Ante`

Nga Viron Kona

 

Më ka mbetur në mendje kujdesi që tregojnë suedezët për mjedisin, drurët dhe gjelbërimin. E pyeta Sadulla Zendelin – Dajën1), nëse edhe në qytetin Nybro ku ai kishte punuar 27 vjet mësues i gjuhës shqipe, tregohej po aq kujdes për drurët dhe gjelbërimin?

-Kudo në Suedi, – m`u përgjigj ai dhe nisi të më tregojë se në qytetin Nybro`, në oborrin e shkollës, ditën e parë që nisën mësimin e gjuhës shqipe me fëmijët shqiptarë, kishte mbjellë një fidan druri, i cili, tani ishte rritur shumë.

-Që të siguroj vazhdimësinë e jetës së atij druri dhe që ai të ketë një zot dhe të mos dëmtohet, po bëj dokumentet që ta hipotekoj si pronën time. Kam dërguar dokumentet në komunë dhe pres përgjigjen, nëse ata do të ma japin mua si pronë apo jo.

-Çfarë të lidh kaq shumë me atë dru? – e pyeta.

-Shumë kujtime më lidhin me të. Kur e bleva fidanin dhe e mbolla te oborri i shkollës, ky fakt tërhoqi vëmendjen e shumë njerëzve, por u gëzuan shumë edhe fëmijët, të cilët, si atëherë, edhe tani, bredhin dhe luajnë rreth e qark drurit si qengjat, kurse zogjtë ulen e ngrihen dhe mbushin vendin me cicërima. Por, mua, më lidh edhe diçka personale me atë dru. Kur ai u rrit dhe u bë me trung të fortë e të shëndetshëm, unë shkoja në shkollë gjysmë ore përpara dhe bëja fizkulturë në degët e tij. Ndjeja se me fizkulturën që bëja, forcohesha, ashtu siç rritej e forcohej edhe vet druri. Një ditë, më pa inspektori i komunës dhe, duke dashur të bëjë humor me mua, më tha:

-O Dajë, ti tani e arrin degën e drurit që të bësh fizkulturë, por mos harro se, druri rritet dhe, që të ngjitesh te dega do të duhet shkallë. Apo jo?

-Po, i nderuar, – iu përgjigja. – Por, kur druri të rritet aq shumë, unë do të plakem dhe nuk do të mundem të hipi më lart tij dhe të bëj ushtrimet që bëj sot.

Daja bëri buzën në gaz dhe vazhdoi:

-Sot druri është rritur goxha dhe unë ndjej kënaqësi që, nxënësit e shkollës, edhe sot rrinë në hijen e tij, luajnë dhe dëfrejnë, i gëzohen procesit dhe ciklit të jetës. Kur vjen pranvera, druri gjallërohet, gjethet fëshfërijnë, era fërkohet lehtas në trungun e tij si harku në violinë dhe, kur je afër, më beso, është kënaqësi të ndjesh se ç`melodi e veçantë dhe tërheqëse krijohet. Ti e di, druri është si njeriu, trungun e mban drejt dhe shikon gjithnjë qiellin dhe diellin, kërkon të ngjitet kurdoherë lart dhe vetëm lart. Kurse në dimër, zhvishet dhe, atëherë, ai përballon trimërisht të ftohtit, erërat e fuqishme dhe stuhitë, shiun, breshrin, ngricat, dëborën, por edhe të nxehtit dhe, nuk ankohet, asnjëherë. Veçse lëkund degët, duke shprehur ndjenjat e tij, herë dhembje, herë qëndresë dhe guxim dhe, në shumicën e rasteve, duket se ai këndon këngët e jetës…

Monument natyre, Ëland

Daja më pa në sy dhe duke kuptuar natyrën time disi romantike e ëndërrimtare bëri pakëz buzën në gaz.

-E di që, edhe të tjerët do ta ruajnë drurin pranë shkollës, sepse, këtu, as edhe një degë nuk mund të presësh pa lejë, por duke e bërë pronë timen, ndihem më i sigurt se nuk do ta prek njeri. Prona këtu është e shenjtë.

-Do të bësh ndonjë gjë të veçantë kur të të japin dokumentin e pronësisë?-e pyeta.

-Po, do të vendos në trungun e tij një tabelë të vogël, siç veprohet me ata drurë që shpallen monumente natyre, ku do të shkruaj edhe në gjuhën suedeze, edhe në gjuhën shqipe kohën kur është mbjellë ai dru. Ti e di që drurët rrojnë shumë gjatë, kështu që edhe pas disa qindra vjetësh, ai do të dëshmojë për kohën kur kemi ardhur ne në këtë vend, por, në një farë mënyre, ai do të shërbejë këtu në Veriun e Largët të Europës edhe si një dokument i shkruar në gjuhën tonë të bukur shqipe…

Daja heshti një çast, bëri buzën në gaz dhe tha:

-Edhe po nuk ma dhanë të dokumentuar, ai përsëri “Druri i Dajës” do të quhet. Kështu i thonë nxënësit dhe kolegët e mi mësues, të vjetër dhe të rinj, që vijnë në atë shkollë, kështu edhe banorët e lagjes. Kështu e quajnë, edhe ata të komunës, “Druri i Dajës” – i thonë, teksa unë ndjej kënaqësi kur ata e shprehin ëmbëlsisht togfjalëshin “Druri i Dajës” në gjuhën shqipe.

-E po, uroj ta dokumentosh atë dru si pronë tënden, – i thashë dhe, duke u kujtuar për diçka, e pyeta:

-Ç`lloji druri është ai, si e ka emrin?

-Emrin? Ehe, doemos e ka një emër edhe ai, por unë dëshiroj që ta quaj me një emër të përveçëm.

-Me çfarë emri, o Dajë?

-Ante`, Ante`2) dua ta quaj, sepse, si të gjithë drurët, ai na tregon se fuqinë e vërtetë ta jep vetëm toka ku ke lindur…

……………………..

1).Sadulla Zendeli-Daja:leksikograf, poet dhe atdhetar i njohur shqiptaro-suedez.

2). Anteu, – Figurë mitologjike, i biri i Posejdonit, zotit të detit dhe i hyjneshës së tokës Gea, gjigant me fuqi të papërballueshme. Në dyluftim me Herakliun (Herkulin) ky e zbuloi të fshehtën e fuqisë së Anteut: Kur Anteu e ndjente se po dobësohej, mbështetej në tokë dhe fuqia i kthehej sërish. Herakliu, e shkëputi nga toka, e ngriti lart në ajër dhe, kësisoj, gjiganti i ndarë prej nënës tokë, e humbi fuqinë dhe Herakliu i zuri frymën.

 

Comments

comments

-----