Nëpër faqet e librit të një diplomati të njohur

Nga Prof. Dr. Eshref Ymeri

Para pak kohësh më ra në dorë një libër interesant në anglisht, me titull “True Stories from Red Albania” (Ndodhi të vërteta nga Shqipëria komuniste). Autor i tij është dr. Jorgji Kote, një diplomat i njohur i karrierës.

Ka lindur më 1952 në Tiranë. Është diplomuar për gjuhë të huaja dhe ekonomi në Universitetin e Tiranës. Ka kryer specializime të ndryshme në SHBA, Austri, etj. Veç mësuesisë, ka punuar për një kohë të gjatë si ekspert dhe drejtor në ish-Ministrinë e Tregtisë së Jashtme. Në 17 vitet e fundit ka shërbyer në Ministrinë e Punëve të Jashtme në Tiranë, Këshilltar dhe Ministër Këshilltar në Misionin pranë BE-së në Bruksel dhe në Ambasadën tonë në Berlin. Vijon punën si Këshilltar në Ambasadën tonë në Bruksel.

Eshtë edhe përkthyes i njohur i anglishtes dhe autor i dhjetra shkrimeve.

Libri “Diplomacia për të gjithë” është manuali i parë praktik i këtij lloji për çdo të interesuar, pa dallim moshe, shtrese dhe profesioni; ai ndihmon për të kuptuar, vlerësuar dhe për të “ecur” në të gjashtë korsitë e diplomacisë së sotme zyrtare, ekonomike, parlamentare, publike, të kulturës dhe qytetare.

Si botime të tjera të autorit mund të përmenden: “Glosar i Bankës Botërore për Ekonominë dhe Financat”, “Berlini pa Mure”, “Fjalor Frazeologjik për Diplomacinë”, “Në Vetërrethim”.

Libri “True Stories from Red Albania” është hedhur në qarkullim nga Shtëpia Botuese “Toena” në vitin 2016. Ai hapet me një përshkrim panoramik të situatës ndërkombëtare në dy dhjetëvjeçarët e parë pas përfundimit të Luftës II Botërore, kur u vunë re ca zhvillime dramatike, siç ishin largimi i Titos nga tutela e Stalinit në vitin 1948, hedhja e themeleve të Bashkimit Evropian me marrëveshjen franko-gjermane, kundërrevolucioni hungarez i vitit 1956 dhe shtypja e tij me tanket sovjetike, prishja e marrëdhenieve të Bashkimit Sovjetik me Republikën Popullore të Kinës në vitin 1961, vrasja e Presidentit amerikan Xhon Kenedi në vitin 1963 dhe e Martin Luther Kingut në vitin 1968.

Për Shqipërinë e kësaj periudhe, autori thekson me shumë të drejtë se “përmes entuziazmit dhe premtimit për një jetë të re, shenjat e para të totalitarizmit komunist u bënë të njohura në ndarjen me aleatët e mëdhenj perëndimore, sidomos me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe me Britaninë e Madhe”.

Ngjarjet që pasuan në vendin tonë, autori i përshkruan me një objektivitet shembullor. Vendi kishte trashëguar një prapambetje të madhe në shumë fusha të jetës.

Nuk mund të mohohen në asnjë mënyrë shumë punë të mira dhe arritje mbresëlënëse që u shënuan gjatë epokës socialiste të vendit: u thanë këneta, u hapën kanale, u vaditën dhe u begatuan fusha pjellore, u arrit të sigurohej buka në vend, u ngritën fabrika dhe uzina, u hapën miniera, u punësuan njerëzit, u ndërtuan çerdhe, kopshte dhe spitale, u sigurua mjekësia falas, u hapën shkolla dhe institute të larta, u hap për herë të parë Universiteti i Tiranës, u shkolluan me mijëra e me mijëra të rinj e të reja, u krijua një inteligjiencë që e kalonte shifrën e 100 mijë vetëve, u modernizua ushtria dhe u sigurua mbrojtja e vendit.

