NUK MUNDET DIELLI, EDHE PSE VONË LIND!

Kuvendim mbi librin “Dielli i Vonë” të poetes Merita Thartori (Kuçi)

Nga Kadri Tarelli

Poeten merita Thartori (Kuçi), e dipllomuar për letërsi, e kam njohur vite me parë në veprimtaritë e përbashkëta letrare artistike, që organizonte shkolla jopublike “Kasa” në zonën e Plazhit me shkollën 9-vjeçare “14 Nëntori” në qytetin e Durrësit, ku Merita ishte n/drejtore e më pas drejtore. Shpesh në këto ngjarje të bukura, të ftuar kishte shkrimtarë e poetë të njohur, Vaso Papaj, Shpendi Topollaj, Agim Bajrami, mes tyre edhe unë që po shkruaj këto radhë, shpesh si gazetar e më pas si krijues. Përmenda vetëm disa emra të nderuar nga Durrësi, sepe ka edhe të tjerë: Viron Kona dhe Murat Gecaj nga Tirana, Sokol Demaku, Hamit Gurguri, Sadulla Zendelia (Daja), shkrimtarë këta, studjues e krijues shqiptarë të Kosovës, banues në Suedi, etj, etj. Ajo që më bënte përshtypje mua, këtë e thonë edhe të tjerët, është përkushtimi i saj në pregatitjen e nxënësve në çdo veprimtari, pavarësisht postit që ka, ku shumë mirë mund t’ia ngarkonte mësueseve të letërsisë, siç ndodh rëndom nëpër shkollat tona.

Të them të derjtën unë nuk kam parë drejtuese dhe organizatore kaq të përsosur e të përkushtuar, që i pëlqen të jetë edhe regjizore dhe skenariste, duke zbuluar e nxitur te nxënësit talentin, njëkohësisht duke kërkuar mes punës edhe kultivimin e dashurisë për librin, letërsinë, poezinë dhe artin.

Ndoshta duket disi e çuditëshme për lexuesin kur po them diçka të veçantë, pasi poete Merita ka një huq disi të dallueshëm nga të tjerët. Kur biseda me poetë e shkrimtarë, apo me kolegët mësues e drejtues shkollash, bëhet disi pa interes, Merita nxjerr nga çanta një bllok të vogël e thotë pa të keq: dëgjoni tani një poezi që sapo e mbarova. Ajo fillon të recitojë, pa marë akoma pëlqimin e të tejrëve, kështu i jep bisedës një impuls tjetër, duke e bërë më të ngrohtë e më miqësore.

Merita si poete është anëtare e Klubit të Shkrimtarëve e Artistëve të Durrësit, kështu që është e përfshirë në të gjitha veprimtaritë letrare që organizon klubi dhe biblioteka në qytetin tonë bregdetar e më gjërë, si në përurim librash, në takime e konkurse poezie brenda e jashtë vendit, ashtu edhe në juri konkurimesh letrare. Ajo ka botuar disa libra me poezi. Unë, duke i besuar fjalës së shkrimtarit dhe poetit V. Hygo: “Popuj, dëgjojeni poetin/dëgjojeni ëndërrimtarin e shenjtë!”, po ndalem tek “Dielli i vonë”, një libër me titull të çuditshëm, që veç poetja me frymzim dhe fantazi, di të zgjedhë në universin e fjalës.

Ajo që bie në sy porsa hap librin dhe lexon poezitë e para, është stili i vargut të thyer, që studjuesit, me qëllim për ta dalluar nga poezia klasike, i kanë vënë një emër të bukur, “poezi moderne”. Stil krijimtarie, ku hiqet dorë nga rima dhe metrika, me të cilën jemi mësuar shumë nga ne, për t’i lën vend veç mendimit e frymëzimit të çastit. Poetët dhe krijuesit në përgjithësi, duke qënë të bindur në atë që zgjedhin, nuk pyeten, veç gjykohen e vlerësohen nga lexuesi, sepse siç shprehet poeti Timo Mërkuri: “Poezia nuk është petalja e luleve. Poezia është ëndrra që ajo mbart”.

Merita Thartori (Kuçi)

Kam përshtypjen se poetja jonë Merita, ka eksperimentuar në stilin e saj. Mendoj kështu, sepse mjafton të lexosh këto fjalë në hyrjen e librit, “E nuhas me shpirt dhe e trasmetoj me frymë. Një prozë poetike me një frymëzim gati hyjnor, ku bindesh në gjetjen dhe zgjedhjen e fjalës, kështu që nuk e ka të vështirë të ndërtojë poezi me shumë muzikë e plot ritëm. Autorja mbase është në një mendje me Tolstoin, kur thotë: “Krijimtaria është si teshtima, që kur të vjen nuk e mban dot”, ndaj i qëndron besnike frymëzimit, mendimit dhe krijimit spontan, e le atë të rrjedhë e të gurgullojë lirshëm, aqsa krijohet përshtypja se nuk i rikthehet më përpunimit të vargut, aq më pak lëmimit e ledhatimit të tij.

