DHUNOHET KISHA E KLERI KATOLIK ME ARMATIME, BURGOSJE, TORTURA, PUSHKATIME, GJYQE FALLCO…

Nga Fritz Radovani

 

15 NANDOR 1946,ORA 12 NË DREKË, TUE NGRANË, ARRESTOHET NGA SIGURIMI I SHTETIT KOMUNIST PROVINÇIALI AT MATI PRENNUSHI…

ORA 17, ARRESTOHET DELEGATI APOSTOLIK IMZOT FRANO GJINI…

  • 17 NANDOR 1946 RRETH ORËS 2.00 NË MENGJES, SIGURIMI I SHTETIT FUTI ARMËT NËN ELTERËT E KISHËS E, KUVENDI I FRETENVE KTHEHET NË BURG…NJIHET BURGU MA I TMERSHEM NË SHQIPNI E PSE JO, NË KREJTË LINDJEN KOMUNISTE EUROPJANE…ME 800 TË BURGOSUN…

  • Porosia jugosllave per veglen e tyne antikatolike Enver Hoxha ishte: “…Të shkatrroni kulm e thëmel çerdhën e Klerit Katolik në Shkodër, me në krye FRANÇESKANËT!”

  • 17 nandor 1946, një natë me shi, ndalojnë makinën tek dera e kuvendit ngjitë me Kishën, e hapin me çelsat e marrun me zori prej kuzhinjerit Martin Tarri, kalojnë nëpër mencë e futen në Kishë nëpër derë të kompanjëlit. Shkarkojnë armë e municione mbrenda Kishës tek Elteri i Shna Ndout, i Zemrës së Krishtit etj, dhe rreth orës 04.00 e rrëthojnë Kishën me ushtarë të Ndjekjës, tue mos lanë asnjë njeri me u afrue. Në ora 05.00 kur thohej mesha e mëngjezit rrëthohet edhe kuvendi me françeskanët e xhakojt që ishin aty. Ditën bahen vizita nga autoritetët e organizatat e ndryshme me pa armët e mëshefuna nga “fretnit”. Furrtari Zoi Themeli, drejtonte Degën e Mbrendshme, ndërsa zv. shef ishte samarxhiu Zoi Shkurti, torturues katil, bashkëpuntorë i kriminelit Petrit Dume në Korçë, kur u mbërthenin njerëzve ndër thembra patkoj. Komisari politik i tyne ishte krimineli Nesti Kopali, i sëmurë patologjik për krime, imoral ashtu si prokurori Aranit Çela e Spiro Pane. Ligji zbatohej nga Esat Ndreu, Tonin Miloti, Nestan Ujaniku, Misto Bllaci etj., vëlleh endacakë e mushkarë, analfabet, që ua dhanë rasa me pushkatue filozofë, profesorë e ingjenjerë. Asnjeni nuk dijnë me shpjegue se cilës rracë i përkasin, ata kujtonin se Tito, Stalini dhe Enveri janë kafshë të përjetëshme. Secili në kurset e analfabetëve mendon me vra mësuesin e vet, si Juda. Këtij grupi të etshëm për gjak i ka shërbye Arif Gjyli, Qamil Gavoçi, Qazim e Fadil Kapisyzi, Rahman Perllaku, Toger Baba, Zija Dibra, Ali Qorri (Bushati), Kasem Troshani, Lilo Zeneli, Thoma Karamello, Mentor Xhemali, Elez Mesi, Dulaç Lekiqi, Vaskë Koleci, Ali Xhunga, Ndrek Nallbani, Jonuz Dini, Xhemal Selimi, Hysni Ndoja, Asllan Lici, Bilo Bregu etj. që pasohej nga grupi i të rinjve Pjerin Kçira, Nush Baba, Lin Çollaku, Alush Bakalli, Gjovalin Mazrreku, deri tek kufoma e fundit e Sigurimit, krimineli i “rilindur” i Shkodres Shyqyri Qoku.

  • “Dosja 1302/II-A”Ky film i organizuem dhe i luejtun nga rregjizorët jugosllavë asht nder krimet ma të shemtueme të zhvillueme në Burgun e Kishës në Shkoder.

