Petro Marko, poeti, prozatori dhe kronikani i shtigjeve të reja

Ese nga Luan Çipi

 

Petro Marko ka lindur në fshatin Dhërmi, në buzë të Bregdetin Jon, më 25 nëntor 1913 dhe ka vdekur në Tiranë më 27 dhjetor 1991, ku edhe është varrosur sipas amanetit, pa ceremoni.

Prindërit e tij ishin Markoja e Zoica, po u rrit nga gjyshja, Mama Mille. I ati ishte pasuruar nëpërmjet tregtisë së qitros, por ai e la të vogël, sepse u sëmur gjatë kohës së internimit nga italianët,  dhe vdiq në ishujt e Tirrenit.

Petro Marko ishte arsimtar, publicist, gazetar, shkrimtar dhe poet i shquar shqiptar, anëtar i Grupit Komunist të Tiranës dhe revolucionar e progresist i mirëfilltë ndërkombëtar.

Me të kryer filloren, në fshatin e lindje më 1924, shkon nxënës në Shkollën Tregtare në Vlorë, të cilën e mbaroi me rezultate të mira, më 1932. Në atë shkollë, ku u shqua dhe për krijimet e para letrare, pati si drejtor, arsimtarin e studiuesin Kolë Kamsi dhe si mësues shkrimtarin Ernest Koliqi. Në këtë shkollë  të mesme profesionale, nga më të përparuarat dhe me të organizuarat për kohën në shkallë vendi, jepnin mësim dhe shumë mësues italianë, njëri prej të cilëve, e njohu të riun Petro Marko edhe  me “Manifestin Komunist” të Marksit.

Pasi kreu shkollën, i takoi të sorollatet gjatë nëpër Tiranën e asaj kohe, në kërkim të ndonjë pune, derisa takon Hilë Mosin, asokohe Ministër Arsimi, i cili  ia njihte prirjet për letërsi, e porositi të vjershërojë e të shkruaj dhe e caktoi mësues në Dhërmi.

Petro Marko

Më pas transferohet për në Dhruvjan të Dropullit.  Edhe atje qëndron në kontakt të vazhdueshëm me shtypin e majtë, nëpërmjet gazetave greke, të cilat ia jepte Asim Vokshi. Nga një ngatërresë që pati atje, u gjet preteksti se Petrua i jepte nxënësve literaturë komuniste, çka e rrezikonte për përndjekje.

U detyrua të largohej për herë të parë në Greqi. Qëndron në Korfuz, ku bie në kontakt me emigrantët politik të atjeshëm me në krye dr. Omer Nishanin. Pastaj niset për në Athinë, ku kishte të vëllain Dhimitrin (Mimon), që ishte larguar që fëmijë nga Dhërmiu.

Në Athinë, Petro Marko, hyn në Fakultetin e Letërsisë të Universitetit Shtetëror, ku pas do kohe. nisi të ketë fërkime me rektorin. Rektori grek, e quante për turp që Petroja, si himarjot, të ishte mësues i shqipes. Petroja ia kthen “turp për ju që ende jetoni në kohë të Bizantit!…”, replikë që i shkaktoi përjashtimin, pas dy vjet studimi atje. Nëpërmjet punëdhënësit të të vëllait, krijohet mundësia të hyjë në një shkollë jo shtetërore, në Fakultetin Ekonomiko-politik. Bën përpjekje të shkojë në Bashkimin Sovjetik, ku ishin dhe miqtë e tij, Sejfulla Maleshova, Ali Kelmendi e Tajar Zavalani, por këtë dëshirë të zjarrtë, nuk e realizon dot.

Kthehet në Shqipëri, pas vendosjes të qeverisë liberale të Mehdi beut, në verën e vitit 1935. Ndërkohë Kryengritja e Fieri, ku ai merr pjesë aktive, dështon që në zanafillë dhe drejtuesi kryesor  i saj, Riza Cerova, vritet nga trupat zogiste të Hamit Matjanit.

Ata që ngelën, midis tyre dhe Petro Marko, ikën nga Vlora për në Korfuz. Kthehet  nga Greqia në nëntor, pasi Branko Merxhani e Ismet Toto, publicist e veprimtarë me emër për kohën, e thërrasin për bashkëpunim e pjesëmarrje, me rastin e hapjes së një gazete (“Koha e Re”) si organ i Qeverisë.

