Për mua të rrish mënjanë, në kushtet e emigracionit është vetvrasje, një vrasje shpirtërore…

Bisedë me mësuesen e suksesëshme dhe aktivisten e dalluar zonjën Mariola Çipi Leskaj

Bisedoi Ajet Nuro

 

Në një ditë fund-korriku, i drejtohem Île Bizard, aty ku ndodhet shtëpia e çiftit Leskaj, Lazes dhe Mariolës. Vend-ndodhja e shtëpisë, një lagje-ishull  e lakmuar në Montreal dhe shtëpia vetë është kurorëzimi i një jete dhe karriere të gjatë të çiftit shqiptar që janë nga të parët shqiptarë të vendosur në Montreal pas vitit 1991.. Dhe, ndonëse Laze Leskaj është më i njohuri mes shqiptarëve për shkak edhe të rolit të tij në ndihmë të komunitetit tonë, sidomos të porsaardhurve, Mariola njihet më pak por ajo është nga shqiptarët më të suksesshëm këtu në Montreal. Edhe pse njihem dhe jam i familjarizuar me Lazen dhe Mariolën, kurre nuk kam pyetur se çfarë e bën këtë zonjë kaq të afte në profesionin e saj. Në shkollën ku ajo punon konsiderohet si një mesuese shume e mire ne matematikë dhe shume e zonja ne transmetimin e njohurive tek studentët e saj. Ndaj i jap vetes si mision të « zbuloj » këtë sekret të suksesit të Mariola Leskaj. Rreth tavolinës, nënë hije në një kopësht që nuk mund t’a mbulosh me një hedhje syri, nën kujdesin e mikpritësve dhe me ushqime kryesisht tipike shqiptare, bisedojmë jo thjesht për sukseset e Mariolës por per gjithçka qe lidhet me familjen, karrierën dhe gërshetimin e rrethanave që e çuan ate tek suksesi. Duke biseduar me zonjen Leskaj, e kupton se ajo do të ishte e sukseseshme në çdo fushë që do zgjidhte apo edhe që do t’ia imponononin.

Ajet Nuro : Çfarë keni dashur të bëni në jetë?

Mariola Cipi Leskaj : Sigurisht që nëse do të zgjidhja, do të zgjidhja mjeksinë. Mjeksia për familjen tonë ishte bërë një traditë familjare.

Ajet Nuro : Si ishte kthyer mjeksia në një traditë?

Mariola Cipi Leskaj : Babai im, Spiro Çipi, kishte studiuar në Sorbonë, Francë, 10 vjet duke u diplomuar në mjeksi dhe në drejtësi për t’u bërë një nga specialistët më të mirë të mjeksisë ligjore. Këtë pasion ia transmetoi edhe vëllait tim të madh, Bardhylit që edhe ky nga ana e tij u bë një nga mjekët ligjore nga më të mirët në Shqipëri.

Ajet Nuro : Dhe pse ju zgjodhët fizikën?

Mariola Cipi Leskaj : Siç thashe, babai im ishte mjek, vëllai im ishte mjek, një mjek tjetër dukej si monopolizim i zanatit të mjekut, pra një gjë e tillë nuk lejohej.

Ajet Nuro : Çfare keni trashëguar nga babai juaj?

Mariola Cipi Leskaj :  Pas diplomimit në Francë, pasi në atë kohë nuk kishte mjeksi ligjore ne Shqiperi, ai vendos të hape një klinikë në Tiranë qe funksiononte mjaft  mire..

Gjithashtu mbaj mend se kur shkonim tek gjyshja ime në Fier (duhet të kem qenë në moshën 14-15 vjeçare, njerëzit dëgjonin dhe shpejt hapej lajmi se ka ardhur  doktor Çipi nga Tirana dhe shume njerez donin të vizitoheshin prej tij. Dhe, ndonëse ne ishim tre fëmije dhe nëna nuk punonte, babai im nuk shikonte të bënte parà por merrte diçka simbolike. Siç thashe, dëshira ime ishte të bëhesha si babai pikërisht se ai ishte një mjek i suksesshëm dhe human.. Mjafton të përmend se ai thirrej gjithandej për raste të komplikuara dhe mjekët e mirë numëroheshin me gishta.

Ajet Nuro : Pra mjeksia ishte ëndra juaj?

