NJË KUJTIM I GËZUESHËM

Nga Luan Çipi

 

Gjyshe, babë, nënë e vëllezër
Në një foto shoh me mall,

Mendja më shkon në kohë tjetër,

Të kujtoj ngjarjet me radhë:

Babë e nënë, gjirokastritë,

Labëreshë ishte gjyshja.

Te fotoja më mbetën sytë:

Sa do t’ desha që t’i kisha!

Një foto, nëntëdhjetë vjeçare,

Babë e nënë, tre vjet martuar,

Vëllezërit e mdhenj, të vegjël  fare,

Gati duke belbëzuar.

Lule, quhej gjyshja n’ mote,

Emri i denjë, përshtat i rrinte,

Vajzë në Halulaj, kardhiqote

Derë e lashtë, burra tradite.

Nëna, me emrin Zeqirje,

Soj imoçëm, Peshkopia,

E bukur qysh vajz’e re,

E shihje, qeshte shtëpia.

Kaman, quhej im at,

Emigranti në  Amerikë,

Njëri tjetrin patën fat

I thanë beqarisë, ikë.

Ky tregim, me cens gazmor,

Është për dasmën prindërore.

Dëgjuar herët në Vlorë,

Po e sjell të freskët prore:

Dasmë si kjo, nuk ishte parë,

“Nuse me njëzetë vetura”,

Burie, britma të pa ndarë

Varg i gjatë me gra e burra.

U thyen dogmat e vjetra:

Këngë e valle qytetare,

Saze, kitara, gërneta

Delvinjote e Përmetare!

Në Palorto, lagje babai

Dhe ne Pllakë, nga ishte nëna,

Mend secili do e mbajë:

Vera e rakia me shtamba,

Kudo, valle e këngë qejfi,

Gjithfarësoj  gjirokastritë,

Gjëmoi daullja dhe defi

Nga të bardhë e nga jevgjit.

Për një javë vazhdoi ahengu,

Blegërimat s’ reshtën kurrë,

Sa një mullar u bë dengu,

Plot me brirë e me  lëkurë.

*

Ti, moj fotoja shekullore,

Ç’më kujtove shtatë ditët:

“Në gëzimet madhështore

Nuk kursejnë gjirokastritët!”

Tiranë, më 15.04.2017

 

 

 

 

 

Comments

comments

-----