EDHE NJË TJETËR LIBËR I POETES DHE PROZATORES VLONJATE MARJETA MUSARAJ

Nga Luan Çipi

‘’KUR TI MUNGON’’  është titulli i librit të ri, i teti në radhë, i poetes, tashme dhe të eseistes se re vlonjate, me banim ne Itali, zonjës Marjeta Musaraj.

Libri i ri, me më se 150 faqe, ku , në një formë risie, gati gjysma përmban poezi,  lexohet me endje e kërshëri. Poezitë nisin me Nënë Terezën, në titullin

TEREZA  QIELLORE

-7-

Kur ti mungon

Tereza qiellore

Ti linde truallit të stërlashtë

Pellazgëve hyjnore zbritur qiellit

Mëkuar nga rrënjët e tua mitike

Globit e pavdekshme rron dritës së diellit

Nëna e kombit tim

Me shpirtin tënd mbështolle tërë botën mbarë

Mes njerëzve si Krishti ngjalle shpresën, mirësinë

Nga djepi Aleksandërit, kontinentesh me radhë

Lotove shpirtit tënd dhe mbolle dashurinë

Me dorën tënde dhe fjalën e bardhë

Ti nuk u prehe e qetë dhe qiellit

Por rende në çdo skutë të vrasësh mjerimin, urinë

Ti je rrezja e ngrohtë e diellit

Je nëna për tërë njerëzinë.

Në pjesën me poezi edhe pse gjysmë libri, përfshihet brenda e gjithë bota shpirtërore e poetes, në ngrohtësi e në zjarr, me dashuri e nostalgji, e gatshme nga mëngjesi, gjithë ditës dhe gjithë natës, në gati fluturim, çmenduri e relaks, në qiell, në tokë e nëntokë, në Shqipëri e në mërgim si e arratisur dhe e syrgjynosur, në gëzim  e trishtim, në qetësi,  siguri  dhe midis frikës. Pjesa e poezive mbaron në Antikitetin e Lashtë,  në prag pranvere me  fundin e dimrit të acartë, po e dyzuar në jetë, me ëndrrën rinore, të përjetësimit dashuror Ajo i mbyll poezitë, duke thënë:

 

ATËHERE

Ishte mesi i pranverës magjike ku ora shpërthen

kurorat e maleve çlirohen tkurrjes së mizorit dimër

Lisat kryeneçë me sythet e gjelbër copëtojnë irisin qiellor

Atëherë u njohëm të dy e gjaku ndezi zjarre në çdo venë

E shpirtrat i bëmë Siamezë si epokat me  mite e Shenjtorë

Lastarët e fryrë limfës pikonin gëzueshëm trupave tanë

Bari lëndinave e lule shumëngjyrëshe ngjasonin Kopshti Alkinoit

Ti sytë e përmbushur si sorkadhja e Kernit, Artemidës i ngjan

Unë Orfeu dhe Ezopi i thinjur  përbuzur fjalët s’mi dëgjojnë

Atëherë do themi të dy kur dallga sterenë ka sjellë pranë.

Kur qielli i qelqtë me hënë e yje të ndriçojë netët tona

Errësira si mamuth ferrit të hadit do mbyllet për jetë

Orakujt Delit profecitë do thërrasin të përbotshmeve Jehona

Koha kronos murosur atlandites thellë Atlantës dete

At’herë do themi; u njohëm të dy e mbetëm për jetë.

Pjesa e dytë e librit vazhdon me disa esse. Esetë e Marjetës janë një kapitull më vete, që ndryshe nga te shkrimtarët e tjerë, u bashkëngjiten poezive, po që ngjasojnë si prozë poetike, pa e shkëputur autoren nga ndjenjat e saj intime, që shpërthejnë tjetër soj, në forme pakënaqësie e proteste të hapur e pa kufi.