Poezitë janë të shkurtra, disa vetëm me dy vargje, ndërsa mendimi të shtyn drejt frymëzimit filozofik. Ajo na fton të gjykojmë vetë, kur lexojmë: “Po u zgjove dhe nuk e sheh diellin, ose dielli je ti, ose ti ke vdekur!. (Faltore e brishtë). “Sikur yllësia të bënte gjumë, nata do të mbetej jetime. (Udhëtim). “Ndryshe nga përqafimi që shpesh ka ndikimin e trullosjes, aroma ka efektin e përmbajtjes. Besoj se e ndjeni zërin e poetes, që kënaqet kur u jep edhe të tjerëve pak nga shpirti i vet: “Nëse ka ende pak nevojë për pakëz shpirt-aromë-diell.. Merreni!”. (Hyrje). Duke na thënë qetsisht: “Nuk mundet dielli/ Dhe pse vonë lind”. (Nuk mundet dielli).

Vetë poetja nuk ka bërë ndarje e përzgjedhje tematike, sepse ato kanë ardhur vetiu, duke përfshirë ngacmimin e shpirtit që lakmon e kërkon gëzim e qetësi, pakëz lumturi e shumë fisnikëri, besë fjale e rrahje zemre, guxim burri  e ledhe femre, aromë deti e rreze dielli, dritë ylli e hapsirë qielli, e kështu të mund të zbutë dhimbjen nga ikja dhe mungesa e njerëzve të dashur, zhgënjimin nga pabesia, cmirra, xhelozia, llafazanëria, me të cilat jetojmë e ndeshemi ditën dhe vuajmë natën. Besoj se do të më kuptojë çdo lexues kur të nisë e të bitisë së lëçituri këtë libër me poezi, duke përmendur këto pak fjalë të urta e të sinqerta, të thëna nga Timo Mërkuri: “Këputni petalet një nga një, domethënë lexoni tregimet, s’ka rëndësi nga do ta filloni. Të gjitha kanë aromë dashurie”. Lexoni dhe do të bindeni më shumë se unë, ndaj më besoni!                  

Shijoni pak këto vargje, ku poetja është vetvetja dhe qëndron pranë lexuesit e kuvendon fare thjeshtë, pa zbukurime e fjalë të mëdha, sepse ka vetpërmbajtje e maturi, meqë e rrahur dhe e pjekur nga jeta, është tepër e sinqertë dhe e kursyer, ndaj nuk ngutet me ato që na thotë, nuk jep kshilla, veç ndjesi njerëzore: “Duart drejt, pa nënën/ Si hije në hapsirë/ Dhe qaj me hënën/ për nënën! (Dhe qaj me hënën). Ose më tej kur flet për dashurinë e heshtur të babait: “Im at e mbyll derën i fundit./Ndonjëherë i beson edhe shtysës së erës:/- erdhi – përgjon, vajza të më shohë”. (Im at). Sa thjesht shprehet dashuri e mamës, kur sheh se po rritet vajza që i dhuron lule: “Gëzuar festën mami!/Qe magji/Tek falte aq shumë dashuri. (Lulja në duar të njoma).

Autorja guxon të ndeshet edhe me fatin, e pranon dhe e shpërfill, mbase për të qetuar mendjen e më shumë shpirtin, ndërsa kulmon me optimizmin: “Kapem pas fatit/Për të falur humbjen, tradhëtinë, vdekjen”. (Varësi). “S’matemi dot me fatin/Na thuhet se e kemi të shkruar/Po kështu thuhet edhe për fëlliqësinë./ Nuk e matim dot mirësinë/ Është dhënë ta falim”. (Fati). Këtu nuk ndalet, as ulet e përulet, por ngrihet, sulet e ngulet, duke çarë në mjegullën e të panjohurës, mbase është mësimi më i mirë për të rinjtë:O fat, që s’dua të kesh mëshirë për mua!/Ti që sa munde shpinën e bëre torbë/O fat! Nuk lyp mëshirë prej teje/Aty do më gjesh/ dhëmb për dhëmb në krizë./Buzë më buzë me dielli lulendjellës”. (Thirrje). O lexues! Ndalo pak e mbaj frymën: “Bukuri që vjen e shkon./Jetë, rrënohesh e prapë kulmon”. (Jetë). Nuk çuditemi me poeten kur dëften: “Për të falur aty ku urrejmë/Për të dashur aty ku s’mjafton,/Për të qeshur deri vonë. (Unë zgjodha). “O falje që u shpike,/As mbi buzë, as nën gjuhë/As në fjalë/Por në shpirt. (Falje).

