PËRKUJTOJ AT PJETER MËSHKALLEN

Nga Fritz Radovani

 

21 Tetor 1946 Arrestohet në Tiranë At Pjeter MESHKALLA…

U dënue dhe bani 15 vjet burg në Burrel dhe kampe shfarosje…

U arrestue prap me “Revolucionin Kultural”, me 29 Prill 1967 në Shkoder dhe, u dënue edhe 10 vjet të tjera…

Gjithsejt ka ba 25 vjetë burg.

 

Arrestimi i dytë u ba në mbledhjen e organizueme nga Fronti Demokratik i Lagjes, në Institutin Pedagogjik të Shkodres, me 29 Prill 1967, ku hymja ishte me ftesa…

 

Në fjalen e Tij në Institutin Pedagogjik para arrestimit At Meshkalla ka thanë:

 

“…Unë po ju them këtu se Populli nuk asht dakord me shka jeni tue ba ju, ai ka besue dhe do të vazhdojë me besue në Zotin edhe pa Kisha e Xhamija… Ky veprim që bani ju sot asht vetëm turp para Zotit e para Popullit, asht turpi juej para gjithë vendeve të Europës, mbasi kjo që bani ju sot  këtu bahet në pragun e 500 vjetorit të vdekjës së Heroit tonë Kombëtar, Gjergj Kastriotit – Skënderbeut, Mbrojtësit të Krishtënimit! Vetëm këte mendoni, shka ka me thanë Europa për ju!

 Ajo e njeh Popullin Shqiptar dhe e di se ka 2000 vjet që Populli ka ndjekë e do ta ruej në zemër Fenë e Krishtit!”

 

NGA  AT  PJETER  MESHKALLA S.J.:

HIPOKRIZIA

 

 

 

Hipokriti kërkon të duket ndryshe nga ç’është.                                                                                                                  Shtihët si i mirë për të gënjyer të tjerët. (Fjalori)                                                         .                                                                                           

          Mos iu afro Perendisë me zemër dy faqesh…

 Mos ban hipokrizi para njerëzve! (Ecili. 1. 36-37).

 

                                   E kundërta: I çiltër, flet e vepron pa u shtirë, është i

             pastër nga zemra, i sinqertë. (nga Fjalori).

 

                                 I. DEFINICIONE   

 

        Një maskë e zbukurueme

që hollë mbulon fytyrën e shemtueme.

        Sa vojna lyrë-ngjyrë

që mëshefin rrudhat e një plakës mënxyrë.

        Një pare kallpe e zbehtë

që në treg na del porsi flori i vërtetë.

        Thesi që në grykë ka molla

e poshtë der’në fund, ka veç gjarpinjë e bolla.

        Një monument mermeri

mbi kryma, mbi skeleta e kafka tméri,

por zemra ndinë si’ i akull në ty, që ngrinë,

por shpirti i drejtë… nuk di… nuk di, nuk di sesi…

por, ndinë….

                      se jé  h i p o k r i z i !

 

 

  1. KUADRA 

 

        Jé Judë, që fjalën ké si shpirt – njeri,

e për trathti ndaj Mësuesit psherëtitë,

në sa me një të puthun Mësuesin jé tue shitë,

                                   hipokrizi

                                     për treqind pare argjënd!

        Joab jé, që pret në besë e vé pusi:

hasmin e falun përqafon miqësisht,

kur të msheftën thikë atij ia ngulë tinzisht

                                  hipokrizi

                                      fillë në zemër, si gand…!

            Ti Sirenë magjepsore, shtrigë unjî:

tërhjek e detarët i thithë në pasqyrë të qétë

dhe, ia përplasë anijën té’ i shkamb nën détë

                                   hipokrizi

                                      me knaqun synin tand!

              Të njoh mirë, hipokrizi…

                                      ti jé trathti, lubi!

                                     Gënjen synin pa sherri,

por, zemra ndinë një erë gjaku në ty, që ngrinë,

por, shpirti i drejtë nuk di… nuk di sesi,

por, ndinë….

                                       se jé  h i p o k r i z i !


            III.  TË  KAM  GJETË  !

                                                                                               

      Të kam gjetë, hipokrizi, në çerdhët që ké:

Labirintët tueja janë pa krye,

por me çka pashë e ndjeva unë mbi këte dhé,

mjaft mësova e mjaft mu çilën këta dy sy.

