Hoxha, dëshirojnë që loja e tyre të rrjedhë lirshëm e të kënaqë publikun.
Prezantimin e veprave të krijuara ad-hoc dhe të paredaktura  nga njerëz të profesionit përkatës ata e konsiderojnë vetëvrasje të vetë artistit dhe varfërim të  përgjithshëm të kulturës së një populli. Vlerësim të lartë për këtë vepër perlë të historiografisë sonë dha edhe Mr. Bardhyl Mahmuti, veprimtar i njohur i çështjes kombëtare dhe autor i librit “Mashtrimi i madh”. Ai nuk e fshehu kënaqësinë e tij të veçantë që realizuesit e kësaj ngjarje të rëndësishme vijnë nga Struga, e cila në të gjitha periudhat ka promovuar figura të mëdha nga fusha e shkencës, artit dhe kulturës sonë kombëtare.
Ndërkaq inxh. Ali Sh. Mehmeti, kryetar i Shoqatës “Komuniteti  Shqiptar i Gjenevës” mendon që kjo vepër i përgjigjet më së miri Gjenevës, sepse që nga viti 1997 buzë liqenit Leman, këtu në Gjenevë, rrezaton paqe dhe civilizim shtatorja e kryeheroit tonë kombëtar Gjergj Kastrioti- Skënderbeu, e ngritur me iniciativën e atdhetarit të devotshëm Astrit Leka.
Nerxhivane Sejdiu Ferati, poete dhe mësimdhënës e Gjuhës shqipe për të huajt në UPSH-në e Gjenevës,thotë se mërgimtarët tanë merituan një ngjarje kulturore si kjo sepse ata përkundër obligimeve të tyre të shumta iu përgjigjën ftesës së organizatorit.
Po ashtu ajo përgëzon për këtë sukses të lartë këtë familjeje artistësh duke u dëshiruar edhe realizimin e projekteve të tjera në pritje.
Këtë shfaqje me praninë e tij e nderoi edhe Konsulli i Përgjithshëm i Republikës së Kosovës, në Gjenevë, zoti Ramadan Avdiu. Vlerën artistike të kësaj poeme dramë më së miri e dëshmojnë edhe duartrokitjet e pandërprera të shikuesve si dhe buqetat me lule përgatitur nga organizatori enkas për aktorët Limani–Hoxha.
Me të përfunduar kjo poemë dramatike të gjithë u mblodhën përreth sofrës së shtuar me ushqime dhe pije të servuara  nga Universiteti Popullor Shqiptar i Gjenevës.
Secilit shikues qoftë ai shqiptar apo i huaj iu dha mundësia e bashkëbisedimit me aktorin Limani, i cili që nga marsi i viti 2002 me plotë sukses vepron në Nju-Jork të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Në ndarje Limani  bëri fotografi kujtimi me publikun e mrekullueshëm të Gjenevës, dhe premtoi se poemën dramatike “Skënderbeu”këtë margaritar të kulturës sonë së shpejti do ta shfaqë edhe në anglisht, si dedikim special miqve tanë të përhershëm amerikanë.

 

ARIF EJUPI

Comments

comments