Mariola Cipi Leskaj : Nëse do kisha tre zgjedhje do zgjidhja mjekësi, mjekësi dhe mjekësi por në fund pashe se murit me kokë nuk i bihet dhe fillova të shikoj çfarë mund të bëj tjetër veç mjeksisë; i kisha të gjitha rezultatet shume te mira por edhe fizika nuk ishte zgjedhja ime me e preferuar..

Ajet Nuro : Dhe megjithate zgjodhe fizikën?

Mariola Cipi Leskaj : Nuk kisha tjetër zgjedhje, ishte dega që kishte më shumë perspektiva, për më tepër që në degë të tilla hyjnë ata që punojnë dhe jo të përkëdhelurit e privilegjuar. Duke studiuar vitin e parë fizikë i vura vetes si objektiv të futem në fizikë speciale (ishin dy degë, fizikë speciale dhe mësuesi). Duke patur rezultate mjaft të larta,isha e 4-ta a e 5-ta ne listen e studenteve, u pranova në fizikë speciale.  Desha fizikën speciale sepse ata që përfundonin këtë degë kërkoheshin gjithandej si në mjeksi, ne institutin e fizikës bërthamore por edhe në gjeologji, meteorologji, sizmikë dhe kudo ku futej fizika etj.

Ajet Nuro : Çfarë kujtimesh ruani nga shkolla?

Mariola Cipi Leskaj :  Ndonëse unë e dija që vija nga një familje që konsiderohej borgjeze, në shkollë, në fillim, nuk kam patur asnjë dallim nga të tjerët madje merrja pjesë në recitime dhe isha e dalluar dhe kam qenë edhe komandante çete dhe kuptohet që një rol i tillë është edhe pak politik. Dallimet fillova t’i ndiej në gjimnaz kur fillonte te ndihej lufta e klasave dhe aty e pashe vehten pak te mënjanuar dhe fillova të kuptoj realitetin në të cilin jetonim.

Ajet Nuro : Dhe pasi mbarove fizikën speciale?

Mariola Cipi Leskaj : Këtu qëndron edhe paradoksi, ndonëse ne ishim përgatitur t’i shërbenim ekonomisë nëpër institucone dhe ndërmarrje strategjike, qeveria vendosi që i gjithë grupi ynë të shkonte ne baze jashte Tiranes. Mua me caktuan ne nje fshat te Lushnjes.

Ajet Nuro : Dhe si kaluat në fshat ?

Mariola Cipi Leskaj : Në fshat  kalova një vit dhe nuk mund të ankohem, por edhe aty, kishim një deputete që n’a binte në qafë për mënyrën e veshjes dhe filluan madje të shkruanin edhe në gazeta. Unë ika nga fshati dhe për një vit ndenja pa punë. Por unë kisha mjaft prirje për gjuhë të huaja. Kështu, kam dhene provim pasuniversitar rusishten dhe frëngjishten me rezultate mjaft te mira. Kam filluar pune edhe ne  ATSH. Por, fakti që lashe fshatin si dhe origjina familjare, bënë të më pushojnë. Pastaj shkova dy vjet në Prezë si mësuese.  

Ajet Nuro : Po Biblioteka e Akademise se shkencave?

Mariola Cipi Leskaj : U deshën ndërhyrje gjithandej (mamaja ime ankohej veç për mua se si vajzë më kishte pikë të dobët…) dhe mbi të gjitha duke qenë se unë njihja gjuhë dhe isha e fortë në matematike dhe fizikë (madje i gjithë grupi unë i fizikantëve u kthye në Tiranë dhe u punësuan në institucione dhe ndërmarrje të ndryshme). Kështu, fillova punë në Akademinë e Shkencave dhe të them të drejtën punoja me frikë se mos më punonin ndonjë rreng. Por kishim një rreth mjaft të mirë bashkëpunëtorësh, shumë prej tyre ishin nga familjet e nomenklaturës dhe aty punova rreth 12 -13 vjet.

Ajet Nuro : Dhe si ishte puna e bursës  për në Francë?

