PARTIA KOMUNISTE SHQIPTARE RA E SHKËRMOQUR NGA PESHA E KRIMIT TË VET

Studiuesi  Enver Lepenica me një libër të arrirë ”Eleminimi i Grupit Komunist  të “Të Rinjve”

Refleksione

Nga Qazim Shehu

 

Libri i sapodalë i autorit të mirënjohur Enver Memishaj –Lepenica, që mban edhe titullin e lartë “Mjeshtër i Madh” nga Presidenti i Republikës, është një histori e njohur dhe e panjohur e luftës së Dytë Botërore, atëhere kur kjo histori zë fill dhe vazhdon të tirret gjatë në historiografinë komuniste mbi Grupin Komunist të Të Rinjve, dhe  në këtë tjerrje nuk ka munguar asnjëherë një aktologji e përmbysur që renditej si e drejtë nga devijatorët e propagandës së asaj kohe.

Mbasi e mbarova librin, më solli përshtypje një faktologji e gjërë dhe e detajuar, renditur me kujdes nga Memishaj, një pasuri e madhe dokumentacioni,  studimesh dhe hulimtimesh që autori me zellin skrupuloz të një studiuesi të paepur i ka bërë dhe na ka dhënë kështu një libër të trajtuar me kujdes, me zell e me kritere të plota të shkencore, çka dëshmon për një punë këmbëngulëse dhe të gjatë të tij.

Edhe më herët autori ka shkruar dhe ka njohur sukses në zbulimin e perdes së asaj drame të absurdit që gjithë rrjedhën e historisë e çoi në mullirin e një propagande të sëmurë kurajoze në delirin e saj. Kjo është e veçanta e këtij libri në aspektin e metodologjisë dhe synimit të autorit, po vetëm kaq nuk do mjaftonte, sepse synimi i vërtetë nuk është këtu, por të na japë pa deformim dhe ndikim gjithë atë të vërtetë tragjike të luftës për eleminim të kundërshtarëve brenda të majtës shqiptare;  e nxitur kjo nga emisarët jugosllavë që gjetën në Shqipëri kukullat e tyre perfekte dhe dihet se kush ishin këto kukulla.

Po kush ishin këta pjesëtarë të këtij grupi dhe çfarë afronin ata? Sadik Premte, Anastas Lulo, Neki Ymeri, e të tjerë. Dhe çfarë kishin ata në platformën e tyre?Ata ishin komunistë, po komunistë të orientuar për shkak të bindjeve të tyre ideologjike të së majtës dhe që kërkonin të organizonin një partie të majtë disi ndryshe, larg ndikimeve jugosllave, ndikime që i shihnin si fatkeqësi kombëtare dhe me pasoja. Gjithashtu ishin njerëz me autoritet në popull, një fraksion patriotik i majtë dhe pjesëmarrës direkt në këtë luftë. Dhe cili është bilanci? Tragjik dhe i paarsyeshëm, po të kemi parasysh faktin se në këtë bilanc bie në sy, jo vetëm numri i të eleminuarve, po sidomos mënyra çnjerzore e eliminimit të tyre.

