Kur ia bën të”keqen” vetes

Nga Përparim Hysi

 

Ndodh, ndonjëherë, që,papritur e  pakujtuar, ia bën të keqen vetes. Pse  ka ndodhur kështu, pa ka lindur ajo shprehja: ” Mori sëpatën dhe preu këmbët e tij”. Kur them kështu, dua që t’ju them, kështu ndodhi dhe me mua. Se goja bën hata dhe nga goja, unë pagova për një felë, një pelë. Por, në fund të fundit, koka ma  pat fajin, por në vend ta pësonte koka,e pësoi stomaku. E pësoi stomaku… epo gjërat me radhë.
*     *     *
Në  Tiranë kanë ardhur aq fierakë, sa në çdo pesë veta, në mos tre,dy nga Fieri janë. Po unë njihem si kali balash dhe, veç kaq, po bëhem, kur thonë: me të bardhë e me të zi. Natyrisht, nëse me dikë bëj veç një përshëndetje, me dikë tjetër që kam patur më tepër intimitet, pa dyshim që gjej kohë që, jo vetëm të pimë ndonjë kafe, por të qëndrojmë,të paktën një ditë në javë vetëm me të.
Kafe, zakonisht, me të moshuar të moshës sime dhe, tek qajmë hallet që nuk i kemi të pakta, kryesisht vemi nga vemi dhe pyesim njëri-tjetrin: nga se vuan apo çfarë ilaçesh merr? Të rimbursuara apo  jo dhe, padyshim pyetja më kruciale:-Sa herë ngrihesh natën? Duket  qesharake për ata që lexojnë, po unë jam nga  ata që kam rënë nga fiku dhe “gjëja më tronditëse” apo më shqetësuese është kjo: ngritja natën se të prish gjumin dhe në mëngjes ngrihesh me sytë-poç si ata që ngrihen natën për të ngrënë syfyr. Problem tjetër, është “dhjamosja”: se katandis tjetri, si ato gratë shtatëzëna. Epo gjuha vete atje ku dhëmb dhëmbi. Dhe unë, pse vuaj  nga të dyja këto”gjëra”,edhe ndaj po tregoj se ç’më ka ndodhur.

                                         *     *    *
Me X… jo vetëm njiheshim që në Fier, por kushedi sa herë shkëmbenim mendime edhe për librat. Ai merrej me kluturën,unë me arsimin dhe,veç profesionit, qemë libradashës. Nuk kish libër të ri që dilte që mos e blinim. E dija që kishte goxha bibliotekë, por dhe unë,sado që banoja në fshat, kisha goxha bibliotekë. Kur përmend këtë fjalën “bibliotekë”, bëhem pak  me morinica. Se, kur do ikja drejt Amerikës aty nga viti 2000, biblioteka e madhe m’u bë hall. Ku do t’i çoja afro trimijë libra? Të tëra, në Amerikë, nuk i çoja dot,sado që aso kohe,për bagazhet nuk kish as taksa dhe as limit. Zgjodha rreth 250 copë (autorët që doja më tepër) dhe i mora me vete. Atëherë e kuptova më mirë atë DHASKALIN tek “Udha e shkronjave”. Të tjerat, ia dhurova djalit të PROFESORES Sime (tani e ndjerë) VJOLLCA OMARI,se ajo më ndezi pasionin   për lexim. Pati një përkim të bukur, pasioni im për librin:libri i parë që kam lexuar ka qenë”Gremina e dashurisë” nga MUSTAFA GREBLLESHI. Ky,MUSTAFA GREBLLESHI, paskej qenë vëllai i profesores sime. Qe pak si pagim”dogane” kjo dhuratë imja. Me PROFESOREN qemë miq familjarë dhe nuk kishte gëzim më të madh,kur gati pas vitesh e vitesh, u takova dhe me MUSTAFAN që,për fat tëkeq, u nda shpejt nga jeta. Por nuk qe vetëm kaq historia me bibliotekën:një numër  të madh ia dhurova mbesës sime, mësuese letërsie dhe një pjesë tjetër,çupës sime në SHKODËR. E di që po dal pak nga tema,por nuk kam se si mos tregoj: aq më dhimbeshin librat që dhurova,  sa isha gati të bëja atë”krimin” e Silvestër BONARIT që të vija fshehurazi dhe t’i vidhja. Kur mendoj që 250 librat e zgjedhura mbetën në  Amerikë, ndjej, me të vërtetë, dhimbje. Nuk mund t’i rimerja,kur u ktheva në Shqipëri,se, tani, ta matnin kokën me pe. Vetëm 50 kg bagazhe lejoheshin. Kështu që i vura zemrës një gur. Por huqi,del me shpirtin. Këto 6-vjet që kam ardhur në Tiranë, kam  mbi njëmijë libra, pa harruar që mbi njëqind libra, ia kam dhuruar bibliotekës së Roskovecit në Fier. Unë nuk jam nga Roskoveci,por më bëri”banor” të Roskovecit,kryebashkiakja,MAJLINDA BUFI; më bëri kolegu që drejton Pallatin e KULTURËS,THOMA GOGA dhe,veçanërisht,miqtë e mi nga ROSKOVECI:shkrimtari MYSTEHAK XHEMALI,i vëllai XHEMAL XHEMALI dhe,pak roskovecar u bëra, nga krijuesi”bio” i asaj zone,FLAMUR ÇEPELE. Nëse i shkruaj të gjitha këto, e bëj se,kur takoja X…, së pari për librat flisnim.
*      *     *
Këtu, në Tiranë, unë me X… nuk qemë larg njëri-tjetrit. Nuk shkonin më shumë se dy ditë që,në mos uleshim për të biseduar e duke shkëmbyer ndonjë kafe, do kryqëzoheshim se mua më çonte rruga andej ku banonte ai dhe,shpesh,ai vinte këtej nga banoja unë,se kish ca të afërm. Ne qemë gati një moshë me të,por,ndërsa atë kishe qejf ta shikoje, kur më shihje mua, të zinte data. Ai,si unë, i kish kaluar të shtatëdhjetë e pesta,por kish një trup si fidan. I drejtë, pa fije dhjami dhe, kur qeshte, sikur të falte tërë botën. Unë. Unë ta shpall: jam si një lopë barsë që,pjell tani,pjellë pastaj. Dua të bie, të rrëzoj ca kile,por ndodh e kundërta: vetëm shtoj. Kurrë nuk hipi në autobuz dhe i sillem Tiranës në këmbë (sa në një poezi them:po e ha Tiranën me dhëmbë!),sa i nxjerrë ujtë e zi. Më hipi inati në majë të hundës,por ja që nuk është me inat. Nuk lë nga ato kurat”jo ujë me limon;jo fruta”,or po hiç.Si në atë këngën:”Topi bamp e ti po tutje”. Imeshoqe është më e shqetësuar se sa unë:-Përparim,lër bukën! Unë,po ku dëgjoj se ç’thotë ime shoqe, ndaj ia kthej: “Në lë bukën, tërë natën do ha jorganin”. Duket e kam stomakun lubi.Vidë pa fund:mbledh  me dushk e lëpushkë. Fare nuk bën naze. Epo rritur fukara.Fukaraj ,- i them gruas,- mendjen tek buka e ka. Këto janë “rrotulla fjalësh”, por,përbrenda,e ndjej “dhjamosjen”,por nuk e jap veten unë:se jam burrrrrrrrrrë!