Megjithatë, autori e vë theksin në një plagë të rëndë që kasta sunduese i shkaktoi vendit tonë gjatë një periudhe gati gjysmëshekullore. Kjo ishte lufta e klasave, në zbatim të së cilës diktatura enveriane u sul edhe kundër inteligjencies shqiptare që qe shkolluar dhe formuar në universitetet më në zë të Evropës Perëndimore. Përfaqësuesit më të shquar të asaj inteligjencie ose u pushkatuan, ose u kalbën nëpër burgje në kushte të llahtarshme, ose vdiqën në mjerim nëpër kampe përqendrimi.

Të gjitha arritjet e lartpërmendura kishin në themel edhe djersën dhe gjakun e dhjetra mijëra të të përndjekurve politikë, të cilët, për shkak të lufës së klasave, diktatura e egër enveriane i trajtoi në mënyrën më çnjerëzore nëpër kampet e punës, nëpër miniera dhe kampe përqendrimi, ku mjaft prej tyre, madje foshja dhe pleq të rrëgjuar nga vuajtjet, vdiqën nga uria, kurse fëmijët e tyre i la pa shkollë. Tërë ky trajtim barbar iu bë familjeve dhe fiseve më të nderuara të etnisë shqiptare, të cilat patën përfaqësuar palcën e kombit shqiptar në kuadrin e Shqipërisë Londineze. Veç kësaj, diktatura enveriane u sul me një tërbim të paparë ndonjëherë kundër pronës private, çka bëri që pasojat e saj të rënda të ndihen edhe në ditët tona. Të ngjallin trishtim rrëfimet e autorit për gjendjen ekonomike ku qenë katandisur prindërit për t’u siguruar fëmijëve ndopak prodhime bulmeti, si qumësht, djathë dhe gjalpë. Ta lëndojnë shpirtin fjalët e tij, kur kujton gjyshin dhe gjyshen në fshat, të cilët ishin katandisur në një gjendje të rënduar shpirtërore se shteti ua kishte marrë lopët, delet dhe dhitë. Mjerimi ekonomik kishte pllakosur edhe qytetet, sidomos në vitet ’80, të cilët, për gjendjen e rëndë ekonomike që po përjetonte vendi, të kujtonin gjysmën e dytë të viteve ’40 dhe vitet ’50, kur qe vendour sistemi i triskëtimit.

Në këtë libër, mjaft prekëse janë faqet e kreut “Diktatura e ateizmit”, ku përshkruhen ngjarjet që pasuan pas fjalimit të diktatorit Enver Hoxha, të mbajtur më 06 shkurt 1967. Pas atij fjalimi, që u pasua gjoja me nismën e nxënësve dhe të mësuesve të gjimnazit “Naim Frashëri” në Durrës për t’i shpallur luftë fesë dhe përgjithësisht besimeve fetare, filloi një masakër e vërtetë kundë fesë. Propaganda komuniste e kohës, me luftën që shpërtheu kundër fesë, para opinionit publik justifikohej me nismën që gjoja kishte shpërthyer poshtë, nga baza, sepse, siç shkruan autori, sipas udhëzimeve të partisë, “ishte populli dhe rinia ajo që qenë ngritur kundër, sepse ata nuk kishin kurrfarë përfitimesh, por vetëm dëme nga feja”. Për pasojë, mbi 2000 kisha, xhami, vende të shenjta, teqe dhe qendra kulti, qenë shkatërruar ose djegur. Klerikë të ndryshëm, veçanërisht ata të fesë katolike, ranë pre e diktaturës enveriane. Pasojat e asaj fushate gjëmëndjellëse që ndërmori dikatura e Enver Hoxhës kundër fesë, ndihen edhe sot në vendin tonë. Pas vitit 1990, gjoja për të ndihmuar në ringjalljen e besimeve fetare, drejt vendit tonë u dyndën sa e sa klerikë të huaj, të cilët kanë punuar dhe vazhdojnë të punojnë vetëm për interesat e vendeve të tyre. Pas asaj fushate ateiste të mynxyrshme që nuk ishte vënë re në asnjë vend tjetër në historinë e njerëzimit, u vu në qarkullim edhe ndryshimi i kodit të të menduarit në jetën e njerëzve. Prandaj autori sjell disa formula partiake, të cilat zëvendësuan formulat e besimit në psikologjinë e njerëzve. Ja disa prej tyre:

