SHKOLLAT SHQIPTARE JU PRESIN !

Nga At Gjergj FISHTA O.F.M.

 

ATDHEUT

Në 115 vjetorin e botimit… Strofat janë të prekuna të gjitha ma vonë nga Autori.

Kjo kangë e botueme së parit në vitin 1902 (libri i tretë i këndimit), u botue prej Shoqnisë “Bashkimi”. Prej dorëshkrimit shohim se kjé shkrue me 12-3-1896.

 

  1. N’ ty mendoj kur agon drita,

Kur bylbyli mallshem kndon,

N’ ty mendoj kur soset dita,

Têrri boten kur e mblon.

  1. Veç se ty të shoh un n’ anderr,

Veç se ty, çuet, t’ kam n’ mendim;

Nder t’ vështira ti m’ jé qanderr,

Per ty i lehtë m’ vjen çdo ndeshkim.

  1. Tjera brigje, fusha e zalle

Un kam pa, larg tue ba shtek,

E pergjova tjera valle,

N’ tjera lule syu m’ u rrèk;

  1. Por nji fushë ma e blerët nuk shtrohet,

Por nji mal ma bukur s’ rri,

Ma i kulluet nji lum s’ dikohet,

Moj Shqypni, porsi i ké ti.

  1. N’ ty ma i bukur lulzon Prielli,

Janë ma t’ kandshme stinë e mot;

N’ ty bylbyli pa lé dielli

Kndon ma ambel t’ Madhit Zot.

  1. Pa ty lules s’ m’i vjen era,

Pa ty pema fryt nuk m’ bjen;

Mue pa ty nuk m’ del prendvera,

Pa ty dielli nuk m’ shkelxen.

  1. Dersa t’ mundem me ligjrue

E sa gjall me frymë un jam,

Kurr Shqypni, s’ kam me t’ harrue,

Edhe n’ vorr me t’ permendë kam.

            Nga Don Ndre MJEDJA:

 

ANDERR

                                                                        (Botue heren e parë në 1909)

 

                        Pezull prei qiellit fluturonte e shkreta

                        E si dielli n’ mjesditë rreze shperdake;

                        Engjëll nder cucat o nji çikë giake

                        Qi veç, qielli numron nder valle t’ veta.

 

                        Arit i kishte flokët, e kish si zgjeta

                        Driten e syve e mollzat rrumullake,

                        E buzët e vocrra me të ngjyme gjake,

                        Qi kur i pash krejt’ i mahnitun meta.

 

            Mandej si njeri, qi prej gjumit ngihet,

                        Mora zemër e e pveta me trimni:

                        “Engjëll a vajzë je ti, o bukurija?”

 

                        Qeshi goca nji herë, si vashë qi pîhet,

                        Uli kryet teposhtë e me dashtuni

                        “Moter e nanë, tha, m’ ke – jam Shqyptarija!”

 

Nga Luigj GURAKUQI:

                                                SHQIPTARVE LIDHË NË BESË

Për të gjithë an’ jemi rrethue
Anmiqt kqyrin me u avitë:
Don’ tok’t tona me i zaptue,
Don’krejt faret me na qitë.
N’ sulmin tonë’ pushka s’na pret
S’na rren parja, i bim shqelm arit
N’luft ‘ tuj dekun për vend t’vet
Si me le i bahet Shqiptarit!

                                    Bini djem me gjith’ furi,

Pret prej jush Shqypja liri! 

 

Shenim nga Fritz Radovani: Mbasi t’i lexoni këto poezi, Ju lutem, vetem per një minut mendoni shkatrrimin e Shqipnisë nga “Revolucioni Ideologjik e Kulturor i vitit 1967”!

■Deri kur do të vazhdojnë nder shkollat Shqiptare kjo urrejtje?!

            Vazhdon Pjesa XIII.

            Melbourne, 14 Prill 2017.

Comments

comments

-----