                                                       *     *    *

Një ditë i them mikut. E di atë këngën” Në sokak të ngushtë/ku na mblodhi hera/ s’më the kalimera/moj t’u mbilltë dera/ dhe pa i dhënë jarallëk qëtë përgjigjej,shtova:-Nuk ma thuaj atë “recetën” tënde se shiko si jam  katandisur e ti si fidan.Si në të ri.
Recetën,- shpërtheu duke qeshur,- por ç’recetë?! Ashtu siç kam ngrënë, meqë më pyete me këngë, të kujtohet ajo kënga”Fora si në gjashtëdhjetën” dhe ashtu vazhdoj dhe sot. Është vet kondicioni i njeriut. Ka që dhe ujtë u bëhet shëndet.
U ndamë atë ditë,por nuk mbaron këtu kjo histori. Të nesërmen,isha dhe me timeshoqe dhe aty,ku është kisha katolike,ballë për ballë me të:- Recetën!- bërtita dhe,tek u afrua,e njoha me time shoqe. Bëmë dy fjalë në këmbë dhe, kur po ktheheshim,imeshoqe më pyeti:- Sa vjeç është ai, miku yt?
I them:- Aq  sa jam unë.

                                                         *    *    *
Po prisja drekën dhe, kur u ula, pashë që në vend copës së bukës së zakonshme,kisha një porcion aty nga 100-gram.
-Pse,- i thashë gruas,- harrove të blesh bukë?
Jo,jo,- më tha. E pe atë mikun tënd? Harroje bukën se kështu siç ha ti, jo vetëm nuk e ke të gjatë,por do zësh vend dhe nuk ka kush të bën shërbime. Dhashë e mora,po pse lëshon pe ajo. I thashë:- Nuk ke faj ti, por unë që të njoha me mikun tim. Ai është zotni,- më tha. Di t’i vëjë fre gojës dhe jo si ti,shtrohesh sikur je ari. Sado  që jam burrrrë, ku i dilet “zemërimit” të gruas (se ku kam thënë:i ngjet nepërkës poshtë gurit!),mbeta me porcionin e vogël. Do bëhem fidan, si miku im i mirë!

                                                          *    *    *
Dhe rrufe për së kthjellti. Në internet, lexoj lamin  e zi:” Miku im nga i cili kërkoja recetën, kish ndërruar jetë!”.
Bobo!- bëra. Ç’pate?- pyeti e shqetësuar imeshoqe. Hajde këtu dhe  e sheh këtë nekrologji. Ua!- bëri dhe ajo.
U ula në kompjuter dhe shkrova një poezi jubilare për mikun tim të mirë që më thoshte:” S’është me recetë!Është kondicion nga ZOTI dhe aq… Sa m’u dhimbs! Gjynah të ikte me atë fizik! E,sa për mua, sado që është jashtë formimit shkencor, asnjë recetë nuk ka. Populli thotë: është caktuar në tre të natës,por është e fshehtë,askush nuk e di. Dhe që atë ditë që miku im i mirë u nda nga jeta, imeshoqe sikur e ka rritur atë porcionin e bukës. Po vete në fis.
Nuk më zë gjumi, po nuk  u ngopa. Ndoshta ky rrëfimi im nuk është aq i mirëpritur, por unë rrëfej veç ç’më ka ndodhur dhe aq.

 

                                      Tiranë,  13 shtator 2018

 

 

Comments

comments

-----