Sofër e shtruar e shprehjes së lirë të shqiptarëve

Nga Gjekë Gjonaj

 

Me emërimin e Këshillit Programor të Kohës Javore, nga Këshilli Kombëtar i Shqiptarëve  para një viti,  gjendja në gazetën “ Koha Javore” ndryshoi për  mirë. Ajo tashmë, siç  jeni në dijeni, është shndërruar në një revistë moderne, e cila për nga  cilësia  është konkuruese  e denjë e  revistave me emër të mirë  jo vetëm  në Mal të Zi , por edhe  në rajon dhe në hapësirën mbarëshqiptare. Përveç botimit   të saj me formatë të ri, me mbështetjen e Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve,  arritëm të shtojmë edhe katër faqe më shumë seç kishte më parë  dhe të mundësojmë daljen e saj  edhe në versionin elektronik. Revista u freskua dhe u pasurua  edhe me shkrime  të reja, në tri zhanre: zhanrin informativ,  zhanrin analitik dhe zhanrin publicistik (letrar).

Këshilli Programor dhe redaktori përgjegjës i Kohës javore  u kanë dhënë mundësinë e shprehjes së lirë, pa censurë, të gjthëve, gazetarëve, shkrimtarëve, poetëve,  profesorëve, studentëve e të tjerëve, me dëshirën që ata   pa asnjë frikë të shprehin kreativitetin e tyre nëpërmjet trajtimit të temave kulturore, arsimore, artistike, politike, shoqërore, ekonomike e tjerë.

Koha  Javore ka qenë dhe do të jetë e hapur për të gjithë njerëzit e lapsit . Ajo mirëpret dhe publikon artikuj të ndryshëm informues, kritik, frymëzues, udhërrëfyes, poetik, artistik, kulturor, shkencor, atdhetar e sportiv.  Si e tillë është  bërë sofër e shtruar e shprehjes së lirë të shqiptarëvetë të gjitha profileve që  duan të thonë e të bëjnë publike mendimin e tyre  për problemet dhe të arriturat e shqiptarëve në Mal të Zi dhe në të gjitha trojet tjera ku jetojnë ata. Prandaj, ju inkurajojmë  të gjithëve  dhe keni përkrahjen tonë morale që me po të njëjtin përkushtim të vazhdoni të kryeni këtë profesion të shenjtë të informimit qytetar, gjithnjë duke pasur përcaktim në radhë të parë qëndrim human ndaj çdo situate dhe dëshirën e përbashkët për ngadhënjim të vlerave shoqërore.

Koha Javore gjatë gjithë këtyre pesëmbëdhjetë viteve ka qenë,  dhe në mandatin tonë do të jetë,  e depolitizuar dhe një tribunë e hapur për të gjithë  shkrimtarët, pavarësisht bindjeve politike, në kushtet e  demokracisë dhe pluralizmit.

Kjo qasje dhe arritje  modeste ndjeshëm  ka shtuar  numrin e    lexuesve, që është parametri kryesor i suksesit  të secilës medie, por jo aq sa do të dëshironim. Andaj ju lus që   ta blejmë më shumë se deri më tani Kohën Javore, pavarësisht se ajo është e përjavshme  dhe ndoshta nuk i përmbushë shijet e të gjithëve, sepse  është e jona,  dhe s’kemi  medie tjetër  të printuar   në gjuhën shqipe. Nëse   veprojmë në këtë  mënyrë  do të arrijmë tri  gjëra, për mua të rëndësishme.

E   para  do të shmangim një traditë  jo të mirë  që më shumë jemi të prirur të  lexojmë shtypin   e huaj se atë shqiptar, për fat të keq.

E dyta  do të  krijojmë një kulturë të re të  leximit shqip.

E treta  do të përmbushim një detyrim kombëtar, i cili na nderon të gjithëve.    

Jemi të mendimit se është  nevojë e kohës që Koha Javore mos të mbetet e përjavshme, por të gjthë së bashku, përfshirë këtu edhe klasën politike shqiptare, të veprojmë guximshëm dhe me këmbëngulje ndaj pushtetit malazez që ajo në një ditë jo të largët të dalë  tri herë në javë  me po atë numër të faqeve që ka sot. Të shtohet numri i punëtorëve e gazetarëve, dhe më pas, edhe të shndërrohet në gazetë ditore. Kjo, e them me bindje, është edhe dëshirë e shqiptarëve në Malin e Zi. Jetësimi i këtij synimi të lartë patjetër do t’i gëzojë të gjithë shqiptarët.

Uroj që Koha Javore   në rrugëtmin e saj  të vazhdojë të përsoset  dhe të kryejë  siç duhet  misionin e saj informativ, në mënyrë profesionale , në pajtim me  standartet e gazetarisë, duke u bazuar gjithnjë   në të vertetat që i duhen opinionit publik. ( Autori është kryetar i Këshillit Programor të Kohës  Javore)

 

 

Comments

comments

-----