Shpejt kjo gazetë mbyllet, pas një artikulli bombastik mbi punëtorët e Kuçovës, që Et’hem Toto, asokohe ministër i brendshëm, e komentoi dhe e quajti si reaksionar e komunist. Shëtiti nga një gazetë në tjetrën, si  te “Illyria”, etj. dhe më 1936 botoi disa artikuj në revistën “ABC”, bashkë me Branko Merxhanin, Dhimitër Godellin, Tajar Zavalanin, Migjenin etj., e cila u mbyll pas numrit të 2-të.

Petron, si revolucionar e ekstremist, e internojnë në Porto Palermo (2 javë) e pastaj në Llogora, po lirohet me interesimin e figurave me influencë  Branko Merxhanit e Ismet Totos.

Bashkëpunon te “Përpjekja shqiptare” e Branko Merxhanit, e cila do vepronte  si kundërshtar e rival  i “Hyllit të Dritës”. Por edhe këtu, pak më pas, largohet vetë, si i majtë që ishte, kur Merxhani, i detyruar nga ndikimi mbretëror  i kohës,  shkroi artikullin “Pse nuk jam marksist”.

Në gazeta të tjera, ku mund, Petro Marko del haptas me idetë e tij pro proletariatit dhe kjo i hyn si halë në sy Musa Jukës, ministër i Zogut, i cili për ta pajtuar, i propozon postin e zv/prefektit në Himarë. Petroja, duke tejparë pas këtij propozimi hakmarrje e dhunë, i jep fjalën se do e pranojë detyrën, po pasi të shkojë në Athinë e të japë ca provime.

Para se të niset për Greqi, takohet me Migjenin (jemi në vitin1937), dhe me të mbërritur në Athinë, realizon qëllimin e tij të vërtetë: merr anijen për në Marsejë dhe i bije përreth Mesdheut (Izmir, Xhafa, Aleksandri, Tripoli). Mbërrin në Marsejë, dhe takon në Paris veprimtarët komunist Llazar Fundo e Ali Kelmendi.

Petro Marko, si më i kërkuar dhe i zgjedhuri revolucionar për kohën, caktohet kryetari i grupit prej 113 vetash dhe niset për në Albacete, ku ishte qendra e Brigadave Internacionale. Bashkohet  kështu me vullnetarët e brigadës “Garibaldi” në Spanjë.

Në Spanjën e ndërkryer në luftë ndërkombëtare midis forcave ekstreme, merr pjesë në Mbledhjen e Shkrimtarëve Antifashistë në Valencia, ku ishin dhe shkrimtarët e mëdhenj Ernest Heminguey e Pablo Neruda.

Lëviz nga Estremadura, Aragona, Gondez spanjole e mandej prapë në Francë, ku herë në Paris e herë në Grenoble, i financuar nga Ndihma e Kuqe Internacionale, i veshur me petkun dhe karizmin e interbrigadistit, u ngarkua me agjitacionin në rininë universitare të Grenobles.

Petro Marko, tashmë revolucionar i kalitur, pas dështimit të lëvizjes internacionale antifrankiste, detyrohet të hyj në Itali nga fundi i ’39.

Në përfundim total të Luftës Antifashiste spanjolle të vitin 37-44, Petro Marko, do të marrë pjesë në radhët e partizanëve italianë, duke i rënë kryq e tërthor Italisë, si luftëtar antifashist dhe tashmë,  si komandant me përvojë luftarake.

Pas njëmijë e ca ditësh veprimtarie revolucionare atje, kthehet në atdhe sepse Kominterni, kishte porositur t’i çonte legalisht ose jo, të gjithë anëtarët e vet aktiv, në vendet e tyre amë.

Kthehet në vendlindje Dhërmi dhe i palodhur, nuk qetohet, po mendon për pajtimin e hasmërive me fshatrat e Dukatit. Në Vlorë, ku strehohet te shtëpia e Ibrahim Shytit me djem antifashist, (siç thotë “antifashistë të orëve të para”) nis e harton e shpërndan trakte, shqip e italisht, kundra fashizmit.

E burgosin në Vlorë dhe e dërgojnë në Tiranë (maj 1940)… mbas marsit 1942 e nisin për Itali, Palermo e Ustikë.

