IMAZHI I PASHUAR

Nga Luan Çipi

Erdhën nga Amerika dhe ikën nusja dhe djali

Dhe dy nipat e mi engjëllor,

Nisi sërish, të më gërryej malli,

Sikur kam humbur një mal me borë.

Nuk e kam më Lukasin pranë,

Ta puth në faqe e ta përqafoj,

T’i flas pak shqip për këto anë,

Dikur të lidhur, si me vargojë,

Si u përballën: zgjedha e turkut,

Lakmia e grekëve, serb’ e italianë,

Lufta e klasave, vitet e muzgut.

Jetë, me punë e mundime pa anë.

Do desha dhe Niku, nipi i madh,

Ta shijonte më shumë pasurinë,

Jo vetëm pronat, rrethuar si me gardh,

Po Vlorën, Tiranën dhe mbar Shqipërinë.

Të mësonte më shumë për Skënderbeun,

Ismail Qemal Vlorën e Isa Boletinë

Për trimat dëshmorë, që ranë për Atdheun,

Për Nënë Terezën dhe për ditët që vinë.

Ata sa erdhën, ikën pas dhjetë dite,

Mijëra kilometra larg, drejt Amerikës,

Më lanë pa sy e vesh, pa reze drite,

Në vetmi të thellë e në teh të thikës.

Në kurbetin malluar fëmijët janë të tre.

Të jetojnë të gëzuar, siç duan vetë!

Do doja, të kthehen sërish në Atdhe,

E ta çojnë të lumtur “moshën e tretë”.

Unë i lus Zotit të jem me Hanëmen,

Gruan time pafundësisht të mirë

Dhe vitet e ngelura për drejt amshimit,

T’i shkoj pa dhimbje – e vetmja dëshirë!

Vlorë, më 25 Gusht 2018

 

Comments

comments

-----