Zoti krijoi njeriun Partia krijoi njeriun e ri, Zoti na ka dhënë jetën Partia na ka dhënë jetën, Për idealin e Zotit Për idealin e partisë, Të lëvdojmë dhe të falënderojmë Zotin, Të lëvdojmë dhe të falënderojmë partinë, Besimi te Krishti dhe te Muhameti Besimi te partia dhe te shoku Enver.

Në këtë mënyrë, 12 dishepujt e Krishtit, qenë zëvendësuar me 12 anëtarë të Byrosë politike, portretet e të cilëve, krahas portreteve të Marksit, të Engelsit, të Leninit dhe të Stalinit, i kishin mbirë në sy popullit shqiptar, ngado që shkonte dhe ngado që rrotullohej, në ditë festash dhe në ditë të zakonshme. Me kalimin e viteve, ato portrete dhe trekëndëshi revolucionar “mësim, punë prodhuese, stërvitje ushtarake”, qenë shndërruar në një ritual të përditshëm.

Në kohën që Hrushovi ngrinte Murin e Berlinit, Enver Hoxha pati nisur më vonë fushatën për ndërtimin e qindra mijë bunkerëve në mbarë vendin, vetëm e vetëm për ta mbajtur popullin nën psikozën e rrezikut të përhershëm nga rrethimi imperialisto-revizionist. Koha e ka vërtetuar se nuk ka pasur kurrfarë planesh për të sulmuar Shqipërinë as nga Lindja, as nga Perëndimi. Por kjo psikozë i duhej diktatorit Enver Hoxha për t’i mbushur mendjen miletit se duhej shtrënguar rripi, se duheshin sakrifica në dëm të stomakut të njerëzve, se, siç thuhej natë e ditë, “jetojmë në rrethim”. Madje, për t’ia rritur entuziazmin popullit të gjorë, diktatori, siç kujton autori i librit, hodhi në qarkullim shprehjen “Armiku na ka në grykë të pushkës, ne e kemi në grykë të topit”. Vajmedet, o dikator! Se armiku, demek, nuk na paskej topa!

Ngjarjet që rrodhën pas festivalit të 11-të në Radiotelevizion (dhjetor 1972) dhe fjalimit të diktatorit Enver Hoxha të 15 marsit të vitit 1973, pas të cilit shumë figura të artit u dënuan me burgime, me internime ose me largime nga puna, të kujtojnë përndjekjet e elitës intelektuale të fundit të viteve ’40 dhe të fillimit të viteve ’50. Pas atij fjalimi, shprehja “shfaqje të huaja”, që tingëllonte me forcë në fjalimin e diktatorit Enver Hoxha, të cilën autori e përcjell në anglisht me togfjalëshin “alien manifestations”, njerëzve do t’u fanepsej edhe në gjumë. Mes atyre “shfaqjeve të huaja”, autori radhit disa syresh, si favoritet e gjata, flokët e gjatë, mustaqet, syzet e errëta të diellit, xhinset (të ashtuquajturat “pantallona kaubojsish” ), minifundet, ndjekja e emisioneve të radiove dhe të televizioneve të huaja, imitimi dhe ekzekutimi i këngëve amerikane, itaiane dhe britanike, ndalimi i sjelljes nga jashtë dhe leximi i librave “të verdhë” të autorëve të tillë, si Frojdi, Kafka, Kamy etj., që ishin mbartës të rrymave të tilla në letërsi, si impresionizmi, ekzistencializmi, teatri absurd dhe prirje të tjera letrare, ekzekutimi i muzikës së huaj, sidomos i xhazit, i rokenrollit etj.