Pas çlirimit të jugut të Italisë nga forcat aleate anglo-amerikane çan burgun së bashku me të burgosur të tjerë dhe kalon në zonat e çliruara Italiane.  Atje shkruan “Një natë e dy agime”, poemat “Nase Labi”, “Horizonti në kuletë”, “Parada e të uriturve”, romanet “Kodashi”, “Rrugëve të luftës”; “Nisja pa mbarim”, “Bija e kapitenit”…

Më 1944, po në Itali, arrestohet edhe nga gjermanët nga të cilët shpëton në sajë të mësuesit të gjimnazit, ish Ministrit, shkrimtarit dhe publicistit Ernest Koliqit. dhe po atë vit kthehet në Shqipëri.

Kthehet në Shqipëri pas përfundim të Luftës Antifashiste në vitin ’44 duke organizuar edhe ardhjen e gati 300 Shqiptarëve tjerë të hallakatur, kur shqiptarët kishin mbetur pa kurrfarë organizimi.

Gjendet në Shkodër në shtëpinë e Nush Topallit, kur Shkodra bastiset nga trupat serbo-malazeze. Tek “Retë dhe gurët”, midis të tjerave paraqet një të vërtet, duke cituar Nako Spirun, që i thoshte se “Shqipëria kishte material të mjaftueshëm dhe për kushedi sa vjet,- bollëk ky që bënë të mundur tregtarët shqiptarë nën okupacionin italian e pastaj gjerman, ngaqë pushtuesit kishin nevojë për  mallra e  materiale”, ku evidenton faktin se grabitja e tyre është synimi i “aleatëve jugosllavë”.

Kur kthehet në Shqipërinë e çliruar, ftohet dhe qëndron në krye të gazetës “Bashkimi” në Tiranë nga 1945-1947.  Këtu pas një kontrolli të  befasishëm i gjejnë shkrime “jashtë vijës së partisë” dhe e arrestojnë po, si shkruan vet Petroja, ndërhyrja e Hysni Kapos, e shpëtoi nga pushkatimi dhe u lirua më 15 maj 1950.

Shkaku i vërtetë i presionit partiak ishte se Petroja nuk mund të pajtohej që në ditët e para të pushtetit me fillimin e diktaturës, e sidomos u vu në kundërveprim, kur provoi t’i rezistojë diktatit që i vinte Shqipërisë aso kohe nga jashtë kufijve administrativë, e kryesisht diktati që vinte nga Beogradi.

Dhe trysnia e përndjekja vazhdon: Më 1957  caktohet mësues  i thjeshtë në një shkolle pedagogjike, pranë Teknikumeve të Bashkuara  në qytetin e nxënësve Tiranë  dhe  në Politeknikum; më 1973 i hiqet fare e drejta për botim;  më 1975 i fusin në burg të birin, Jamarbërin.

Romani “Çuka e shtegtarit” – 1980  lindi si direktivë për autokritikë nga Partia; por s’ia pranuan e nuk u botua. Dhe kundërveprimi nuk i ndahet deri në fund.

M ë 27 dhjetor 1991 vdes dhe varroset sipas amanetit, pa ceremoni.

Presidenti i Shqipërisë, Alfred Moisiu, në vitin 2003 dekoroi Petro Markon me Urdhrin “Nderi i Kombit”.

Petro Marko filloi të shkruajë poezi dhe proza të shkurtra qysh në kohët e shkollës në Vlorë. Krijimi i parë i tij daton shumë herët, qysh në vitin 1930, data 9 dhjetor, pra kur ende ishte tepër i ri, vetëm 17 vjeç, boton poezinë e tij të parë “Flamurit” në gazetën “Shqipëria e re”, nr. 448, f. 4, në Kostancës (Rumani), me pseudonimin Vlonjati. Dhe pas këtij viti deri sa mbyll sytë, ai shkruan pothuajse në të gjitha gjinitë letrare, që nga poezia e deri tek dramaturgjia.

Numërohen mbi 50 organe shtypi ku ndihet pena e tij. Me qindra poezi, tregime, fragmente romanësh, shkrime publicistike, përkthime nga autorë të ndryshëm, veçanërisht ata hispanikë, zënë vend në këto organe. Shquajnë shqipërimet nga Rafael Alberto dhe Federiko Garsia Lorka, si një shërbim plot dashuri e talent, krahas 7 autorëve të tjerë, kryesisht poetë..