       Në shoqninë njerëzore isht’ kenë një gja për bé:

Sinqeriteti kapun në luftë me ty,

e ti, kolonë e pestë, me dinakri,

të sinqeritetit në kështjellin barkas shtri…

      Të kam gjetë nën doreza të buta humanitare,

me çapojt e përgjakun të njaj skyftéri…

Në çajë të ngrohta të pashë “bamirëse-kërcimtare”,

me’i zemër si natë dimni kur frynë véri:

      Mbi borë përjashta dridhet një lypcarë,

ndërsa…për té (!) gjithë natën krisë Valcëri!

P’aj, të kishte veç një kokë kjo botë e tanë,

për t’ia këputun ma shpejtë, mundim pa i dhanë!!

      Nën maskë të kam gjetun Aristokracije,

me lule e lajle dhe “virtyte Oborri”…

Po, u zbè me’i herë çdo rreze qytetnije,

kur ia zbulova petët këtij laknori….

 

      Të kam gjetë nën xhamadan burri Malsije,

( kujtim i largtë herojsh’ që koha i mori),

hèu, gardh Kanuni thyemun njëqind herë,

për me i lanë burrit shteg “me dalë me ndérë”…

      Të kam gjetë nën frakun e njaj Liberali,

që të ngopë me “tolerancë” – “liri-mendimi”,

por, furinë fanatike s’di ta ndali,

kur gjenë përballë një idé të vendosun trimi.

      Të kam gjetë mbas syzash të Markës “ideali”,

në dy gropa syshë të thella e të êrrta shqîmi

që botës, dritë s’i dhanë m’sa ‘i natë varri,

sido që të ndrisin syzat me rrathë ari.

     Të kam gjetë në xhep të Nacionalistit vlershëm

me dhjetra flamuj tubë të shtrênjtë e të lirë,

mbishkrue me shirit etiketë “ i ndérshëm”,

p’r inat të atij që asht veç Shqiptar i mirë!

    Në çantë të kam gjetun të Demagogut të tmérshëm

(anmik intrigash, qytetar i dëlirë).

Ndër disa fletë të mshefta, si po i thona:

“Ndani e përçani…me çdo kusht e jona!”.

      Të kam gjetun nën petkun e Fétarit tonë,

brumë Farizeu, që pjesën rri tue luejtë:

Tartuf buzë-rrudhë e vetull-vrênjtë gjithmonë,

e mbas perdje asht laksist-gaudent i prunjtë.

      Ai e di mirë se dy shelqinjë – si’i thone –

në një dorë, bèsa, me i mbajtë askush s’ka mujtë:

 

 

 

Detyra e shénjtë në “Sherbim të Perendisë”,

nuk i lè kohë të shikojë plagët e njerzisë…

     Të kam gjetë ndër thonjtë e gishtave të Tregtarit,

sa me shkathtësi tespi e rruzare hjedhin,

si të ishin bash verdhukët e bukur t’arit,

që, pikë prej gjakut të fukarasë, i vjédhin…

S’do mend, nga fryti i shtrydhun n’djersë të mendqarit

barkthatë e lakuriq, do fije drédhin,

e ndezë ndo’j dritë në faltore, si “mëkatnorë”,

e, për “me shkelë” Zotin me’i bakshish nën dorë!!…

      Të kam gjetë atje ku e ka selinë Drejtësia,

në lagênin e Pilatit, plot gjak të vjetër,

rrjedhun me baltë të Mamonës duerve të tija

dhe, gjak në duer të lame, gatshëm për gjak tjetër!

      Të kam gjetun té kamxhiku Flakë e shkëndija,

të apostullit të kulluet të moralit… në letër,

që shkallët e poshtërsive hypë, me rrëzue

monstrat prej froni dhe, …aty  vétë me u shtrue!

      Ku nuk të kam gjetë hipokrizi, të dalët fara!

Plaka botën kafshon e, puthë figure…

Moralin së bijës ia mësueka lara-lara…

Djalin me renë ngatrrueka… lesh tue lënurë…

 

      Miqtë s’po shikohen në sy ma si përpara

pse, mbas shpine i diktuen sho’ shojt’ kusure…

sé, ma, pallavrat e paundyrë të servilit!!

Se, ma, sadizmi në puthjet e katilit!!!

                         Të njoh mirë hipokrizi!

                                Jé dhunë e poshtërsi!

                                    Gënjen synin e pasherri,

por, zemra ndinë jarg ferri në ty, q’e ngrinë,

por, shpirti i drejtë… nuk di… nuk di sesi,

por, ndinë…

                            se jé  h i p o k r i z i ! 