Mariola Cipi Leskaj : Të them të drejtën nëse nuk do ishte Teuta Çarçani dhe fakti që isha martuar me Laze Leskaj, ndoshta bursa nuk do më jepej mua. Por,  nga ana tjetër pata ndihmë edhe nga kushërira e Lazes, Vali Leskaj që që unë t’a merrja bursën. Jo se nuk e meritoja unë, por bursat vidheshin ose shkonin atje tek ata që kishin miq. Dy bursat ishin për shefen e bibliotekës kombëtare dhe shefen e librit në Akademine e shkencave që isha unë. E para ishte inxhinere dhe unë fizikante. Ndërkohë unë kisha bërë një shkollë 2-vjeçare për bibliografi po me rezultate te shkelqyera. Kjo më bënte kandidate te forte për bursën e studimit që kishte të bënte me informatizimin e bibliotekave shqiptare. Kjo eshte e verteta e pershkruar me ciltersi dhe njihem pak a shume me nje sinqeritet disi te tepruar, ndoshta edhe trashegimi familjare, po qe kurre nuk me ka penguar ne karrieren time ne Shqiperi e ne Kanada. Personat qe permenda më sipër por edhe të tjerë,  mund te quhen shpetimtare te karrieres sime dhe qe ndoshta rastesisht ose per fatin tim te mire i ndesha ne jete ne momentin e duhur.

Ajet Nuro : Kur shkuat në Paris?

Marjola Cipi Leskaj :  Në Paris kemi shkuar në fillim të marsit 1991.

Ajet Nuro : Çfare kujtoni nga Parisi?

Mariola Cipi Leskaj : Unë shkova në Paris dhe studiova me seriozitet dhe ndoqa të gjithë stazhet e ofruara. Më ndihmoi fakti që Lazja ishte me mua. Madje pasi mbarova studimet m’u ofrua një kontrate 4 vjeçare. Fakt është se mësova shumë. Mezi prisja të kthehesha në Shqipëri dhe të vija në zbatim gjithçka kisha mësuar në Paris. Por situata në Shqipëri ishte shumë e vështirë dhe njerëzit largoheshin me çdo mjet. Frika ime ishte nëse Shqipëria do më ofronte mundësinë për të punuar në fushën për të cilën isha specializuar.

Ajet Nuro : Si u lindi mendimi për të emigruar në Kebek?

Mariola Cipi Leskaj : Në Paris unë punoja, por kuptohet nuk ndihesha se do rrija gjithmonë aty. Dëgjuam se ne që flisnim frëngjisht  mund të aplikonim në Delegacionin e Përgjithshëm të Kebekut në Paris. Dhe ashtu bëmë. Paralelisht, aty u bëmë me shumë miq, madje disa prej tyre na kanë ardhur edhe këtu për të na vizituar.

Ajet Nuro : U erdhi keq që e latë Parisin?

Marjola Cipi Leskaj : Jo, ndonëse si  neve por sidomos drejtuesve të organizmit ku punoja u erdhi e papritur dhe u erdhi keq. Na sugjeruan që të rishikonim mundësinë për të ndejtur por për ne ishte e qartë, donim të ndiqnim fatin tonë në një vend ku mendonim se do të na hapeshin portat e të na prisnin pa komplekse. Dhe nuk jemi zhgënjyer asnjë herë.

Ajet Nuro : Kur keni mbrritur në Kanada?

Mariola Cipi Leskaj :  Në Kanada kemi mbrritur në datën 11 tetor 1992. Fillimi ishte i vështirë sidomos për fëmijët. “Çfarë kemi bërë, pse n’a dënoni”?- n’a thoshin. Por sot mendimi ka ndryshuar. Ne nuk e ndrojmë Montrealin as me Parisin as me ndonjë qytet tjetër në bote.

Ajet Nuro : Si e filluat jetën në Kanada?

Mariola Cipi Leskaj : Në fakt qe në Paris n’a bënë një bilanc dhe mua më thanë që ti je polivalente. Mund të punosh në sektorin biomedikal ngaqë ke studiuar fizikë, mund të punosh në informatikë dokumentare sipas specializimit në Paris dhe tek e fundit mund të punosh edhe në arsim. Doja të punoja në fushën biomedikale sepse më afronte shumë me mjeksinë dhe për të cilën bera edhe një metrizë (Master) në universitetin e Montrealit me rezultate te shkelqyera. Studiova dy vjet në kërkimet shkencore mbi Electroencefalograme en Profondeur ne Institutin Neurologique te Montréalit. Zhvillova nje logiciel ne langage C++, Madje patëm edhe vizita nga kompani private që donin ta blinin.. Por, fatkeqësisht sapo u diplomova unë, qeveria bëri shumë shkurtime në spitale e ne fondet e destinuara në kërkimet biomedikale ne vitin 1995-96.

Ajet Nuro : Çfarë u bëri t’i futeni arsimit?