Proza e Petro Markos është një prozë e mbrujtur me vrulle dhe pasione jete, me përplasje dhe drama të forta shoqërore e politike, me një humanizëm të kulluar, që vë në lëvizje mekanizmin deri  romanesk të Markos dhe e bën atë krejt të veçantë e krejt të dallueshëm nga shkrimtarët e tjerë, jo vetëm të brezit të tij, por dhe të brezave paraardhës apo të mëvonshëm.

I lënë në hije në kohën e komunizmit, i rrethuar me heshtje, keqkuptim, ndjekje e persekutim, shkrimtari, që luftoi me armë në dorë kundër një diktature në  dy vende të Evropës, në Spanjë e Itali, u përndoq nga segmente të Diktaturës në vendin e tij, vetëm për shkak të thellësisë realiste dhe fuqisë artistike të veprës së tij dhe të qëndrimit konsekuent shqiptar e perëndimor, anti serb e sllav. Edhe sot, tridhjetë vjet demokraci, Petro Marko prapë është në gjysmëhije dhe nuk i është dhënë vendi që i takon në letrat shqipe.

Nuk ka shembull në letërsinë shqiptare, ku të jetë gërshetuar dhe njehsuar aq shumë mes vetes  si njeri dhe si krijues. Petro Marko si njeri dhe Petro Marko  si shkrimtar.

Me romanet e tij, Petro Marko hyri në personalitetet më të shquara të kulturës shqiptare që sollën risi të vërteta në traditën letrare shqiptare.

Ai vazhdoi të shkruaj e të botoj pa reshtur dhe në çdo kohë në Shqipëri, Greqi, Spanjë e Itali, në Vlorë e Tiranë.

Në kulturën dhe letërsinë kombëtare Petro Marko është personalitet i përmasave të mëdha me shpirt e mendje të pa luhatur para çdo stuhie.

Ata që kanë njohur nga afër Petro Markon, kanë ndjerë se brenda tij rrezatonte një besim madhor ndaj njeriut dhe mirësisë. Vetëm një lartësi shpirti e tillë mund ta përballonte ndeshjen sy më sy me vdekjen, që ai përjetoi aq shumë herë gjatë jetës së tij. Dhe sa herë ngrihej në këmbë ai do ta niste nga e para luftën ndaj së keqes po me atë forcë besimi, po me atë rrezatim mirësie.

Të tillë e ndjen lexuesi Petron në romanet “Hasta la vista” (1959) dhe “Qyteti i fundit” (1960), ku rruga e tij jetësore e asimiluar artistikisht, është aq e pranishme. Në vitet ’70 ai do të shkruajë romanin “Një emër në katër rrugë”, ndërsa periudhën e vështirë të jetës së tij në ishullin e Ustikës do ta përjetësojë në romanin e tij të rëndësishëm “Nata e Ustikës”.

Paraqitja e shkrimtarit Petro Marko me dy romanet e tij të parë “Hasta la vista” dhe “Qyteti i fundit” në vitet ’60 është një kthesë e vërtetë në historikun e shkurtër, pa traditë lashtësie të romanit shqiptar. Dhe nuk është fjala për rrumbullakimin e një përvoje krijuese por përkundrazi, për ndërprerje dhe dalje nga një përvojë e shartuar jo natyrshëm në rrjedhat e letrare shqiptare, ishte një synim që romani, pjesërisht në vitet ’40, ’50, do të çlirohej dhe të hapej si vizion, univers krijues dhe si spektër tematik.

 Petro Marko kishte përparësi dhe përvojë të gjatë të akumuluar, si idealist i lindur, që qysh në moshë fare të re vajti vullnetarisht të luftonte në Spanjë kundër Diktaturës së Frankos, krahas me shumë vullnetarë të tjerë nga Shqipëria dhe këtë përvojë madhore, një botë mbresash e përjetimesh marramendëse i përcolli në romanin e tij mbresëlënës, një ndër romanet më të mirë të letrave shqipe “Hasta la vista”. Ky roman është një himn i lirisë së munguar, një apoteozë e dashurisë dhe humanizmit përballë ingranazheve të vdekjes dhe tjetërsimit. Është një narracion i mrekullueshëm ku përzihet  lufta  dhe  erotika, plagët dhe puthjet, ëndrrat njerëzore dhe vullgariteti e dhuna, një sagë mbresëlënëse për fatin e njeriut në luftë me forcat e errëta të shoqërisë, në një kohë të vështirë, plot kthesa e befasime.

