“Kur vjen Sokoli”

“Kur vjen Sokoli”, libër i ri i shkrimtarit Viron Kona kushtuar poetit, atdhetarit dhe përkthyesit shqiptaro-suedez Sokol Demaku

Nga Fran Gjoka

 

 

“Mund të shkëputësh një njeri nga vendi i tij, por nuk mund të shkëputësh vendin nga zemra e njeriut.”

Thënie e urtë

 

Shtëpia botuese West Print, Tiranë, sapo ka nxjerrë nga botimi librin  “Kur vjen Sokoli” të shkrimtarit të njohur Viron Kona. Redaktor i librit është gazetari i njohur Kadri Tarelli, kurse recensentë janë Prof. Dr. Zyhdi Dervishi dhe publicistik Bashkim Saliasi. Siç shprehet autori: “Këtë libër e shkrova në respekt të krijuesit të talentuar, mësuesit, poetit, gazetarit, përkthyesit Sokol Demaku, me origjinë nga Drenica e Kosovës, sot shtetas shqiptaro-suedez me banim në qytetin Borås të Suedisë.

Në vazhdim ai shpjegon se “do të isha më origjinal në opinionet dhe vlerësimet e mia, jo thjesht duke rrëfyer biografinë e z. Demaku, por duke e ndriçuar këtë personalitet nëpërmjet disa artikujve studimorë dhe eseve, që kam shkruar për shumë nga librat e tij, e ku, shfaqet më mirë dhe në mënyrë më të plotë portreti, karakteri, mendimet shprehëse dhe udhëheqëse të tij për jetën”. Në këtë kuadër autori i librit i përmbahet idesë tashmë të njohur se: “Përmes  shkrimeve, tregohet natyra  e vërtetë e njeriut…” 

Viron Kona nënvizon se e ka njohur nga afër Sokolin, si në vizitat e shpeshta që ka bërë në Suedi, ashtu dhe në vizitat që Sokoli ka bërë në Shqipëri, por, njohjen më të plotë e  ka krijuar në pjesëmarrjen e përbashkët të shumë veprimtarive arsimore, kulturore e artistike, që Sokol Demaku ka kryer apo ka prezantuar veçanërisht me shqiptarët e Boråsit të Suedisë, ashtu dhe në Shqipëri, Kosovë dhe me shqiptarët e Maqedonisë. Lexuesi merr dije gjithashtu se z. Demaku është ndër nismëtarët kryesorë të krijimit të Qendrës Kulturore Shqiptare “Migjeni” të qytetit Borås të Suedisë, iniciator dhe botues i revistës emër ndritur “Dituria”, i radios  “Dituria” dhe i televizionit “Dituria”, organe mediatike në dispozicion të shqiptarëve, që banojnë në qytetin Borås, të njohur në Suedi si “qytet i tekstilit”. Ndërkaq vihet në dukje se, krijimtaria letrare – poetike e Sokol Demakut, ka tërhequr vëmendjen e Kryesisë së Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Suedisë, të cilët e kanë pranuar Sokolin  anëtar, ndërkohë që ai është i aktivizuar edhe në Shoqatën e  Shkrimtarëve dhe Artistëve Shqiptarë “Papa Klementi XI Albani” të Suedisë, duke qenë  nënkryetar i saj. Nga libri mësojmë se Sokol Demaku është një luftëtar, ai nuk tërhiqet dhe nuk thyhet nga pengesat, por lufton me entuziazëm, me vullnet dhe këmbëngulje për realizimin deri në fund  të ideve të tij, duke i shërbyer gjithnjë jetës dhe progresit, vlerave kombëtare shqiptare.