E vlerësoj mjaft të qëlluar vlerësimin që bën dr. Jorgji Kote për pasojat rrënuese që solli fjalimi i dikatorit Enver Hoxha i 15 marsit 1973, i cili shënoi fillimin e batisjes së komunizmit, çka u bë realitet në dhjetorin e vitit 1990.

Me gjithë tragjizmin që mbartnin në vetvete ato ngjarje, dr. Jorgji Kote, në faqet e këtij libri ka pasqyruar me mjaft elegancë intelektuale edhe shfaqjet e komizmit që i shoqëronin ato. Këtu po ndalem në disa prej tyre.

Shprehja e diktatorit “shfaqje të huaja” kishte të bënte jo vetëm me qytetarët shqiptarë. Kjo për arsye se nuk lejohej që ato t’i manifestonin as turistët e huaj. Për këtë qëllim, në aeroportin e Rinasit qe punësuar një floktar, i cili, me urdhër të autoriteteve shtetërore, duhej t’u shkurtonte flokët dhe favoritet e gjata dhe t’u rruante mjekrën të gjithë të huajve që zbrisnin aty. Në këtë mënyrë, Shqipëria duhej të “eksportonte njeriun e ri sacialist”. Në vazhdim të situatave komike, dr. Jorgji përmend një ndodhi të lezetshme me një mik të huaj në vendin tonë. Ai shkruan:

Kujtoj një rast kur një mik i huaj e pyeti me ironi njërin nga zyrtarët shqiptarë se çdo të ndodhte me Karl Marksin nëse ai do të provonte të hynte në Shqipëri me mustaqe dhe me mjekër si shtëllungë. Zyrtari ynë ia ktheu me një notë humori:

Nëse ju keni bërë një të njëmijtën e asaj që ka bërë Marksi për revolucionin, atëherë ne nuk do t’jua shkurtojmë flokët””.

Një ndodhi tjetër komike lidhet me një ish-kopshtar të Ministrisë së Punëve të Jashtme, të cilin do ta dërgonin me shërbim dymujor në Romë për t’u pëkujdesur dhe për të mbjellë lule dhe pemë në kopshtin e madh të ambasadës sonë. Ministri i jashtëm, me humorin e tij karakteristik, e pati ftuar në zyrë kopshtarin para se ky të nisej për në Romë. Në bisedë e sipër, ministri e paskej porositur që të mbyllte gojën për gjërat që do të shikonte në Romë. Pas një muaji e gjysmë, kopshtari u kthye në Tiranë. Të gjithë miqtë e tij shkuan ta takonin. Kopshtari i gjorë kishte parasysh porosinë e shefit të vet. Pyetjes së tyre se si i ishte dukur Roma, ai iu përgjigj: “Mirë, nuk kishte ndonjë gjë të veçantë, gjëra normale!!!”. Kur ata e pyetën për standardin e jetësë në Romë, ai u tha: “Ata ishin në pikë të hallit”. Paskëtaj vijoi një pyetje tjetër: “A kishte lypsa?”. Ai ua ktheu: “Kishte shumë të tillë nëpër rrugë!!!”. Kur u pyet për greva dhe protesta, ai s’e pati të vështirë t’i sqaronte: “Ohu, ato zhvilloheshin çdo ditë!!!”. Në mbarim të kërshërisë së tyre, erdhi edhe pyetja e fundit me një ngarkesë humori dhe ironie: Ç’do të na thoni për lulet, a kishte lule në Romë?”. Kopshtari i gjorë e dinte se si do të reagonin bashkëbiseduesit, prandaj ua ktheu me një përgjigje zbavitëse: “Po ç’menduakeni ju, sikur të kishte lule atje, atëherë përse më dërgoi shteti në Romë?”. Të gjithë të pranishmit u shqyen gazit.