Ajo çka bije menjëherë në sy ne vijim, te libri Marjetës, janë njohuritë që ka ajo, pasioni dhe dashuria e saj, për fjalëformimet dhe etimologjinë e fjalëve të veçanta të shqipes. Ajo shpjegon bukur dhe me vetësiguri prejardhjen e disa fjalëve të hershme shqipe, si panairi, bizantin, matrika, etj. Duke i shpjeguar dhe duke ngelur tejet krenare, për origjinën e tyre pellazgjike. Ajo qëndron e shpjegon edhe fjalë te tjera si molla, Elena, Elisa dhe flet deri  për Eremitët e Dodonës, etj., duke i shpjeguar të gjitha me dashuri e krenari, si të origjinës Pellazge.

Marjeta Musarai edhe në essetë e saj të guximshme ndihet sa krenare, aqe dhe e veçantë. Ajo thotë: “O njerëz që më rrethoni ngado në jetën e përditshme, të mençur, të ditur, njerëzorë, të kuptueshëm tek moskuptimi i së vërtetës dhe mendje ndritur në shpellën e errësirës suaj genetike. Mua, që mes turmës së madhe dhe të pafundme dhe të pambarim më shikoni, dalloni dhe më përçmoni, a e keni pyetur hijen tuaj kur ka diell se në ditë pa diell as hije nuk keni,  pse jam i veçantë? Unë, o të mjerë me fytyra njeriu, linda të jem i pa ditur, të vuaj duke kërkuar diturinë, të tretem nga dashuria, për të mësua dhe të dhimbem që për ju, që bëni pis emrin njeri dhe që kurrë s’kuptoni pse erdhët dhe si ikni nga kjo jete. Unë linda t’ju ndjej,linda të hedh kujdesur hapat e veprimeve të mija, të kuptoj vetveten, se kështu nuk ju shkel dhe plagos ju dhe pse jeni kavje me rrezik njerëzor dhe në vende të lehni, flisni. Unë, o gjallesa ju njoh mirë se ju jeni kope brez mbas brezi, epokë mbas epoke me të njëjtën miopi, me të njëjtën sëmundje psikike që dhe pse sytë miopë të logjikës suaj nuk shikojnë as majat e këmbëve tuaja vrastare, ju e keni të noterizuar se jeni shkencëtarë, dijetarë dhe Sofos realë në tokë. Edhe pse kurrë se ndjeni se shikoni si e turpëroni emrin njeri. Ju as sa një gomar s’dini, s’kuptoni dhe s’dëgjoni dhe jo më tepër sa kali që ruan të zotin dhe i tregon se përpara ka pritë. Ju jeni babuinë. Mjerë geni që ju ka lindur, ngushëllime Tokës mëmë që e shkelin këmbët tuaja të fëlliqura dhe shenjti oksigjen i jetës që toksitohet nga kërma e stërmadhe juaja.

Po të kisha dy a më shumë jetë për të jetuar do heshtja, do pranoja të prisja jetën që do më jepte atë që kisha në genin tim për ta jetuar.”

Dhe duke e mbyllur krejt librin, po krenare për misionin e saj human e të dobishëm,  poetja Marjeta Musaraj, shkruan: “Unë quhem e marrë se u them të vërtetën këtyre bythëzbathurve, që të parët e tyre s’kishin brekë dhe ishin gjysmë shpellarë nga dituria dhe kultura. Se qëkur lindën u mëkuan që në djep nga injoranca familjare.  Pra për këto quhem e çmendur dhe a e dini se; – ndihem mirë, e plotësuar kur vazhdoni të më thoni e çmendur, kur s’më duan pranë, kur më urrejnë…Se kam ndërmend andikapet e Aristotelit, që i futi në shpellë dhe për t’i argëtuar u fuste ndonjëherë një rreze dielli dhe, ata lumturoheshin me hijen e tyre, sepse e quanin krijesë si veten. Kaq po ju rrëfej për sot se unë jam i qeshur i përjetshëm të cilët i mëshiroj sepse geni i tyre epokë mbas epoke nuk ndryshon t’i bëjë njerëz, se është i pandryshueshëm dhe i dënuar t’i vdes kope dhe shumicë. Natyra e përzgjedh pakicën.”

Duke përfunduar e kuptoj dhe shpjegoj shkrimtaren për kompetencën dhe krenarinë e saj dhe  i uroj suksese në vepra të tjera të dobishme!

Tiranë, më 06.10 2018

 

 

 

Comments

comments

-----