Me romanin “Qyteti i Fundit” shkrimtari Petro Marko tentoi të hapte artistikisht dritaren e paqes dhe të humanizmit njerëzor, të shkrinte gjithashtu akujt e ngrirë që dukeshin si akuj të përjetshëm. Romani erdhi kështu  si vepër jashtë konformizmit. Dritero Agolli shkroi për të se: “shënoi një epokë në historinë e romanit shqiptar, pasi është i pari roman modern… Po të mos ishte shkruar romani “Qyteti i fundit”, Kadareja nuk mund të kishte bërë veprën e tij “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, shton ai.”

Romani “Qyteti i fundit” theu akullin, prishi skemën dhe në formën më emancipuese, shkrimtari i kësaj vepre tregoi se letërsia duhej të lirohej nga dogmat, nga angazhimi i dhunshëm dhe ndërkohë futi një lloj shkëlqimi të tejdukshëm dhe emancipues në veprën e tij: atë të dashurisë njerëzore dhe të izolimit të urrejtjes.
Romani “Qyteti i fundit” i Petro Markos është një vepër për luftën, paqen njerëzore dhe humanizmin njëkohësisht: është një vepër e fuqishme anti diktatoriale. Në një vepër të tillë shpalosen fatet e njerëzve: fatet e realizuesve makabër të luftës dhe fatet e viktimave, ku njeriu del prej lufte si prej shkretëtirës së vdekjes. Tragjikja 
që përshkon fatet e njerëzve mbi të cilët ka rënduar lufta rrjedh në formën e ankthit të pandërprerë.

Brenda 7 ditëve, aq sa qëndrojnë italianët e mbledhur në portin e Durrësit për t’u kthyer në Itali, shkrimtari në romanin “Qyteti i fundit” do të zbulojë dhe do të rrëfejë historitë dhe fatet e disave nga ushtria fashiste që para 4-5 viteve e kishte pushtuar Shqipërinë. Në këtë pleksje historish e fatesh, autori do të sajojë linjën e rrëfimit që ndjek hetimi për zbulimin e një krimineli lufte, të maskuar dhe të fshehur brenda turmës së “Qytetit”. Në krye të grupit që duhet ta organizojë dhe ta udhëheqë këtë zbulim është toger Leka. Pista që ndjek togeri në këtë drejtim, e ngjashme me labirintet e romaneve detektive, do të ecë dhe përmes prostitutës italiane – Ana Maria Monti. Dhe do të lindë dashuria mes tyre, që është shumëfish më “mëkatare” se ajo mes Gorit dhe Anitës. Leka është toger i Sigurimit të Shtetit të Shqipërisë së sapodalë nga lufta, që la pas shkatërrime dhe krime, ndërsa italiania Ana është e palës që i kreu ato krime, e palës së cilës i shërbente.
Kështu shkrimtari, duke ndjekur këtë linjë do të ecë nëpër një teh të mprehtë: do ta lejojë togerin e Sigurimit t’i nënshtrohet zërit të brendshëm njerëzor dhe të dashurohet.

Romani “Qyteti i fundit”, në këtë drejtim, sjell mjeshtërinë e të rrëfyerit të Petro Markos, që, i futur vetë mes dy zjarreve, arrin të manovrojë dhe t’u krijojë hapësirë artikulimi të dy krahëve, duke realizuar portrete komplekse, në radhë të parë si ai i toger Lekës. Gjithsesi ai si shkrimtar, pati i pari kurajë krijuese që të prekë sfera delikate, të rrezikshme të realitetit shqiptar të kohës, pasojat e të cilave i ndjeu gjithë jetën

Krahas kësaj prirjeje të brendshme që kanë të dy romanet e përmendur përballë veprave të të njëjtit zhanër të deriatëhershëm, këto vepra qëndronin superiore edhe si artikulim artistik. Dhe pikërisht për natyrën e risive, për natyrën që pretendon ndryshime të vërteta të vlerave letrare. të gjitha veprat e Petro Markos, u pëlqyen dhe u kërkuan nga lexuesi.

Krahas prozës moderne që na ka dhënë për të rritur, Petro Marko krijoi merhumë  dashuri edhe për të vegjlit. Ai ka meritën se qe nga nismëtarët e prozës së gjatë për fëmijë e të rinj. Është autor i disa romane të suksesshme për fëmijë si; “Shpella e piratëve”, (1964), “Halimi”(1969), “Fantazma dhe plani 3+4”, “Griva” (1988).