Mariola Cipi Leskaj : Siç thashe, isha përballe tre zgjedhjeve, inxhinieri biomedikale, informatikë dokumentare dhe arsim. Për arsimin, ndoqëm shembullin e dy fqinjëve tanë algjerianë e ukrahinase që si burri dhe gruaja studiuan në universitetin e Montrealit dhe ju futën arsimit ne matematike..

Ajet Nuro : Ishte e thjeshtë?

Mariola Cipi Leskaj :  Jo, unë do vazhdoja përsëri provime dhe teste se pa patur për shembull CEFRAN-in per gjuhen frenge të mbyllej dosja por fatmiresisht nuk pata shume vështirësi për të kaluar nje test të tillë.

Ajet Nuro : Kur keni filluar punë tek shkolla ku jeni sot?

Mariola Cipi Leskaj :  Pasi punova me disa kontrata ne shkolla te ndryshme te Montrealit, në shkollën ku punoj edhe sot kam filluar në vitin 2000.

Ajet Nuro : Si ia dolët të bëheni mësuesja e suksesshme në një lëndë të vështirë si matematika?

Mariola Cipi Leskaj : E vërteta është se kur vendosa të bëhesha mësuese nuk ishte thjesht për të mbijetuar, por të bëja diçka me passion. Nga ana tjetër, sot mund të them se kam arritur, por fillimi si gjithandej është i vështirë sepse më është dashur të shkoj në shkolla ku vështirësia e transportit ishte kryesore, por edhe më duhet të jepja lëndë të ndryshme.. Duke dhene mesim ne klasa të përparuara përveç punës në klasë, i integrova nxënësit në konkurse provinciale dhe në shkallë kombëtare, pra në Kebek dhe Kanada dhe ne bote.. Puna dha frytet e para dhe kështu rezultatet flisnin vetë. Nga unieversiteti i Montrealit  çdo vit kam patur stazhiere me qëllim dhënien e përvojës brezit të ri. Por, kjo ka qenë edhe ndihmë për mua. Kjo më jepte mundësi të përgatisja nxënësit për konkurset e mësipërme dhe nuk bëhet fjalë për një apo dy konkurse por për  katër të tilla ne vit.  

Ajet Nuro : Çfarë rezultatesh keni patur në konkurse?

Mariola Cipi Leskaj :  Qenia në krye të një grupi të përparuar dhe mundësia për të bërë diçka ndryshe më bëri t’a dua arsimin edhe më shumë. Në fillim doja të tërhiqesha sepse nuk më ngjante me arsimin që unë kisha njohur në Shqipëri dhe prinderit nuk ishin edhe aq të përfshire në ndihmën ndaj edukimit të fëmijëve të tyre.  Këtë rol, kemi arritur t’a ndryshojmë ne shkollen tone duke bërë që prindrit të interesohen gjithnjë e më shumë për suksesin e fëmijëve të tyre.  Ne konkurse nxenesit e mij jane dalluar gjithmonë në shkallë province dhe në shkallë kombëtare dhe nuk mund të flasësh vetëm me shifra ndonëse në matematikë ato janë shumë të rëndësishme. Njëri nga nxënësit e mi, Jef Kene i shkollës Lavoie mori pjesë në një konkurs dhe mori vendin e pare. Të gjithëva na erdhi si një e papritur e këndëshme dhe gëzimi që ndien është sikur të kesh të bësh me pjestarë të familjes tënde. Madje nxënësi në fjalë më kishte bërë një dhuratë, një rosak per mbesen time te vogel dhe më shkruante “Zonjë, të betohem që në matematikë, gjithçka që ti më ke kërkuar të bëj, e kam bërë”. Kuptohet që unë e kisha përgatitur fort dhe ai ishte mirënjohës për punën që kisha bërë me të.

Ajet Nuro : Nga çfarë kategorie shoqërore vijnë nxënësit që përbëjnë klasat tuaja?

Mariola Cipi Leskaj :  Nxënësit e mi janë kryesisht emigrante dhe ata janë nga familje me të ardhura modeste ose mesatare. Kam nxënës me origjinë aziatike, afrikane, ruse dhe ne pergjithesi të etur për dije.

Ajet Nuro : Ku kanë shkuar nxënësit tuaj, në çfarë profesionesh?