Kopertina e librit të Viron Kones “Kur vjen Sokoli”

Ai ka ndihmuar në përhapjen dhe konsolidimin e gjuhës shqipe, prezantimin e kulturës dhe të traditave shqiptare në Suedi, por dhe ka qenë aktiv për çuarjen e  letërsisë shqiptare atje nëpërmjet përkthimeve, ashtu dhe për prurjen e letërsisë suedeze në Shqipëri, Kosovë, në trojet shqiptare në Maqedoni, Mal të Zi dhe në diasporë. Ndërkaq ai ka qenë edhe iniciator i binjakëzimit të shkollave suedeze me ato shqiptare, siç është rasti i binjakëzimit ndërmjet shkollës 9-vjeçare “Demokracia” të Durrësit me shkollën 6-vjeçare  “Fjardingskolan të Borasit. Njëherazi, z. Demaku  është dhe nismëtar i organizimit të delegacioneve të ndërsjella kulturore dhe arsimore midis dy vendeve Shqipërisë dhe Suedisë. Jeta dhe puna e Sokol Demakut është edhe një përvojë për çdo shqiptar në emigracion, se si  të integrohet natyrshëm në vendin ku ka emigruar, duke fituar atje respektin dhe konsideratat e larta të banorëve vendas, por dhe të bashkëkombësve shqiptarë me të cilët ai punon dhe ndan shqetësime të përbashkëta.

Krahas atdhetarizmit të spikatur, lexuesi njihet nëpërmjet artikujve dhe eseve me përmbajtjet, mesazhet e librave, por dhe stilin dhe veçoritë letrare e filozofike të krijimtarisë së Sokol Demakut, i cili deri më sot ka botuar mbi 20 libra artistikë e publicistikë, por edhe ka përkthyer edhe shumë libra nga shqipja në suedisht dhe suedishtja në shqip. Janë interesantë dhe mjaft tërheqës esetë dhe artikujt: “Merre me vete mallin tim”,” “Era magjike”,   “Rruga e jetës është drejtësia”, “Kur vjen Sokoli”, “Çdo çast në jetë është i rëndësishëm”, “Lisi pranë shtëpisë sime”,  “Faleminderit Lars”, “A di të fërshëllesh Johana?”,   “Mozaik i mençurisë popullore”,   “Një rrugëtim magjeps në Veriun e  largët”,  “Sofra poetike”, “Zogjtë kanë filluar të mos kenë frikë”,  “Ju lumtë dora Sokol Demaku!” etj. Libri të përfshin në jetën suedeze, në zhvillimet ekonomike dhe sociale të  këtij vendi nordik, në origjinalitetin e mënyrës së jetesës, në mbrojtjen e mjedisit dhe të jetës së gjallë, deri në preokupimin qytetar për jetën e kafshëve dhe të shpendëve.

“Kur vjen Sokoli” të nxit të mësosh mbi jetën reale të shqiptarëve në Suedi, por veçanërisht për personalitetin, idetë dhe mesazhet atdhetare që përhap z. Demaku dhe krijues të tjerë shqiptarë në diasporë. Ai të vërteton realisht thënien e madhe se: “Mund të shkëputësh një njeri nga vendi i tij, por nuk mund të shkëputësh vendin nga zemra e njeriut.”

Libri projekton dritën ndricuese për shqiptarët në emigracion, kontributet e tyre të çmuara, që, ashtu si dikur rilindësit e mëdhenj, edhe këta rilindës të rinj, në gjurmët e të parëve, përhapin nëpër botë kulturën, gjuhën, traditat, pasurinë e madhe intelektuale dhe shpirtërore të popullit shqiptarë. Kur lexuesi mbyll faqen e fundit të librit, qëndron një copë herë i menduar dhe i mbushur me ndjenja të thella respekti ndaj këtyre shqiptarëve atdhetarë e krijues që, megjithë vështirësitë e mbijetesës, mbajnë kurdoherë në mendje atdheun, bashkëkombësit, të ardhmen dhe përparimin.

Libri është i shoqëruar me fotografi dhe ilustrime, që i shërbejnë rejtpërdrejtë përmbajtjeve të artikujve dhe eseve.

 

 

 

Comments

comments

-----