BURGU I KISHËS FRETENVE SHKODER

I vetmi njeri i penduem që kam njohë në vitin 1982, pjesëmarrës i Sigurimit të Shtetit në këtë vepër të shemtueme asht kenë Zef Bardhoku, i cili më ka tregue krejt mënyrën si kanë hy në Kishë me armë dhe, si i kanë vendosë arkat aty. Tregonte se Fra Ndue Vila, nuk ua kishte dhanë çelsat e ishte torturue mizorisht. Ai pohonte se dyshohej për armë përsonale ndër fretën, mbasi kishin informata nga xhakoj agjenta. Mbyllej biseda e Tij: “Nuk dij sesi, Zoti nuk ka premtue për të gjithë ne që kemi futë armët në Kishë, me na varë populli katolik në traun e sipërm të derës së Kishës së Shna Ndout, për atë vepër të ultë që kemi ba, tue çue në plumb Imzot Frano Gjinin, At Mati Prennushin, At Çiprian Nikën e Don Nikoll Deden krejt të pafajshëm, e sa të tjerë, me vite të tana në kampet e burgjet e mnershme të shfarosjës ku, edhe kanë vdekë…”(Dishmi gojore, viti 1982).

  • 4-11 Shkurt 1945: KONFERENCA E JALTES…

Vendosi në Shqipni diktaturen sllavokomuniste të diktatorit Stalin, prej së ciles, deri në  1950 diktatori Tito, me veglen besnike terroriste në Shqipni Enver Hoxha, kanë vra dhe zhdukë nder hetuesi e kampe shfarosje me një barbarizem të panjohun GJENOCIDI: Imzot Frano Gjini, Imz.Gjergj Volaj, Imz. Nikoll Tusha, Imz. Jul Bonatti, Imz. Nikoll Deda, Imz. Vinçenc Prennushi, Imz. Gjergj Haberi, At Lorenc Mitroviq, Don Lazër Shantoja, At Leonard Tagaj, Don Ndre Zadeja, Don Mark Xhani, At Giovani Fausti, At Daniel Dajani, At Gjon Shllaku, At Anton Harapi, At Zef Maksen, Don Alfons Tracki, At Mati Prennushi, At Çiprian Nika, Don Anton Zogaj, Don Nikoll Gazulli, At Bernardin Llupi, Don Luigj Pici, At Bernardin Palaj, At Serafin Koda, Don Dedë Plani, Papa Pandi (Korçë), Papa Josif Papamihali, At Lekë Luli, Don Dedë Maçaj, Don Luigj Prendushi, Don Pjeter Çuni, Don Aleksander Sirdani, Don Anton Muzaj, Don Mark Bicaj, Don Vlash Muçaj, Don Nikoll Shelqeti, Don Ejëll Deda, Don Jakë Bushati, Don Nikoll Laskaj, Don Kolec Prennushi, Seminaristi Mark Çuni dhe Fratel Gjon Pantalia.

U arrestuen, torturuen dhe vuejten shumë vite nder kampe shfarosje: At Gegë Lumaj, At Dioniz Maka, At Alfons Çuni, At Gasper Suma, At Sebastjan Dedaj, At Gjergj Vata, At Jakë Gardin, At Frano Kiri, At Donat Kurti, At Filip Mazrreku, At Aleks Baqli, At Pal Dodaj, At Marjan Prela, At Agostin Ashiku, etj, që u vazhdue me Gjenocidin e 1967…

***

  • Ata kriminelë e terroristë vrasës që kanë dhunue Kishen Katolike dhe Klerin Katolik Shqiptar Atdhetar, inteligjencen europjane e pasuesit e kulturës Perëndimore, gëzojnë edhe sot: “Dekoratat, medaljet, tituj shperblimi, pensione e privilegje”, e trashigimtarët e tyne hajdut, drogagjijë, vrasës e tradhtarë, nderohen per veprat ma të ndyta kriminale të paraardhësve të tyne nen masken e turpit, për “Rilindjen e një Gjenocidi shfarosës” të SHQIPNISË EUROPJANE TË GJERGJ KASTRIOTIT – SKENDERBEUT !

            Melbourne 14 Nandor 2018.

 

 

 

Comments

comments

-----