Si të gjithë poetët edhe Merita i thurr vargje dashurisë. Dikush ka thënë: “Poetët e shpikën dashurinë, njerëzit e rëmbyen”. Por ndryshe nga ç’jemi mësuar, autorja nuk fantazon me fjalë të zjarrta e vargje të arta, nuk ngulçon me marrje fryme, nuk psherëtin me dridhje buze e trupi, nuk i pëshpërin nën zë hënës dhe yjeve, erës dhe pyjeve, valës dhe detit, as gazit, mërzitjes e zemërimit të poetit. Ajo nuk derdh lot trishtimi, as mallëngjehet nga gëzimi, nuk rrëmbehet nga frymëzimi, sepse është goxha e përmbajtur, mbase pak e ftohtë, duke vënë në provë llogjikën dhe të vërtetën, ashtu siç e prekim dhe e përjetojmë në përditësi. Gjykojeni sa thjesht dhe natyrshëm këndon: “Nëse bota do të ndjehet e lumtur/ Fal ti i pari mrekulli/ Nëse do të shkrish akujt në zemër/ ndize ti i pari zjarrin. (Rrugës tënde). Mos ardhtë kurrë çasti pas kësaj bote/ Pa yje, pa puthje, me trshtim!” (Jam). Ja një thënie e bukur, të cilën njerëzit e dinë, por kur e thotë poetja e ndjejnë. “Po fryma dhe epshi janë ndryshe/E dyta shpejt shuhet/ E para lind në shenjtërim”. (Fryma). E ndjeni në shpirt një gjetje të tillë lakonike, për një çast të hidhur të dashurisë që zbehet, zhbëhet e thërrmohet: “Vitrina e puthjeve shkau/ Erësira s’e mund dhimbjen”. (Shpresë).

Vini re sa origjinale dhe e drejtpërdrejtë është poetja kur rrëfen: “Dita na merr me të mirë/ Dhe nata na gënjen sërish”. (Horizont). Gjykoni pa mëdyshje vargjet, ku goditet një realitet që e njohim, por që s’duam ta pranojmë: “S’e dinë sa shtirshëm na qeshin/ Po me atë forcë na çmojnë”. (Çasti për të dashur), ose: Nuk luftojmë me armë, por me shpirtra/ Nuk vrasim me plumba, por me intriga”. (Ne). Ajo vazhdon më tej me një mallkim, si i ardhur nga lashtësia, prej botës që nuk dihet që kur u krijua: “I vdekur qoftë ai/ Që rron si mëkatar!” (Mëkatari).

Nuk është e vështirë, që mes gjithë ciklit, lexuesi, të dallojë dy poezitë që janë më të bukurat dhe më të frymëzuarat. Unë po rendis disa vargje, për të lënë kënaqësinë e të tërës nëpër faqet e librit:  

“Sa do të doja të shihja/Në ishe i lumtur për mua?/ Do të doja të shihja/A erdha në ëndrrat e tua?/ Do doja të shihja/ Kufirin tonë ngazëllyes./Veç doja të digjja/Trishtimin tënd përvëlues”. (Doja).

Ndërsa e para i kushtohet dashurisë, kjo e dyta ka Brenda ironi e sarkazëm, sepse ku më shumë e ku më pak, ky ves na prek e na përket të gjithëve, pasi asnjëri nuk e vë re te vetja dhe aq më pak ta pranojmë. Gjykoni dhe do të jeni në një mendje me mua: “Gojë që hesht/Gojë që qesh/Gojë që vjell/Gojë që flet/Gojë hidhur-mjaltë/Gojë ëmbël-farmak”…. (Goja).

Në fund të këtij kuvendimi mbi librin “Dielli i vonë”, të poetes së njohur durrsake, Merita Thartori (Kuçi), po përmend një fjalë të urtë, më shumë një porosi për lexuesin, të dhënë nga Volteri: “Poezia është e nevojshme për njeriun. Ai që nuk dashuron poezinë ka një shpirt të zbrazët, sepse vargjet janë muzika e shpirtit”.

Kadri Tarelli

Durrës më: 31, të Marsit, 2017.

 

 

 

 

 

Comments

comments

-----