Nga ky grup: 32 veta u ekzekutuan në pritë pas krahëve; 8 të tjerë u vranë pas krahëve dhe u shpallën dëshmorë; 24 ranë dëshmorë në fushën e luftës; 1 u detyrua të vriste veten dhe një tjetër u zhduk pa nam e nishan; 32 u dënuan me burgime të rënda, dy të tjerë u bënë hyzmeqarë të Serbisë; 9 prej tyre u arratisën dhe jetuan në dhe të huaj, trembëdhjetë u harruan; për 15 të tjerë nuk dihet. Autori librit Enver Memishaj vjen me këtë vepër (e gjashtëmbëdhjeta në radhë) me një dokumentim të plotë, gati shterues duke sjellë sa informacionin nga burime të ndryshme, aq edhe trajtimin e tyre brenda këtij burimi, dhe kjo është një meritë e autorit; sepse në këtë punim voluminoz shquhet aftësia e tij jo vetëm për të ndjekur aspektin kronologjik të problemit po edhe atë hierarkik, për të kuptuar sesi gjërat në atë kohë zhvlerësoheshin përmes një hierarkie të përmbysur vlerash dhe, pikërisht, për të mos i duruar ato, duke pasë frikë prej tyre, vepronin metodat terroriste dhe fashiste ku, dredhia, cmira, shantazhi dhe intriga thureshin me një stërhollim të tmerrshëm, nga Hysni Kapua dhe Mehmet Shehu, me nofka dhe etiketime të padrejta. Në vazhdën e eliminimeve të projektuara nga Kapua dhe Shu pas Sadik Premtes dhe Anastas Lulos u vunë në shenjestër që në themelimin e PKSH-së, shumë anëtarë të tjerë të Grupit Komunist të Të Rinjve.

Është intersante të kuptohet baza e këtij terrorizmi  si vepronin “shokët”, kështu, ndërsa Neki Ymerin e kërkon fashizmi si luftëtar i lirisë, e asgjesojnë shokët e tij me urdhër të Hysni Kapos. Asgjësohet si tradhtar Anastas Lulo dhe vritet në pabesi Mustafa Gjinishi për t`u shpallur më pas hero. Enver Hoxha i kërkon Neki Ymerit që të vriste kunatin e tij, Sadik Premte. A nuk e vrau më pas Enveri kunatin e tij patriotin Bahri Omari? Grupi Komunist i Të Rinjve ishte një grup me ide të majta, po me qëndrime demokratike ndaj palëve të tjera që pranonin të luftonin fashizmin dhe që luftonin. Kështu ata përkrahnin Marrëveshjen e Mukjes, si një marrëveshje që nuk shihej me sy të mirë nga jugosllavët, prandaj dhe u prish.Gjithësesi, ky grup, përbën një vështrim sesi mund të ishte lufta nëse këto ide mund të vështroheshin me realizëm dhe pa cmirën e një klike të fshehur dhe të hapur që sponsorizohej e mbështetej dhe vepronte e ndihmuar nga misionarët jugosllavë, Miladin Popoviçi dhe Dushan Mugosha.

Autori Lepenica u bën një prerje vertikale ngjarjeve, ndodhive apo aspekteteve të ndryshëme biografike duke ndërtuar portretin e personazheve reale në historinë e kohës  dhe këtë e ndërton pa iu larguar sfondit të kohës, rrethanave të kohë krijimit të PKSH, ndërhyrjen e huaj në të, dhe prej këtu, kur një foshnje mbytet që në djep dihet se çfarë mund të pritet prej saj. Del qartë mesazhi se komunistët nuk e donin lirinë thjesht për popullin, po për të çimentuar pushtetin e tyre ashtu siç edhe ndodhi, sepse ky pushtet u çimentua me gjak të pafajshmish të kundërshtarëve politikë, po jo vetëm kaq, vrasjet për eleminim në dobi të një klike të caktuar shkuan gjithnjë në një zinxhir të pafund eleminimesh për një kohë të gjatë, gjersa PKSH ra e shkërmoqur nga pesha e krimit të vet. Për partitë që e mbështesin zhvillimin e tyre brenda fanatizmit ideologjik dhe frikës së lëkundjes së pushtetit, frika dhe demonizimi i kundërshtarit, mbetet gjithnjë një simptomë e njohur që ta deguston dhe shkurajon shpresën që diçka më të mirë mund të bëhet e mund të arrihet. Sepse ato mbjellin psikozën e terrorit përmes të pamundurës për të bërë diçka tjetër që e tekalon këtë sjellje. Autori jo vetëm që sjell kohën me përjetimet detajuese, po në mënyrë konceprtuale dhe nëntekstuale ngërthen edhe këto ide sa të pritshme aq edhe të kuptueshme prej nga merr pamjen e plotë tabloja e paraqitjes hap pas hapi. Është për t`u theksuar si një meritë e autorit se plotësimi i dëshmive dhe radhitja e tyre, të hedhë dritë tek e vërteta, ajo e vërtetë e cila shpesh është mbuluar me hirin e harresës apo është trajtuar sipas ithtarëve dhe apogjetëve komunistë. Këtu nuk është se kemi të bëjmë me një qëndrim ideopraktik të autorit në shërbim të ndonjë nisme për të përmbysur diçka tjetër, po vetiu kjo e përmbys diçka tjetër dhe na sjell ne të plotë gjithë atë histori tragjike dhe domethënëse të këtij Grupi.