Ndodhia e fundit komike, me të cilën dëshiroj t’i mbyll mbresat e mia për këtë libër mjaft tërheqës të dr. Jorgji Kotes, lidhet me eksportin e ujit nga zona e njohur e Ujit të Ftohtë të Vlorës. Në vitin 1988, qe krijuar një mundësi për eksportimin e tij në Francë, meqenëse ai ujë njihet për cilësinë e tij të lartë, por problemi ishte se ligjet e marketingut ishin të panjohura në Shqipëri dhe qe e pamundur të lidhej ndonjë kontratë. Atëherë u krijua një tjetër mundësi për eksportimin e atij uji në Maltë. Por dikush në Byronë Politike i paskej rënë ziles së alarmit, me arsyetimin se uji ynë që do të eksportohej për në Maltë, do të përdorej për konsum në bazën ushtarake të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Ai që i kishte rënë zilës së alarmit, na paskej arsyetuar:

“Si është e mundur që ushtarët imperialistë të Shteteve të Bashkuara, do të pikan ujin tonë të pastër socialist dhe me një çmim kaq të ulët! Kurrën e kurrës! Ne kemi shumë nevojë për para të thata, por jo në shkelje të parimeve tona të shenjta!”.

Këto skena komike, të cilat dr. Jorgji i përshkruan mjeshtërisht në librin e vet, mund të shërbënin për krijimin e skeçeve mjaft bukura, të cilat, në interpretimin e artistëve tanë të shquar të humorit, duke filluar nga Zef Deda Shkodrani dhe deri te katërshja mitike e humoristëve vlonjatë, si një herë e një kohë, do ta ngrinin peshë publikun artdashës të estradave tona.

Gjithsesi, me gjithë izolimin tragjik nga bota e qytetëruar, me gjithë shtyllat e mashtrimit që ngriti dikatori Enver Hoxha për përjetësimin e pushtetit të vet, vendin ynë, pavarësisht nga varfëria e skajshme që i pati imponuar diktatura komuniste, në heshtje, pati selitur brenda vetes një sërë talentesh të rralla në disa fusha të dijes dhe sidomos të artit, të cilat, pas vendosjes së pluralizmit, me një përndritje të jashtëzakonshme, do të shkëlqenin në skenat më të shquara të artit botror. Mes këtyre talenteve të rralla, dr. Jorgji Kote përmend sopranot Inva Mula dhe Ermonela Jaho, si edhe tenorët tanë të famshëm, si Saimir Pirgu, Agim Hushi etj., të cilët i kanë zbardhur faqen kombit shqiptar që nga Nju Jorku. Berlini, Parisi, Vjena, Roma dhe deri në Sidnej, Singapor dhe Tokio.

Të bën përshtypja mënyra e të shkruarit të dr. Jorgji Kotes. Gjuha e tij është e ëmbël, fjalët i ka latuar me mjaft kujdes, ndodhitë i përshkruan me një vërtetësi befasuese.Vërtetësia dhe paanësia intelektuale, me të cilat dr. Jorgji Kote i përshkruan ngjarjet në këtë libër, më sjellin në kujtesë një shprehje fort të goditur të shkrimtarit, të dramaturgut, të kritikut dhe të gazetarit kanadez Robertson Devis (Wiliam Robertson Davies1913-1995), cili thotë:

Jam munduar ta trajtoj problemin, pa e lëbyrur shikimin tim as me syzet bojërozë të besimit, as me syzet e blerta të shkencës”.

Shpreh bindjen se dr. Jorgji do t’ju japë mundësinë edhe atyre lexuesve të vendit tonë që nuk janë në gjendje ta shijojnë përmbajtjen e këtij libri në gjuhën angleze, duke e përkthyer dhe botuar edhe në gjuhën shqipe.

Santa Barbara, Kaliforni

03 prill 2017

Comments

comments

-----