Zonja Çipi Leskaj mes nxënësve të saj

Mariola Cipi Leskaj :  Ata i gjen gjithandej. Një ditë në nje restorant më vjen një ish nxënësi im dhe më thotë, Zonja Leskaj, kam ndjekur keshillat tuaja, jam duke studiuar aktuariat dhe shpresoj të punoj në banka ose në kompanitë e sigurimeve. Të tjerë janë bërë mjekë inxhinierë etj.

Ajet Nuro : Duke qenë se keni përjetuar arsimin shqiptar dhe tani këtë kanadez, çfarë ndryshimi shikoni mes tyre?

Mariola Cipi Leskaj :  Sigurisht që ka ndryshime dhe ajo që unë bëj është të gërshetoj më të mirën e të dy modeleve për rezultate sa më të mira.

Ajet Nuro : Thuhet se sot sistemi i edukimit në Shqipëri po përjeton një periudhë të vështirë dhe fjala “korrupsion” është bërë pjesë e sistemit që përgatit të ardhmen e vendit. Nëse ju do ishit vendim-marrëse në Shqipëri, çfarë do të bënit që edhe edukimi atje të gjente vet-veten?

Mariola Cipi Leskaj :  Për të luftuar korrupsionin e para është ngritja e rrogave të mësuesve por edhe vlerësimi i figures së mësuesit. Ajo që unë do të ndryshoja tek mësuesit e kohës sime është ashpërsia por edhe një fare distance mes mësuesve dhe nxënësve, pra një marredhënie më miqësore mes mësuesve dhe nxënëve.

Ajet Nuro : Sa shqiptarë kishte kur keni ardhur ju?

Mariola Cipi Leskaj :  Athere nuk kishte shqiptarë dhe nuk ndiheshim aq mire. Aq sa, kur na morën ne telefon nga emigracioni për të na thënë që një familje shqiptare donte të fliste me ne, sa nuk fluturuam dhe me nxituam t’i themi “po, na lidh sa më shpejt”. Por, me kalimin e kohës, shqiptarët u shtuan në Montreal dhe kjo më ka bërë gjithemone të mendoj pse të mos krijojmë një Shqipëri të vogël këtu në Montreal. Ideja ime ka qenë që me shqiptarë të integruar mire, të dëshmojmë për zgjuarësinë, ndershmërinë, kulturën dhe dashurinë për punën e bashkatdhetarëve tanë. Kështu, kam dashur që ne më të hershmit, të ndajmë përvojën tone me të porsaardhurit me qëllim që këta të fundit të kenë informacionet e duhura dhe të evitojnë gabimet që ne mund të kemi bërë.

Ajet Nuro : Ju keni dy fëmijë të rritur që janë integruar dhe janë të sukseshëm në fushat e tyre, si ndihet nëna për këtë arritje?

Mariola Cipi Leskaj :  E çliruar. Mendo se nuk do të isha kështu e qetë e  të bisedoja me ju nëse fëmijët e mi nuk do të ishin ashtu siç janë.

Ajet Nuro : Keni ndikuar tek fëmijët?

Mariola Cipi Leskaj :  Shumë. Një mësuese e mirë, nuk mund të edukoje të tjerët, pa edukuar fëmijët e saj.

Djali i Marioles, Taulant Leskaj me bashkshorten e tij Arina si dhe vajza e vajzës, Alba

Ajet Nuro : Ju shoh gjithmonë që merrni pjesë në të gjitha aktivitetet e shqiptarëve të Montrealit (zonja ishte e pranishme edhe në takimin e parë të bizneseve shqiptare…).Pas 25-26 vitesh në Montreal, nuk jeni lodhur të merrni pjesë në aktivitetet e shqiptarëve këtu, nuk keni dëshirë të rrini mënjanë?

Mariola Cipi Leskaj :  Për mua, të rrish mënjanë, në kushtet e emigracionit, është vetvrasje. Është me të vërtete t’a çosh vehten drejt një vrasjeje shpirtërore e ndaj nuk e quaj ndonjë zgjuarësi. 

 

Zonja Marjola Cipi Leskaj në qendër, në takimin e parë të bizneseve shqiptare, maj 2017

Ajet Nuro : Zonjë, do të desha t’u falenderoj për pritjen, për ndarjen e përvojës suaj me ne dhe për gjithçka qe ju dhe familja juaj bëjnë për shqiptarët dhe lartësimin e emrit të tyre

Mariola Cipi Leskaj :  Është kënaqësi për mua dhe une ju  falenderoj gjithashtu.

 

Comments

comments

-----