Autori thekson se qendrën ky grup e pati në Vlorë, me pjesën dërmuese  të të rinjve  komunistë, po ai e shtriu veprimtarinë e tij edhe më gjërë. Kjo veprimtari konturohet në aksione konkrete kundër fashizmit dhe me një vizion të qartë për luftën, e cila nuk mund të dilte, sipas tyre, nga elementi përbashkues, po pikërisht nga kjo PKSH kishte frikë, ashtu siç vërtetë ndodhi, sepse më vonë edhe pushteti duhej ndarë.

Shenjat, shfaqjet e një partie me prirje të theksuar diktatoriale u dhanë që gjatë luftës dhe erdhën duke u forcuar edhe më  sipas etapave historike kur na duhet të hetojmë se eleminimi i grupeve të njëpasnjëshme nuk nënkupron tjetër, veçse eleminimin e alternativave dhe sektarizmin ideologjik të kësaj force që mpiu edhe segmentet më jetësorë të një kohe e cila mbeti në vend. Këto ide autori i librit i shtjellohen nga shumë rrëfime, burime, kujtime, flasin dëshmitarë të gjallë të kohës, në kohë të ndryshme dhe sipas situatave të ndryshme, përshkruhet jeta e Sadik Premtes në Paris, atentati ndaj tij që dështoi, dhe mijëra relacione kohore të cilat vihen në një teatër të fshehtë dhe të vështirë veprimesh.

                                                     *      *     *

Duke marrë shkas nga portretizimi i veprimtarisë së këtij Grupi, autori Memishaj kalon në mënyrë    induktive nga një pjesë në të tërën dhe përmes kësaj metode metonimike ai na bën një skanim njohës për ngjarjet më pikante të asaj kohe dhe të kohës që vjen pas dhe kështu ky libër plotëson një boshësi të ndjeshme, në arritjen e së cilës autori ka meritë.

Kështu ai krijon hapa pas hapi, duke ndjekur edhe teknikën e ndërprerjes për të futur një element shtesë, gjithë atë panoramë ngjethëse që duket sikur shkëputet nga kronikat mesjetare e madje në mjaft raste ua kalon atyre. Dokumentimi i shumtë ka sjellë edhe mënyrën kompozuese të derdhjes së lirë  ku lexuesi mund të gjykojë vetë dhe të plotësjë kuadratin imagjinativ po vetë.

Ky libër lexohet si dokument, përshkrim, analizë, qasje dhe ballafaqim, po kurrë duke mos kaluar në vështrime subjektiviste as të copëzuara. Kjo se historiani Enver Memishaj është një autor serioz dhe i përmbahet së vërtetës përmes dokumentit e kjo nuk do të thotë se ai e harron ngjizjen e bërthamës së idesë, as vështrimet analitike dhe konkludimet sintetike në raste të veçanta, sepse dihen rezultatet, dhe bilancet janë dramatike.

Historia e arrestimeve, dënimeve, internimeve, inskenimeve  e sërish arrestimeve, burgimeve, internimeve, është një histori e pafund, siç ndodh në dramat e Shekspirit ku një ngjarje nuk mund të përfundojë, sepse në mbarim të saj fillon një ngjarje tjetër dhe kështu tensioni rritet dhe kjo skenë, Shqipëria, i ngjet një teatri absurd ku, si në romanet e Kafkës nuk e merr vesh as akuzën, as dënimin, po provon akuzën dhe dënimin.