Në përgjithësi romanet për fëmijë të Petro Markos, shquhen për realizimin e bukur artistik, për figuracionin e pasur, për fantazinë e ndezur, për shprehjet racionale, për dialogun e gjetur, konciz, funksional e psikologjik, për mbështetjen në letërsinë gojore, si dhe për strukturën e qëlluar kompozicionale. Ai duket sikur luan me botën e fëmijëve. Me lojën e tyre, ka realizuar me mjeshtëri tipizimin e personazheve. Nëpërmjet simboleve autori zhvillon një pjesë të madhe të veprimeve. Në përshkrimet e bukura ruhet një harmoni e madhe midis mjedisit dhe botës së brendshme të personazheve.

Krijimtaria për fëmijë e Petro Markos, është një dëshmi e aftësisë së veçantë krijuese të autorit për të qëmtuar me kujdes dukuri, detaje, ngjarje të bazuara në folklor si dhe në veprimtaritë e përditshme të fëmijëve për të nxjerrë në pah një sistem ekuilibrues midis realizmit dhe konkretes psikologjike, midis të vërtetës jetësore dhe të botës, duke u futur thellë në psikologjinë e personazheve, si dhe duke përcjellë  ngjarjet emocionalisht, tek lexuesit e vegjël.

Romani “Shpella e Piratve” i edukon të vegjlit me virtytet e shquara të të parëve, me ndjenjën e krenarisë për të kaluarën e lavdishme të popullit tonë. Ai i nxit fëmijët për të kryer vepra të mira, për të qenë të guximshëm, trima, të vendosur e të shkathët në jetë.

Veç poet e prozator, Petro Marko ka qenë një kronikan i palodhur e i jashtëzakonshëm. Gjurma e gazetarit është e dukshme në gjithë veprën e tij, qe nga fillimi e deri ne rreshtat e fundit që shkroi. Fillimet e Petro Markos janë si gazetar, në revistën “Vatra e rinise”, ku çdo numër kishte nga një shkrim. Vangjel Koca i kërkonte shkrime për gazetën “Demokracia”. Gazeta “Iliria”, e miqësoi me Sterjo Spassen. Pas kthimit nga Greqia, në një “liri shtypi” që u ndje në atë kohe, bashkë me Tajar Zavalanin, Branko Merxhanin, Vangjel Kocen e Ismet Toton, kur nisen botimin e “Kohës së re”.

Rreshtat e pare ashtu si dhe te fundit, Petro Marko i shkroi në gazetë. Fati e desh kështu. Librin e fundit “Interviste me vetveten” ai e shkruan për gazetën, si gazetar. Dhe ne fund te tij: “Si gazetar i vjetër, i dëshiruar për të thënë një fjalë të lirë, pata mundësinë ta them ketë fjalë në gazetën “Republika”. Po vjen koha e ndryshimeve të mëdha. Ndihet një atmosferë, nuk më gabon nuhatja e gazetarit. Veçse për mua është tepër vonë. Megjithatë, më mirë vonë se kurrë”, thotë. 

Faqet më të fuqishme të prozës së Petro Markos reflektojnë triumfin e dashurisë dhe të humanizmit njerëzor. Pas tërë atij ferri nëpër të cilin kalon njeriu në rrëfimin e Petro Markos, ai arrin të mbetet i pamposhtur nga mizoritë e botës. Këtë bërthamë të brendshme e rrezatojnë personazhet nga romanet e tij, këtë shkëlqim biblik reflekton Petro Marko njeri dhe Petro Marko shkrimtar në tërë veprat e tij..

Një tjetër karakteristike dalluese e shkrimtarit Petro Marko është saktësia në përdorimin e gjuhës letrare në krijimtari.