 

 

 

 

  1. ANATHEMA !

 

Toka me qiellin……………-valën e mallkimeve,

të shkrepi mbi kokën      -e gjithë hipokritëve!

Breshni i shigjetave         -të dyndi, e rebéshi,

kudo që të ndeshi                 hipokrizinë!

 

Asht lëkundun bésa         -e miqve dhe e vëllazënve,

mbrenda brenë ténja         -ndër votra të familjeve;

e pranë blerimëve             -të njâj gêmi ullini,

shpallë shkrûmi e hini           hipokrizinë!

 

Era helmuese                     -prej gropës së errësinave,

po u prishë pranverën        -rinisë edhe luleve!

Kudo që të dredhuna         -rranjët të kétë ngulë,

bini me e zhgulë                     hipokrizinë!

 

Karikaturë                         -e fésë dhe e shenjtënve,

që ban të përbuzet             -era e virtyteve!…

Por, jo, se luleve                -u përgjegjë fryti,

nuk lidhë virtyti                      hipokrizinë!

 

Farizé i kalbun,                  -lësho puthje figureve,

zhyt në ujë të békuem        -tier lamshin e lutjeve

e të filaktérëve                    -s’rrêhët njerëzia,

as Perendia                            me hipokrizinë!

 

Toka me qiellin                   -valën e mallkimeve,

të shkrepi mbi kokën           -e gjithë hipokritëve!

Breshni i shigjetave             -të dyndi, e rëbéshi,

kudo që të ndeshi                       hipokrizinë!

 

Anathema – dëbim, mallkim.

 

                                             V.  CONFITEOR

      O Zot, hipokrizisë unë ia vervita

shigjetat e mallkimet pa u kursye;

por, trupin me trup vrava, pse në sy të Tú

jam vétë, përlye me hipokrizi!

    Mbi mue randojnë e më shtypin ato “Vaje”,

që lëshove Ti njëditë mbi Farizéj…

Mos jam unë Farizé i tipit të ri ?!

    Pastroj përjashta ênën me kujdes,

e mbrenda asht mbushun plot me kalbësinë,

mizen pështyj’e dévën kapërdijë…

Shikoj qymen në sy të tjerëve e, vetë kam tranë…

Për të fitue ‘i shpirt kërkoj unë tok’e détë

e, kur ta gjejë, e baj ma të zi se vehtën…

    Me kyçin që më besove, o Zot, unë derën

vedit ia mbylla, e të tjerë nuk lashë të hyjnë mbrêndë

e, me të verbtit prijës i vérbët, të dy në gropë ramë…

    Emnin Tand në gojë e, zemrën larg prej Téje,

vegël tue të ba e kapak ndër të zeza të mija,

Tý, që, jé veç Drejtësi, Tý, që, për hir’ 

Të së Vërtetës Shênjte, çove vehtën në Kryq!…

    Mallkime dhe shigjeta unë meritoj,

që, lëshova gurë mbi të tjerë, si t’ishëm vetë

i dlirtë… Confiteor!… Po, mos vállë ky rrëfim,

asht prap hipokrizia e hipokrizisë ?!!…

 

Confiteor: Rrëfej fajin (shih: Matt.H. 23, 1-33 etj.)

 

                                     

                                               VI.   L U T J E  !

 

    O Zoti em, ma fal sinqeritetin,

ma jep instinktin me e njohun n’erë

hipokrizinë; Ti më jep edhe guximin,

të vërtetën vehtës me ia thanë pa frikë,

si kirurgu m’ia vue thikën gangrenës;

hydren me e shtypë, sa herë kërkon t’ çojë krye,

mos të jém’ unë ujk i veshun me lëkurë kingji,

as varr i zbardhun jashtë e, mbrêndë kufomë!…

    O Zoti em, ma jep sinqeritetin

e fëmijës së pafajshëm, të thjeshtë e pa mashtrim!

    O Zoti em, ma jep sinqeritetin

e njerëzve vullnet-mirë, që paqë lypin,

me vehtën e me shoqin e, me Tý!

 

    Oh, kjo lutje nuk asht,

                    nuk asht   h i p o k r i z i !

 

Shenim F.R.: Kjo poezi e shkrueme nga At Mëshkalla S.J., vlersohet nder krijimet ma të mira të Tij. Ndonse sot, këto Vepra nuk studjohen nder shkollat Shqiptare, mendoj se ne, asht mirë t’i Perkujtojmë Martirët e Atdheut dhe Veprat e Pavdekshme të Tyne.

            Melbourne, 20 Tetor 2018.

 

Comments

comments

-----