Në këtë qasje reflektive nganjëherë libri ta krijon një tablo të prozës artistike e në mos tablo, një ndjesi të tillë prej nga mund të shkëpusësh, rast pas rasti, imazhe të trishta dhe të forta të fateve njerëzore që ndodhen në zgrip ekzistencial, afër shuarjes.

Mashtrimi komunist aq shumë e provoi “drejtësinë” e këtij mashtrimi, sa  edhe të dënuarit nganjëherë dhe, jo shpesh, pranonin se partia kishte të drejtë. Droga e idealit komunist ishte e tillë sa, vëllai mohonte vëllanë, gruaja burrin apo ati fëmijën, sepse, nëse dilej kundër partis, sikur dilje kundër jetës. Me një realizëm të mirëfilltë pa u interesuar se kjo sot duket si e pabesueshme për gjeneratat e reja, autori jep mikrofabula të tilla, ku megjithëse dënohej nga Enveri, ai komunisti sillej si shembulli i njeriut që nuk ishte dashtë me u sjellë kaq keq. Kjo farsë e një ideologjie shterpe, çuditërisht kishte një injektim trullosës e ngjashme me ideologjitë fashiste që çuan popujt në kasaphanë. Duke e dhënë këtë, autori sikur i nxjerr rrënjët një teatraliteti absurd me shumë akte,  para të cilt ndodhemi.

Në përfundim mund të themi se Enver Lepenica  me librin e fundit po i ngjit gjithnjë shkallët e prozës serioze historike dhe po e zgjeron dhe thellon metodën e vështrimit realist me një qasje të hapur ndaj historis, larg ekuivokeve ndjellakeqe apo dritëhijeve.

Ai tregon se historia jonë nuk ka qenë e lehtë, protagonistët e saj shpesh janë përmbysur në vështrimin e studimeve sipas interesave dhe të mosnjohjes, prandaj ka ardhë koha që kjo histori të rishkruhet me vërtetësi dhe të njihet, po njëherit ajo pranon edhe faktin e kundërt edhe qasjen tjetër, mjafton që gjithçka të vihet në dobi të forcimit dhe besimit tek e vërteta. Dhe kësaj ai ia ka arritur me vështrime që krijohen nga hapja dokumentare e këndeve të ndryshme, me përfshirjen e një materiali të bollshëm dhe kujdesin sistemues.

Pafundësia e emrave që përdor (sipas hierarkisë dhe rëndësisë) na jep në të njenjtën kohë edhe përfshirjen e madhe në këto ngjarje të sa e sa njerëzve, të cilët u bënë protagonistë të kësaj lufte të hapur dhe të heshtur, po edhe e sjellin prozën shkencore të Lepenicës në të vërteta tronditëse dhe afër fakteve shteruese kur na duhet të krijojmë një bindje sa më të plotë për atë kohë dhe me një mesazh të qartë se gjithnjë politika në Shqipëri është një histori e eleminimit dhe jo e përfaqësimit dhe bashkëpunimit.

Historia e grupacionit dhe e vështrimit të tjetrit si armik, është një psikozë mesjetare, ku fatkeqësisht klasa jonë politike rri brenda kësaj guacke të helmuar dhe nuk është shkëputur as sot me gjithë kohrat moderne që kanë ardhur. Kështu, edhe në këtë aspekt,ky libër përcjell mesazhe kuptimplote dhe të qarta, të cilat qarkullojnë dhe përmblidhen nëpër indet e një proze shkencore dhe të shkruar me dorë të lirë nga studiuesi i talentuar dhe punëtor Enver Lepenica.

Botuar Internet: KosovariMedia.com, Portal informativ shqiptar, dt. 1.4.2017

Comments

comments

-----