Prof. dr. Valter Memisha në referimin të veprës së fundit te Petro Markos “Retë e gurët” (intervista me vetveten”) si gjuhëtar, tregon se  përballë krijimtarisë së shkrimtarit, është gjendur i befasuar nga stili i tij në të shkruar. “Unë jam gjuhëtar dhe kur kam lexuar “Retë e gurët” (intervista me vetveten) jam befasuar. Më ka befasuar stili i tij kur kam lexuar “Nata e Ustikës”, “Stina e armëve”, “Ara në mal”, “Hasta la Vista”. Por ajo është letërsi e mirëfilltë dhe dihet që e kërkon fjalën, ndërsa “Retë e gurët” jemi te kujtimet. Në këtë vepër ka tekste të letërsisë së mirëfilltë dhe artistike. Ka tekste argumentuese, parashtruese, madje dhe të standardizuara deri tek tekstet dialloguese teatrore”, tregon gjuhëtari. Dhe ai vazhdon: “Kemi një sintaksë brilante në kuptimin e vërtetë të fjalës, kemi sintaksë aq shqipe sa të mahnit. Kemi gjymtyrë homogjene, fjalë që vijnë njëra pas tjetrës që krijojnë një renditje që nuk të lodh, por të çlodh, një renditje që të krijosh atë personazh, atë portret, atë kohë që ka dashur të krijojë Petro Marko”

Tek vepra e tij rrezaton bindja dhe besimi i lindur për dashurinë dhe humanizmin njerëzor, ndonëse sa rrojti ishte ndër personalitetet më të persekutuar dhe më të munduara.

Në vitin 2000, e shoqja e tij, Safoja me të bijën Amantia, botojnë “Retë dhe gurët – Intervistë me vetveten”, autobiografik ku Petro Marko plak merr në pyetje një version më të ri të vetvetes; libër ky që i kishte mbetur dorëshkrim dhe e kishte dëshirë ta botonte. Me romanet e tij Petro Marko hyri në personalitetet më të shquara të kulturës shqiptare që sollën risi të vërteta në traditën letrare shqiptare.

 

Petro Marko hapi shtigje të reja në çdo gjini që shkroi dhe sidomos në prozën shqiptare, të zënë në grackën kufizuese të realizmit socialist, duke i thyer caqet e këtyre kufizimeve me magjinë  e rrëfimit të tij mbresëlënës, me fuqinë e fjalës dhe të përshkrimit, me stilin e ngjeshur e dinamik, me larminë e tipave dhe karaktereve, me gjuhën e gjallë dhe plot kolorit të brendshëm, plot trajta e figura të mrekullueshme, që ai sjell në veprën e tij madhore, kudo.

Tituj të veprave:

Hasta la vista (1958)

Qyteti i fundit (1960)

Një emër në katër rrugë

“Ara në mal” – roman

Nata e Ustikës (1989)

Shpella e piratëve- roman

Vepra autobiografike

“Horizont” – roman

Fantazma dhe plani

Çuka e shtegtarit

Një natë dhe dy agime

“Stina e armëve” – roman

“Halimi” – roman

Shpella e pirateve

“Tregime” – tregime

“Gazetari, mbreti e uria” – – roman

“Retë dhe gurët” – 2000

Ultimatumi – 2002

Tregime të zgjedhura – 2003

Mirënjohje:

Mjeshtër i Madh i Punës – 1998

Penda e Artë – 2000

“Qytetar Nderi” i Vlorës – 2002

Kanë thënë për Petro Markon:

Ali Aliu: Petro Marko, personalitet i përmasave të mëdha, klasik i letërsisë sonë, lirizmi i epopesë së SpanjësDritëro Agolli: Petro Marko, rebeli, bohemi, kryengritësi që na mungonAna Maria Garsia Suharez: Mësova shqip për Petro Markon

Teodor Laço: Madhështor me shpirt të gjerë.

Tasim Aliaj: Intrasigjent i përjetshëm.

Vangjush Gambeta: I mençuri, trimi, i madhi dhe i thjeshti Petro Marko.

Ramon Sanches Lizarralde: Petro Marko, një shqiptar ndërkombëtar.

Xhevahir Spahiu: Petro Marko u këndoi të gjallëve, të vdekurve dhe atyre që s’kanë lindur.

Tonin Çobani: Universiteti human i një prozatori.

Iva Tiço: I fundit i idealistëve.

Luman Caka: Njeriu i lindur për të qenë vërtet “inxhinier i shpirtrave njerëzorë”.

 

 Për këtë jetëshkrim janë përdorur të dhëna nga interneti: Wikipedia, Hiqmet Hasko, Zymer Melani, Bardhosh Gaçe, Ali Aliu, Ramadan Çadri, Julia Vrapi, Aurel Plasari, Bashkim Bekolli, Luman Caka, etj.

 

Vlorë, më 25 Qershor 2018

 

 

Comments

comments

-----